Krijimtari

Tartufi modern - Tregim nga Avdulla Kënaçi

Ky tregim nuk ka lidhje me njerëz dhe emra konkretë

Ai ecte kuturu nëpër borën e saporënë dhe as dëgjonte rënkimin e saj zhap-zhup nën shuallin e këpucëve me qafa dhe as erën që i fërshëllente rrëzë veshëve. Hyri i vetëm në kafe dhe nuk i kujtohej nëse e kishte përshëndetur banakieren që ishte kruspullosur pas banakut ngjyrë arre.

- Dubël uiski, dubël kafe, - pëshpëriti nëpër dhëmbë dhe u ul në vendin e tij të zakonshëm, afër dritares. Treti shikimin tej xhamave, në bardhësinë e borës dhe ashtu i përhumbur në mendime ndenji pa lëvizur për minuta të tëra. Banakieres i bëri përshtypje kjo porosi prej tij, si kurrë ndonjëherë, dopio uiski, dopio kafe. Interesante.

- Po të ftohet kafja, - e ndërpreu nga përhumbja zëri i butë i banakieres. U kujtua që duhet të kishte ardhur porosia. Çudi si nuk e kishte vënë re? Rrëmbeu gotën e uiskit dhe e ktheu pa u ndalur, gjer në pikën e fundit, por vështrimin nuk e hoqi nga çarçafi i bardhë i borës që kufizohej me superstradën.

- Si u katandise kështu, o Niko Vasili, - pëshpëriti nën zë dhe solli ndërmend mbërritjen në Kanada përpara shtatëmbëdhjetë vjetësh.

Atëherë e bija, Anxhela, ishte pesë vjeç, e lehtë si pupël, gjithnjë e bukur, si një engjëll i vërtetë. Vinte e pakët në trup, por nuk ishte sëmurur asnjëherë edhe pse i kishin rënë rreth e përqark botës. Kishin blerë tri pasaporta italiane dorazi tek një trafikant grek dhe u nisën direkt nga aeroporti i Athinës për në Meksikë e mandej për në Toronto. Edhe pse pasaportat në kufi u kontrolluan, askush nuk dyshoi se ato ishin të fallsifikuara. U ishte ndërruar fotografia nga profesionistë që janë mjeshtra të këtyre aferave. Kur oficeri kanadez i kufirit, pas fomaliteteve, ku i treguan indentitetin e vërtetë dhe shkakun e largimit nga Shqipëria, u dha lejeqëndrimin e përkohshëm, ata sa nuk fluturonin nga gëzimi. Ja mu aty, në dalje të aeroportit, inxhinieri i ndërtimit Niko Vasili nga Shqipëria, e ngriti lart të bijën, pastaj e uli mbi sup dhe i tha me zë përkëdhelës:

- Për ty xhan i babit, për ty e bëmë këtë sakrificë, e kam pasur ëndërr Amerikën e Veriut, rrugët e jetës këtu janë të hapura. Vetëm të mos duash. Askush nuk vuan këtu për të ngrënë e për t’u veshur. Milionerët paguajnë qimet e kokës për t’i diplomuar fëmijët e tyre në Univesitetin e Torontos, ndërsa ti do ta kesh atë mu tek dera.

Inxhinier Niko Vasili ka qenë gjithnjë i përpiktë, si një orë zvicerane, me provimet, me mbrojtjen e diplomës, me punën në PVC-në e Lushnjës, gjersa ajo u vodh e u shkatërrua, me martesën dhe çdo lloj marrëdhënie shoqërore. Fjalëpakë e punëshumë. Të shoqes, mësuese letërsie, krejt e kundërta e tij, gjithnjë ai i ka hapur rrugë dhe pse ajo shpesh ia ka sjellë në majë të hundës, e ka toleruar duke gjetur gjithnjë një zgjidhje të mesme. Shumë here e ka pasur në majë të gjuhës fjalën “spec djegës”, por as këtë nuk ia ka thënë kurrë. Ata mund të jetonin edhe në qytetin e Lushnjës, por e shoqja u kish lëshuar nja dy-tri diploma gjimnazi personave që nuk ishin paraqitur në asnjë orë mësimi, sigurisht duke marrë ca para nën dorë “si e gjithë dynjaja”. Realisht, kjo nuk u mor vesh sepse e gjithë shkolla ishte kthyer në një rrumpallë, por Niko Vasili këmbëngulte se një ditë do të kthehej shteti i vërtetë dhe dokumenti është dokument, edhe njëqind vjet të kalojnë, ai fle aty. Dikush do paguajë se nuk bën për falsifikimet. Duke ardhur në Kanada, të gjitha këto u hodhën pas krahëve, sikur të mos kishin ndodhur kurrë.

