Profil & Intervista

Jeta në emigrim nuk është film artistik - Intervistë me Prof. Saimir Lolja, Toronto

Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Flasshqip: Saimir, mirëseerdhët në këtë bashkëbisedim për rubrikën “Profil” të portalit tonë!

Saimir Lolja: Falemnderit për ketë bisedë të shkruar në lidhje me rrugëtimin tim dhe disa këndvështrime në jetë. Secili nga shqiptarët këndej e andej mund e duhet të shkëmbejë përvojat e tij të jetës, punës, leximeve, si dhe këndvështrimet për çështje të ndryshme. Çdonjërit i përparon jeta më mirë duke dëgjuar me respekt dhe lexuar më shumë, sepse secili është i vetëm. Ashtu siç ka shenjat e gishtave, ashtu ka edhe mendjen, botëkuptimin dhe këndvështrimin. Duke i patur këmbët mbi tokë, njerëzit erdhën këndej jo si turistë dhe betejat që kanë përballuar ose përballen tani secili i di vetë. Ka shumë më tepër për të shkruar se sa do përmblidhet këtu. Veçan, jua mirënjoh dhe çmoj kohën, mendjen e paranë që harxhoni për faqen FlasShqip.ca dhe marrëdhëniet me njerëzit.

Flasshqip: Mirënjohje edhe nga ne për konsideratën dhe le ta nisim si fillim me rrënjët, me familjen dhe vendlidjen. Ku keni lindur dhe jeni rritur në Shqipëri?

Saimir Lolja: Vendlindja është në qytetin e Elbasanit dhe viti 1963, dy ditë pas Ditës së Verës. Pemët familjare që kam ndërtuar deri në mesin e shekullit XIX, tregojnë vendndodhjen Elbasan edhe për linjën e tim ati dhe tim ame. Të dy anët e prindërve kanë qenë lidhur me këngët, muzikën dhe orkestrën e Isuf Myzyrit. Nga më të vjetrit e mi, im atë Ahmeti ndërroi jetë në vitin 2003 dhe halla Shegushi në vitin 2019. Familjarisht, xhaxhallarët Hyseni, Ademi dhe Bedriu janë në Elbasan, kurse Muharremi në Tiranë. Ime amë Ferideja është bashkë me familjen e tim vëllai Danielit në Tiranë, kurse motra e saj Hatixheja dhe vëllezërit Ibrahim e Qazim e mbyllën jetën vite më parë. Shtëpia e të atit të Feridesë, Alush Kuqashi, ka qenë saktësisht ku është sot Gjykata e Elbasanit, pranë Drejtorisë së Policisë. Pamje të oborrit të asaj shtëpie kur kam qenë dy vjeç i kam akoma. Deri në vitin 1945, Xhipi, vëllai i gjyshit Sabri Lolja, punonte si oficer i Policisë Financiare në Elbasan. Mik i tij ishte Gani Bungo, shtëpia e të cilit ishte në fund të rrugicës mbrapa Bibliotekës së sotme të Elbasanit. (Në shtëpinë e Ganiut banonte edhe Kol Radovani nga Shkodra kur qe Qark-Komandant në Elbasan.) Në vitin 1945, Gani Bungo me familje u zhvendos në Shkodër që t’i shmangej përndjekjes. Prandaj gjyshi Sabri Lolja i mori me qera kopshtin e tij të madh me portokaj dhe hurma. Për veçanti e habi, aty ishte një pemë hurme sa një lis i lartë; pamjen e saj e ruaj edhe tani. Portokajt nuk duhej t’i zinte bora sepse hidhtoheshin dhe prisheshin. Ndonëse vileshin para kohe dhe ishin të tharët, zgjidhja ishte gjetur duke i futur në vaska të mëdha të mbushura më tallash druri, mundësisht tallash pishe. Ashtu portokajt edhe piqeshin më shumë e me ngadalë edhe ruheshin si të freskët. Të merrje një portokall të atillë, bie fjala, në muajin Mars nuk kishte gjë më të bukur dhe më të shijshme. Kopshti jepte prodhim të madh dhe portokajt e hurmat vileshin në vjeshtë dhe silleshin me karrocë me dy rrota me kalë në shtëpi. Një ditë, isha tre vjeç dhe tani kam një pamje, i hypa nga mbrapa karrocës që kthehej për tek kopshti pa leje dhe pa dijeni të prindërve. Kur u rrita ma treguan dhe e mora vesh gabimin që kisha bërë dhe ç’kishte ndodhur në shtëpi edhe kur morën vesh që isha në kopshtin e portokajve.

Flasshqip: Impresionues detajet që përshkruani. Të tilla sigurisht duhet të keni akoma më shumë nga fëmijëria, rinia, shkollimi dhe jeta në Shqipëri para emigrimit në Kanada…

Saimir Lolja: Arsimimin deri në vitin e tetë e kreva tek shkolla “Jorgji Dilo”. Përballë saj ishte, sepse tani është bërë rrugë e madhe, e quajtura Fusha e Loparit (Cowboy Field, ang.). Përbri saj qe shtëpia e gjyshit Sabri Lolja, ku banuam deri në vitin 1974 nga kur pastaj im atë Ahmeti si djali më i madh u zhvendos në një hyrje pallati në Lagjen Vullnetari. Edhe tani kam pamje kur ne fëmijët luanim nëpër kopshtet e shtëpive apo të shkollës “Jorgji Dilo”. Shokët fqinjë të fëmijërisë që luanim më shumë ishin Agron Bardhi e Shpëtim Dervishi.  Lojë e përhapur ishte loja e topit me këmbë (football, ang.) si dhe lojrat me stërfycat që i bënim si pistona me degë shtogu ku futnim gjysmë-kokrrat e caracës për t’i gjuajtur, me kopsa apo arra me zarë, me karrocat me kushineta, më sapllakët të rrethuar nga balta që i vërvitnim duke i vënë flakën karbitit të shuar me ujë (një herë dëmtova gishtin e madh të dorës së djathtë; edhe tani e kam atë pamje), etj. Mbajtja e pëllumbave dhe lojërat me to ka qenë e mirënjohur dhe e biseduar me mburrje nga ata që i kishin. Shtëpiat që kishin hajate mbanin edhe kafazë me gardalina apo bilbila; kemi patur një ose dy të atillë. Kur isha 6 vjeç fillova të mbledh pulla postare, mbledhje e cila ishte një traditë shekullore në Elbasan. Legjendari ishte i mirënjohuri Lef Nosi. Im atë Ahmeti, kishte miqësi me doktor Stilian Nosin dhe shkoja ngandonjëherë në shtëpinë e tij në Kala. Atje ruheshin rradhitje të famshme e të mrekullueshme pullash postare. Si tani e mbaj mend kur Rud Nosi (i cili bashkë me vëllain Vaso janë këtu) më dha një seri pullash postare; akoma i kam në album. Pullat postare i kam mbledhur vazhdimisht. Mbajtja e shkëmbimi i pullave postare u përhap shumë tek djemtë në vitet 1970.

