Një gazetare franceze në Sarandë-tregim
Nga: Avdulla Kënaçi
(Tregim i jetuar)
Sot, kur shqiptarët venë e vijnë nëpër botë, kur aeroporti i Rinasit gumzhin nga pasagjerët që hyjnë e dalin pa pushim, është pak e vështirë të kuptohet nga të rinjtë se takimi me një të huaj, para rreth njëzet-tridhjetë vjetësh, ishte ngjarje që do të përmendej në biseda e do të kujtohej gjatë, njësoj sikur të kishe vizituar Murin e Madh Kinez. Atëherë unë isha gazetar i ri dhe pak i njohur. Puna më lidhte vetëm me katër rrethet e Jugut: Gjirokastër, Përmet, Tepelenë dhe Sarandë. Shërbimet në Sarandë ishin kënaqësi e veçantë edhe për një arësye tjetër, jo vetëm për detin, por aty vinin më shumë turistë të huaj dhe duke parë ata si visheshin, si silleshin, çfarë pëlqenin e çfarë injoronin, mundoheshim të dëshifronim kumte që vinin nga bota perëndimore, aq e lakmuar në heshtje e fshehtësi. Po kthehesha nga Ksamili ku duhet të realizoja një shkrim për përhapjen masive të frutikulturës nëpër kodrat përballë liqenit të Butrintit. Teksa matesha të ngjitesha në katin e dytë të hotel Turizmit, ku kisha zënë një dhomë, në holl më ndali një djalë i ri, truphollë, i veshur plot sqimë dhe elegancë. Dukej që ishte i ardhur rishtaz. Ishte punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, siç u prezantua. - Po shoqëroj një gazetare franceze dhe ajo dëshiron të takojë një njeri të shtypit. Na kanë rekomanduar ju. Edhe pushteti lokal e mbështet propozimin nga lart. Unë personalisht i lexoj me kënaqësi reportazhet tuaja…- foli ai gati sikur t’i kishte mësuar përmendësh ato fraza. Heshta për një çast, u zura ngushtë. Të takoje një të huaj duhet të ishe tepër i vëmendshëm, aq më keq një gazetare që mund ta interpretonte si të donte bisedën në shtypin perëndimor. Unë e dija rrugën që ndiqej, shkrimi, pasi botohej atje, përkthehej nga Agjensia Telegrafike Shqiptare dhe në formë buletini i dërgohej udhëheqjes superiore. Në se shkrimi ishte diskreditues për socializmin shqiptar, “hapu dhe të futem”, kush e shoqëroi, kush bisedoi, me kë u takua….Po edhe ta refuzoja ofertën, ishte kompleks inferioriteti dhe mungesë trimërie, kështu që, të dalë ku të dalë, pranova. - Unë sapo kthehem nga Ksamili, të paktën të ngjitem në dhomë, të lahem, të ndërrohem dhe të paraqitem si njeri,- i thashë nëpunësit të Ministrisë. - Jo, është më mirë kështu, vjen nga terreni, pak i djersitur, këpucët me këtë baltën e kuqe të tarracave, i veshur thjesht, djalë i ri...Asaj do t’i bëjë shumë përshtypje, - ma preu shkurt, por edhe entusiast që “kishte bërë një zbulim”, ja aty buzë detit, në hotel “Butrinti”. Eh, akoma nuk ishim ndarë nga stili kinez i të menduarit. Nuk më la kohë të gjeja një tjetër argument për të mos e bërë atë takim sepse thirri në frëngjisht dhe nuk mund ta kuptoja se çfarë tha. Gazetarja e huaj qënkish aty afër dhe unë nuk e kisha vënë re. Ajo u shkëput nga kolltuku dhe krejt e shpenguar, sikur të ishim takuar edhe dje, përshëndeti me përzemërsi, u prezantua dhe më ftoi për një kafe. Unë hodha sytë nga shoqëruesi i cili më bëri shenjë të pranoja. U ulëm në ballkonin e kafes, nga ana e detit, ku u ndjeva më i shpenguar. - Çfarë do t’i raportoni gazetës sot? - pyeti ajo krejt lirshëm. Nuk e kisha të vështirë të përgjigjesha: - Një gadishull këtu afër, Ksamili, ka mikroklimë të shkëlqyer për agrume. Eshtë i mbrojtur nga erërat. Po hapen tarraca përgjatë vijës bregdetare. - Me çfarë hapen, me krahë si në Kinë, apo me mjete mekanike? - pyeti. Ja, kjo ishte temë delikate, me spec. Unë po shihja nga shoqëruesi i cili e kuptoi hezitimin tim