Krijimtari

Mundi për të shkruar një tregim - Nga Avdulla Kënaçi

Përsiatje

Lexuesit i duhen dhjetë apo pesëmbëdhejetë minuta për të “përtypur” një tregim, ndërsa autorit i duhen ditë e muaj për ta menduar e shkruar atë. Ashtu si një ndërtesë nis me skicat, planimetrinë, pra, me arkitekturën, edhe tregimi ka nevojë për të parashtruar fillimisht një projekt ku të përcaktosh temën, ta kesh të qartë çfarë do të thuash, çfarë mesazhi do t’u japësh lexuesve dhe mbi të gjitha të jesh i frymëzuar.

Duhet pasur parasysh që lexues nuk janë vetëm ata aktualë, por edhe brezat e së ardhmes. Nëse tregimi është i arrirë, ia vlen djersa dhe mundi për të shkruar një vepër të përsosur. Të gjitha tregimet kanë mesazhe, ndryshe nuk vlejnë për t’i lexuar. Sigurisht që mesazhi fshihet midis rreshtave, nënkuptohet. Nuk mund t’i thuhet lexuesit se unë e shkruaj këtë tregim që ti të marrësh prej meje këtë mësim. Mesazhi nënkuptohet, “është pas kuintave” dhe ai perceptohet sipas formimit dhe intelektit të secilit lexues.

Ashtu si nxënësit e një klase që e thithin mësimin në mënyra të ndryshme, ashtu ndodh edhe me “përtypjen” e mesazhit të tregimit, sepse jo të gjithë kanë të njëjtën kulturë dhe inteligjencë. Më saktë, është njëlloj si muzika, të gjithë e dëgjojnë, por jo të gjithë emocionohen në mënyrë të barabartë.

Arti është ndjesi, magji, nuk është matematikë, ai ka të bëjë me emocionet. Shkrimi shqip përbëhet nga tridhjetë e gjashtë shkronja, mjafton t’i njohësh ato dhe ti si lexues ke në dorë çelësin për të hyrë në botën e artit, të letërsisë artistike. Ajo u drejtohet të gjitha gjinive, racave dhe shtresave njerëzore, pa asnjë dallim. Gjuha artistike është stili i një shkrimtari.

Për autorët që shkruajnë, rëndësi të veçantë ka zgjedhja e subjektit, e situatave që do të përshkruhen, renditja e ngjarjeve dhe vendosja e figurave. Kompozicion (latinisht composition - bashkim, rregullim) është mënyra sipas së cilës shkrimtari ka ndërtuar veprën letrare, si i ka vendosur pjesët e saj përbërëse, si i ka renditur dhe a qëndrojnë ato në unitet me njera-tjetrën. Kështu, një vepër letrare mund të ndërtohet duke u ndarë në pjesë, ose kapituj. Mjeshtëria e ndërtimit të veprës qëndron në aftësinë e shkrimtarit për të organizuar, për të lidhur në një njësi organike elementët përbërës që të spikatë mirë ideja qendrore dhe subjekti të rrjedhë natyrshëm.

Sado i shkurtër të jetë një tregim, ai qëndron më këmbë duke pasur një konflikt real midis personazheve. Përplasja, konflikti, duhet të jetë i besueshëm, bindës, i marrë nga realiteti, nga kontradiktat që ekzistojnë në jetën e përditshme, jo i sajuar sipas imagjinatës së autorit. Jeta e përditshme është e mbushur plot me drama, grindje dhe mosmarrëveshje. Për realizimin e subjektit na vijnë në ndihmë figurat letrare si krahasimet, simbolet, metaforat, etj. Shkencëtari e pasqyron realitetin me anë përgjithësimesh, konceptesh, ndërsa shkrimtari, artisti i fjalës, e pasqyron botën nëpërmjet figurave letrare. Përmes figurave artistike, shkrimtari shpreh idetë dhe ndjenjat e veta që e kanë burimin tek jeta shoqërore, tek realiteti. Fjala na ofron mundësi të pakufizuara dhe ka aftësinë të na japë e pikturojë me hollësi të gjitha nuancat e mendimit dhe të ndjenjave njerëzore.

Është e domosdoshme që tregimi të ketë një kohë dhe një vend, pra, kur dhe ku ndodh ngjarja. Zakonisht vendi dhe koha ekspozohen qysh në fillim. Pasi kemi vizatuar personazhet (parashtrimi) që do të marrin pjesë në ngjarje, i lidhim me njeri-tjetrin, shtjellohet ngjarja e cila ka gjithmonë pika bashkimi, pastaj presim pikën kulmore (pika më e mprehtë e konfliktit) e cila gjithmonë kërkon një zgjidhje. Në fund vjen mbyllja.

Realizmi kritik nuk kërkon t’i ndajë si me thikë personazhet në pozitivë e negative. Kjo mënyrë i përket të ashtuquajturit “realizëm socialist”, kur komunistët ishin të përsosur, si të rënë nga qielli dhe “armiqtë e klasës” kishin mbi kurriz gjithë të zezat e kësaj bote.

Ja çfarë na thotë shkrimtari nobelist amerikan, Ernest Heminguej: “Sajimi është gjëja e mirë, por veç s’mund të sajosh dot diçka që s’mund të ndodhë në të vërtetë. Nuk ke si ta bësh një njeri që të jetë një tjetër”.

Shkrimtari që shkruan nga përvoja e vet, nga realiteti dhe eksperienca e tij, është më bindës, por nëse ai duhet të shkruajë për të tjerët, duhet ta njohë ngjarjen me themel, duhet të studjojë sa më shumë, duhet të vëzhgojë dhe të mbajë shënime. E zëmë se ju do vizatoni një personazh që ka qenë në Arktik, ose Tropik, nëse nuk keni qenë vetë, mund të gaboni lehtësisht dhe e kompromentoni gjithë subjektin me gjëra të pavërteta. Bëheni i pabesueshëm, qesharak dhe lexuesi nuk u ndjek më.

Ja si shkruan Gabriel Garsia Marquez: “Mundi për të shkruar një tregim të shkurtër, është po aq intensiv sa mundi për të nisur një roman”.

Përfundimisht, përveç talentit, i cili është i lindur, të shkruarit, sipas meje, është nga punët më të vështira, një zeje që nuk mund ta arrijë kushdo. Kërkon jo vetëm talent, por shumë punë, studim dhe përqëndrim. Kur shkruan, duhet të kesh gjithmonë koshin e mbeturinave afër, të seleksionosh dhe të hedhësh në atë kosh çdo shkrim që nuk të pëlqen. Më saktë i përshtatet shprehja popullore: “Matu dhjetë herë e pre një herë”.

©Avdulla Kënaçi