Profil & Intervista

Arti dhe Kultura e Burlington-it nën drejtimin e shqiptares së mençur Anxhela Paparizo

Intervistoi: Jeta Dedja

Ka njerëz që kanë lindur me fat dhe u gëzohen të mirave që u dalin përpara pa u munduar shumë, madje pa lëvizur as gishtin e vogël. Por ka edhe të tjerë që kanë guxuar ta sfidojnë fatin në kërkim të realizimit të potencialit të tyre intelektual dhe emocional. Këta njerëz ne i quajmë të zotë, të cilët meritojnë çdo thërmijë admirimi e vlerësimi. Njerëz të tillë janë burim frymëzimi për mijëra të tjerë të mbetur në udhëkryq. Sepse njerëz të tillë, kudo që të bien apo ti hedhë rrjedha e jetës, do gjejnë rrugën më të mirë për të dalë në krye. Kur themi krye jo doemos kuptojmë lider shteti apo udhëheqës shpirtërorë globalë, krye nënkupton dalëzotësinë ndaj sfidave të jetës.

Anxhela Paparizo, shqiptarja e mençur dhe e bukur e lindur në Tiranë, e cila emigroi në Kanada në vitin 2008 së bashku me vajzën e saj 5-vjeçare është një prej këtyre njerëzve. E diplomuar në Gazetari, Master në Histori, njohëse e katër gjuhëve të huaja, me përvojë disa vjeçare në Bashkinë e Tiranës, Anxhela zgjodhi Kanadanë për të zhvilluar interesat dhe qëllimet e jetës.

FlasShqip pati kuriozitetin të mësonte më shumë mbi rrugëtimin e emigrimit dhe integrimit të Anxhelës në jetën kanadeze që kur ajo u nderua me çmimin “Elita e gruas shqiptare në botë” në një event të organizuar nga HR Scholarship. Ne i kërkuam një intervistë dhe përfituam pak nga fakti që jemi patriotë për ta realizuar atë “jashtë rradhe”.

Si ishin fillesat e jetës tuaj në Kanada? Cilat ishin vështirësitë?

Fillesat e një jete të re në një vend të huaj nuk janë të lehta. Gjithsesi Kanadaja ka programe që lehtësojnë integrimin në jetën e përditshme. Organizata të ndryshme jo fitimprurëse mbështeten nga qeveria për të ofruar trajnime për përgatitjen e CV-së si edhe përgatitjen për intervistë pune e informacione të tjera të dobishme për një emigrant që sapo ka mbërritur. Kurset e gjuhës angleze për emigrantët e rinj në Kanada janë gjithashtu falas.  Vështirësitë e para ishin zgjedhja e një vendi të përshtatshëm për të jetuar, gjetja e një apartamenti me qira dhe gjetja e një pune. Duke qenë se je në një vend të panjohur, të duhet që përveç njohjes me kulturën e Kanadasë dhe gjuhën e përditshme të mësosh sa më shpejt edhe rrugët, dyqanet, bankat, shkollat, ku aplikohet për punë e shumë informacione të tjera të vogla të përditshmërisë që në Shqipëri i konsiderojmë të mirëqena. Këto vështirësi kaluan relativisht shpejt falë kushërinjve të mi që banojnë në Kanada dhe ofruan ndihmën e tyre për ta bërë tranzicionin sa më të lehtë. 

Cilat ishin reagimet e vajzës pas ditës së parë në Kanada?

Kur u zgjua në mëngjes dhe pa nga dritarja, vajza tha: “sa bukur është këtu mami, më pëlqen”. Belisa sapo kishte mbaruar klasën e parë kur erdhëm dhe që javën e parë u fut në shkollë për një muaj sepse këtu shkolla mbaron në fund të qershorit. Shkolla dhe programet rekreative e ndihmuan Belisën të integrohej shumë shpejt në jetën Kanadeze dhe të krijojë miqësi të reja.

Cilat ishin gjërat e para që bëre kur mbërrite në Kanada?

Aplikova për patentë kanadeze dhe kartën e shëndetit. Janë gjëra që sa më shpejt ti bësh, aq më mirë është. Distancat janë të mëdha dhe pa makinë nuk lëviz dot shumë ose të duhet një kohë e gjatë të shkosh nga një vend në tjetrin me transportin publik. Karta e shëndetit është një domosdoshmëri. Siç dihet, shërbimi shëndetësor në Kanada është falas dhe pa kartë nuk mund ta përdorësh këtë shërbim. Ndërkohë fillova të kërkoja punë sepse e dija që nuk do ishte shumë e lehtë të gjeje punë pa pasur eksperiencën e punës kanadeze.

Sa të ndihmoi përvoja në Shqipëri për të gjetur punë dhe për t’u përshtatur?

Përvoja e punës në Bashkinë e Tiranës ishte një bazë shumë e mirë për të krijuar eksperienca të reja. Ndonëse shumë gjëra këtu funksionojnë ndryshe, përvoja e Shqipërisë më ndihmoi për të kuptuar më mirë si funksionon struktura, politikat dhe vendimmarrja sikurse edhe përgatitjen e raporteve të ndryshme për këshillin bashkiak. Përvoja e punës në Shqipëri në fushën e artit dhe kulturës ishte një ndër faktorët që unë u punësova në Bashkinë e Burlington-it. Jam me fat që i provova të dyja administratat e qeverisjes vendore si këtu dhe në Tiranë. Besoj se kam marrë më të mirën e të dyja praktikave dhe i aplikoj ato në punën e përditshme me sukses.

