Profil & Intervista

Bashkësia Shqiptare Montréal mbështet krijimin e Kongresit Shqiptaro-Kanadez

Bisedë me Kryetarin e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze Montréal, Nehat Kaloshi

Ndër objektivat kryesore të Portalit Flasshqip.ca, është edhe vendosja e një komunikimi të rregullt me shoqatat shqiptaro-kanadeze të cilat prej vitesh janë krijuar dhe funksionojnë në disa prej qyteteve kryesore të Kanadasë. Edhe në Montréal, metropolin ekonomik të provincës frankofone, Québec, prej vitesh është vendosur një komunitet shqiptar që i afrohet shifrës 5000 dhe aty ekzistojnë tre shoqata, ndër të cilat, më e vjetra është Shoqata Bashkësia Shqiptaro-Kanadeze e cila aktualisht drejtohet nga Nehat Kaloshi, bashkatdhetari ynë nga Kastrioti i Dibrës, i cili ka emigruar në Kanada prej gati 18 vitesh.

Në bisedë me Nehatin, e cila nis me një falenderim nga ana e tij për ftesën tonë, mësuam që aktualisht, krahas aktivitetit komunitar, ai drejton kompaninë e tij private, “Lyratech.inc Security”, kompani e specializuar më fushën e policisë private me fokus kryesor investigimet private, Background Checks dhe shoqërimet V.I.P. Pas kryerjes se shkollën së gjuhëve të huaja  “Asim Vokshi” në Tiranë, Nehat Kaloshi e ka vazhduar formimin profesional në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” dhe më pas në Akademinë e Marinës në Gjermani. Për t'u integruar më mirë me fushën e tij të ekspertizës në Kanada, i është dashur edhe këtu të kryejë disa kurse plotësuese në fushën e sigurisë.  

FlasShqip: Si është e organizuar shoqata që ju drejtoni? Cili është misioni i saj dhe cilat janë aktivitetet më të rëndesishme të saj aktualisht? Jemi të informuar që ju keni hapur edhe klasat e gjuhës shqipe …

Nehat Kaloshi: Fillimisht më jepni mundësinë t'ju falenderoj për interesimin që tregoni ndaj Bashkësisë Shqiptare të Montrealit, misioni kryesor i së cilës është të ruajë identitetin dhe kulturën shqiptare në provincën e Québec-ut.  

Të jesh pjesë e kësaj shoqate dhe e kryesisë së saj, nuk duhet parë si privilegj por padyshim si një përgjegjësi shumë e madhe, pasi për t’i shërbyer ashtu siç duhet, shpesh herë duhet të sakrifikosh edhe gjërat personale.

Unë dhe të gjithë anëtarët e kryesisë ishim të vetëdijshëm për sfidat që na prisnin por pavarësisht kësaj e morëm këtë përgjegjësi mbi supe me qëllim për të bërë diçka të mirë për komunitetin tonë. Kryesia e Bashkësisë përbëhet nga 7 anëtarë të cilët i falenderoj për punën e tyre të palodhur konkrete. Ne si shoqatë administrojmë edhe shkollën e vetme shqipe në Montréal, shkollë e cila funksionon në ambientet e Kolegjit Marianopolis.

FlasShqip: Si mund ta përshkruani ju integrimin e bashkëatdhetarëve tanë në qytetin dhe provincën ku jetoni? A mund të na përmendni disa personalitete të spikatura?

Nehat Kaloshi: Integrimi i shqiptarëve në Kanada në përgjithësi dhe në provincën e Québec-ut në veçanti, është i kënaqshëm. Shqiptarët shquhen në përgjithësi për adaptimin e shpejtë kudo ku vendosen. Specifika e provincës tonë është se duhet të flasësh të dyja gjuhët zyrtare (frëngjisht dhe anglisht) për t’u integruar plotësisht dhe në përgjithësi gjëja e parë që shqiptarët bëjnë kur vendosen në Montréal fillojnë të mësojnë gjuhët, pasi kjo është dhe mënyra më e mirë për të arritur një integrim të sukseshëm.  

Për sa i përket personaliteteve të spikatura, do thoja që çdo shqiptar në Montréal është i spikatur në mënyrën e vet. Ka shumë shqiptarë të cilët kontribuojnë me mënyrat e tyre për bashkësinë. Shumë prej tyre japin me dorën e djathtë, në mënyrë që dora e majtë mos ta kujtojë. Ata e lënë suksesin të bërtasë për ta dhe nuk bërtasin për suksesin e tyre.

FlasShqip: Po bashkëpunimi me shoqatat e tjera shqiptaro-kanadeze si paraqitet?

Nehat Kaloshi: Bashkëpunimi me shoqatat e tjera ka qenë institucional dhe korrekt, me uljet dhe ngritjet që e karakterizojnë çdo proces.

FlasShqip: Si mendoni, cilat duhet të jenë marrëdhëniet e diasporës me shtetin amë dhe si i shikoni raportet aktuale mes ketyre dy faktorëve shqiptarë?

Nehat Kaloshi: Duke ditur që shqiptarët e kanë atdhetarizmin shumë të theksuar, personalisht mendoj se marrëdhëniet mes diasporës dhe shtetit amë duhet të forcohen edhe më shumë. Ne si shoqatë kemi marrëdhënie shumë korrekte me Ambasadën Shqiptare në Ottawa.

FlasShqip: Para pak ditësh, Kryetari i Shoqatës “Iliria” në London të Ontarios, Besnik Rexhvelaj, propozoi publikisht krijimin e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez”, forum në të cilin të përfaqësohen të gjitha shoqatat shqiptare për bashkëpunim dhe këmbim eksperience. Si e vlerësoni një ide të tille? A mendoni që një forum i kësaj natyre mund t'i shërbejë më mirë ruajtjes së identitetit tonë kulturor në vazhdimesi, brenda kuadrit te shoqërise kanadeze multikulturore?

Nehat Kaloshi: Jam i mendimit se krijimi i Kongresit Shqiptaro-Kanadez do të jetë shumë frytdhënës, pasi do t'ju japë mundësinë të gjithëve të shkëmbejnë eksperiencat në shumë fusha, duke bërë të mundur gjithashtu edhe ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe traditave dhe krijimin edhe të më shumë urave të komunikimit për shqiptarët që jetojnë në Kanada.

Ky kongres, mund të shërbejë gjithashtu për të lobuar në mënyrë efikase pranë autoriteteve të të gjitha niveleve, nga njera anë në favor të integrimit më të mirë dhe prosperitetit të komunitetit tonë brenda shoqërise kanadeze, por nga ana tjetër edhe për rritjen e nivelit të këmbimeve mes Kanadasë dhe Shqipërisë në të gjitha drejtimet, qoftë në aspektin politik apo kulturor, qoftë në aspektin ekonomik.

@FlasShqip.ca