Pa kaluar as gjashtë muaj në këtë vend të paanë e të pafund, ixhinier Nikua gjeti punë në një shtypshkronjë dhe Evanthia në një magazinë të madhe ku seleksiononin fruta-perime. Profesioni i saj nuk pinte ujë; gjithnjë në intervista pyesnin a ke përvojë kanadeze apo amerikane. Po edhe kështu, paguheshin mirë dhe filluan të vinin ca lekë mënjanë. Të bijës i hapën një librezë kursimesh ku herë pas here i shkarkonin të holla. Anxhela rritej si një lastar panje duke u dalluar në gjithë shkollën. Vinte radha e koncertit të Vitit të Ri dhe uniforma me rroba të kuqe me kapuç, ishte prerë me kohë për kurmin e saj. Edhe pse e para e klasës, ajo asnjëherë nuk u kënaq me rezultatet:

- Ka edhe më mirë, - thoshte.

- I ngjave babait për mësime, moj pikërënë, - ia priste Evanthia kur ajo çdo herë sillte në fund të vitit shkollor medaljet, një pas një. Kur ishte në vit të dytë të shkollës së mesme e që këtu i thonë shkollë e lartë, Nikos i shkoi ndërmend ta aktivizonin gjatë kohës së lirë në sporte.

- I bën mirë për shëndetin Ev, i rrit rezistencën, por nuk do ketë kohë të ndjekë pub-et siç bëjnë shumë moshatare të saj, them se i jepet për volejboll, - i tha së shoqes një natë, përpara se të flinin. Ishte hera e parë që ajo nuk e kundërshtoi.

***

I erdhi radha shkollës së lartë dhe Anxhela me dëshirën e saj zgjodhi të vazhdonte Universitetin në Fakultetin Ekonomik të Torontos. Aty nisi për të një jetë e re. I bëri përshtypje që shumë pedagogë në zë vinin sistematikisht nga Amerika apo Europa për të dhënë leksione në auditorët e Universitetit, shumica e tyre ishin hartues tekstesh dhe me tituj shkencorë. “Sa të drejtë paska pasur babai”, - thoshte here pas here kur shihte se Univesiteti i Torontos radhitej i dyti apo i treti midis universiteteve nga e gjithë bota, sidomos kur dëgjonte shpjegimet e tyre ekselente. Dhe inxhinier Nikua ndihej krenar për parashikimin që kishte bërë vite përpara. E kishte imagjinuar me saktësi të ardhmen e bijës së vet të dashur e të zgjuar. Gjithnjë e para, midis mijëra të rinjve nga e gjithë bota. Vitet ecnin shpejt dhe medaljet e Anxhelës me vlerësimet pushtuan komodinat dhe raftet. Në fund të vitit të katërt nuk kish më vend në muret e dhomës së saj.

Po afronte diplomimi dhe një pyetje delikate i vërtitej inxhinier Nikos në kokë. Ajo pyetje nuk e linte ta bënte gjumin të qetë. Ishte koha kur e bija duhet të zgjidhte bashkëshortin e jetës. Të ketë vallë ndonjë të dashur, apo si i thonë këtu bojfrend? Ia kishte bërë këtë pyetje edhe Evit, por ajo ia kishte prerë shkurt; “Ku ka kohë ajo për të tilla gjëra, nuk e ke parë si i ka dalë kurrizi nga të mësuarit? Lëre vajzën të diplomohet ashtu si ka ndërmend, mos ki merak, ajo e ka të shkruar pas derës fatin e saj, apo nuk është e bukur, yll more yll, apo nuk është e mençur?”

Një mbasdite ra telefoni dhe dikush nga dekanati i Universitetit kërkonte takim me të dy prindërit e studentes Anxhela Niko Vasili. Sigurisht diçka duhet të ketë lidhje me Anxhelën, menduan në të njëjtën kohë të dy prindërit.

