Dr. Hysni Marku: Në Montreal prej Tolstoit … në emigracion nga zhgënjimi, jo nga dëshira!
Intervistoi: Taulant Dedja
Hysni Marku është mjeku i njohur veteriner në diasporën shqiptare të Kanadasë, i cili si shumë intelektualë të tjerë idealistë në vitet ‘90 u angazhua në mënyrë aktive për t’i hapur portat demokracisë në Shqipëri. Por pas entuziazmit të viteve të para, Hysniu u përball edhe me zhgënjimet e para. Sipas tij, pushteti u përqëndrua në duar njerëzish pa vizion dhe kësisoj vendi do kalonte kriza të njëpasnjëshme ekonomike, arsimore, sociale e politike. Pas krizës së shoqërive piramidale perspektiva e të jetuarit në Shqipëri u zymtësua më shumë për Hysni Markun. Në këtë periudhë me zemër të thyer ai merr vendimin për të emigruar. Pas një aplikimi për në Kanada me një formular që një shok ia kishte dhuruar filloi proçedurat që do të zgjatnin afërsisht 2 vjet.
Pse pikërisht zgjodhët Montrealin?
Hysni Marku: Në fillim të viteve ‘80 pati një valë ribotimesh të veprave të klasikëve të mëdhenj të letërsisë botërore dhe si mik i librit i prisja ato si paninet e dikurshme që sapo dilnin nga furra, ndër të tjera vepra e Tolstoit “Lufta dhe Paqja”. Duke lexuar këtë roman, në të cilin kishte shumë perifrazime në frëngjisht (gjuha e aristokracisë ruse) më lindi dëshira të mësoj gjuhën frënge. Bëhet fjalë në fillim të viteve ’80, kur isha student në vitin e parë të fakultetit dhe qëllimi i vetëm ishte të lexoja klasikët e letërsisë franceze në origjinal. Thjesht si dashamirës i kulturës franceze zgjodha Montrealin për t’u instaluar.
Ju kishit studiuar mjekësi veterinare në Shqipëri. Po në Kanada si arritët që ta gjeni veten në të njëjtën fushë, dhe të suksesshëm mbi të gjitha?
Hysni Marku: U diplomova për së dyti në vitin 2001: Doctorat en Médécine Vétérinaire në Universitetin e Montrealit. Më pas punova për 4 vjet në një klinikë veterinere ku mora përvojën e nevojshme si në aspektin profesional dhe në atë se si mund të funksionojë një klinikë veterinare dhe në gusht të vitit 2005 hapa klinikën time. Me shumë punë dhe përkushtim nga viti në vit, klientela në klinikë është shtuar duke u shndërruar një spital veterinar i pajisur me të gjitha mjetet diagnostike dhe operative. “Hôpital Vétérinaire Métro Ibérville inc”, ka të punësuar 3 mjekë veterinerë, 3 infermierë dhe 5 punonjës në pritje të klientelës dhe në menaxhim. Dua të theksoj se e gjitha kjo nuk është vetëm merita ime por e gjithë familjes time, Iglit, Kevinit që në vite më kanë mbështetur dhe kanë punuar pareshtur, dhe në veçanti e bashkëshortes time Gjystina.
Nisur nga fillesat por edhe nga pozita e tanishme, si mendoni cila është sfida më e madhe për një profesionist e intelektual në emigracion?
Hysni Marku: Sfida më e madhe për një profesionist e intelektual në emigracion është të gjejë vetveten. Nuk ka receta të shkruara për t’ja arritur kësaj, por për mendimin tim është që së pari të kuptosh sa më shpejt funksionimin e shoqërisë ku instalohesh për të jetuar dhe të bësh përpjekje maksimale për të gjetur vendin tënd aty. Përshtatja është element i mbijetesës. Së dyti duhet të punohet shumë për të realizuar objektivin që i kë vënë vetes sepse siç thotë një proverb, “asgjë nuk bie nga qielli”. Së treti fati mund dhe luan rolin e tij. Në vendin e duhur, në kohën e duhur, është faktor propulsor. Ne shqiptarëve në përgjithësi nuk na mungojnë këto aftësi dhe jam krenar që njoh dhe kryqëzoj në jetën time me dhjetra e dhjetra bashkatdhetarë që kanë gjetur veten e tyre në profesione nga më prestigjiozet këtu në Kanada.
