“Ylli i javës” - Nga Vangjush Saro

(Fragment nga romani në proces “Pema e Krishtlindjes”)
Idlira Mati nuk donte të merrej me atë intervistë; assesi. Unë kam në dorë një kronikë, ju e dini, isha në montazh. Çështja është, e coptoi argumentin shefi, që rubrika “Ylli i javës” na duhet për nesër. Me kronikën merru pasnesër… Ashtu e ka punën deputeti, merr vesh ti? Hajde, regjisori po të pret në studio.
Ajo kishte studjuar për sociologji; mandej edhe për gazetari. Shkëlqeu në një konkurs bukurie. Më vonë, u përfshi në një projekt; dhe gjatë përgatitjeve për një shfaqje, krejt papritur, njëri nga sponsorët filloi ta ngacmonte; në fillim me fjalë, pastaj duke zgjatur duart… Ajo ishte shmangur me shumë delikatesë. Dy ditë më vonë, kishte filluar kërkimet për një vend pune; dhe kështu, gjendej tani përherë në shërbime. Kjo intervistë nuk se qe fundi i botës, por gjithsesi, pak herët për t’u mbyllur në studio.
Këtë herë, koha nuk nuk ishte në favorin e saj. Shefi dukej i ndërkryer teksa përpiqej ta inspironte. Buzëqeshje. Fantazi. Deputeti ia mbërrin pas pak, merr vesh ti? Dikush e mori në telefon, por ajo nuk përgjigjej dot. Mund të ishte ai djali që kishte takuar dje në Tresh, kronika për Pemën e Krishtlindjes. Po ju lutem, më duhet një kohë…
Mund të thuhet se atë pothuaj e shtynë drejt studios, ndërkohë që sapo i kishte hedhur shpejt e shpejt një sy profilit të të ftuarit, deputet, shumë fjalë dhe foto, por asgjë tjetër; kishte qëndruar disi edhe në veprimtarinë e komisionit ku bënte pjesë i ftuari, po lexonte një vendim të fundit për…
Regjisori, që priste prej një copë herë, iu lut të ulej, duhej të fillonin; bëhej fjalë për ca limite… Ndërkaq, “Ylli i javës”, një portret që nuk dije nga ta kapje, me dhëmbët jashtë, i pudrosur, e kapi menjëherë nga duart, filloi të jargavitej, sepse… ne vërtet jemi në rubrikën “Ylli i javës”, por yllin e vërtetë do ta presim apo jo… ha ha ha!
Pasi e kishte kqyrrur një copë herë tjetrin pa i rënë në sy, Idlira Mati u ul dhe së bashku me regjisorin filluan të shpjegonin që intervista nuk do të transmetohej drejtpërsëdrejti, kurse pyetjet…
-Po si ta kini ore, ha ha ha! - I ftuari qeshte herë pas here në një mënyrë të çuditshme, a thua donte t’i ngjiste fjalisë shenjën e pikësimit.
-Z. Sefedin, faleminderit që iu përgjigjët ftesës, - filloi Idlira Mati, duke lënë në ndenjëse fletët që i kishte dhënë redaksia; ende s’kishte mundur t’i lexonte ato deri në fund.
-Nuk ka problem, - tha deputeti - sot isha ku rrafsha mos u vrafsha… Si i ke nga shtëpia? Të kisha parë kështu nga ekrani, po ti qenke alamet zoçke…
Vajza hodhi një vështrim përqark, sikur tjetri të mos kishte folur me atë.
-Z. Sefedin, le të fokusohemi në bisedë.
-Atë dua dhe unë. T’ia themi publikut të gjitha. Unë muhabetin e kam kështu… i bëj zbor… Ha ha ha!
Tjetra nuk mori vesh asgjë nga hungërimat e tij.
-Kjo është një intervistë pa ndonjë tematikë të caktuar, - shtoi ajo me kujdes - pyetjet mund të jenë nga më të ndryshmet: për ju, për aktivitetin tuaj, për çështje të ditës, kulturë, histori…
-Opo ç’të duash, jam i hapur të përgjigjem në çdo pyetje. Unë këto intervistat i qaj…
-Qan gjatë intervistës? - pyeti vajza, duke mos e fshehur dot pak ironi, jo më në pyetjen që sapo kishte formuluar, por edhe në vështrimin e saj.
