Zona e krijuesve

Kristaq Turtulli: Çast

Dita shkiste mbi patina,

Nën harkun e mendimeve të lodhura.

Rënduar me re, qielli teshtinte,

Era grindej në sqetullën e një ëndrre,

Me bërryla shtynte qoshet e mureve.

Me thonj gërvishte akullin e xhamave.

 

Të mora pranë, në buzë të putha,

Ngrohtësinë dhe mushtin e viteve ndjeva.

Më puthe, u rrotullove në brinjë,

Dhe qeshe.

A nuk është bukur të jem flutur, the;

Të thith krejt ajrin e pyjeve

Të qëndroj përkrah erërave,

Të fluturoj mbi kaltërsinë e deteve,

Të prehem faqeve të shkëmbinjve.

Të ngopem me nektarin e luleve...

 

E dashur, fluturat janë delikate.

Treten dhe nga një prekje.

S’mund të jesh fluturake,

Në zemër universin ke,

Të dua kështu siç je.

Supet mblodhe si lulëkuqe,

Sytë gështenjë pulite.

Në gji mu struke.

Përjashta flutura në patina shkiste...

Tagged under Kristaq Turtulli