- Diçka për mirë duhet të jetë, se ç’kam një parandjenjë. Niko ziu, duhet të blejmë kostum për ty, - i tha ajo të shoqit tërë sëkëlldi.

- Po e kam një kostum, moj, dy tre herë është përdorur, - iu përgjigj ai.

- Kush, mo, ai blu i errëti? Ai nuk është as për varrim, pa lé, modë e vjetër, 26 centimetra pantallonat në fund. Do blejmë tjetër se s’bën. Vajza e para e fakultetit e ti me kostum demodé, po nuk jemi në Lushnjë këtu.

- Po lëre moj, mami, pedagogët e mi as merren fare me kostumet, mirë e ka, - u hodh Anxhela.

- Këto punë i di unë, e zëmë se ka datëlindjen, ia blej unë dhuratë nga kursimet e mia.

- Uu kjo, e hapi qesenë.

U tha, u bë. Të nesërmen në garderobën e apartamentit Vasili, u var në kremastar kostumi njëmijëdollarësh, si kurrë ndonjëherë.

Dhe çfarë ishte sebepi, do thoni ju. Një nga pedagoget i kishte vënë “syrin” Anxhelës për asistente, por kërkonte edhe mendimin e prindërve të saj. Duke u kthyer nga Fakulteti, Ev iu drejtua të shoqit plot solemnitet:

- Eh, burrë, a do ta kishim këtë fat për vajzën tonë edhe sikur të ishim në Tiranë? Këtu, vend i madh, shanse të mëdha, perspektiva pa fund.

Inxhiner Vasili, nuk ktheu përgjigje, por kroi zërin sikur do fliste diçka, por nuk foli. I dha trupit drejt dhe bëri përpara.

- Mua më ha meraku për familjen që do krijojë vajza, as për punën e as për diplomën nuk kam pasur kurrë merak, e dashur Evi, - pastaj deshi t’i thosh, -Kështu është kur ke vetëm një fëmijë, ti e ke pasur fajin që Anxhela nuk ka sot as motra, as vëllezër, - por kafshoi gjuhën dhe nuk e tha. Nuk ishte momenti.

- E kush nuk e merr vajzën tonë, as mos ki merak fare, të kam thënë, fli i qetë, - e siguroi e shoqja.

***

Erdhi shtatori dhe Anxhela filloi punën si asistente pedagoge. Një jetë e re nisi për vajzën shqiptare, e vetmja në fakultet me origjinë nga vendi i vogël i Ballkanit. Profesoreshë Ana Kohen nuk e hiqte nga goja për mirë, madje e merrte pas vetes kur shkonte për leksione në Gjermani. Kulmi arriti kur tha se do ta merrte atë me pushime në ishullin Barbados.

- Kjo është e tepërt, - tha Evi, - zot na ruaj, mos është ndonjë lezbike kjo profesoresha?

Anxhela qeshi aq shumë sa i dolën lotë nga sytë. Nikua qëndroi ca serioz në fillim, por pastaj qeshi edhe ai.

- Po çfarë të punon kështu truri moj grua, ajo është e martuar dhe me fëmijë, - tha ai pasi pushoi të qeshurën.

- Faleminderit baba që ndërhyre në kohën e duhur, - tha Anxhela dhe i dha një të puthur në faqe….

Dhe viti i parë akademik u mbyll me një shpërblim jo edhe aq të vogël për asistente Anxhelën. Ndërkohë ajo kishte mbrojtur edhe gjuhën frënge, por profesoreshë Ana i kërkonte një nder; gjatë pushimeve të verës të ndihmonte një student pak më të rritur në moshë. Ishte i biri i një mikut të saj të vjetër. Disa herë ishte rrëzuar në provime.

- Do të shpërblehesh Anxhela, do më thuash mua sa orë konsultime do të kryesh dhe çeku do të vijë jo nga studenti, por nga babai i tij.

- Profesoreshë Ana, unë e bëj për ju, nuk ka nevojë për shpërblim, - profesoresha vuri buzën në gaz dhe vazhdoi:

- Mundi juaj është punë dhe këtu çdo punë ka një çmim. Nuk ke përse e bën falas, babai i tij është i pasur, ka disa biznese, nuk kursehet, është dëshira e tij. Unë mendova për ty, sepse ta njoh përkushtimin. Vetëm ti mund ta nxjerrësh atë djalë nga bataku.

