Profil & Intervista

Augustin (Cin) Simoni: Një nga ambasadorët e kombit në Kanada

Intervistoi: Taulant Dedja

Ata janë të magjishëm në artin e tyre, por shpesh modestë për madhështinë që kanë. Ata nuk kërkojnë as poste, as dekorata, sepse çmimet e tyre janë duartrokitjet e publikut.

Atdheu nuk kujtohet çdo ditë për ta, edhe pse ata ndoshta çdo ditë e kujtojnë atdheun përmes tingujve. Atdheu kujtohet në raste kur dikush prej tyre kap majat ose vëmendjen e publikut të huaj, ose medias jashtë kufijve. Atëherë vendi i origjinës vrapon me medalje t’i përvetësojë e të mburret se i ka rritur e edukuar vetë. Por artistët janë mendjehapur dhe nuk mbajnë as mëri, as mllef me ata që merren me letra e vula zyrash.

Artistët janë ambasadorët e vërtetë të kombit dhe për ta ia vlen çdo karakter i shtypur në tastierën e kompjuterit.

Flasshqip, në vazhdën e intervistave e profileve me anëtarët e komunitetit shqiptaro-kanadez, u ndal te një figurë shumë e nderuar jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë njerëzor, violinisti Augustin (Cin) Simoni, i cili jeton e punon në Toronto.

Maestro, si ka ndodhur që jeta juaj mori drejtimin e muzikës?

Augustin (Cin) Simoni: Prindërit e mi kanë qenë dashamirës të muzikës dhe na e dhanë këtë dhuratë që të kishim pasion për të, por jo që të bëheshim profesionistë. Megjithatë jeta mori rrjedhën e vet. Nga pesë vëllezër dhe motra që jemi ne, vetëm njëri nuk u bë muzikant dhe të gjithë ne të tjerët përfunduam në muzikantë profesionistë. Fillova me pianon dhe pastaj mora violinën dhe nuk e lëshova nga dora për tërë jetën. Mësimet e para të violinës i mora nga Gjovalin Xhanxhafili në Shkodër, dhe pastaj vazhdova të studioja vetë, por dhe me ndihmën e violinistit Islam Petrela, në atë kohë koncertmaestër i Orkestrës Filarmonike në Tiranë.

Ju u transferuat shpejt në këtë orkestër apo jo?

Augustin (Cin) Simoni: Isha 15 vjeç kur u transferova në Tiranë nga orkestra e kompozitorit të njohur Prenkë Jakova për në Orkestrën e Filarmonisë (më vonë Orkestra e Operas). Më kujtohet se isha orkestranti më i ri në moshë dhe të gjithë ishin shumë dashamirës me mua. Pas shërbimit ushtarak 3-vjeçar në Ansamblin e Ushtrisë, kur gjithashtu studiova dhe mbarova studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës, u emërova si koncertmaester në Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Dhe më pas vazhduat studimet e larta ...?

Augustin (Cin) Simoni: Në fakt jo. Që në fillim të karrierës time si koncertmaestër aplikova tre herë për të vazhduar studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, por me pretekste të ndryshme, asnjëherë nuk ma dhanë të drejtën e studimit. Kështu që unë vazhdova karrierën time si koncertmaestër dhe si solist pa u diplomuar nga Instituti i Lartë i Arteve. Këtë dëshirë të madhe që kisha, e plotësova në Greqi, kur isha në emigracion, dhe mbas 40 vitesh, u diplomova me diplomë nderi në Konservatorin e Athinës.

Hmmm..“Haka shkon tek i zoti”-thotë populli. Çfarë kujtoni tjetër lidhur me kushtet e një sistemi që kontrollonte rreptësisht gjithçka?