dhe më tha: “Përgjigju si të duash se e rregulloj unë në përkthim.” - Me kombinim, me mekanikë dhe krahë, i thashë unë. – Në përkthim fjala “me krahë” u eliminua, por gazetarja e kapi fjalën latine "kombinim" dhe iu kthye atij: - Ju nuk e përdorët fjalën “kombinim” që përmëndi kolegu, bëri ajo vrejtje. E parashikova se do të ishte një bisedë e vështire. Francezja u nervozua, pastaj m’u drejtua mua plot dashamirësi duke injoruar shoqëruesin: - Çfarë gjuhë të huaj dini? - Pak rusisht, pak anglisht, rusisht kam bërë katër vjet në shkollë të mesme, ndërsa anglishten duke vazhduar një kurës pas pune. - Frëngjishtja është më e bukur, gjuha më e bukur në botë, ju keni shumë fjalë frëngjisht në përdorim, pse nuk mëson frëngjisht? - Realisht unë e kam blerë një fjalor frëngjisht-shqip, por nuk më premton koha. - Mos më thuaj, tërë gazetarëve në botë nuk u premton koha. Çfarë më thoni për Borshin, nesër duhet ta vizitoj. Unë i tregova për kalanë mesjetare të Borshit, për detin e kthjellët, aq i kthjellët sa të josh ta pish si ujë burimi, por është i kripur. I fola për banorët mikpritës dhe portokallet “navëll” që rriteshin aty. Gjatë gjithë kohës përpiqesha të fshihja nën tavolinë këpucët e baltosura, edhe pse shoqëruesi më tha “të mos kisha turp nga balta e tarracave”. Pastaj ajo porositi një fërnet italiane të markës “branka”. Përkthyesi u ngrit vetë e shkoi tek banaku sepse ata nuk kuptonin çfarë kërkonte ajo. - Balta e Ksamilit është e kuqe, kjo tregon se aty ka hekur, - tha ajo. U habita si e qysh ishte marrë me këpucët e mia, kur i kishte vënë re? Pastaj ajo vazhdoi: - Sa më realisht të shkruajmë, aq më shumë ndihmojmë për progresin. Ne gazetarët jemi misionarë të shoqërisë, – Më erdhi mirë që më futi edhe mua tek misionarët. I kisha harruar këpucët me baltë. Ndërkohë kamarieri solli dy gota uji me fërnet “branka”. “Njera është për ju, tha përkthyesi, mos u sikletos, janë të përfshira në faturën tonë. Unë firmos për shpenzimet.” Nuk kisha parë asnjeri ta pinte fërnetin “branka” me gotë uji. Ajo e ndjeu hezitimin tim dhe tha: - Eshtë shumë e mirë, është origjinale, italiane, unë vetëm këtë pije preferoj, - Pastaj ajo e rrëkëlleu gotën me një frymë. U habita se si mund ta pinte ashtu me një “goditje”. Dhe duhet të ishte midis moshës 25-30 vjeçe, bionde, me flokë ngjyrë gruri, sytë blu, pak e shëndoshë në vithe, veshur me fustan të gjatë dhe një shall me ngjyra ylyberi rreth qafës. Në këtë veprim, si e rrufiti fërnetin, nuk e ndoqa pas, preferova ta pi gotën time ngadalë e sipas rrjedhës së bisedës. - Të pëlqen të vizitosh Parisin? - Kam lexuar shumë për Parisin, njoh Volterin, Balzakun, Stendal, Mopasan, Anri Barbys, Alfons Dode, etj. - Ua sa shumë, trebien, qënke i dashuruar me letersinë franceze, por vetëm me klasikët? - Me të gjithë ata autorë francezë që janë përkthyer në shqip. Ne kemi përkthyes shumë të talentuar nga gjuha juaj. Kanë qenë dy lice francezë që kanë lënë gjurmë në jetën tonë kulturore. - Po ju i keni mbyllur, - vazhdoi ajo e indinjuar dhe faqet iu ndezën prush - Foli edhe diçka tjetër, por shoqëruesi nuk përktheu. Ajo përmendi emrin e Udhëheqësit dhe unë kërkova leje të ngrihesha nga tavolina. - Kaq shpejt? - Kam lënë takim në telefon me gazetën, ishte kënaqësi takimi dhe biseda me ju. - Ajo u çua më këmbë dhe më përqafoi sikur të ishim miq të vjetër. Duke ngjitur shkallët e hotelit, isha konfuz, bëra mirë apo keq që e takova. Takimi me një të huaj, aq më keq me një gazetare, ishte minë me sahat. Çfarë dreqin tha ashtu për Udhëheqësin? Po më mirë që shoqëruesi nuk ma përktheu.