Të nesërmen në celularin e saj erdhi një mesazh; “Unë quhem Glen, jam i rekomanduar të kontaktoj me ju për provimet. Nëse jeni dakord, ju lutem më lini një takim…”. Anxhela nuk e kishte parashikuar se gjatë pushimeve të verës do të ishte e zënë me punë. Kishin vendosur si familje të shkonin me pushime në Kankun të Meksikës. Jo pak, por dy javë. Shuma e dollarëve që ajo kishte marrë për punë të mirë, dilte e tepronte për të mbuluar shpenzimet. Ishte një mënyrë për t’ua shpërblyer sakrificën prindërve që ata kishin bërë për ta nxjerrë në autostradën e jetës. Si t’ua shpjegonte atyre këtë ndryshim të papritur? Fundja prindërit le të shkonin e të gëzonin pa të. Po a do të pranonin vallë? Ndihej e detyruar ndaj prof. Anës. Nuk mund ta kthente mbrapsht, aq më tepër që ajo tha se e kishte obligim nga një miku i saj i vjetër. Vendosi të konsultohej me prindërit, pasi të takonte studentin me emrin Glen. Ajo i kishte lënë takim në një nga auditorët e Fakultetit. Shikoi orën dhe vuri re se kishin kaluar 15 minuta nga takimi.  Po ç’u bë ky djalë, edhe në hall, edhe nuk vjen në kohë. Shkuan edhe pesë minuta të tjerë kur bie zilja e celularit e pastaj zëri matanë; “Të më falni zonjushë Anxhela, kishte trafik, too much…”

Gleni ishte një djalë simpatik, tipik irlandez, trupmadh dhe me sy të kaltër, flokë të kuqërremtë dhe me vetulla të zeza. Anxhelës i bënë përshtypje vetullat e zeza në një fytyrë të bardhë dhe flokë të kuqërremtë. Kishte një zë të butë si kadife dhe sjellje prej njeriu të kulturuar. Asaj iu duk i sinqertë kur ai ia nisi drejt e në temë.

- Zonjushë, unë nuk kam ngelur në një provim, por plot në pesë prej tyre. Babai di vetëm dy. Nuk kam dashur ta mërzis babain, por të jeni e sigurt se do të mbeteni e kënaqur me shpërblimin që ai ka vendosur të akordojë në se neve do të kemi sukses.

- Së bashku duhet të vendosim një orar pune, të më falni, por unë jam shumë e përpiktë në orar.

- Ju kërkova falje për vonesën edhe pse nuk ishte faji im, - Anxhela deshi t’i thoshte se kur nisesh për diku duhet ta marrësh parasysh edhe trafikun, por ti or mik, nuk more në celular nga trafiku, por kur kishin kaluar 20 minuta. Ishte takimi i parë dhe ajo u përmbajt, nuk ia tha ato fjalë edhe pse mendoi se ai i meritonte.

- Gjatë dy muajve e gjysëm, unë do të jem në dispozicionin tuaj pesëdhjetë ditë radhazi, - tha studenti me emrin Glen. Së brendshmi, Anxhela u gëzua, nuk do t’u ndahej prindërve gjatë pushimeve. Ajo e dinte se ata mezi e prisnin. Zbuti shikimin qortues ndaj studentit dhe i tha t’i dorëzonte një axhendë; kosultim-pushim. Ai e kishte gati qysh më parë në një fletë blloku dhe e nxorri nga xhepi. Ajo axhendë nuk përkonte me pushimet në Kankun, por Anxhela mendoi se familjarisht ata mund t’i avanconin pushimet e tyre.

***

Në mbrëmje, gjatë darkës, Anxhela tregoi çfarë i tha profesoreshë Ana, cili ishte studenti, si do të shpërblehej dhe si përplaseshin pushimet e tyre me kërkesat e studentit. Inxhinier Niko, u vrenjt, uli sytë mbi pjatën bosh dhe sikur më shumë të fliste me veten e tij, tha:

- E kam pritur shumë këtë verë dhe këto pushime në Kankun, është resorti më i mirë, m’u deshën dy javë kërkime në internet për ta gjetur, tani jo vetëm janë pronotuar vendet, por mund të gjesh vetëm me çmime shumë të larta:

- Baba, mos u mërzit, diferencën e çmimit do ta përballoj po unë, rendësi ka që të jemi së bashku të tre. I detyrohem profesoreshë Anës, nuk mund t’ia prishja.

