Profil & Intervista

Nador Bakalli: Në 25 Prill u deformua në menyrë skandaloze vullneti i zgjedhësve

Intervistoi Taulant Dedja

Përfaqësuesi i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” për Kanadanë, Nador Bakalli, vjen sot përmes një interviste në Flasshqip, për të ndarë me lexuesit opinionin dhe vlerësimet e tij për zgjedhjet e kontestuara të 25 Prillit 2021 në Shqipëri. Siç dihet, edhe pse u bënë përpjekje maksimale, shteti shqiptar dhe mazhoranca nuk e mbajten premtimin për t’i mundësuar Diasporës votën në distancë… Sipas Nadorit, Diaspora i ka të gjitha mundësitë për të dhënë një kontribut jetik për ta nxjerrë vendin nga bataku i sotëm. Nëse nuk përpiqemi ta bëjme, shprehet ai, i hyjmë në hak vendit dhe nuk do na falet...

Flasshqip: Pas gjithe informacioneve të marra dhe raporteve paraprake ndërkombëtare, cili është opinioni që keni personalisht për këto zgjedhje?

Nador Bakalli: Personalisht mendoj se zgjedhjet u ndikuan nga një konglomerat makinacionesh të orkestruara, të cilat në gjykimin tim, ishin të mjaftueshme për tjetërsimin e rezultatit. Si mund të konsiderohet normal një proces kur e gjithë administrate shteterore u angazhua, shpesh herë pa vullnet te lirë, në mbledhje votash? Të afërmve të mi u janë kërkuar kartat e identitetit nga punonjës administrate, të cilëve në kushtet e dëshpërimit u është thënë dorëzoni 20 karta ose “fluturoni të hënën”. Si mund të luhet me dinjitetin e njeriut në këtë mënyrë? Më pas kishim skandalin e vjedhjes së të dhënave personale për 910 mijë qytetarë dhe shit-blerjen masive të votave. Makina të mbushura me para dhe me materiale zgjedhore u faktuan dhe konfiskuan nga policia. U bëmë dëshmitarë të videove shokuese ku tjetërsohet vota haptazi më kalem nga numëruesit e partive, 80 mijë vota të pavlefshme ulërasin fort për një deformim skandaloz të vullnetit të zgjedhësve. Në fund, asistuam edhe në fenomenin e një partie pa program, fushatë apo ofertë politike e cila merr mandate në mënyre të çuditshme dhe në zona jo karakteristike. Ky skenar ishte një “déjà vu” e hidhur për mua. Ju ftoj të hidhni vështrimin në Kolumbinë e viteve 80, të studioni historinë e Baronit të mirënjohur të kokainës dhe të shikoni tentativën e tij për të depërtuar në politikë. Jam i bindur se, si unë, do të gjeni paralelizma drithëruese me atë që ka ndodhur tek ne. Për ta përmbledhur, shumë gjëra nuk shkuan si duhet dhe “pjaca” e tjetërsimit u rrit goxha në këto zgjedhje.

Flasshqip: Në kushtet e përdorimit të makinerisë shtetërore, vjedhjes së të dhënave personale të qytetareve, shpërndarjes së fondeve dy ditë para zgjedhjeve, a mund të quhet legjitim ky proces?

Nador Bakalli: Në gjykimin tim procesi mund të quhet thellësisht i deformuar, duke kaluar edhe përkufizimet e zakonshme që tashmë i dëgjojmë rëndom nga faktori ndërkombetar, të tipit “nuk ishte proces perfekt, por ishte proces i pranueshëm”. Të tilla përkufizime janë kthyer në vulën noteriale për të kaluar klasën procese krejtësisht të gjymtuara zgjedhore që kanë kushtëzuar të ardhmen e vendit. E merr apo jo vulën e legjitimitetit ky proces, mbetet për t’u parë. Primarja është e ardhmja e vendit dhe nuk mendoj se ky proces i shërbeu asaj.

Flasshqip: Si e vlerësoni fushatën e liderit të opozitës?