Augustin (Cin) Simoni: Në vitet e para të komunizmit muzikës klasike dhe simfonike i jepej një hapësirë më e gjerë, në kuptimin që mund të zgjidhej repertor i larmishëm nga veprat e kompozitorëve të huaj, por më vonë, kur Shqipëria filloi përherë e më tepër të mbyllej, çensura shfaqej edhe në përzgjedhjen e muzikës. Direktivat që vinin nga lart ishin që përqindja më e madhe e muzikës që luhej të ishte nga kompozitorët shqiptarë. Kurse përsa i përket muzikës së lehtë, që përfshinte vetëm kompozitorët shqiptarë, ajo ka qenë gjithmonë e kontrolluar nga lart. Pati një tolerancë në Festivalin të 11-të të këngës, por shpejt ai u quajt një festival dekadent, dhe që si rrjedhojë u morën shumë masa administrative dhe ndëshkimore kundër shumë individëve dhe gjatë gjithë viteve në vazhdim kishte një kontroll rigoroz të llojit të muzikës që paraqitej, kompozitorëve që pranoheshin, muzikës dhe teksteve të këngëve, këngëtarëve, veshjeve etj. 

Le të kujtojmë tani mbresat më të mira nga ajo periudhë…

Augustin (Cin) Simoni: Unë ruaj mjaft kujtime të bukura nga puna në Orkestrën e RTSH-së, së pari në aspektin human, sepse kemi patur marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin. Roli im si koncertmaestër ishte që jo vetëm të drejtoja harqet e orkestrës, por të krijoja një atmosferë të shëndoshë bashkëpunimi dhe mbarëvajtjeje ndërmjet orkestrantëve por dhe me dirigjentët. Për mua ka qenë kënaqësi e veçantë sidomos kur vinin dirigjentë të huaj për të drejtuar orkestrën tonë, sepse sillnin një eksperiencë të panjohur për ne në atë kohë. Një aktivitet interesant muzikor ishin “Dekadat e Majit”, ku merrnin pjesë shumë institucione artistike dhe ansamble kryesisht me kompozime të reja.  Më kujtohet sidomos viti 1969, kur luajta solo me orkestrën koncertin e kompozitorit Kujtim Laro që e shkruajti posaçërisht për këtë eveniment dhe që pati shumë sukses dhe jehonë.

Si instrumentist violinist si do ta vlerësonit shkollën shqiptare të violinës por edhe atë të muzikës në përgjithësi?

Augustin (Cin) Simoni: Shkolla shqiptare ka patur një sistem shumë të mirë të trashëguar nga vendet e lindjes dhe sidomos shkolla ruse meqënëse dhe shumë pedagogë të vendit kishin studiuar në shkollat e lindjes dhe në Moskë. Si rezultat sot kemi shumë instrumentistë të mirë, si violinistë dhe violonçelistë që na nderojnë nëpër botë. Nga ana tjetër, sistemi i planifikimit ka qenë një pengesë për t’i dhënë talenteve të reja mundësi studimi, sidomos për instrumentat e frymës, pasi planifikohej sa studentë do të pranoheshin në Institutin e Arteve në bazë të llogaritjes se sa vende pune do të ishin të hapura për ta kur të mbaronin studimet kështu që ndodhte që shumë instrumentistë të mirë mbeteshin pa vazhduar shkollën e lartë.

Por ja që disa i ndoqën studimet edhe në emigracion si në rastin tuaj. Në ç’kushte e morët ju një vendimin për t’u larguar nga Shqipëria, para gati tre dekadash?

Augustin (Cin) Simoni: Ishte viti 1991 kur pianisti Genc Tukiçi më mori në telefon nga Korfuzi dhe më tha që do të zhvillohej një festival operistik ballkanik dhe se kishin nevojë për një koncertmaestër. Unë pa e menduar gjatë vendosa të shkoja, pasi siç dihet në atë periudhë, gjendja ekonomike e Shqipërisë ishte katastrofike dhe gjendja politike e paqartë. Që atëherë unë nuk u ktheva më në Shqipëri. Shumë vetë, kur morën vesh vendimin tim për të emigruar, me quajtën aventurier, por për mua, me gjithë vështirësitë që kemi kaluar, ka qenë një vendim i mirë, sidomos ardhja në Kanada. Në Korfuz puna me orkestrën ballkanike ishte sezonale kështu që u transferova në Athinë. Në Greqi kemi patur sigurisht probleme nga më të ndryshmet, p.sh pamundësia që të pajiseshim me dokumentet e qëndrimit, diskriminimi që na ndiqte ngado që rrotulloheshim, etj. Prandaj menjëherë aplikuam për të ardhur në Kanada. Megjithatë kujtimi i bukur që mbaj nga ajo periudhë është turneu që bëmë me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Grek, me dirigjent në atë kohë Mikis Theodoraqis, i cili insistoi që të na merrte në punë, mua dhe 4 instrumentistë të tjerë shqiptarë, për të punuar me një kontratë të shkurtër pune duke përfshirë dhe turneun që bëmë në vitin 1994 në USA dhe Kanada.