Flasshqip: Besojmë që, megjithë kufizimet e kohës, jeta në Elbasanin gjallonte e qyteti ishte një mjedis tërheqës për ty dhe moshatarët e tu…

Saimir Lolja: Sigurisht. Pamje e kujtime kam për Furrën e Pjekjes të lagjes. Quhej Furra e Mom Danës, sepse ishte ajo që piqte tavat, bakllavatë, lakrorët, revanitë, ballakumet apo gjelat. Përballë shkollës qenë disa dyqane shërbimesh e ushqimesh, për shembull, këpucar, kovaç, samarxhi. Ngase veglat i pëlqej dhe i përdor edhe tani, shkoja shpesh tek kovaçi për ta parë si punonte dhe kur më linte i përdorja çekiçët që godisnin çelikun e zjarrtë mbi kudhër. Në ato kohëra kishte uri të madhe për libra; disa edhe i merrnin pa leje librat dhe iu vinte turp t’i kthenin. Njerëzit lexonin e bisedonin për to. Sa herë ishim për vizita në shtëpitë e kushërinjve do rrëmoheshin ose raftet ose divanet e mbushura me libra për të gjetur ato që të shtonin kureshtjen. Veçanërisht librat e vjetër që ishin të ndaluar, të cilat “partia” i kishte njollosur me etiketën “libra të verdhë”, qenë librat që të shkaktonin etje shumë të madhe leximi. Teze Hatixheja ruante disa libra të atillë që kishin një fletë me gjatësi sa ajo ligjorja e sotme. Kur ishim në vitin e tetë, sapo dolëm nga shkolla dhe u nisëm më shokun Kujtim Kotorri për në shtëpi, gjetëm në rrugë një 25 Lekëshe letër. Edhe tani e kam atë pamje gëzimi dhe menjëherë shkuam tek libraria pranë Bibliotekës së Elbasanit dhe blemë libra. Një libër të titulluar “Edhe i vetëm trim në luftë”, përkthim (më saktë shqipërim) nga rusishtja, e kam lexuar shumë herë. Libra të tjerë që lexoheshin shumë qenë: Robinson Kruzo me autor Daniel Defoe, Udhëtim në Qendër të Tokës, 20’000 lega nën det, Rreth botës për 80 ditë, Bijtë e kapitenit Grant të autorit Zhyl Vern, etj.

Flasshqip: … dhe si vijoi shkollimi më pas… vitet e gjimnazit… që vështirë se ndokush mund t’i harrojë…

Saimir Lolja: Shkollimi i mesëm në vitet 1977-1981 u bë në degën e Teknologjisë Kimike dhe qemë brezi i parë i asaj dege. Grupi ynë përbëhej nga tre djem të tjerë Gani Petriti (është këtu), Edmond Biba (tani në Washington DC), Nikolin Franko dhe 28 vajza. Ia kemi kaluar shumë mirë dhe miqësinë e sinqertë e ruajmë edhe sot e kësaj dite. Mbrëmjet e vallzimit kanë qenë të vazhdueshme dhe mbetën të paharrueshme. Me Ganiun pata qenë në të njëjtën klasë që në vitin e parë tek shkolla “Jorgji Dilo” dhe do isha me të njëlloj edhe në universitet. Nga vajzat këtu është Afërdita Musai (Peni) dhe Laureta Shehu. Në vitin e tretë dhe të katërt shkuam edhe për dy javë stërvitje ushtarake në Gjinar dhe jemi ngjitur deri në majën me borë të malit të Bukanikut. Si zakonisht, në Gjinar shkonim e zbritnim me këmbë. Ky vit është 40 vjetori i mbarimit të shkollës së mesme dhe Afërdita Musai ishte takuar me shoqet në Elbasan. Me Ganiun e Edmondin shkonim herë pas here për t’u larë në lumin që shkumbon, domethënë Shkumbin, andej nga Krasta e Vogël. Me vëllain Danielin shkonim e laheshim edhe tek prita e përroit të Zaranikës. Gjatë shkollës së mesme dhe më pas në atë universitare kemi qenë shpesh për të kryer praktikën industriale një mujore në Kombinatin Metalurgjik. Në Dhjetor 1977, viti i parë i shkollës së mesme, na dërguan e mbollëm pishat që janë pranë Urës së Zaranikës nga ana e ullishtave. Pas dy vjetësh një herë na dërguan me autobuza në Bradashesh dhe iu ngjitëm malit të Krrabës në këmbë. Secili kishte ose lopatë ose kazmë. Dolëm në fshatin Petresh dhe hapëm tarraca e mbollëm pemë qershie. Pastaj, ndërsa vetë mbaja mbi sup një kazmë, zbritëm me këmbë malin e Krrabës dhe duke vazhduar ecjen arritëm Urën e Zaranikës. Nga aty, secili shkoi në shtëpinë e tij ballëlart për punën vullnetare dhuruese që kishte bërë. Deri më sot nuk kam lexuar apo dëgjuar që ndonjë banor nga atje sipër Krrabës të ketë falënderuar shkollarët dhe popullatën e Elbasanit për dhuratën që morën.

Flasshqip: Saimir, besojmë se keni qenë edhe pjesë e brezit të djemve që e provoi edhe atë që quhej “stazh” pas mbarimit të shkollës së mesme dhe vajtjes në shkollën e larte apo jo?

