Profil & Intervista

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: I ftuar Avdulla Kënaçi

Jeta Dedja

"Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarit të sotëm gazetarit të njohur të RTSH dhe shkrimtarit Avdulla Kënaçi i cili na përgjigjet nga Mississauga, Ontario.

  1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Përgjigje: Ngjyrë gri sepse gri është qielli, gri është zona sipas përhapjes së virusit, gri jam edhe unë nga flokët.

  1. Me çfarë shpejtësie kanë ecur dhjetë vitet e fundit të jetës tënde?

Përgjigje: Me shpejtësinë e makinave në një malore të butë.

  1. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Përgjigje: Botimi i vëllimit me tregime & novela “Liridona”, në kushtet e pandemisë kur gjithçka, çdo operacion duhet ta kryeja në kushtet e izolimit, pa lëvizur nga shtëpia, vetëm nëpërmjet komunikimit elektronik dhe pagesave në distancë.

  1. Humbja më e vogël?

Përgjigje: Ca gabime drejtshkrimore të cilat mund t’i kisha eleminuar duke lexuar kopjen e parë të librit, para sesa të jepja lejen për shtypjen në seri, por siç ju thashë, ishte punë në kushtet e izolimit dhe natyrisht kjo ka edhe kostot e veta …

  1. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar, gjumin?

Përgjigje: Nuk mund të merrja pjesë në varrimin e një mikut tim të arteve, kineastit Kujtim Gjonaj, i cili ndërroi jetë në spital, në Tiranë, gjatë pandemisë.

  1. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Përgjigje: Qarkullimit me maskë në lokale, dyqanë, shëtitje e kudo…

  1. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Përgjigje: Për mua; të portretizosh në letërsi një personazh negativ, më thjesht: “T’i vesh festen sipas kokës”, këtë më frymëzon mërzia për të mërzitshmin personazh.

  1. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Përgjigje: Kur bashkëbisedon me një njeri të dashur, të sinqertë, të çiltër, mëson prej tij, merr e jep dashuri…

  1. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Përgjigje: Për t’u ndjerë në formë fizike unë bëj çdo ditë fizkulturë. Në basement kemi një treadmill. Kaloj aty 40 minuta dhe harxhoj 400 kalori, sipas këshillave të mjekut. Ndërsa për t’u ndjerë në formë të mirë shpirtërore, lexoj letërsi ose dëgjoj muzikë. Çdo mbrëmjë shikoj një film artistik, e zgjedh të jetë dramë ose romancë. Më interesojnë ndjenjat, subjekti, kjo është e lidhur edhe me letërsinë që unë shkruaj.

  1. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Përgjigje: Nervozohem, inatosem, por mundohem ta përmbaj zemërimin. E bëj vërejtjen me takt, më vonë, kur vjen rasti.

  1. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Përgjigje: Nga veprimi që bëjnë në situatat e komplikuara, nga mënyra sesi u japin zgjidhje problemeve të koklavitura.

  1. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Përgjigje: Për histori të jetës së tyre, ngjarje interesante që kanë lënë gjurmë, pse jo edhe për dashurinë…

  1. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Përgjigje: Cinikët, të dështuarit në jetë që marrin nëpër gojë miqtë e mi për të justifikuar dështimin e tyre.

  1. Cila është formula e njeriut të mirë?

Përgjigje: Kam parasysh një mikeshën time inteligjente. Është me gradë shkencore profesor doktor në mjekësi, autore e disa teksteve shkollore dhe universitare. Është shumë e matur, njerëzore, e mençur, e drejtpërdrejtë, me kulturë dhe e kursyer në opinion.

  1. Përkufizimi i budallallëkut?

Përgjigje: Njeriu që nuk merr parasysh progresin, arritjet shkencore dhe përvojën njerëzore. Ai që mendon se bën shpikje dhe risi duke demonstruar idiotësi dhe marrëzira.

  1. Çfarë nuk do t'ia uroje as "hasmit"?

Përgjigje: Vdekjen e fëmijëve të tij.

  1. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Përgjigje: Kur disa mediokër japin opinion për jetën dhe veprimtarinë time, kur nuk më njohin nga afër dhe nuk kanë lexuar asnjë rresht apo pa parë një dokumentar të realizuar nga unë.

  1. Urimi që merr e jep më shpesh?

Përgjigje: Shëndet, suksese…

  1. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Përgjigje: Deti Jon gjatë verës, në jug të Shqipërisë.

  1. Po libri që ke për zemër?

Përgjigje: “Kronikë në gur” e Ismail Kadaresë. Më është ngulitur ndërmend që nga rinia.

  1. Kënga që të vjen më shpesh në mendje?

Përgjigje: “Valsi i lumturisë” i Vaçe Zelës.

  1. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Përgjigje: Një vizitë në Alaskën kanadeze.

  1. Pema që të kënaq syrin?

Përgjigje: Qeshia në lulëzim, gjatë pranverës.

  1. Nata perfekte e dimrit?

Përgjigje: Afër mesnatës, kur kam lënë punën në kompjuter dhe shikoj nga dritarja, është qetësi; për çudi shikoj se ka zbardhur bora. Pa u ndjerë ajo ka mbuluar gjithçka dhe kopshti im zbardh, përshkuar nga ca fasha drite ngjyrë ari që dalin nga grilat e dritares së kuzhinës.

  1. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Përgjigje: Qumështi…

  1. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Përgjigje: Haviar.

  1. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Përgjigje: Kur përsërit ndonjë fjalë në bisedë.

  1. Aftësia që do doje të kishe?

Përgjigje: Të dija disa gjuhë, të isha poliglot.

  1. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Përgjigje: Të botoj në gjuhë të huaj letërsinë që unë lëvroj.

  1. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Përgjigje: Kam arritur të jem gazetar i suksesshëm dhe tani tregimtar në letërsi.

  1. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Përgjigje: Sikur kam ngjitur një rrugë malore dhe jam në majë, duke kundruar çfarë ndodh aty poshtë, domethënë si e pret ti, ish-shoqja e kolegia ime e Televizionit Shqiptar, Jeta Toçila.

©FlasShqip.ca