Sa njihet Shqipëria dhe shqiptarët në Montreal?
Hysni Marku: Në Montreal jemi një komunitet në dinamizëm dhe zhvillim të vazhdueshëm. Them se jemi po aq të njohur sa dhe komunitetet e tjera. Montreali si dhe Toronto janë qytete multietnike dhe kjo heq barrierat e mentaliteteve duke lejuar çdo komunitet të shprehë vlerat kulturore dhe të pasurojë jetën e këtyre qyteteve. Komuniteti ynë ka bërë hapa shumë të rëndësishëm për konfirmimin e identitetit të tij megjithëse jemi relativisht të rinj dhe jo të shumtë në numër. Vendosja e monumentit të shenjtores tonë Nënë Tereza, që dëshiroj ta theksoj me shumë respekt se ideatori i këtij realizimi ka qenë Taulant Dedja, tregoi pjekurinë dhe aftësitë e komunitetit të shqiptarëve në Montreal. Dëshiroj të falenderoj pa përjashtim gjithë aktorët dhe kontribuesit që morën pjesë në këtë realizim.
Monumenti i Nënë Terezës, padyshim është një arritje e madhe e komunitetit. Si një nga drejtuesit në vite të Shoqatës Shqiptare në Montreal, çfarë arritjesh të tjera mund të rendisni në drejtim të integrimit në shoqërinë kanadeze dhe ruajtjes e traditës dhe identitetit të vendit të origjinës?
Hysni Marku: Duke qenë pjestar aktiv që në ditën e parë të krijimit të shoqatës, mund të dëshmoj për evolucionin dhe dinamizmin e saj. Së pari do të dëshiroja të falenderoj gjithë ata individë që janë të shumtë (dhe për të mos krijuar pakënaqësi në rast harrese nuk po përmend emra) për punën e tyre vullnetare, e theksoj vullnetare, patriotizmin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të komunitetit. Arritjet më të spikatura janë shkolla shqipe “Nënë Tereza” që në fillimin e jetës së komunitetit dhe në vazhdimësi. Dua të nënvizoj se shkolla shqipe është kolona vertebrale e ruajtjes dhe trashëgimit të identitetit tonë kombëtar, dhe jam krenar që në mandatin që patëm në periudhën 2013-2015 në drejtimin e shoqatës, arritëm të kemi 3 klasa të shkollës shqipe me afërsisht 50 nxënës. Dëshiroj t’u bëj thirrje prindërve që ta vlerësojnë dhe të investojnë në ruajtjen e gjuhës tonë të vjetër sa vetë planeti, se është një pasuri e pa imagjinueshme për brezat e ardhshëm dhe është detyra dhe detyrimi jonë sot që kjo të bëhet realitet për nesër. Krahas monumentit të Nënë Terezës, dhe për të përforcuar simbolet e identitetit tonë Kombëtar në Montreal, kemi propozuar që në vitin jubilar të heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu të iniciohet projekti për vendosjen e bustit të tij në një nga sheshet e qytetit të Montrealit. Urojmë me gjithë zemër që kjo iniciativë të mbështetet nga sa më shumë bashkatdhetarë këtu në Montreal dhe në të gjithë Kanadanë që të bëjmë të mundur realizimin e këtij projekti që do të na bënte më shumë krenarë si shqiptarë.
Çfarë do lipsej tjetër përveç urimit për mbështetje nga bashkatdhetarët, në mënyrë që komuniteti shqiptar të ndihet më tepër në Montreal?
Hysni Marku: Natyrisht për të mbajtur sa më aktive jetën e komunitetit zhvillohen çdo vit aktivitete sportive, kulturore, ekspozita artesh dhe festimet e pavarësive të dy shteteve tona shqiptare. Por meqënëse komuniteti është në një fazë me biznese të lulëzuara, me plot individë të diplomuar në universitetet e Montrealit në të gjitha fushat, me dëshirë për të kontribuar pozitivisht në pasurimin e jetës së Montrealit, na duhet si gjithmonë më shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin. Na duhet më shumë interes dhe kontribut për shkollën shqipe dhe jetën e komunitetit, më shumë respekt dhe mirëkuptim për punën vullnetare të atyre që japin kohën e tyre në shërbim të komunitetit, dhe angazhim pa paragjykime. Kjo do ishte idealja. Unë personalisht e kam konsideruar komunitetin si një familje të dytë dhe do vazhdoj të jap kontributin tim modest sa kohë që shëndeti dhe mundësitë do më lejojnë.