Saimir Lolja: Po. Pas mbarimit të shkollës qemë brezi i fundit i djemve që kryem një vit punë industriale para se të shkonim në universitet. Ashtu, veç vajzave që shkuan në universitet, të gjithë ne të tjerët u dërguam në Kombinatin Ushtarak në Mjekës. Pas një viti pune aty, bashkë me Ganiun dhe Edmondin filluam universitetin në degën e Kimisë Industriale. Jetonim në konviktet e Qytetit Studenti. Në Shtator 1983 sapo kishim ardhur atje për të filluar vitin e dytë. Morëm çarçafët, batanijet e jastëkun tek zyra shpërndarëse. Shkuam në dhomën e caktuar dhe filluam të shtronim dyshekët. Kur dy nga ne ndjenë e dalluan puçrrat e pickimit. U dha kushtrimi në dhomë: dyshekët kanë çimka. S’kishim ku të shkonim, sepse të nesërmen ishte dita e parë e universitetit dhe që në 8 të mëngjesit duhej të ishim në Fakultet. Mora një vendim me veten: natën, do shtrihem për të fjetur dhe nuk do lëviz sido të ishte sulmi i çimkave kundër neve studentëve arsimdashës. Sepse pata dëgjuar se edhe nga ariu nuk pëson gjë po nuk lëvize, jo më prej çimkave të vockla. Tetë orët e natës u dukën sikur ishin tetë muaj torturë. Kopetë e çimkave vraponin mbi kokë e këmbë, qafë, gushë e veshë dhe ngase nuk po gjenin trup të gjallë që t’u shuante urinë vazhdonin të vraponin mbi trupin me formë njeriu. Si përfundim, në mëngjes kisha shpëtuar pa u pickuar dhe ngase çimkat u adhnuan me mua që natën e parë ato nuk më sulmuan më tërë vitin shkollor.

Flasshqip: Sigurisht dikush që nuk e ka njohur atë kohë, ose ka qenë në moshë fare të vogël, mund t’i duket gati e pabesueshme kjo ndodhi, por kush ka kaluar nga “Qyteti Studenti” në ato vite, sigurisht nuk e dëgjon për herë të parë një histori të tillë…

Saimir Lolja: Kjo që sapo tregova ishte nata e pare e muajit që qe caktuar për ne të bënim punë prodhuese në Kombinatin Ushqimor të Tiranës. Na futën të pastronim prasët, t’i prisnim e t’i bënim gati për tharje. Shtatori atëherë ka qenë i freskët dhe në konvikt dhoma ishte e ftohtë natën, ndonëse kishte në dukje ngrohje qendrore me ujë të ngrohtë. Në ato kushte përdornim ndonjëherë një furnelë elektrike me diametër 10 cm me tel të hollë dhe e lidhnim tek llamba në qendër të dhomës. Ishte një gjë që nuk lejohej. Një natë na erdhën rojtarët “Lejfenë” e na gjetën mua, Rudolf Pepon (i cili tani është në Montréal) dhe Edmond Bibën. Më pastaj ata lajmëruan organizatën e partisë së Fakultetit të Shkencave të Natyrës se kishin pikasur tre “diversantë” që po ngroheshin dhe si papritur u ngrit një shtrëngatë kundër ne të treve. Mbledhje të shumta atje mes pirgjeve me pras, mbledhje orëgjata të anëtareve të partisë në Fakultet dhe fletë të mëdha Dacibao të vendosura në shumë vende të “Qytetit Studenti”. “Lejfenët” këmbëngulnin se ne “diversantët” duhej të përjashtoheshim nga universiteti. U desh ndërhyrja e dekanit të nderuar Shaban Baxhaku që shtrëngata të kthehej në sqotë dhe të mbaronte.

Flasshqip: Jemi të bindur që kjo historia e “Lejfenëve”, që i gjeje në çdo fakultet, do t’u ngacmojë shumë kujtime bashkatdhetarëve të të njejtit brez që jetojnë këtu… Po si përfunduan “peripecitë” e jetës universitare dhe si nisi karriera profesionale e shkencore?

Saimir Lolja: Diplomën universitare në Kimi Industriale e patëm në dorë më 14 Janar 1987. Qemë pak më pak se 100 vetë që mbaruam degën e Kimisë Industriale atë vit dhe ngase brumi ynë i gatuar ishte i mire, 10 vetë nga ne i mbajtën si pedagogë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Mbas dy javësh filluam shkollën tremujore ushtarake e cila na gradoi oficerë rezervistë ushtrie në degën e kimisë. Disa shokëve ua ndërprenë shkollën ushtarake sepse i dërguan në uzinën e vajrave në Ballsh, e cila sapo do të vihej në punë. Në Shtator fillova punën në Fakultet dhe vazhdova me studime, dhënie provimesh dhe punë shkencore. Tanimë banoja në Godinën 18 të “Qytetit Studenti” (godina e pedagogëve) në një dhomë me Edmond Bibën. Mik të afërt kishim në dhomën përballë Kristaq Markollarin nga Korça, të cilin e kishin mbajtur pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë. Në vitin 1995 botova artikullin e parë shkencor në revistën “Fuel”. Doktoratën e mbrojta në vitin 1995 dhe për shkak të kotësisë që kanë patur zyrat e atëhershme (ndoshta janë më mirë tani) diploma e Doktoratës u firmos në Prill 1996. Në vitin 1998 botova një libër akademik për projektimin dhe ekonominë e uzinave kimike. Në vitin 1998, botova një artikull tjetër shkencor në revistën Fuel Processing Technology. Titullin Profesor i Asociuar (Associated-Professor, ang.) e arrita në Dhjetor 1999.

Flasshqip: Sigurisht kjo pjesë ka qenë një sfidë më vete në rrugëtimin tuaj…

Saimir Lolja: Patjetër. Të jesh pedagog universiteti, aq më tepër këndej në Perëndim, do të thotë të punosh 16 orë në ditë gjithë javën e vitin. Sepse përndryshe nuk mbahet ai vend pune. Për shembull, kur rishkova në Departamentin e Inxhinierisë Kimike në Universitetin e Notinghamit në vitin 1995, pesë nga profesorët që i njihja aty i patën lajmëruar se në fund të viti shkollor do pushoheshin nga puna, sepse nuk kishin botuar numrin e duhur të artikujve shkencorë dhe po u jepnin edhe një vit rrogë që të kishin energji për të kërkuar punë tjetër, porse vetëm të iknin.

Flasshqip: Përmendët herën e dytë në Nothingam. Po hera e parë kur ka qenë?

