Profil & Intervista

Gjergji Hasa, i pari shqiptar diplomuar jurist në Universitetin prestigjioz McGill-Kanada

Nga: Taulant Dedja

 

Historia e Gjergji Hasës është me të vertetë një nga ato histori të pazakonta imigrantësh ne Kanada të cilat të bëjnë të ndihesh krenar për bashkëatdhetarët e tu. Lindur në vitin 1983 në Lushnje, ai sot është vetëm 35 vjeç e jeton në Montréal ku dhe është diplomuar si jurist në Common Law and Civil Law, në vitin akademik 2012-2013, pranë McGill University, një ndër universitetet më prestigjioze në botë. Aktualisht anëtar i Dhomës së Avokatëve të Québec-ut, ai ushtron me shumë sukses avokatinë si partner i Zyrës Ferdoussi-Hasa me qendër në Montréal duke ndjekur e mbrojtur çështje në të gjitha nivelet e gjykatave.

Rrugëtimi i tij plot vështirësi drejt një karriere universitare dhe profesionale brilante duket se ka nisur në vitin e trazuar 1997 kur ai shkon të ndjekë studimet kolegjiale në Bukuresht të Rumanisë për të vazhduar më pas me emigrimin në Kanada që në fillimet e veta, si për shumë të tjerë, do t’i ngjante një ekuacioni me shumë të panjohura.

Student në degën Shkenca politike pranë Concordia University ku dhe diplomohet shkëlqyeshëm më 2007, i vetëm, pas askënd nga familja pranë tij, ai punon paralelisht për të siguruar jetesën e për të mbuluar shpenzimet e shkollimit. Më pas arrin të pranohet në McGill University dhe viti 2013, viti i përfundimit të studimeve pranë këtij universiteti prestigjioz shënon dhe kurorëzimin e perpjekjeve të tij shumëvjeçare për realizimin e ëndrrës për tu bërë jurist.

Aktivist në jetën komunitare në Montréal, si student i McGill University, Gjergji ka fituar dhe çmimin per drejtesi sociale dhe leadership: “Award for social justice for contribution to the Faculty Community through Commitment and Leadership in the fields of Law and Social Justice”, ka fituar bursën e ekselencës nga Canada Millenium Scholarship Foundation si dhe ka kryer një stazh pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë në vitin 2012. Ka punuar gjithashtu per “Center for Human Rights and Legal Pluralism” dhe prej 4 vjetësh është edhe anëtar i Dhomes së Avokatëve te Québec-ut si dhe i disa shoqatave të tjera profesionale të fushës së specialitetit të tij. Njëherazi kontribues aktiv në gjirin e komunitetit shqiptar në Montréal ku ai gëzon respektin dhe vlerësimin e të gjithëve pa përjashtim. Ai ushtron vullnetarisht dhe rolin e këshilltarit ligjor pranë Shoqatës Kulturore Shqiptare të Montréal-it.

Gjergji me nostalgji kujton mbërritjen në Kanada si dhe vështirësitë me të cilat duhej të përballej në fillim për të realizuar pikësynimin që i kishte vënë vehtes. Ja si e përshkruan ai ditën kur për here të parë i shkeli këmba në ambientet e McGill University. «Ishte 30 nentor 2004 dhe tek recepsioni më thanë qe ishte dita e fundit për të dorezuar aplikimet. Unë nuk e dija ende që procedura merrte kohë, pa llogaritur rezultatet e larta që u kërkoheshin aplikantëve. Pasi mora një formular dhe fillova ta plotesoja me emrin dhe adresën time, dikush doli të më takojë dhe më sqaroi si funksiononte përzgjedhja e kandidatëve studentë në drejtesi në një nga 20 fakultetet më të dëgjuar në botë ku kuotat e pranimit janë të paracaktuara e me kritere tejet rigoroze. Pas spjegimit, kuptova që isha të paktën 5 vjet larg asaj dite nëqoftese çdo gjë do ecte në mënyrë perfekte. Pra, më duhej të mbaroja një universitet tjetër, përpara se aplikimi im të kishte shans të merrej në shqyrtim apo të konkuronte me aplikimet e tjera. Më duhej gjithashtu të dilja me rezultate shumë të larta, të zotëroja mirë të dyja gjuhët zyrtare të Kanadasë. Natyrisht duhet të beja dhe punë vullnetare e të punoja në të njëjtën kohe për të mbijetuar».

Falë vullnetit të tij të jashtëzakonshëm dhe oportuniteteve që ofron për cilindo pa dallim Kanadaja, sot Gjergji Hasa ka arritur ta realizojë ëndrrën e tij për shkollim dhe karrierë. Ai ndihet krenar për origjinën dhe vendin nga vjen e mendon që cilido nga ne, kudo që ndodhet duhet të ndjejë një detyrim moral ndaj vendlindjes duke bërë çdo përpjekje për ruajtjen e gjuhës, kultures dhe identitetit tonë e për transmetimin e tyre brez pas brezi. Për arritjet e tij të shkëlqyera akademike dhe profesionale ai ka marrë Diplomën e Mirënjohjes nga Bashkësia e Shqiptarëve të Québec-ut në Montréal më 2014, ndërsa ishte dhe një prej të nominuarve për vitin 2017 nga Albanian-Canadian Excellence Society. Gjithashtu ka qenë edhe pjestar i grupit që përfaqesoi komunitetin shqiptar të Quebéc-ut në Samitin e Diasporës të organizuar nga Qeveria shqiptare në Nëntor 2016. Së fundmi, Shoqata Kulturore Shqiptare në Montréal e ka propozuar Gjergjin Hasën kandidat për në Këshillin Koordinativ të Diasporës.

@FlasShqip.ca