Krijimtari

Go to Hell ! - Tregim nga Ilir Gjini

Ditë e diel sot, po gjumi më doli më herët se zakonisht. Dola të marr pak ajër dhe të pastroja dëborën para shtëpisë. Ajri i freskët më dha energji, ndërsa melodia e këngës së Russo “Goodbye my Love Goodbye”, më vinte ëmbël nga banesa përballë. Po nuk zgjati shumë kjo melodi. U përzie dhunshëm me klithmat që vinin nga shtëpia e fqinjit tim.

- Go to hell. Out of my house - ulurinte si sirenë vapori që paralajmëron mbytjen, gruaja e fqinjit. Pas disa uluritjesh në seri, pashë rrobat e fqinjit tim (një djalë në të 30-at), që fluturonin në ajër nga dritarja e katit të dytë dhe binin si gjethet e vjeshtës kur i shkund era, në oborr.

Madje një xhup firmato “Goose”, mbeti i varur në gardhin tim. Ulurimat e gruas sa vinin e shtoheshin si kazan i valuar që mezi pret të derdhet dhunshëm, kur si me magji bashkë me rrobat pashë në oborr edhe vetë fqinjin tim. E njihja prej pesë vitesh, që kur bleu shtëpinë ngjitur me tonën. Një djalë fjalëpak, shpatullgjerë e muskuloz që ngrihej që pa gdhirë e vinte në mbrëmje vonë. Zhurma e motorit të kamionit të tij të vjetër “Ford”, më zgjonte edhe mua që e kam gjumin e rëndë. “Gjum artilerie” më tallnin shokët në konvikt.  “Ty edhe topat nuk të zgjojnë, e jo më zilja e mëngjesit” - më shpotisnin ata në rininë e hershme.

Megjithatë, zhurma e kamionit të tij më zgjonte. E shikoja nga dritarja e dhomës sime të ngrohtë kur sistemonte veglat e tij të punës. Punonte si robot i programuar, dhe çdo lëvizje e tij ishte e prerë dhe energjike. Por edhe kur kthehej nga puna në mbrëmje, në portretin e tij të lodhur nuk mugonte mirësia dhe buzëqeshja.

- Kishe ditë të lodhshme sot? - e pyesja.

- Jo dhe aq, si zakonisht - ma kthente me qetësi, ndërsa gropëzat e faqeve të tij zgjeroheshin teksa thithte cigaren si pompaçi benzine. E thithte shpejt për ta mbaruar para se të hynte në shtëpi. E shoqja, një vajzë e gjallë truphedhur me flokë të zezë e sy të mëdhenj bojëhiri, ndonjëherë dilte dhe e përqafonte në oborr. Dukeshin të lumtur, edhe pse tipa të kundërt.

Ai i heshtur dhe melodioz si fyejt e Andeve, ndërsa ajo e vrullshme e gjithë zhurmë si muzikë rock. Kur e ndesha për herë të parë dhe u përshëndetëm, vura re se në hundën e bukur femërore me majuc përpjetë, kishte një vath që i shponte ndarësen e dy vrimëzave. Zot na ruaj thashë me vete. Kisha parë vajza të reja që kishin shpuar edhe barkun për të vënë vathë dhe mbanin bluza të shkurtra për ta ekspozuar, por vathë në hundë shihja për herë të parë. Në anët tona vathë në hundë u vinin vetëm arinjve që arixhinjtë i mbanin për fituar ndonjë lek. E tërhiqnin ariun për hunde për të kërcyer, apo për të bërë foto, se po ta lidhje për qafe ariu të tërheq zvarrë. Edhe këtë e tërheq i shoqi për hunde - thashë më vete.

Po me kohë ndryshova mendim. Ajo edhe pse nuk i kish vënë të shoqit vathë, me vathë të padukshëm e tërhiqte kudo pas vetes. Madje edhe kur ai vinte i lodhur nga puna, nuk ia prishte kurrë.

- Harova të blej qumësht dhe cigare. Shko ti më mirë - i bërtiste nga dritaria, pa pritur që ai të hapte derën.

Të dielave ajo ftonte shoqet për BBQ në kopshtin e pasëm të shtëpisë dhe aroma e biftekëve dhe hot dog-ëve që piqeshin në zgarë më picëronte hundët duke më sjellë në mendje zgarat e shijshme me qofte tek Pazari i Ri, kur të uritur numëronim qindarkat. Muzika rock ose metal, përhapej gjithandej vrullshëm dhe të rrihte timpanët e veshëve. 