Saimir Lolja: Në fillim të Shtatorit 1992 u martova me Ilirianën dhe mbas dy javësh shkova në Departamentin e Inxhinierisë Kimike të Universitetit të Notinghamit ku qëndrova një vit. Iliriana arriti në fund të Shtatorit. Banonim në Beeston, një lagje pranë Universitetit. Profesorët aty më treguan se një arsye për pranimin tim kishte qenë kureshtja e tyre për të parë një shqiptar. Sepse ata nuk e dinin ku binte në hartë Shqipëria. Shpesh edhe pse u shpjegoja se ndodhet mbi Greqi dhe përballë Italisë nevojitej të merrej harta dhe t’ua tregoja se “ja ku është dhe se aty ka qenë”. Për të krijuar lidhje, Departamenti nisi një profesor për vizitë në Katedrën e Teknologjisë Kimike në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë. Një ditë para se t’i hypte avionit, më tha: Saimir, eja ma trego edhe një herë se ku do shkoj dhe hapëm hartën e Europës. Atje na lindi djali i parë dhe nevojitej të shtohej pamja e tij në pasaportë. Prandaj shkova në Londër dhe mora një vulë tek ambasada shqiptare. Ngase mbarova punë herët, shkova tek stacioni i autobusëve për të gjetur një orar nisjeje më herët. Pasi fola, sportelisti aty më pyeti: Nga jeni sepse nga e folura dallohesh jo vendas? Nga Shqipëria, u përgjigja dhe shpalosa recetën e shpjegimit me hartë. Me tundje koke e mori vesh, me shprehje fytyre jo. Nga jeni ju? - ia ktheva. Nga Gjibraltari (Gjibrylthari e quaj unë), më tha. Uauu çfar rastësie, u përgjigja. Sepse kryetari i Departamentit të Inxhinierisë Kimike në Universitetin e Notinghamit ishte me origjinë nga Gjibraltari dhe quhej Azopardi. U gëzua shumë por edhe u vrenjt në çast sepse tha: “Nuk po e njoh, nuk po mundem ta njoh, si ka mundësi?! Sepse Gjibraltari është vend i vogël dhe të gjithë i njohin të gjithë”. Prandaj kur u ndamë më tha: “E megjithatë bëji të fala atij nga unë, Jerry”.  Anglia, Notinghami dhe lagjia Beeston ishin të rregullt dhe me pamje e lule si këtu; për shembull, bari ishte i korrur e korrej kudo. Kur shihej një rrugicë, gjysma e shtëpive ishin me tabela për shitje dhe nuk kishte pallate (unë i kam pagëzuar palarte) si këtu në Toronto. Me familjet tona në Shqipëri lidheshim me letra të shkrojtura që postoheshin. Emaili në Shqipëri nuk kishte hedhur farë akoma, pra nuk e përdorja. Interneti edhe në Universitet ishte sa një milingonë krahasuar me internetin e sotëm. Çmimet e mallrave ishin shumë të lira. (Edhe kur isha në vitin 1995 për dy javë, çmimet qenë përsëri të lira.). U kthyem në Shqipëri në fund të Gushtit 1993.

Flasshqip: … dhe si u duk Shqipëria pas atij viti të plotë që kaluat familjarisht në Angli?

Saimir Lolja: Ndonëse në Shqipëri kishin hyrë mallra të reja varfëria vazhdonte. Kur ecnim çdo gjë na dukej e mbuluar me një cipë balte ngjyrë gri dhe errësira ishte e zakonshme. Megjithatë, vazhdonte një lloj kënaqësie që mungon këndej e tani andej e këndej: njerëzit gëzoheshin shpesh sa herë që rirridhte si curril energjia elektrike që thahej shpesh edhe për periudha të gjata. Gëzimi shtohej edhe sa herë binte shi në Tiranë sepse “partia” kishte thënë se sa herë binte shi me gjyma në Tiranë mbusheshin me ujë hidrocentralet mbi lumin Drin. Në ato vite dallohej shumë dëmi që patën pësuar ushqimet, sendet, veshjet, ndërtesat, fabrikat, makineritë, qyteti dhe fshati nën regjimin sllavo-barbar (slavic communist, ang.) të qeverisjes. Tani që drita ka 30 vite që bie dallohet dëmi shumë herë më i madh që regjimi sllavo-barbar i shkaktoi dhe i mbolli mendjes. Një vit banuam tek shtëpia e prindërve të Ilirianës në Tiranë. Më kujtohet se në Dhjetor u dogj transformatori elektrik i lagjes. Terri dhe mërdhifja e thartë zgjati tre muaj. Bile në atë kohë na u sëmur edhe çuni në bajame, vesh e me temperaturë. Pas një viti Iliriana filloi punë si mësuese në shkollën e mesme “Harri Fultz” në Tiranë. Unë vazhdoja në Fakultet të Shkencave dhe plotësoja doktoratën. Me banim kaluam në një dhomë në Godinën 18 të pedagogëve të universitetit në “Qytetin Studenti”. Çunin e dërguam në Elbasan tek prindërit dhe shkonim çdo fund jave. Udha kalonte nga Qafa e Krrabës e cila e largonte Tiranën e Elbasanin dhe tërë Juglindjen shumë shumë. (Tani me rrugën e re të madhe shkohet për 15 minuta nga Tirana në Elbasan). Kanë qenë heronj shoferët që udhëtonin në ato rrugë të cilat ishin ndërtuar në vitet 1930. Si grup pedagogësh të Godinës 18 arritëm që shteti të fillonte për ne ndërtimin e dy pallateve ku secili do paguante më vonë hyrjen e tij. Vazhdonte, e ndoshta vazhdon, ndërtimi i pallateve sipas modelit të pështirë G4 të sovkozeve sovjetike të viteve 1950, vetëm se tani ishin më shumë kate. Prindërit dhe vëllai u bashkuan me ne në Tiranë në vitin 1996.

Flasshqip: Megjithë këto përipeci që shumë prej nesh që jetojnë sot në Kanada i kanë përjetuar, ju ishit në kushtet e një karriere të suksesshme akademike, ndaj dhe natyrshëm bëhet pyetja si ndodhi që vendosët të largoheshit nga atdheu, cilat ishin arsyet?