- Aty është Kankuni, mor burrë, nuk e more vesh që studenti e ka babain milioner dhe do ta shpërblejë?

- Tek paratë e ke mendjen ti. vajza ka nevojë për pushime, ka punuar shumë, është drobitur pas librave, nuk është fakultet me tralala ky.

- Ishte i pashëm ky studenti? - vazhdoi Evi në të vetën pa e prishur terezinë.

- Mama, të lutem, unë akoma nuk kam dalë në jetë, akoma nuk po jap leksionet e mia dhe ti thua të flirtoj me studentë.

- Po si nuk zuri një herë mend kjo grua. - tha Niko i nervozuar dhe doli me nxitim nga nga dhoma e ngrënies.

- Anxhela, e bukura ime, të gjitha punët i ke bërë në rregull e me sira, si jo më mirë, zoti të ka bekuar, po ki kujdes nga syri i lig, se ai thyen pemën e jo më njeriun. Zoti njëherë ta vë të mirën përpara, në se e pe, është fati yt, në se nuk e vure re, fati yt shkon diku gjetkë. Kaq di të thotë nëna jote. Dhe mos më ec me kokën ulur, po shiko çfarë bëhet rreth e rrotull. Kanë ardhur kohë të vështira, sot ta merr tjetri copën e bukës nga dora.

- Mama, më vjen keq, por ti flet sipas mentalitetit shqiptar, sipas përvojës tënde dhe harron se këtu veprojnë të tjera ligje dhe rregulla. Martesa, tani për tani, mund të më pengojë në qëllimet e mia. Të marrësh titull shkencor duhet studim dhe punë akoma më e madhe. E kam vendosur, duhet të bëhem dikushi…, - këtë shprehjen e fundit e tha me të qeshur, pastaj iu afrua të ëmës dhe i mbështolli kryet me të dy duart. Evi u ndje mirë nga ai përqafim dhe tha nëpër dhëmbë, duke folur më shumë me veten e saj se sa duke iu drejtuar së bijës: “Eh, mos qofsh nënë…”.

***    

Gleni nuk i mori seriozisht konsultimet me pedagogen e re, aq më shumë që ajo ishte pesë vjet më e vogël se sa ai. Gjithnjë e vështronte me një sy lakmues sikur do t’i thoshte; “Nuk ke nga më lëviz, herët a vonë do të vish në dorën time, do rrëzohesh si gjeth nën këmbët e mia, ashtu si shumë të tjera…”. Por koha po ecte kundër tij. Pas çdo konsultimi, në vend të afrohej, ajo po largohej gjithnjë e më shumë. Erdhi një moment kur atij iu mbaruan të gjitha komplimentat dhe u ndje si i zhveshur lakuriq në sytë e saj. Anxhela e çarmatosi me dituritë dhe sjelljen e saj modeste. Në fillim ajo rrëmoi në memorien e tij, si të thuash i bëri një skaner, sa njohuri kishte, çfarë kapaciteti, pse ishte rrëzuar në provimet e mëparshme dhe a mund të dilte ky njeri në sipërfaqe? Ajo shpjegonte me qetësi dhe siguri, pastaj e pyeste çfarë tha, ndiqte përgjigjet e tij dhe me durim i shpjegonte prapë e prapë, deri sa ai t’i nguliste thellë në tru leksionet. Erdhi një ditë kur Anxhela i tha:

- Glen i dashur, ti ke boshllëqe të thella në njohuritë e përgjithshme, të duhet shumë punë, nuk di në se do t’ia dalësh, - kjo vërejtje e bërë shumë spontanisht, e rrëzoi përtokë fodullëkun e Glenit. Ajo pa si i dridheshin duart dhe si uli sytë përtokë. I erdhi keq që i foli në atë mënyrë, fare haptas, por tashmë ishte shumë vonë, ajo e kishte dhënë opinionin e saj.

