Zona e krijuesve

Sixhadja fluturuese–një përsiatje fatale për destinin

Nga: Artan Gjyzel Hasani

Nga destini shkatërrimtar apo fati i keq mund të shpëtojnë dhe të shmangen njerëzit e vegjël. Njerëzit e mëdhenj, përkundrazi, e kanë destinin dhe fatin e keq pjesë të madhështisë, por kjo gjë zakonisht kuptohet pas vdekjes së tyre. Ndryshe nga sa mund të mendohet, madhështia e dikujt ndonjëherë mund të jetë e lidhur edhe me fatin e sendeve personale të tij.

Kjo është një histori me sixhade. Një histori e vërtetë për një sixhade fluturuese dhe simotrat saj. Të krijuara nga thurje artizanale, me penj kërpi dhe ngjyra të përgatitura në mënyrë tradicionale, ato kanë dëshmuar se i rezistojnë kohës për shumë vite. Në Labëri mund të gjënden akoma sixhade të bëra 100 vjet më parë. Jo pak nga lexuesit e këtyre rreshtave, miq e shokë të autorit, kanë pasur fatin të ulen mbi sixhadet e këtij rrëfimi.

Në vitin 1928, jetimja pesëmbëdhjetëvjeçare Hatixhe H. e fshatit Dukat thuri për pajën e saj katër sixhade shumëngjyrëshe leshi, tri nga te cilat, sipas zakonit, do shkonin për të zotin e kalit të bardhë që do merrte nusen dhe vetëm njëra do t’i mbetej nuses së re. Kjo e fundit, ndryshe nga sixhadet e tjera, do të kishte të qëndisura në cep inicialet e emrit të nuses.
Meqë në ceremoninë e martesës së Hatixhe H. (që u bë Hatixhe Sh.) kali i bardhë u ngrit kas dhe nuk donte të hynte në shtëpinë e dhëndrit, duke e rrëzuar tri herë nusen e re para pragut të shtëpisë ( një detaj i vërtetë i përdorur nga unë në tregimin “Hanka”), i zoti i famshëm i kalit, fisniku Mehmet A. e pa të udhës të mos i pranonte tre sixhadet e taksura nga nusja jetime.

Në dimrin e vitit 1943 dezertori italian Salvatore B. e vjedh sixhaden e nuses nga oborri i shtëpisë së Hatixhe Sh. në Dukat dhe bashkë me pushkën e tij e fal në fshatin Tragjas në shkëmbim të një strehe dhe ushqimi.

Në vitin 1954 Hatixhe Sh. bashkë me të bijën dëbohet fillimisht drejt zonës së Gollobordës, në verilindje të Shqipërisë e më pas vendoset në Peshkopi.

Një pasdite korriku të vitit 1970, e bija e Hatixhe Sh. thërritet për një urgjencë shëndetësore në fshatin Fushë Alije të Dibrës ku i shpëton jetën një nëne dhe foshnjës së saj të porsalindur. Kryetari i këshillit të fshatit, Shpëtim M. në shenjë falenderimi shtron një darkë në shtëpinë vet për shpëtimtaren dhe familjarët e të shpëtuarve. Mbi minderin ku ishin ulur e bija e Hatixhe Sh. njeh sixhaden unike të së ëmës. “Kjo sixhade është e nënës sime, dhe ka edhe inicialet e emrit të saj të vajzërisë të qëndisura në anën e poshtme.”
Udhëheqësi komunist i fshatit kthen cepin e sixhades dhe dallon inicialet H.H. 
“Ia sekuestruam në vitin 1944 kriminelit dhe hajdutit Halil A. që e kish vjedhur në Tragjas”, shfajësohet i zoti i shtëpisë dhe ngre një dolli për jetën e re.

Në vitin 1980 i shoqi i mërguar në Kairo i Hatixhe Sh. nga letërkëmbimi i cunguar mëson historinë e sixhadeve dhe si një simbolikë ngushëlluese i dërgon një qilim Persian. Pakoja arrin në qytetin Peshkopi, por nuk i jepet Hatixhe Sh. së cilës i kërkohet të firmosë një shkresë ku thuhej që nuk pranonte pako nga armiqtë e Atdheut, gjë që ajo nuk e bën.