***

Anxhela aktualisht është Manaxhere e Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Burlington-it. Puna e saj ka të bëjë me drejtimin e Programit të Artit Publik, Programin e Grantit për Artin dhe Kulturën, organizimin e Ditëve të Kulturës për qytetin dhe bashkëpunimin me Muzetë, Qendrën e Arteve të Performuara, Libraritë, Galerinë e Artit dhe Turizmin për të promovuar kulturën në qytetin e Burlington-it. Ajo është gjithashtu kontakti kryesor për shërbimin a artit dhe kulturës për gjithë Bashkinë e Burlington-it përfshirë procesin e buxhetit dhe planet e biznesit. Këtë punë e realizon më së miri jo vetëm për shkak të përvojës së mëparshme në Bashkinë e Tiranës por edhe sepse ka studier më gjerë në Universitetin e British Columbia për Planifikim Kulturor dhe Leadership Ekzekutiv Bashkiak.

 ***

Le të flasim pak për shoqërinë dhe jetën komunitare. Sa bëhesh me shqiptarët këtu?

Miq të mirë gjen në çdo vend. Unë kam krijuar shoqëri të bukur këtu me vajza shqiptare e kanadeze ashtu sikurse i kam ruajtur lidhjet me shoqet e mia të ngushta në Tiranë. Jeta në Kanada është më intensive se në Shqipëri dhe më e fokusuar te familja dhe puna.  Ndjek shpesh evente të ndryshme që organizohen nga komuniteti. Po mendoj të kontribuoj më shumë në jetën e komunitetit shqiptar ne Kanada, sidomos gruas. Jam duke eksploruar me disa zonja të tjera se çfarë mund të bëjmë për gruan shqiptare në Kanada. 

Çfarë të mungon nga Shqipëria?

Njerëzit, familja dhe miqtë, atmosfera, gjuha, stili i jetës. Kam mall për Shqipërinë dhe nuk rri dot pa shkuar të paktën një herë në vit. Babai dhe motra jetojnë akoma atje kështu që lidhjet e mia me Shqipërinë vazhdojnë të jenë të forta si nga familja ashtu edhe nga shoqëria. Zemra ime mbetet shqiptare.

Si janë raportet e vajzës me Shqipërinë?

Belisa ishte shumë e vogël kur ikëm dhe e konsideron veten pak më shumë Kanadeze se Shqiptare. Ajo tani është në vit të tretë gjimnaz, pra adoleshente dhe ndonëse e ka vizituar disa herë Shqipërinë, shtëpia e saj është Kanadaja. Rritur mes dy kulturave, asaj shqiptare e kanadeze, Belisa e kupton dhe vlerëson prejardhjen e saj, ndonëse disa herë tingëllon e largët te ajo. Kur erdhëm në Kanada, Belisa dinte vetëm dy-tri fjalë anglisht por e mësoi shumë shpejt nga shkolla dhe ambienti. Tani e ka më të lehtë të flasë anglisht se sa shqip.

Si është një ditë e zakonshme e Anxhelës?

Shumica e ditës kalohet në punë plot me mbledhje e punë në kompjuter. Pjesa tjetër e kohës me familjen, gatime dhe pazare për shtëpinë.

Çfarë gatimi shqiptar i ke mësuar bashkëshortit? 

Fasule. Tonit i pëlqejnë shumë fasulet e gatuara në mënyrë shqiptare. Ndonëse ka mësuar si bëhen, m’i kërkon mua që t’ia gatuaj shpesh. Toni ka qenë në Shqipëri dhe i pëlqen shumë edhe byreku shqiptar dhe birra Korça. I pëlqejnë gjithashtu gjellë të ndryshme me bamje, bizele etj.

Çfarë bën në kohën e lirë?

Shkoj tre herë në javë në palestër dhe të paktën dy herë në javë marr mësime belly dancing. Lexoj, kërcej, shikoj tv ose shkoj në kinema, ndjek një ekspozitë/event ose provoj një restorant të ri ose kuzhinë të një kulture tjetër. Më pëlqen të bëj shopping dhe shpesh herë e gjej veten në dyqanet e mia të preferuara. Fundjava plotësohet me aktivitete të ndryshme me miq sipas rastit.

Po afrojnë pushimet, më trego pak ku ke qenë vitet e fundit për pushime?

Unë jam tip që preferoj të eksploroj vende të ndryshme kështu që përpiqem të gjej diçka të re çdo vit. Përveç Shqipërisë, kam qenë në Bahamas, Cancun, Playa Del Carmen e vende të ndryshme të Meksikës, Varaderro e Havana në Kubë, Punta Cana e Puerto Plata në Republikën Domenikane si dhe Evropë. Jam duke eksploruar vende të tjera për pushimet e ardhshme.

 

Ndërkohë që Anxhela me familjen e saj, eksploron vende të tjera për të kaluar pushimet e këtij viti, ne e falenderojmë për sinqeritetin dhe energjinë pozitive që ajo reflektoi gjatë gjithë bisedës.

©FlasShqip.ca