Saimir Lolja: Që t’i përgjigjem si duhet kësaj pyetje më duhet pak retrospektivë. Një llotari e pastër piramide qarkulloi në duart e njerëzve në vitin 1994 në Tiranë e u venit pa u kuptuar. Ishte një provë se sa lehtë binte njerëzia në atë lloj rrjete peshku. Mbas një viti qeveria filloi mbjelljen e firmave piramidale që dhuronin para deri në lajthitje. Në vitin 1996 gypat thithës të parave të popullit pasuriqyldashës arritën kapacitetin e dëshiruar. Çdo mbasdite vonë paraja e gëlltitur nga gypat futej në thasë ose kosha dhe e mbartur me makina Benz derdheshin në Bankën e Shtetit Shqiptar. Dhe ndodhi ajo që ndodhi. Situata ngjasonte me një vatër zjarri me drunj të njomë ku ishte paketuar shumë para letër. Një shkëndijë mjaftonte dhe mjaftoi në Dhjetor 1996, që zjarri të niste dhe kërcinjtë të digjeshim me kërcitje e zhurmë të plotë në Mars 1997. Javën e parë të Marsit, mes plumbave që fluturonin nga të gjitha anët si harabelat e trembur, u futëm në hyrjen tonë në pallatin e pedagogëve. Rreziku për jetën u bë shumë i madh edhe pse NATO zbarkoi me forca të mëdha. Përpjekjet për ta liruar Dardaninë (Kosovo Polje, serb., ose Fushën e Mëllenjave, shqip) nga forcat pushtuese serbe morën formë të qartë. Ashtu i zymtë vazhdoi edhe viti 1998 aq më shumë pas përpjekjes së dytë për t’i vënë flakën shtetit të mbetur shqiptar me qëllim që të pengohej plani për ta liruar Dardaninë nga pushtuesit serb. Si rrjedhim filloi një valë e kërkesave për t’u zhvendosur në Kanada e cila për çudi (jo habi) pat ngritur rrjetin e saj për ta mbështetur atë largim familjesh, veçanërisht të shkollarëve e profesionistëve shqiptarë. Për shembull, mbinë në treg çanta tepër të mëdha dhe aeroplani nuk kishte kufi peshe se sa tiganë, tepsi, pjata, gota, pirunj apo batanije mbarteshin. Në Mars 1999 filloi edhe bombardimi i Serbisë nga aeroplanët e NATO-s edhe përzënia e madhe e shqiptarëve nga Dardania për në Maqedoni e Shqipëri. Atë muaj shkëmbeva pyetje-përgjigje me një gazetare nga Toronto Star, e cila pas ca ditësh e botoi shkrimin në 30 Mars 1999. Gjendjen e Shqipërisë në atë kohë e jep në atë shkrim edhe pohimi im se rroga dyjavore si pedagog në Universitet ishte 50 dollarë kanadezë 10 nga të cilët i pata dhënë si ndihmë për shqiptarët e përzënë nga Dardania. Pra, dallgët e mëdha të nxehta të viteve 1997-1998-1999 na shtynë që të mbushnim letrat në vitin 1998, të cilat u bënë të gjelbra në pranverën e vitit 2000. Çuni mbaroi vitin e parë shkollor në Tiranë. Me zemër të thyer filluam shitjen e plaçkave dhe hyrjen shumë të mirë në pallatin e pedagogëve, sepse duheshin paratë për të paguar qiranë e mirëserardhjes këndej dhe mbuluar shpenzimet e jetesës.

Flasshqip: Si ishte përballja e parë me Kanadanë? Cilat ishin vështirësitë që hasët në fillim dhe si i përballuat?

Saimir Lolja: Ndonëse këndej prodhohen lumë filmat artistikë, jeta këndej nuk është film artistik. Fluturuam e zbritëm në Toronto më 6 Qershor 2000. Kur arritëm na mungoi një nga çantat e stërmëdha. Aeroporti na lajmëroi pas dy muajsh se ishte gjetur dhe ejani ta merrni. Gabimisht ishte shkarkuar në Montréal dhe ngase ishte shumë e rëndë e shmangnin ta prekin dhe ta dërgonin në Toronto. Të paktën u gëzuam se u gjet. Nga fundi i viteve 1980, qe shfaqur një film sovjetik në një ekran TV jugosllav. Thelbi i filmit qenë pallatet shumë të shtrirë e shumë të lartë (siç thashë më lart unë i quaj palarte), 20 kate a më shumë, në Moskë e Kiev të cilët ishin njëlloj fillim e mbarim, nga poshtë lart, të gjithë, si në Moskë ashtu në Kiev. Filmi pati në qendër një burrë që pasi piu vodka rëndshëm me shokët për Kërshëndella në një qytet, i dehur dhe mes acarit të Dhjetorit, hypi në aeroplanin gabim. Në vend që të shkonte në Kiev shkoi në Moskë, pa e ditur se ku. Shoferit të taksisë i dha numrin e rrugës dhe numrin e pallatit. Çdo gjë ishte e njëjtë dhe ai sapo këmba i preku tokën e ngrirë nxitoi të ngjitej lart e të trokiste në portën “e tij” në Moskë. Aty i doli një grua e panjohur të cilën e dalloi dhe e sqaroi me vonesë. Filmi përfundoi me atë buçkon që vazhdonte jetën i martuar, i rimartuar, në një shtëpi me po të njëjtat orendi në Moskë. Kur mbushëm letrat për Kanada në vitin 1998 dhe nisur nga përvoja në Angli, hamendja jonë qe se Kanadaja do ishte një përzierje Amerike (e njohur prej filmave dhe bëmave të rrëfyera prej njerëzve) dhe Anglisë ku kishte vetëm shtëpi dhe jo pallate banimi. Kur dolëm nga aeroporti i Torontos u shtangëm: pallatet (palartet) sovjetike ishin kudo. Fjalia e parë e shfryrë që ta dëgjonin veshët e kokës ishte: Peshk, gabim që e shite shtëpinë në Tiranë! Ishte e kotë të harxhohej më shumë frymë, sepse ajo duhej harxhuar për të notuar këndej. Tre netë fjetëm mbi parket me batanijet dhe velenxën që kishim marrë, derisa na erdhën krevatet dhe kolltukët që porositëm. Dy javët e para ishim si në muzg: gjysmë të zgjuar, gjysëm gjumë dhe rrjedhja e kohës kishte ngrirë. Më pas dhe në tërë 21 vitet e mëpastajshme, koha duket se rrjedh si ujëvarë, ku nuk ke mundësi të ndalosh, përveçse të notosh. Ditën tjetër pyeta fqinjin tonë Admir Salillari: Sa kohë keni këtu? Një vit e gjysmë, më tha. Shumëëëëë, thashë e mendova. Pak, sepse deri tani kanë rrëshqitur mbrapa shpejt 21 vite…

Flasshqip: Sërish shumë interesant që nuk ju shpëtojnë dhe detajet më të vogla edhe pas kaq vitesh… Po për pjesën profesionale si u zhvilluan ngjarjet me pas?

