Profil & Intervista

Argeis Kamberi, Oficeri Shqiptar i Policisë Kanadeze

Përgatiti: Jeta Dedja

Argeis Kamberi ishte 8 vjeç kur emigroi në Kanada. Prindërit, Graniti dhe Ariana, motra Bertina dhe Argeisi, fillimisht kishin qenë emigrantë në Greqi. Në kërkim të mundësive më të mira, ata u nisën drejt Kanadasë. Argeisi nuk i mban mend mirë ditët e para në vendin e panjohur, gjuhën e të cilit nuk e fliste dhe as e kuptonte ende. Por kujton se pësoi një shok kulturor, duke filluar që nga aparenca e qytetarëve të nacionaliteteve të ndryshme. Përshtatja me klimën e ashpër dimërore dhe mësimi i gjuhës ishin vështirësitë kryesore për Argeisin.

Ndërsa për shkollën, impresionet e tij lidhen më madhësinë e saj dhe mësuesit mendje-hapur. Mësuesit kanadezë provojnë mënyra të ndryshme mësimdhënieje dhe qasja e tyre ndaj edukimit është se çdo nxënës ka mënyrën e tij të të nxënit. Prandaj të gjithë nxënësit në shkollat kanadeze ndihen mirë në shkollë-na tregon Argeis. Gjithashtu fëmijët ashtu si dhe Argeisi kanë lehtësi për të bërë menjëherë shokë. Sipas Argeisit, në Kanada është e thjeshtë të bësh miq sepse shumica kanë histori emigracioni dhe kjo bën që të ketë mirëkuptim mes njerëzve sapo takohen. Shoqëria e tij, përveç shqiptarëve përbëhet nga rumunë, qipriotë, boshnjakë, indianë, etj.

Çfarë bën sot në Kanada Argeis Kamberi?

Besojeni ose jo, por policia kanadeze flet edhe shqip. Kjo falë motivimit dhe arritjes së Argeisit dhe shqiptarëve të tjerë si ai për t’u bërë oficerë policie. Ai zgjodhi këtë karrierë me synimin e një të riu idealist dhe plot me vullnet, për të sjellë ndryshime pozitive në botë. Gjithashtu Argeisi shprehet se pasi mori shtetësinë kanadeze, ndjeu obligim t’i shprehë këtij vendi mirënjohjen për trajtimin me dinjitet dhe mirëpritjen e tyre si emigrantë.  

Puna e Argeisit në policinë e Kitchener-Waterloo ka të bëjë me ndërveprimin me komunitetin, edukimin e popullatës dhe forcimin e zbatimit të ligjit. Sigurisht që investigimi i krimeve, intervistimi i personave të dyshuar dhe dëshmitarëve dhe arrestimi i shkelësve të ligjit janë pjesë e rëndësishme e profilit të punës së tij.

Argeisi kalon 10 orë në punë, gjatë kësaj kohe ka të parashikuar edhe stërvitjen në palestër. Më pas vesh uniformën, me të cilën duket shumë bukur dhe fillon punën sipas programit duke i përsëritur vetes çdo herë thënien e tij të preferuar: “Gjithmonë ka një person më në hall se ty, prandaj ji i mirë me njerëzit, puno fort dhe kurrë mos harro të shijosh jetën”. Kohën që i mbetet e shpenzon me familjen, të cilës i është mirënjohës për sakrificën.

Kur e pyesim Argeisin nëse e ka thënë ndonjëherë shprehjen “Jam krenar që jam shqiptar” ai na përgjigjet me plot krenari:  

“Sigurisht që e kam thënë. Shqipëria është vend për t’u krenuar dhe shqiptarët janë kaq të zotë për të dhënë shumë në botë. Unë jam i lumtur që trashëgoj genin shqiptar”.  

Dhe meqënëse Argeisi ka disa vite pa shkelur në mëmëdhe, ndoshta pushimet e kësaj vere i planifikon në Shqipëri. Ai ka ndjekur përmes internetit çdo ndryshim që ka pësuar vendi dhe përveç mallit e dashurisë, ka kuriozitetin për t’i prekur nga afër dhe për t’i shijuar ashtu siç shijohen vetëm në Atdhe.

Prill 2018

©FlasShqip.ca