***
Të nesërmen shkrimi im u botua në faqen e parë të “Zërit të Popullit”. Ishte e diel dhe vendosa të qëndroj edhe atë natë në Sarandë. Në ato vite, shëtitjet buzë detit kanë qenë gjëja më e bukur. Vinte mbrëmja dhe sarandiotët vareshin rrëke-rrëke drejt shëtitores, të veshur me rrobat më të bukura. Ashtu siç kisha bërë edhe unë. Hëngra darkë dhe përsëri dola në pedonale. Ishin orët e vona të mbrëmjes dhe buzë detit kishin mbetur vetëm të ardhurit dhe ata pak turistë, kur ja, pas kurrizit, dëgjoj dikë të më thërresë me emër. Ishte shoqëruesi i gazetares franceze. - Sa mirë që u takuam, shkojmë për një gotë verë? - Po ç’e bëre gazetaren, o i bekuar? - Eshtë në dhomë të hotelit, e kam vënë në “gjumë”, piu shumë fërnet. U lehtësova që nuk do ta takoja përsëri. Ama isha edhe kurioz se çfarë tha ajo për Udhëheqësin. Të gjithë ne, intelektualët e asaj kohe, donim të dinim se çfarë thoshte e mendonte bota e huaj për Udhëheqësin dhe ndërtimin e socializmit me forcat e veta? Ndoshta shoqëruesi do të më tregonte….Ishte një arësye më shumë për ta pranuar ftesën. U ulëm në lokalin më të afërm me vijën e ujit të detit. Zërat e njerëzve ishin rralluar dhe dëgjohej vetëm plasaritja e dallgëve pas zallit të bardhë të bregut. Ishin ca dallgë të lehta që natën gati janë të padukshme, por zhurma e tyre në breg do të thotë se ato janë aty, nën këmbët e tua. - Pa hë si të shkoi dita sot, - isha unë që pyesja - shkuat në Borsh? - Jo, na u hap punë me ato tarracat e tua. Donte t’i shikonte me sytë e saj. Megjithëse i thashë se nuk ka punëtorë nga që është e diel, ajo këmbënguli që të shkonim aty. U lidha me qendrën dhe ata më thanë zvarrite sa të mundësh, pastroni terrenin dhe çoje atje ku je më i sigurtë. Ashtu bëra. Po më gjeti belaja me të, më thoshte ku janë mjetet mekanike që hapin tarraca. “Janë parkuar në ndërmarrje, SMT", i thashë, por ku i mbushej mendja. U lodhëm hip e zbrit kodrave. Fillim nëntori është, por sot ishte si pranverë dhe deti i Ksamilit, vaj. Që larg ta bënte me sy dhe sipërfaqja e tij reflektonte në miliona pasqyra të shndritshëme. “Dua të lahem në det”, më tha. Unë nuk e dija në se kishte rroba plazhi me vete, por thashë le të shkojmë. - Po si, vija bregdetare ruhet me ushtarë, konsiderohet kufi shtetëror,- i thashë. - Ashtu është, por unë mora leje tek komandanti i postës. “Le të lahet sa të dojë, a derëzi, ku do veje, se mos do na arratiset, ajo na jashtë vjen…”, tha ai. O shoku komandant, unë dua që ushatrët të mos duken kur ajo të jetë buzë detit. “O ja gjëjmë marifetin, do t’i maskojmë, mos ki merak”, më qetësoi Komandanti. Zbritëm. Gjetëm një gji deti pak të fshehur. E more mik, ç’të të them, u xhvesh karkacul bijë e botës, nudo, si e ka bërë nëna dhe u fut në ujë. - Unë qesha me të madhe. - Nuk kishte turp nga ty? - e pyeta jo pa ironi. - More hiç fare. - Ia pe të gjitha? - dhe vazhdova të qeshja me zë. - Po ç’thua more, më vuri në siklet e uruara dhe nuk di çfarë të bëj, ta fut në raport këtë proçkë të saj apo jo? - Nuk di çfarë të them, nuk të jap dot mendje, ndoshta ka pirë shumë fërnet? - Jo më shumë se ditët e tjera, por nuk e kam parë ndonjëherë të dehur. Në mëngjes ajo pi vetëm një dopio, mbasdite po, ashtu si sonte. - Për mendimin tim, ushtarët e kufirit duhen ta kenë parë të xhveshur dhe kanë raportuar tek komandanti dhe të jesh i bindur se çdo gjë ai e ka pasqyruar në ditar të postës, - u shpreha unë - Po mos e vra mendjen, në fund të fundit është e huaj. Nuk besoj të të ngarkojnë me përgjegjësi. Pastaj ndërruam temë bisede. Unë zieja nga kurioziteti se çfarë tha ajo në mëngjes për Komandantin e madh, por nuk guxoja të pyesja. Dhe as shoqëruesi nuk e preku më atë temë. Ishte mesnatë. Deti bunacë, i heshtur. Ne më të heshtur se deti. Secili shkoi në dhomën e vet për të pritur ditën e re. A mos kishim bërë ndonjë gabim që do të na kushtonte vendin e punës? Eh, ajo gazetarja franceze….Si quhej? Më duket Elisabet….Për një kohë të gjatë më la pa gjumë.
24/11/2017