Saimir Lolja: Në Qershor dërgova dosjen në shoqatën e inxhinierëve të Ontarios. Ajo i pranoi përvojën dhe arritjet inxhinierike ndërsa mbetej kryerja e një viti pune përvojë kanadeze dhe dhënia e provimit të ligjeve dhe praktikës inxhinierike këtu. Ashtu, studiova dy librat përkatës për dy muaj dhe në Gusht 2000 e shkrojta provimin. Takova një profesor në Universitetin e Torontos që pata shkëmbyer më parë, i cili më mirëpriti por tha se fonde për kërkime shkencore në fushën e qymyreve, ku i kisha artikujt shkencorë, nuk jepeshin më. Pra mbetej të kryeja punë shkencore vullnetare, domethënë pa pagesë, punë e cila zgjati pesë vjet e gjysëm. Leja e të qenit Inxhinier Profesionist në Ontario më erdhi në Qershor 2002. Në Maj-Gusht 2001, dhashë mësim në Inxhinieri Kimike në Sheridan College, në Mississauga. Në Janar 2002 fillova të jap mësim si i jashtëm për lëndë të Inxhinierisë Kimike në Ryerson University, kurse në paralel vazhdoja punën shkencore vullnetare në Universitetin e Torontos. Deri në Dhjetor 2012, mbulova 13 lëndë mësimore në Ryerson University; ngarkesën e përballuar nuk po e përshkruaj. Ndërkohë botova me adresë të Universitetit të Tiranës artikuj shkencorë një në vitin 2000 e dy në vitin 2002 në revistën “Fuel” dhe një në revistën “Petroleum Science&Technology” në vitin 2003. Përfundimi i punës së parë shkencore në Universitetin e Torontos u botua në revistën “International Journal of Heat and Mass Transfer” në vitin 2005. Bashkë me dy kolegë të tjerë, përfundimi i punës së dytë shkencore në Universitetin e Torontos u botua në Gusht 2021 tek Academia.edu dhe brenda javës arriti të jetë në 1% e më të shikuar. Ngase në Ryerson University nuk po më jepnin pozitë të brendshme të qëndrueshme, në Shtator 2007-Maj 2008 shkova e studiova në Windsor University për të patur Diplomën në Mësuesi. Ajo më dha lejen që të jepja mësim për Kimi-Matematikë në shkollë të mesme. Iliriana që pat mbaruar degën Biologji në Universitetin e Tiranës shkonte e vinte përditë në Shtator 2003-Maj 2004 në Brock University në Hamilton për të arritur Diplomën në Mësuesi.

Flasshqip: Si do ta përshkruanit përmbledhtazi fushën e interesit të studimeve dhe botimeve tuaja?

Saimir Lolja: Çfarë është arritur tjetër po përmblidhet me pak fjali më poshtë, ndërsa mundi dhe koha për t’i kryer nuk mund të maten. Tjetër, një diplomë universiteti nuk të jep të vërtetën absolute dhe as të qënit vetmas për ta zbatuar atë specializim. Tjetër, të mësuarit është një shteg që gjatë jetës të çon në shumë shtigje të reja të mësuari e punuari të cilët janë ndryshe nga diploma e shtegut të parë. Ajo që nevojitet është vetëm dëshira me ecur nëpër ata shtigje. Përveç botimeve të artikujve të mi shkencorë, kam shërbyer edhe si shqyrtues i artikujve që dërgohen për botim në revistat shkencore të rrjetit Elsevier Science (International Journal of Heat and Mass Transfer, International Journal of Coal Geology, Applied Thermal Engineering, International Journal of Heat and Fluid Flow), të rrjetit Taylor&Francis (Chemical Engineering Communications) dhe të rrjetit Premier Publishers (International Journal of Geology and Mining). Në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare, e thënë shumë përmbledhtas, botimet në shqip ose anglisht nëpër gazeta filluan më 30 Shtator 2003 kur botova një përkthim bashkë me shkrimtarin Naum Prifti se çfarë kishte shkrojtur i madhi Volter (1694-1778) për Gjergj Kastriotin. Janë të paktën 100 botime në gazeta në fushat histori, gjuhësi, holokaust, trashëgimi kulturore, politikë, zgjedhje, shkencë dhe psikologji. Shtohen këtu edhe redaktime librash e shkrimesh nga më të ndryshmet; pjesëmarrje në ekipe dokumentarësh, bashkëpunim me faqe interneti, gazeta e konferenca; biseda në TV Pasqyra Shqiptare këtu disa herë, në RTSH-1 dhe Alpo TV dhe bashkëpunimi me Lidhjen Shqiptare-Amerikane, etj. Vetëm në lidhje me shpëtimin e hebrenjve dhe ushtarëve italianë gjatë Luftës II Botërore, lista e punëve dhe kohës së harxhuar është e shumëllojshme dhe shumë e gjatë. Përmenden, për shembull, biseda në Radio CBC Canada në Nëntor 2010, organizimet dhe kumtimet në Holocaust Education Week 2005&2010, botime shkrimesh, redaktime librash, ndihma për konferenca në Kanada e Francë, ndihma për doktorata në Shqipëri, Kanada, SHBA e Itali, etj. Në pranverën e vitit 2018, botova librin “Receta Pa Komb” në shqip dhe në anglisht “The Nation-Free Recipe”. Brendia e tij është për secilin dhe kushdo që e ka lexuar e ka rilexuar menjëherë. Vetëm Alfred Çako i shtëpisë botuese Helga’s Secret pranoi ta botonte librin në shqip në Tiranë. Me adresë të Universitetit të Tiranës, në fund të vitit 2018 botova artikullin shkencor “The Proof of Fermat’s Conjecture in Correct Domain” në revistën “Ratio Mathematica”. Përpjekja për ta botuar mori dy vjet e gjysëm sepse 64 revista shkencore nuk pranonin ta botonin. E prisja atë gjë sepse artikulli përvijonte ndryshe themelet e Matematikës dhe vërtetonte një teoremë që për 382 vjet akoma pat ngelur e pavërtetuar. Me adresë të Universitetit të Tiranës, në vitin 2019, botova artikullin shkencor “The Preservation of Albanian Tongue (Shqip) since the Beginning” në revistën “Advances in Language and Literary Studies”. Artikulli në shqip “Përjetësia e gjuhës shqipe që nga fillimi” u botua në Librin e Kuvendit Gjuhësor të Akademisë Rrënjët Tona dhe gazetën Rrënjët. Një nga revistat e mëparshme nuk e pranoi sepse “këndvështrimi ishte jo i zakonshëm dhe nuk përputhej me rrymën akademike të njohur”. Ata që e kanë lexuar artikullin e kuptojnë mirë këtë lloj përgjigje dhe pse. Në lidhje me tani, në Universitetin e Tiranës jam marrë shumë me programim në kompjuter me gjuhën Basic dhe Fortran. Këtë verë fillova të studioj e praktikoj gjuhën e programimit Python dhe bashkë me një koleg në Universitetin e Torontos i jemi bashkuar një projekti shkencor industrial.