Edhe shoqet e saj ishin të zhurmshme. Flisnin e qeshnin me zë të lartë. Të shikonin në kokërdhok të syrit pa ua bërë syri tër, jo si vajzat tona, që kur i shihje në sy i ulnin menjëherë përdhe. Muzikën e tyre shurdhuese, e ndërpriste zhurma vajtuese e kamionit të tij të vjetër që parkonte para shtëpisë.

- Na u mbaruan birrat - i thoshte ajo, pa pritur që të përfundonte salutimet e rastit me shoqet e saj. “Shko na ble ca. Po merri të ftota nga frigoriferi”.

Fjalët i thoshte shkujdesur pa e parë në sy, ndërsa qe e përqëndruar në ritmin e xhazit. Duart i kish vendosur te tëmthat, ndërsa lëzivte hijshëm belin sipas ritmit të muzikës. Ai e vështronte gjithë admirim dhe pas disa minutash kthehej me një arkë me birra. Nuk e kish harrur që duhej të ishin të ftohta. Ulej diku në qoshe pranë zgarës dhe ndiqte me admirim kërcimin e së shoqes.

Pyetjeve të vajzave të zhurmshme u përgjigjej shkurt, pa interes. Dukej sikur kish humbur në magjinë e shtojzovalles së tij. Sytë i mbante të ngulur si tyrjelë në lëvizjet e saj. Ajo e ndjente që qe në qendër të vëmendjes dhe luante me të si koketë.  Ngrinte edhe ca shumë fundin e shkurtër, duke ekspozuar këmbët e saj të hijshme.

Me kohë u miqësova me ta. Pinim ndonjë gotë birrë ndonjë të diel kur ai nuk punonte. Madje kur më humbi maçoku im, se helbete kërkon nuse kur ka kohën e çiftëzimit, ai u bë copë derisa e gjetëm.

Nuk mund ta lëmë jashtë natën, se mund ta shqyej rakuni - më tha gjithë mirësi. Sytë e tij të butë shprehnin pëkujdesje për këdo. Më sillnin ndër mend sytë e tim gjyshi. Më vështronte gjithmonë butë e nuk më qortonte edhe kur unë bëja ndonjë çapkënllëk të moshës.

Kur e pashë fqinjin tim ashtu të hedhur si leckë mes rrobave në oborr, mu dhimbs së tepërmi. Sytë i kishte pa ngjyrë, të përhumbur. Dukej si një varkë e braktisur në stuhi, që veç të tjerave i ka humbur edhe busulla. U ngrit ngadalë dhe filloi të mblidhte rrobat e hedhura andej-këtej. Iu afrova dhe e ndihmova t’i sistemonte në kamionin e tij të vjetër. Dukej sikur nuk e bezdiste prania ime. Për herë të parë në sytë e tij të mjegulluar dallova trishtimin. Ndezi kamionin që çuditërisht kësaj here nuk uluriti zhurmshëm. Dukej sikur vajtonte me zë të ulët për të mos trazuar edhe më gjendjen e të zotit. Vrapova t’i sillja xhupin e tij firmato “Goose”, por nuk deshi ta merrte.

- Kam timin, falemiderit.

- Është xhupi yt, kish mbetur i varur në gardh - ia ktheva duke e parë me dhemshuri.

Kamioni i tij e shtoi uturimën vajtuese duke kollitur shtëllunga tymi të bardhë, ndërsa e shoqja vazhdonte të flakte rroba të tjera në oborr. Në mendje më erdhën fjalët e Anxhelos, pronari i të parës shtëpi ku bujta kur erdha në Kanada. Anxhelo si italian fjalëshumë që ishte ma pati thënë se kur u divorcua nga e shoqja, gjyqtari me “bujari” vendosi që t’i jepte vetëm rrobat e trupit dhe makinën e tij “Chrysler” që e kish blerë që kur mori rrogën e parë. Shtëpia dhe gjithçka tjetër i mbetën ish-gruas.

Anxhelo sa herë që rrëkëllente ndonjë shishe me verë më thoshte: sipas gjyqtarëve këtu gruaja është në vend të parë, qentë në të dytin dhe burrat në vend të tretë kur vjen puna te ndarja e pasurisë. Epo edhe vendi i tretë, apo medalja e bronxit nuk eshtë keq - ia ktheja me humor.

Kur kamioni më humbi nga pamja, i ngrita sytë nga dritaria. Ajo qëndronte aty si statujë e palëvizshme dhe ndiqte me sy triumfues kamionin që zvogëlohej në horizont. Nuk e mbajta dot gjuhën lidhur dhe me qetësi i thashë: nesër është një ditë e re. Ndoshta mund të gjykosh më mirë se sot. Ajo më hodhi një vështrim sfidues… Never!

Ndoshta më foli gjuha para mendjes…

©Ilir Gjini