Komunitet

Sytë në telajo - Tregim nga Përparim Kapllani

Piktori i nguli sytë fotografisë dhe kaloi gishtat gungaçë në flokët e shkapërdredhur. Atelieja i ngjante një Vaterloje në miniaturë, ku vetë ai, Napoleoni fatkeq, më në fund i ishte dorëzuar asaj ushtrie lapsash, furçash, bojërash, vizatimesh pa mbarim e gjithfarë portretesh të të vdekurve. Kishin kaluar orë dhe ditë të tëra dhe ai nuk po mundte ta riprodhonte dot atë fotografi. Duhej të rikrijonte artistikisht atë që nuk ishte më, që nuk ekzistonte, por që përtej vdekjes kërkonte të rivinte sërisht në botën e të gjallëve, përmes ngjyrave të freskëta dhe ravijëzimeve të mbushura me dritëhije të zbehta e të ëmbla.      

Psherëtiu thellë. Në rininë e hershme ishte marrë me skulpturë. Pas përmbysjes së komunizmit, filloi të merrej me skalitjen e pllakave të varreve. E nisi si për t’u eglendisur, por ajo punë tashmë po i mbante me të ardhurat e saj krejt familjen prej nëntë anëtarësh. Babain e kishte pasur hoxhë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ai i kishte lënë një mësim: “Është sevap të punosh me të vdekurit!”

Për një portret të rëndomtë piktori merrte njëqind mijë lekë të vjetra. Për një skalitje në mermer dyqind mijë lekë. Për një bust, çmimi mund të arrinte gjer në gjysmë milioni lekësh. Teknika e punimit të varreve kishte ndryshuar së tepërmi. Njerëzit tashmë kërkonin për të afërmit e tyre të humbur jo vetëm portrete, por edhe gardhe hekuri me forma fantastike, çati të kuqe, të hirta a të zeza, buste të madhësive të ndryshme për vajza a gra të reja apo thjesht vizatime për djem, që ishin ndarë nga jeta në lulen e rinisë, për shkak të aksidenteve automobilistike a plumbave të hakmarrjes. Puna iu shtua shumë, aq sa një numër të madh porosish filloi t’i kthejë mbrapsht.

Shtëpinë e kishte vetëm pak metra larg nga varrezat e Sharrës. Dera e shtëpisë ishte ndanë rrugës kryesore, nga kalonin të paktën tre herë në ditë karvanët mortorë, që përcillnin të afërmit për në banesën e fundit. Që nga dita kur mori në dorë porosinë e parë kishin kaluar plot pesë vjet. Portretet e tij tashmë ndodheshin gati në çdo pllakë varri. Kishte ngritur një ekspozitë të tërë portretesh njerëzore, një ekspozitë të gjallë e natyrale, jashtë mureve të galerisë, pikërisht atje, në natyrë, nën rrezet e diellit a breshërinë e shiut. Që kur paraja hyri në mes, filloi të mendojë seriozisht për pikturën, madje filloi të lexojë gjithçka që kishte të bënte me këtë art të veçantë e tërheqës.

Ktheu një gotë ujë e mori në dorë një libër për Onufrin, shqiptarin e lindur në shekullin XVI. Ikonat e tij i kishin ngjallur përherë një kërshëri të pashpjegueshme. Onufri pikturoi në Berat në vitin 1547, në Kostur në vitin 1555, në Shelcan e në qytete të tjera. Ngjyra e kuqe e Onufrit ishte një nga sekretet e mëdha që ai piktor shqiptar e mori me vete në varr. Ngjyra e kuqe ishte një sekret për shumë piktorë profesionistë. Për të si piktor amator ishte më shumë se një sekret. Mori përsëri fotografinë në dorë dhe nguli vështrimin në ata dy sy të mbyllur përjetësisht.

Fotografia tregonte një djalë të shtrirë në shtratin e vdekjes, me duart e kryqëzuara mbi trup. Ishte një fotografi bardh e zi, një fiksim celuloid i çastit më të fundit të një djali njëzetvjeçar, të vdekur nga kanceri një muaj më parë. Trokiti dera. Me sytë ende të ngulur në atë fotografi, piktori e hapi, pa denjuar të shihte se kush ishte në prag. Ishte përsëri ajo: një grua plakë, e shkurtër, rreth të gjashtëdhjetave. Shamia e zezë e zisë i kishte rrëshqitur disi në supin e majtë. Piktori i bëri me shenjë të gjente një vend përt’u ulur, ndërsa vazhdoi të mbante parasysh atë fotografi.