Në fundvitin 1990, autori i këtyre rreshtave, në rrethana jo edhe aq rastësore, debaton në një dhomë me ish presidentin në pension për pandershmërinë, nga vrastare në banale, të rregjimit ndër vite, dhe fjalë pas fjale, i tregon edhe historinë e sixhades. Ish presidenti e kundërshton fort, duke harruar, apo duke mos e ditur, që edhe qilimi i shtruar në atë sallë qeveritare pritjeje ishte pikërisht qilimi Persian i dërguar si dhuratë për Hatixhe Sh. nga bashkëshorti i saj Musa.

Këtu mbaron historia reale e sixhadeve të Hatixhe Sh. por, meqë jemi në këtë temë, dhe në respekt të adhuruesve rishtarë të Borges-it, le të hamendësojmë për fatin e mundshëm të një sixhade magjike si ajo në një vend të pabesueshëm si i yni.
Kështu pra, mund të spekullojmë se në vitin 2016 deputetit dhe matrapazit të njohur të antikave Koço K. i dhurohet Sixhadja Fluturuese nga kundërshtari i tij politik Lul B. në shkëmbim të një vote. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës sixhadja e famshme ekspozohet në Berlin dhe aty blihet nga stërnipi etnograf i Hatixhe Sh, i cili shumë vite më vonë, në pleqëri dhe pas falimentimesh të njëpasnjëshme financiare, e përdor si mjetin e vetëm për t’u mbrojtur nga i ftohti i Fifth Avenue ku edhe gjëndet i vdekur si i pastrehë një natë dimri të 2035.

Duke u kthyer përsëri në pikënisjen e këtij rrëfimi: 
A mund ta shkëpusim vërtet një njeri nga rrënjët e veta ashtu siç bëjmë me një pemë? 
Hatixhe Sh. ia këputën rrënjët dhe e degdisën në një vend të largët të ri. 
Por para saj kish mbërritur atje larg përmes udhëve të verbëra dhe kapriçioze të destinit ajo sixhade, një nga rrënjët e jetës së saj. 
Vite më vonë përsëri fati dhe destini i çuan atje ku ishte degdisur edhe një rrënjë fikusi nga i shtëpisë ku ish bërë nuse, një histori për të cilën flitet te tregimi tjetër i imi “Vazo të thyera”.
Sot besoj se destini i të pafatëve të mëdhenj është një alibi e shpikur nga njerëz të vegjël. 
Alibia e tyre në pamundësinë për t’i shkëputur të pafatët nga rrënjët…

Dhe meqë po flasim për fate e destine:
Gjatë Diktaturës Hatixhe Sh. u dëbua nga vendi i saj jugor drejt verilindjes për rreth 40 vjet. 
Në Demokraci u rikthye në vendlindje ku jetoi edhe 20 vjet, por kapriçiot madhështore të destinit (dhe jo të diktaturës këtë radhë) e cuan përsëri në atë qytet të vogël verilindor ku edhe u nda nga jeta në moshën 103 vjecare!

Epilog:

Në vitin 1956 Hatixhe Sh. i dërgoi një kërkesë transferimi ministrit të Shëndetësisë së asaj kohe për rikthim në vendlindje. Kërkesa e saj u refuzua prerë me një shkresë në të cilën shkruhej se ai qytet i vogël verior kishte nevojë edhe për kontributin e Hatixhe Sh.
30 vjet më vonë, në epokën kur të sapodiplomuarit flakeshin në Veri, nipi i ministrit të dikurshëm preferoi të emërohej me punë pikërisht në atë qytet të vogël, meqë aty banonte i vetmi mik i tij i ngushtë në veri të vendit: Nipi i Hatixhe Sh.

(nga vëllimi me tregime "Rutina Perfekte", 2016)

Tagged under Artan Gjyzel Hasani