- Profesoreshë, - ishte hera e parë që ai i drejtohej me titull - duhet të dini se këto provime për mua janë luftë për mbijetesë. Të gjithë më njohin mua si milioner, por unë nuk kam asgjë. Apartamenti ku banoj, është në emrin e tim eti, edhe makina “Porsh” që përdor. Qysh kur u rrëzova në provime, im atë ma ka hequr të drejtën e trashëgimisë dhe nuk më jep asnjë ndihmë financiare. Të hollat e shpenzimeve të mia personale unë i fitoj vetë. Punoj komisioner në një kompani që shet pije tropikale, - tha ai me sy të njomur. Anxhelës iu dhimbs dhe diçka i dogji në kraharor, deshi t’i shpupurisë flokët ngjyrë zjarri që i binin mbi ballë, por u përmbajt në sekondat e fundit.

Pas kësaj dite, ajo ndërtoi një program tjetër, i shpjegonte mësime nga njohuritë e shkollës së mesme, pikërisht prej andej nga fillonin mangësitë e tij. Dhe për çudi ai nisi të përparojë. Dy provimet e para i mori. I mbeteshin edhe tri të tjera. Pas çdo provimi nga kompania e të atit mbërrinte çeku. Evanthia, kur erdhi çeku i parë, e priti të shoqin me hare qysh tek dera e ashensorit:

- Erdhi, erdhi, ja shikoje, bëra llogaritë dhe më del që e ka paguar vajzën me pesëdhjetë dollarë ora, - mirëpo të shoqit nuk i lëvizi asnjë muskul nga fytyra, madje i bëri vrejtje.

- Mos kërce kaq shumë përpjetë Evanthi, për leksionet janë çmime fikse. Nuk i është bërë asnjë privilegj, vajza ka marrë hakun e punës së saj. E futi në brazdë birin e milionerit, m’i lumtë. - i tha jo pa njëfarë mburrje.

- T’i themi vajzës sikur ta ftojmë për një kafe dhe ta shohim çfarë njeriu është, çfarë robi, mbase ia vlen?

- Do të lutem shumë të mos ndërhysh në jetën e saj, ajo e di vetë se çfarë bën. Ashtu si çdo punë e detyrë që e ka kryer më së miri, ashtu do të dijë edhe se si ta gjejë shokun e jetës.

Nuk u mor vesh si e qysh, por një ditë prej ditësh celulari i Nikos cicëriti kur ai ishte duke e mbyllur orarin e punës. Matanë ishte zëri i gëzuar i së shoqes, Evanthisë.

- Mos u vono, nga ora gjashtë mbasdite kemi mysafir në shtëpi, na vjen Djali i Milionerit për një kafe.

- Unë thashë se mos vjen vetë Milioneri, - bëri humor inxhinier Nikua duke mbyllur telefonin.

Gleni hyri në apartamentin 502 në rrugën “Marlin” me të dy duart të zëna. Nga një anë mbante një shishe verë të lidhur me fjongo vishnje dhe nga ana tjetër një kuti të madhe me çokollata të zeza. Ai i la dhuratat mbi tavolinë, pastaj bëri dy hapa përpara. Të parës iu drejtua Evanthisë, u përkul pak dhe i puthi dorën, por ajo nuk e la të mbaronte “ceremoninë”, Ev e përqafoi sikur ta kishte të njohur të vjetër duke e shtërnguar pas gjoksit të saj të stërmadh. At e bijë u panë ndër sy dhe një buzëqeshje e lehtë u lodroi mbi ballë. E kuptonin njeri-tjetrin pa folur. Evanthinë nuk e mbante vendi, lëvizte sa nga një anë në tjetrën duke nxjerrë here liko-arre nga Përmeti, herë pije e herë fruta të freskëta.

Gleni për herë të parë po provonte raki shqiptare. Fillimisht iu duk pije e lehtë dhe gotën e parë e rrëkëlleu me eks, mirëpo tek e dyta po ndiqte ritmin e inxhinier Nikos:

- Grapa shqiptare, bëhet vetëm nga rrushi, - tha Nikua duke qeshur.

- Po kjo? - pyeti Gleni.

- Liko arre, - tha Evi.