Eshtë hedhur edhe ideja për krijimin e një forumi bashkëpunimi në rang Kanadaje, i cili do të përfshijë të gjitha shoqatat e komunitetit shqiptar. A e mbështesni këtë ide?
Hysni Marku: Ideja është pozitive, por realizimi nuk e di a do jetë i lehtë. Unë e mbështes idenë, nëqoftëse ajo do t’i shërbejë Shqipërisë së diasporës.
Së fundi, në Shqipëri është miratuar dhe një ligj për Diasporën. Si do ta komentonit?
Hysni Marku: Miratimi i ligjit për Diasporën përbën një hap shumë të rëndësishëm pozitiv nga ana e qeverisë shqiptare dhe kjo meriton të duartrokitet. Më në fund po kuptohet se Diaspora ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur edhe në zhvillimet e Shqipërisë. Çka është e rëndësishme të theksohet se shteti shqiptar po merr përgjegjësitë e veta dhe detyrimet që ka ndaj Shqipërisë së Diasporës, që pa asnjë kompleks është Shqipëria cilësore dhe e shëndetshme me një gjykim shumë më të qartë në shumë pikëpamje. Se si do bëhet realitet ky bashkëpunim me interes të ndërsjelltë koha do ta tregojë. Shpresojmë për më të mirën në interes të kombit tonë.
Duket që i ndiqni zhvillimet në Shqipëri. Si ju duket politika e sotme, krahasuar me vitin kur e keni lënë?
Hysni Marku: Si pjesa më e madhe e shqiptarëve të diasporës, nuk mund të qëndroj indiferent ndaj zhvillimeve dhe mbarëvajtjes së vendit tonë të lindjes. Me zemër jam gjithmonë në atdheun tim të dashur. Më merr malli për gjithçka, për fushat, për malet, për detin, për familjet tona, për shoqërinë tonë që jeton atje, por jo për politikën dhe aktorët kryesorë të spektrit politik të të gjitha ngjyrave që kanë marrë peng fatet e Shqipërisë. Për mendimin tim ka pasur mungesë flagrante të një vizioni të qartë afatmesëm dhe afatgjatë në politikat e zhvillimit ekonomik të vendit tonë në 3 dekadat e fundit. Pa pretendime të një analisti, larg këtij roli kompleks, po të kishte patur njerëz të politikës të interesur për zhvillimin e Shqipërisë, nuk do të kishte tendencë në vazhdimësi të emigrimit të trurit, të rinisë dhe varfërimit intelektual të vendit tonë. Fatkeqësisht oligarkia politiko-mafioze ka ndërtuar një rrjet të tillë që gjithçka sillet në interesin e një grupi të vogël njerëzish që nuk lejojnë shumicën e njerëzve të ndershëm dhe familjet e tyre të ndjehen të sigurtë për perspektivat e jetës në vendin amë.
Nga natyra nuk jam pesimist, por kur shohim sëmundjen e korrupsionit që ka zënë vend në çdo qelizë të administratës shtetërore, në sistemin e drejtësisë, në shkolla, në spitale etj. bëhet pyetja kush e lejoi këtë sëmundje infektive të mbërthejë keqazi atë vend? Për mendimin tim e lejoi kjo oligarki politiko-mafioze që do të mbajë sa më gjatë mjegullën dhe turbullirën.
Por dielli në Shqipëri është shumë më i fuqishëm se mjegulla dhe jam i sigurtë se do të ndriçojë shumë shpejt mbi vendin tonë. E kam shprehur disa herë në biseda që kam patur me miq. Ne e lamë vendin tonë se na detyruan dhe jo se patëm dëshirë. Do të kisha qënë shumë herë më i lumtur që investimin që e kam bërë në Kanada ta kisha bërë në Shqipëri!
FlasShqip falenderon Dr. Hysni Marku, i cili gjithmonë dallon për ndjenjat e thella të atdhedashurisë dhe gatishmërinë për bashkëpunim me njerëzit që e rrethojnë.
©FlasShqip.ca
19 Maj 2018