Flasshqip: Le t’i kthehemi asaj që na bashkon, atdheut. Saimir, çfarë kujtimesh ruani nga Shqipëria dhe si e përfytyroni Shqipërinë e sotme?

Saimir Lolja: Kujtimet nga Shqipëria ruhen e mbahen gjallë pa ndërprerje në shtëpi. Këtu ka shumë nga Elbasani të rinj e të vjetër dhe na duket se jemi po atje. Rudolf Boçi, që ishim bashkë në tetë vitet e para të shkollës, hyri në Gjimnaz e më pas në degën e Mjekësisë në universitet. Ai është këtu dhe takohemi shpesh bashkë, me Gani Petritin e miq të tjerë. Nga kimistët e universitetit ka shumë këndej, qoftë bashkëstudentë ose ish-studentë të mi në Tiranë. Prandaj takohemi ose kemi organizuar këtu edhe përvjetorë të diplomimeve në Kimi Industriale. Në Ryerson University më qëlloi një herë që të kisha sërish studente një vajzë që e pata patur studente në Tiranë. Në Shqipëri kemi qenë mesatarisht një herë në tre vjet. Lidhjen dhe bashkëpunimin me kolegët në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë e mbaj të pandërprerë. Kemi mbi 12 vjet që nuk shohim më TV. Ekranin e madh e lidhim me kompjuterin dhe vendosim ato gjëra që zgjedhim kur del koha e lirë. Lajmet e këtushme mjaftojnë aq sa pikojnë rreth e përqark si pika shiu. Në internet ndjek ca gazeta dhe faqet shqiptare. Në lidhje me Shqipërinë, deri në vitin 1990 ajo qe si një iriq i mbledhur gërrmuq dhe më pas u shpua e u hap akoma më shumë. Prandaj gjithnjë e më shumë nevojitet parapërgatitje për sfidat e reja. Kjo është përgjegjësia e shtetit. Fjalët Republic (nga latinishtja perëndimore) dhe Demokratia (nga katharevusa lindore) janë saktësisht e njëjta gjë për mënyrën e qeverimit që në dukje buron nga populli andej ose të bashkësive kulturore këndej. Praktikisht këndej dhe andej frute të tilla nuk janë të mbara. Ajka kombëtare e cila ka fuqi duhet të marrë përgjegjësitë. T’i bësh mirë vendit tënd, ta përparosh e zmadhosh, është e nevojshme ta duash e të jesh kombëtar, porse nuk mjafton. Së pari Shqipëria zyrtare ka nevojë për bonifikim. Shqipëria është vend që ka prodhuar qytetarë më së shumti për të tjerët dhe për vete ka mbetur pa qytetari që t’i japë drejtim, që për çdo njeri apo gjë të ketë një vend dhe çdo njeri apo gjë të jetë në vendin e vet. Shqipëria mbetet e paqetë sepse vazhdon të trazohet nga jashtë; ky është ligj themelor në fizikë.

Flasshqip: Si e vlerësoni bashkësinë shqiptare në Toronto dhe Kanada? A mendoni se shqiptarët këtu janë më të lirë në mendime se në atdhe?

Saimir Lolja: Me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptare-Kanadeze (SHBSHK), e cila është një shoqatë kulturore në dhe të huaj, jam marrë shumë dhe isha kryetar i saj në Prill 2005-Mars 2006. Ajo periudhë qe një përvojë e madhe që vlen shumë për krahasime. Me shumë mund u mor kthesë në cilësinë e saj. Në kryesi ndihmë më dha Xhevahir Islamaj. Përfshirjen në SHBShK e rivazhdova qëkur Ruki Kondaj udhëhoqi ribërjen e Statutit dhe njohjen me ligj të muajit Nëntor si muaji i trashëgimisë shqiptare në Ontario. Këndej shqiptarët kanë parë e dëgjuar më shumë dhe janë pak më të lirë në mendime. Niveli i lirisë mendore këndej shihet kur bisedohet në një grup me shqiptarë dhe sa respektohet mendimi ndryshe. Fundja, një mendim ndryshe është dhe s’mund të kuptohet si “i keq” kur nuk bie brenda shportës së mendimeve, leximeve apo dëgjimeve që dihen apo dëshirohen. Sepse shqyrtimin e imët të mendimit në shoqëri e kam bërë në shkrimin e botuar dhe ribotuar vite më parë “Shpirti i turmës dhe askushmërisë”. Cilësia e shoqërisë shqiptare në trojet shqiptare në Europën Juglindore mesatarisht është e ulët, sepse trashëgohet një prapambetje 1500 vjeçare e sundimit nga Lindja. Dëm i pamatshëm ndodhi në Shqipërinë zyrtare të cilës i shkaktuan dy lërime barbare (communist revolution, ang.) në vitet 1945 dhe 1991 prej të cilëve njerëzit luajtën edhe mendërisht edhe fizikisht nga vendi, toka, puna, shtëpia, prona, pasuria e profesioni. Si shoqatat kulturore këndej ashtu edhe tufëzat politike andej, nuk mund të japin fryt të mbarë për ndërtimin e organizatës këndej apo shtetit andej. Sepse organizimi i bashkësisë këndej dhe shtetit andej në vetvete është organizim nga lart poshtë dhe jo e kundërta. Edhe kur është i rregullt, votimi i të barabartëve prej të barabartëve këndej dhe andej nuk mbart vlerë. Volteri ka skalitur një shprehje: Me fuqinë vjen përgjegjësia. Nëse në botën shqiptare gjërat ngecin apo janë rrumpallë, ato janë ashtu sepse ndodh e kundërta e shprehjes së Volterit, domethënë nga përgjegjësia vidhet, sepse përndryshe nuk shkohet tek, fuqia. Po ndryshuan polet elektrikë, rryma rrjedh në të kundërt.

Flasshqip: Pas 21 vjetësh këtu, si do ta përshkruanit shoqërinë kanadeze?

Saimir Lolja: Po e përmbledh me një fjali: Fërgohu e kuptohu me bashkësinë tënde. Thelbi i të qenurit këndej për të gjithë është marrëdhënia ekonomike: paguaj qira, borxhe, taksa, paguhu ose paguaj për punën që kryhet, paguaj biletat apo gjobat, dhe në çastin që dera mbyllet je i harruar ose i harron. Një mik më thoshte se po të dihej më parë për gjenocidin që vazhdon ndaj vendasve dhe sa e rrezikuar është familja këtu nuk do kisha emigruar këndej.