- Kokonat? - u habit ai. Realisht duhet të thoshte walnut (arrë). Lëngu jetëdhënës i rrushit iu ndez si një top zjarri së brendshmi, pastaj e pushtoi të tërin. Faqet iu skuqën dhe nuk dallohej ku mbaronte fytyra dhe ku fillonin flokët e tij të kuqërremtë.

- Çfarë njerëz keni në shtëpi? - e pyeti Evanthia.

- Vetëm babanë dhe një motër juriste, të martuar. Nëna më ka shkuar para pesë vjetësh, - Eventhia nuk e kuptoi fjalën “më ka shkuar”, por Niko që ishte përballë saj, me terezi ngriti gishtin tregues nga qielli.

- Po ndonjë çikë pasuri, keni?

- Dalin e teprojnë, - tha Gleni i ndrojtur. Ishte pyetje që nuk kish qejf t’ia bënin. Anxhela pa nga e ëma me sy qortues.

Pastaj folën për Shqipërinë, veçse Gleni në këtë pikë gaboi disa herë. Ai fliste për Kosovën, nuk e dallonte dot nga Shqipëria, por ata nuk deshën ta fyejnë dhe nuk e kundërshtuan në ato që thoshte, se mos i duheshin për provime.

Si pa kuptuar kishin fluturuar dy orë dhe Gleni dështoi në dy takime radhazi të cilat i kishte planifikuar për atë mbasdite. Duke dalë nga dera, Evanthia i la në dorë një kartvizitë të së bijës ku ishte shënuar edhe numuri i telefonit të shtëpisë, pa harruar ta porositë:

- Të na urdhërosh si në shtëpinë tënde, si tek të afërmit e tu, as ka nevojë për lajmërime. Ne këtu jemi, edhe konsultimet për provime mund t’i bëni këtu. Për njerëz të mirë kemi vend sa të duash.

- Kjo është e tepërt, mama, - tha Anxhela në shqip, por ajo as deshi t’ia dijë për qortimin e së bijës.

- Më ruani pak albanian grapa, - tha Gleni duke hyrë në ashensor fort i lumtur nga respekti dhe sajdisja, sidomos nga shija që i la grapa dhe likoja. E sa për Evanthinë, ai mendoi se ajo ndryshonte nga e bija dhe ishte mjaft xhentile. Ndërmend e bëri të kthehej së shpejti në atë shtëpi miqësore në rrugën “Marlin”, me të cilën e lidhnin interesa të mëdha jetike.

***

Në sezonin tjetër të provimeve Gleni, në sajë të ndihmës së asistent-pedagoges, mori edhe dy provime të tjera. Ishte mirënjohës.

Ai djalë në apartamentin Vasili ishte bërë si i shtëpisë, madje aty i linte edhe shënimet, çantën dhe nganjëherë edhe laptopin e tij. Nuk kishte natë që Evanthia të mos fliste për pasurinë dhe virtytet e tij aristokratike, madje ajo askujt tjetër nuk i nxirrte raki rrushi shqiptare, veçse atij, ndërsa likoja përmetare prej are, ishte mbaruar prej kohësh. Atë e kishte kullufitur “djali i shtëpisë”, siç i thoshte me përkëdheli Ev.

Pak nga pak edhe Anxhelës filloi t’i hyjë në zemër edhe pse ia njihte dobësitë. Nuk i pëlqente dinakëria, ajo dinakëri e kamufluar, madje zbuloi se ai i lyente vetullat e tij me bojë, origjinalet i kishte të kuqërremta. Sa për pasurinë e të atit as donte t’ia dinte, punë të tyre të brendshme. I kishte mbetur ndërmend një frazë e profesoreshë Anës “nxirre nga bataku atë djalë”. Cili ishte ky batak, drogë, orgji, aventurier? Pavarësisht këmbënguljes së të ëmës, ajo vendosi ta njihte më mirë atë pasi të kishin mbaruar vartësinë pedagog-student. Përpara ishte provimi më i vështirë, kontabiliteti… Gleni nuk guxoi kurrë ta prekte, edhe pse shumë herë kishin qëndruar vetëm për vetëm. I dukej e frikshme, se ç’kishte ajo diçka të përbashkët me babain e tij. Ndërsa Ev e kishte siguruar se Anxhela një ditë mund të bëhej bashkëshortja e tij. Kjo po, ishte rruga më e sigurtë që babai ta fuste të birin e dëbuar në testament.