Nador Bakalli: Vlerësoj përpjekjet e tij për të ndërmarrë një fushatë të kulturuar dhe relativisht të respektueshme. Gjithashtu vlerësoj përpjekjet për t’u distancuar nga dhuna dhe aktet e padenja që kanë njollosur fushatat në përgjithësi. Ngjarja e Elbasanit më la shije shumë të keqe. Mendoj se opozita ka ende shumë për të bërë në drejtim të ngjalljes së shpresës dhe gravitimit të votës masive drejtë saj. Nga ana tjetër fushata e kundërshtarit ishte thjesht një parodi bullizmi, ofendimesh dhe batutash bajate. Asistuam në skena konformiste me koreografi koreano-veriore ku padija e theksuar e gjindjes militante gajasej me përçartjet e liderit. Nuk dëgjuam asnjë program, asnjë premtim, veç humor banal dhe përqeshje me mimika të denja për trupat amatore lëvizëse teatrale. Fillimisht mendoja se ishin tabjate të karakterit të thellë lindor te liderit, por për hir të së vertëtës, është bërë e vështirë të gjesh të tilla shfaqje edhe në Lindje kështu që më mirë të hedhim sytë nga Afrika se ndoshta marrim përgjigjet që duam.

Flasshqip: Kryeministri aktual po tenton të ftoje në bashkëqeverisje opozitën. A është kjo zgjidhja?

Nador Bakalli: Zgjidhje mund të ishte nëse do të kishim një qeveri teknike të përbërë nga teknokratë nga të gjitha palët, me kushtin themelor të mospjesëmarrjes së Kryeministrit aktual. Çdo riformatim që përfshin prezencën e tij do të ishte zgjatje e agonisë dhe zerim i opozitës. Bashkëqeverisje ekspertësh po, bashkëqeverisje “Rilindje”-opozitë jo. Nuk e gjej me vend!

Flasshqip: Çfarë mendoni se duhet ndryshuar në sistemin zgjedhor?

Nador Bakalli: Shumë gjëra, duke filluar nga ndarja administrative dhe deri tek sistemi elektoral. Sistemi proporcional rajonal ka prodhuar nje deformim skandaloz të vullnetit popullor. Kemi parti me nga 104 mijë vota qe marrin 4 mandate dhe parti me 30 mijë vota që marrin 3. Gjithashtu kemi rastin ku një mandat në Kukës mund të vleje 14-17 mijë vota dhe në Vlorë 8-10 mijë vota. Të gjitha këto nuk shkojnë dhe kërkojnë korrektim. Ka dhe shume aspekte të tjera si financimi i partive, transparenca e donacioneve etj. që duhen rregulluar. Duke mos qenë i fushës dhe duke preferuar të qëndroj sa më larg “gjithollogjisë”, nuk kam mendim specifik se cili do të ishte sistemi më i përshtatshëm zgjedhor për ne. Le ta vendosin ekspertët se cili do të ishte më i miri. Fakti që ky që kemi nuk është i përshtatshëm dhe duhet ndryshuar tashmë dihet dhe nuk do shumë mend.

Flasshqip: Cili është projekti konkret i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nga sot e tutje?

Nador Bakalli: “Diaspora Për Shqipërinë e Lirë” ka në synim vazhdimësinë e përpjekjeve për mundësimin e votës së Diasporës si dhe përfaqësimin e Diasporës në Parlament duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu do të vazhdojmë rritjen dhe faktorizimin e Lëvizjes në politikëbërjen shqiptare dhe atë të huaj në raport me Shqipërinë. Në funksion të këtyre objektivave madhore, Lëvizja është në proces hartimi të strategjisë së përgjithshme afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Në respekt të vlerave më të larta demokratike, kryesia e re e Lëvizjes sapo është zgjedhur me votim të fshehtë elektronik dhe do të jetë ajo që do të caktojë rrugën e mëtejshme që do të ndiqet. Çdo hap që do të ndjekim do të jetë i udhëhequr nga misioni dhe vizioni i Lëvizjes dhe do t’i përmbahet vlerave më të larta, transparencës dhe integritetit. Personalisht unë e shoh vendin në një proces erozioni njërëzish dhe vlerash. Kjo më trishton shumë. Në saj të kësaj, propozimet e mia në lidhje me strategjinë që duhet të ndjekë Lëvizja do të jenë të orientuara drejt konkretizimit të aksionit politik në vend dhe bashkimit të gjerë të Diasporës për ta kthyer në gur të rëndë peshoreje në politikën e vendit. Thënë ndryshe, e shoh Lëvizjen me ofertë konkrete që në zgjedhjet e ardhshme dhe, me kalimin e kohës, e shoh të instaluar në formën e një balance të shëndetshme numerike me pjesëmarrje të drejpërdrejtë në Parlamentit. Diaspora i ka të gjitha mundësitë për të dhënë një kontribut jetik për ta nxjerrë vendin nga bataku i sotëm. Nëse nuk përpiqemi ta bëjme, i hyjmë në hak vendit dhe nuk na falet! Shqipëria është e para!

©Flasshqip