-Jo jo, s’ma ndjen fare në atë krah mua. E thashë në kuptimin që s’e kam problem dhe gjithnjë dal atje ku dua.
-Z. Sefedin…
-Mund të më thuash edhe Dine, si të duash, Sefe… Ha ha ha!
Vajza u hodhi një sy letrave që kishte përpara. Ç’mund të bënte tjetër?
-Aman, po emri kapistall është, - vazhdoi i ftuari duke qeshur prapë pa asnjëlloj përtese. - Ja ti quhesh Lira, Idlira, si e ke… Por emri as ta shton, as ta pakëson bukurinë; as t’i shton as t’i shteron paratë apo jo? Ha ha ha! Babai me, babai, kushedi si është ngrysur a gdhirë edhe ma ngjiti Sefedin… Sa për muhabet, de, njëherë në një intervistë më ngatërruan mbiemrin, në vend që të më thoshin Harkori… ë…
-Ani, - e ndërpreu zonjushë Mati, sikur ta dinte që tjetri mund të këpuste ndonjë kopaçe - ju jeni një biznesmen, por së fundi kini hyrë edhe në politikë; dhe jeni parë në disa rrethe intelektuale…
-Jo jo, nuk shkoj në rrethe unë; këtu në Tiranë e kam kokën. Ohu, mjaft kemi hequr nëpër rrethe.
-Nuk ishte fjala atje; megjithatë, për kureshtjen e dëgjuesve, si e kini filluar biznesin?
-Unë qeshë shofer. Ha ha ha! Kisha një kamionçinë kështu… Që thua ti, gruaja ishte shitëse në një nga këto lokalet e kateve të para. U bënë ato reformat, shitëset morën dyqanet, këpucarët këpucaritë, të tjerët rrobaqepsitë e kështu me radhë; fituam edhe ne… Ha ha ha! Fillova të sillja mall nga jashtë.
-Po me ndërtimin… ku ishte pikëtakimi?
-Ha ha ha! U takova me një të njohur nga anët tona. Ai merrej me ndërtime. Këtu me, në Tiranë. T’ëmën, thashë unë me vete, më i mirë se unë është ky? Iu futa ndërtimit; ka leverdi të madhe. Vuan një çikë për të marrë lejën, por më tutje shkon fjollë puna… Si je me shtëpi ti, zemra?
Vajza heshti një moment. I bëri shenjë edhe tjetrit të qetësohej pak, shkëmbeu një vështrim me dy operatorët dhe doli nga studioja tym. Regjisori u përpoq ta qetësonte. Por ajo kishte filluar të fliste me shefin. O zotëri, çfarë është ky? Ehë, tjetri qe me buba. Mos të dëgjoj të ankohesh! Hajde, shiko punën, na duhet intervista, merr vesh ti? Është njeri me potencë ai.
Kështu, pas disa minutash, vajza u gjend sërish në krah të “njeriut me potencë”.
-Më falni. Duhej të vendoja diçka me shefin. - Ajo buzëqeshi dhe pa nga operatorët - Pra, e lamë te biznesi i ndërtimit…
-S’ka rëndësi se e zëmë prapë; ohu, jam mësuar me ndërprerje unë. Ne atje në Parlament ia këpusim njëri-tjetrit kështu… ha ha ha!
-Ka shumë diskutime në këtë fushë, - vazhdoi në temë vajza. - Shtypi e trajton herë pas here, me tone kritike madje. Ku, si ndërtoni zakonisht ju, z. Sefedin?
-Ku të mundem. Ha ha ha! E xhvate lejën? Ik tani nga sytë këmbët, porosit materialet që i paguan më vonë, pasi t’u marrësh lekët atyre që do blenë hyrjet; ja u bë pallati. I shkon ndonjëherë tjetrit mu në dritare, ha ha ha, ç’të bëjmë, i ka kapitalizmi këto.