***

Anxhela kurrë nuk e kishte dëgjuar zërin e babait të saj aq të merakosur. Ishte në bibliotekën e Universitetit kur ai i telefonoi me urgjencë.

- Dua të të takoj tani, e ke në çantë laptopin?

- Po.

- Pas pesëmbëdhjetë minutash jam aty.

Ato pesëmbëdhjetë minuta iu dukën shekull. Më në fund babai arriti, merrte frymë me zor, kishte nxituar aq shumë.

- Çfarë ka ndodhur?

- Më jep fjalën që ky problem do të mbetet midis nesh, të lutem shumë. Këtu janë ca regjistrime nga shtëpia jonë.

- Si, baba, na ke regjistruar pa e ditur ne? Pse? Nuk më besohet ta kesh bërë një gjë të tillë?

- Jo, ky është një program regjistrimi nga kamera e kompjuterit në dhomën e pritjes. Unë e instalova atë për siguri, përpara se sa të niseshim për në Kankun, dhe e harrova aty. Rastësisht dje e hoqa USB prej tij. Shikoje dhe më thuaj, është problem shumë serioz, jam i tronditur, më fal bija ime, ama përpara se sa të reagosh, konsultohu me mua.

Anxhela u turbullua krejt, gati sa nuk rrëzohej përdhe. Ç’po ndodhte kështu? Çfarë regjistrimi ishte aty? Ç’ishte ky big problem në familjen e tyre të vogël? Dhe kur, në një kohë kur të tëra punët i kishin vënë në vijë. E dërrmuar shpirtërisht, nuk ishte as në dhe as në qiell. Hyri përsëri në Bibliotekë dhe me gjak të ngrirë nisi të kontrollojë videon. Sekuencë pas sekuence, kur ja, uuf, Gleni në shtëpinë e saj. “Dreq, mendoi, e ka tërhequr rakia shqiptare”. Vazhdoi të shikojë më tej. E ëma duke qeshur me të madhe, një big hug nga Gleni. Pastaj muzikë. Gleni duke iu lutur të ëmës për të kërcyer vals. E ëma bën ca naze, pastaj ngrihet. Kërcejnë, rrotullohen, qeshin me të madhe. Pastaj shikon duart e stërmëdhaja të Glenit mbi vithet e saj. Uuh, sa turp… Mbyll sytë dhe mendon. Të gjitha këto kanë ndodhur tinëzisht asaj dhe të atit.

Shikon orën. Gleni pas pak do të mbërrijë. I ka mbetur vetëm një provim, më i vështiri, kontabiliteti. Sot e kishte vendosur të niste konsultimet për kontabilitet kosto dhe kontabilitet drejtimi. Gjithçka anullohet përfundimisht, mendoi. Rrugë tjetër nuk ka. Ky vendim nuk ka kthim mbrapa edhe sikur të më lajnë me flori.  Shpejt do të ma njohësh kokën shqiptare, o Glen fëlliqësira.  Ai është tinzar si një tigër siberian, i erdhi ndërmend ky krahasim. U ndje mjaft e turbulluar, si nuk kishte qenë kurrë në jetën e saj. Ndjeu se si zemra në gjoks po i përpëlitej si një zog. Kryet i rënduan dhe mendoi ato çfarë do t’i përplaste në fytyrë këtij mashtruesi milioner. “Do të jetë takimi i fundit me këtë plehër, Tartuf modern. Me këtë video që vetë zoti e solli në dorën time, do të ta çjerr maskën, do të shkatërroj, o kuqo irlandez. Dhe s’kam për të të parë më kurrë surratin tënd të pështirë, o sojsëz…”, këto fjalë të fundit gati i tha me zë të lartë. U habit edhe vetë se si i erdhën ashtu ndërmend ato shprehje në gjuhën shqip.

Pastaj, mendoi: do të kërkoj të bashkohem me babushin tim të ëmbël. Na u hap një plagë e madhe në familje, babush, por së bashku do ta kapërcejmë edhe këtë. E di se ku do të të gjej, në kafen tënde të preferuar, ku bëjnë ekspres të fortë.

Mississauga, 14 Dhjetor 2017

©Avdulla Kënaçi