A ndryshon diçka tek artisti kur largohet nga vendlindja? Apo fakti që një muzikant zotëron gjuhën universale të muzikës e bën më të lehtë adaptimin në një “atdhe” të dytë?

Augustin (Cin) Simoni: Kjo varet shumë nga fusha e artit ku ai person ka punuar. Por për ne muzikantët, siç thoni dhe juve, muzika është një gjuhë universale. Dhe për mua kështu ka qenë, se pavarësisht nga mosha dhe nga zotërimi i gjuhës angleze, unë pas pak kohe u ingranova në punë në profesionin tim, duke u aktivizuar në orkestra dhe në mësimdhënie.

Na tregoni diçka më konkretisht për aktivitetin tuaj profesional në Kanada

Augustin (Cin) Simoni: Aktivitetin koncertal e fillova me “Trion Simoni” ku merrte pjesë vajza ime violonçeliste dhe një pianiste rumune. Kemi patur shumë sukses për disa vite dhe publiku ishte shumë dashamirës dhe entuziast, por vajza ime u transferua me punë në Spanjë dhe trioja u shpërnda, megjithatë unë vazhdova aktivitetin koncertal me performanca, regjistrime, muzikë live dhe bërjen e tre CD-ve me muzikë klasike. CD-ja e tretë “Albanian Composers”, përbëhet vetëm nga pjesë shqiptare dhe është marrë nga CBC Radio Canada për t’u transmetuar.  Kështu mund të përfytyrohet që dita ime fillon me studim dhe vazhdon mbasdreke me mësimdhënie.

Cili është raporti juaj më komunitetin shqiptar në Toronto?

Augustin (Cin) Simoni: Raporti im me komunitetin është shumë i mirë. Jemi me fat që ne këtu në Kanada kemi një komunitet aktiv dhe të edukuar. Unë jam anëtar i disa shoqatave dhe i ndjek aktivitetet e tyre brenda mundësive të mia.

A jeni aktiv në organizimet e komunitetit përmes muzikës tuaj?

Augustin (Cin) Simoni: Unë kam kontribuar pa hezitim me performanca muzikore, kur më është kërkuar, dhe kanë qenë një numër rastesh si p.sh nisma që mori regjisori Gjergj Rita kur mblodhi një numër të konsiderueshëm të muzikantëve në Toronto dhe rrethina në një mbrëmje të këndshme me nivel të lartë performance.  Gjithashtu tek aktiviteti i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze të Torontos me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ku të gjithë muzikantët realizuan një koncert shumë të bukur dhe me nivel, etj.  Unë vazhdoj me aktivitete koncertore dhe me plane për të ardhmen. Gjatë vitit 2017-18 kam dhënë dy koncerte me shoqërim piano.

Në Toronto dhe rrethina ka shumë forca krijuese artistike. Ç’mund të bëhet më shumë sipas jush që tradita muzikore shqiptare të bëhet më e njohur nga komunitetet e tjera?

Augustin (Cin) Simoni: Komuniteti ynë në Kanda është mjaft i ri dhe nuk mund të krahasojmë mundësitë tona me ato të komuniteteve të tjera që janë shumë më të mëdha në numër dhe të afirmuara me kohë. Por megjithatë duhet të ulemi dhe të mendojmë për këto gjëra. P.sh. ka disa aktivitete muzikore në Toronto ku shumë komunitete marrin pjesë me valle dhe muzikë folkloristike. Kjo do të ishte një platformë e mirë ku dhe komuniteti ynë mund të përfshihej dhe angazhohej. Ju faleminderit shumë për mundësinë që më dhatë me këtë intervistë.

Faleminderit ju mjeshtër, dhe veçanërisht për këtë ide shumë konkrete dhe interesante që ndave në fund të intervistës. Ne urojmë që të gjithë së bashku të mund të arrijmë diçka të bukur për njohjen e vlerave të Shqipërisë këtu ku jetojmë.

©Flasshqip.ca

Korrik 2018