Flasshqip: Po politikën kanadeze a e ndiqni? Zgjedhjet për Kuvendin federal u mbajtën muajin e shkuar, madje...

Saimir Lolja: Këto dy vitet e fundit mësova se kush është kryeministër këtu në Ontario dhe Kanada. S’ia vlen dhe as i bie radha t’i mësosh emrat e jo më për gjëra të tjera. Në këta 21 vjet këtu, pavarësisht se janë bërë zgjedhje politike federale apo provinciale dhe përgjegjësinë e shtetit e ka marrë një nga degët politike, këtu nuk ka ndryshuar gjë. Përveçse qiratë dhe çmimet janë rritur. Ky vit e gjysmë mbyllur nxorri shumë në pah se ato që quhen parti politike janë thjesht zyra të marrëdhënieve me popullin (public relations firms, ang.) dhe ata politikanë paguhen për t’u sharë. Toka, uji, përfshirë edhe peshqit, paraja dhe shteti pronësohen nga Kurora. Të tjerët janë thjesht lojtarë dhe aktorë. Që domethënë se problemi themelor këtu është zgjimi i vendasve dhe zbulimi i gjenocidit që është ushtruar ndaj tyre. Prandaj gjatë debatit politik parazgjedhor këtu më 9 Shtator 2021 kur një gazetare u pohoi se tani shteti ka grabitur fëmijë vendas më shumë se ç’ishin më përpara në shkollat me fjetje (residential schools, ang.), të pestë kryeaktorët politikë e mbajtën veten të mos ta preknin atë pohim.

Flasshqip: Saimir, vihet re se fëmijët e shqiptarëve që lindin në emigracion humbin pak nga pak gjuhën dhe traditat? Ç’mendoni për këtë?

Saimir Lolja: Gjuha dhe vetëdija kombëtare shqiptare nuk humbin, nëse prindërit mbartin përgjegjësinë që iu përket duke bërë gjënë më të thjeshtë: të paktën të flasin vetëm shqip në shtëpi. E folura shqip në shtëpi nuk pengon njeri të mësojë e shkruajë anglisht, frëngjisht, e gjuhë të tjera. Nga ana e saj shqipja kërkon t’u mësosh shqip të tjerëve. Shoqatat kulturore këndej bëjnë një punë të madhe duke mbajtur takime e festime kombëtare. Në lidhje me këtë, një mirënjohje e madhe i përket TV Pasqyrës Shqiptare e drejtuar nga Ilir Lena këtu në Kanada, faqes shqiptare në internet Albemigrant.com dhe portalit Flasshqip.ca.

Flasshqip: Sipas jush, a duhet të treten shqiptarët në kulturën e vendit që i mirëpret?

Saimir Lolja: Absolutisht jo. Të qenurit qytetar i rregullt në shtetin ku punon e jeton i zhvendosur, nuk pengon të mbetesh shqiptar. Njeriu e ka në dorë që të mos i vijë turp këndej për vetveten dhe origjinën. Njeriu nuk është vegël përdorimi në shitje, prandaj nuk është zgjuarësi me thënë nuk i duhet shqipja familjes e fëmijëve këndej.  Prindërit shqiptarë këndej përballen me një propagandë të gjithfarëllojshme e cila sulmon ta thërrmojë familjen dhe njëkohësisht t’i largojë fëmijët nga familja, t’i bëjë armiq me prindërit, t’i bëjë të harrojnë traditën, origjinën e gjuhën. Me një fjalë t’i bëjë jetimë dhe akoma më keq si klone, të cilët nuk dallojnë më gjininë, familjen, prindërit, vëllezërit e motrat, kushërinjtë, gjuhën, racën, kombin, ngjyrat, shijet, kulturën, moralin, historinë, gjeografinë, nga vijnë e ku po shkojnë.

Flasshqip: Dhe cila mund të ishte forma më e mirë e ruajtjes së kulturës shqiptare në emigrim?

Saimir Lolja: Çfarëdolloj organizimi dhe veprimtarie që çon ujë në këtë drejtim është gjë e mirë. Megjithatë është pak, vetëm të kërcehet dorë-për-dore kur mblidhen njerëzit. Puna vullnetare e shoqatave kulturore këndej ka kufi në cilësi dhe sasi sepse si ndërmarrje dhe qëllime kultura shqiptare është shumë e madhe. Për zgjidhje si shembull merren Spanja dhe Italia. Këta shtete kanë ngritur Shtëpitë Kulturore të tyret me personel të punësuar. Me këtë mënyrë do zgjidhej edhe çështja e Shtëpisë së Shqiptarit, sepse për këtë nuk mjafton vetëm të grumbullohet para për ta ndërtuar. Qeveria e Tiranës ka notën zero në këtë drejtim kurse ajo Prishtinës është pak më mirë.

Flasshqip: Saimir, a keni dëshirë ta ndani diçka tjetër me lexuesit e portalit Flasshqip?

Saimir Lolja: Jeta është marrëdhënie njerëzish dhe jo thashethem, as kjo bisedë me faqen Flasshqip.ca. Që domethënë se çdokush nuk ka për t’i shpëtuar në dhe të huaj pyetjes që kumbon: Me qenë trung me peshë e me rrënjë apo gjethe pa peshë që të merr era, e cila të hedh të zverdhur s’dihet se ku? Prandaj është më mirë të lexoni sa më shumë libra që përparojnë mendjen; të tjerat vijnë më pas.

Flasshqip: Ju falenderojmë për bisedën e këndshme dhe më detaje shumë interesante, njëherazi ju urojmë shëndet e krijimtari të suksesshme në vazhdim!

©Flasshqip.ca

 

(Nga e majta: Mit'hat Stringa me violinë, Marie Dhamo, gjyshi Sabri Lolja me mustaqe, Isuf Myzyri; nga e djathta që i shihet shpina është Vilson Todri me violinë, Xhemal Braçja baxhanaku i gjyshit Sabri Lolja)

(Viti 1937, në qendër pranë Isuf Myzyrit me violinë, veshur me jakuce me bykme të zeza, është Mehmet Gurra me Utën, daja e sime ame, dhe fëmija në këmbët e tij është i biri Halil Gurra, mësuesi kujdestar në shkollën 8-vjeçare)

(Gazeta Toronto Star, 30 Mars 1999)