Komunitet

Vjen një stinë

Nga: Vangjush Ziko

Vjen një stinë
dhe diellit ia zënë sytë retë,
kjo stinë ka emrin vjeshtë,
i thonë dimër,
kur dielli mbyllet si ariu në shpellë
dhe bota tregon përralla
(dikur rrotull vatrës me prush)
sot bri vatrës dekorative
telenovelat banale ligjërojnë,
çdo gjë në botë u bë artificiale
edhe stinët e jetës,
edhe drita e syrit
pa përjashtuar as dashurinë,
po të qe gjallë polifemi,
do t'ia ndiznim prapë syrin e ballit
(odisenë do gjente edhe në fund të botës),
jeta si penelopa end e çend më kot
qefinin me thinjët e veta,
hakmarrjes së polifemit të verbër 
vetëm në mite mund t'i shpëtosh.

 

Tagged under Vangjush Ziko