-Keni qenë dy herë deputet. Ç’është për ju politika?
-Politika është kurvë… Ha ha ha!
Gazetarja shkëmbeu një vështrim me operatorin përballë, kamera e të cilit fleshonte të kuqen.
-Instrument, të themi - edhe ajo ndjeu se po skuqej. - Institucion apo jo? Ani. Çfarë është e rëndësishme në politikë?
-Krahu. - Ai i shkeli syrin. Më kot operatori i bënte atij shenja të mos sillte figura jashtë bisedës. - Të gjesh siç duhet krahun. Ta hedhësh paranë, që ta marrësh prapë, ja kjo është. Unë e ngordh paranë, e nxjerr nga dheu. Ha ha ha!
-Kini ndonjë minierë? - ajo prapë s’e përmbajti dot ironinë.
-Jo jo, e kisha fjalën që punoj, jap kontribut, marr fitimet e mia. S’të fal unë. Kur do ta hamë ndonjë drekë bashkë?
Ajo shkëmbeu një vështrim me regjisorin dhe filloi po fliste për udhëtimet, e solli fjalën te gjuhët…
-Gjuhën, po me. Veshkat. Ç’të jetë. Unë i bëj zbor rakisë.
-Ishte gjetkë biseda, zotëri; po pyesja për komunikimin, meqë ra fjala për Turqi e Itali. Ani, kështu sillet jeta. Ç’është liria për ju?
-Gruaja, me? Ç’e pyet, xheloze e madhe, s’më lë të bëj xhap, ha ha ha!
Gazetarja prapë hodhi një vështrim nga regjisori. Ai qe bërë për të vrarë veten.
-Çfarë lexoni zakonisht? - ndërroi temë Idlira Mati.
-E do tullë ti? Nuk më del koha për të lexuar… Kemi shumë punë. Kur isha i vogël, kam lexuar një libër me derkucë… Ha ha ha! Si i thonë mo… nuk po më kujtohet, por ishte gallatë, ha ha ha! Na japin këto rregulloret tani, ligjet. Iu hedh nga një sy ashtu… Si e lamë ne për atë drekën?
-Ç’mendoni për familjen, z. Sefedin?
-E rregulloj unë atë punë, ç’ke ti!
-Zotëri, pyetja ishte: ç’mendoni për familjen në përgjithësi…
-Oho! Po familja është baza. Nuk ka si familja! Unë fundjavat i kam për familjen. Shkojmë andej këtej, çunin e shpie në pishinë, gruaja bën thonjtë… S’të fal unë për këto gjëra. Ha ha ha!
-Kini ndonjë hobi?
-Habi për çfarë?
-Jo mo, jo. Ndonjë pasion, aktivitet që e veçoni nga të tjerët, po them: Sport. Muzikë. Teatër.
-Shiko, unë kam shumë habi…
-Hobi i themi; s’është shqip, por le ta lëmë: dëshirë, pasion për diçka.
-Ah, ta dish ti se ku më rri mendja mua…
“Ylli i javës” vështronte sikur një maçok që i ngacëllejnë sytë…
Idlira Mati filloi të mblidhte letrat.
-Ju faleminderit që ishit në studio, z. Harkori.
-Pse kaq ishte? Ha ha ha!
Idlira Mati u ngrit dhe doli përjashta pa e ditur as vetë se ku do të përfundonte. Duke e përshkuar korridorin me kokën poshtë e duke folur vetëmevete, ajo po ua kthente përshëndetjen gjithë mundim atyre që lëviznin nëpër studio. Kjo është një komedi; por jo, se ku ma gjen komedinë… Njëqind herë më mirë në Tresh, te Pema e Krishtlindjes. Atje kishte lënë edhe atë djalin nga Kruja, emigrantin që priste me aq durim të përcillte porosinë e nisur nga larg. Gjyshërit e tij ishin nga Kruja, ai vetë ishte rritur në Durrës... Goce, si ishte kjo? Ti po mendon për atë? Vajza u ndje më mirë teksa tash filloi t’i drejtonte pyetje vetes…
©Vangjush Saro