“E kisha djalë të vetëm! Kjo është e vetmja fotografi e tim biri. Sa ishte gjallë, nuk i bëra asnjë fotografi. Ishim shumë të varfër. Ende jetoj në fshatin më të largët të Tiranës, ku ha pula gurë. Dua që kur ta pikturosh, ta pikturosh me sytë hapur. Se si do t’ia hapësh sytë, kjo është puna jote. Hap gojën, sa para do dhe unë do të të përgjigjem!”  Plaka futi dorën me rrëmbim në një çantë plastmasi të zi dhe që andej nxori dy tufa bankënotash një mikë lekëshe të lidhura. Filloi të numërojë me nervozizëm bankënotat, ndërsa me bisht të syrit ndoqi reagimin e piktorit, që kishte ngelur i ngrirë përpara asaj fotografie. Plaka numëroi me zë të lartë, duke ndarë fjalët në rrokje. Tingujt e fjalëve ngjiteshin në tavan në formën e një spiraleje të zhurmshme. Qetësia ishte thyer përfundimisht. Madje ishte arratisur edhe era e mirë e luleve, që mbillnin vajzat e tij në oborr. Kundërmimi i atyre luleve të freskëta, i qindra manushaqeve blu, violetë, të bardhë, tulipanëve të kuq, të zinj, trëndafilave rozë, të verdhë, mimozave pushverdha...., e zhyste në punë kënaqësisht, sa herë që vajzat e devotshme të piktorit i prashisnin, mbillnin, apo i këputnin për të formuar me to tufat a kurorat për të vdekurit. Plaka me atë këmbënguljen e vet të marrë po i shkatërronte bukurinë dhe ndjesinë estetike që i jepte përherë puna. E ndjeu veten të përbuzur, ndërsa ajo kishte arritur të numëronte gjer në dyqind mijë lekë të vjetra shqiptare. Dyqind mijë lekë vetëm për një portret të thjeshtë, një kopjeje të rëndomtë të origjinalit.

“Jam shumë e varfër! Shita çfarë kisha të shtrenjtë në shtëpi dhe ja: kaq u bënë të gjitha. Hapi sytë djalit dhe këto para janë të tuat!” Tha plaka e u plandos në karrigen më të afërt.

Piktori i dalloi lotët t’i rridhnin nga sytë, duart e mpira dhe të thara. Vërejti sërisht fotografinë. Në fytyrën e zbehtë të djaloshit nuk lëvizte as edhe një muskul i vetëm. Qerpikët i kishte të gjatë, të kthyer, si të një vajze. Mjekrën e kishte të mprehtë dhe hundën të rregullt. Flokët kaçurrela, pis të zinj. Ballin e kishte të madh, të hapur. Mori lapsin në dorë dhe bëri një vijë mbi letër. Ai vështrim duhet të kishte qenë i gjallë, i sinqertë, i vrullshëm, i hedhur shkujdesur.

“Kur hapen sytë, duhet të lëvizin edhe muskujt e fytyrës. Është një lëvizje e lehtë, delikate, e padukshme. Mimika e krijuar me hapjen e mbylljen e syve krijon një shprehje të veçantë, një identitet të ri njerëzor,” belbëzoi me vete. Vërejti vetullat. Vetulla të trasha, të zeza. Kur sytë hapen, vetullat lëvizin. Marrin pjesë në ndërtimin e shikimit, të identitetit njerëzor.

Hodhi vija të tjera mbi letër. Plaka iu afrua. Nga pas shpinës dëgjoi rënkimin e saj të zvargur dhe një “jo” të dhimbshme. Sytë nuk ishin ato të djalit të asaj gruaje të mjerë.

                                            ***

Nuk e kuptoi sa kohë kishte kaluar me laps në dorë përballë atyre fletëve të bardha që nuk donin të jepeshin. Kishte vdekur shikimi. Sytë janë pasqyra e shpirtit njerëzor. Sytë janë i vetmi organ njerëzor i njeriut që nuk plaken. Sytë janë dy diejt e ngrohtë të jetës. Kur mbyllen ata, dita perëndon dhe mbretëron errësira. Nga pak filloi të urrejë vetveten. Kishte humbur përgjithmonë sigurinë. Ndjesia se mund të arrinte të hapte ata sy po shuhej ngadalë. I dukej vetja si i mpirë, i pafuqishëm.

Plaka vazhdonte të rrudhte buzët në shenjë mosmiratimi të plotë. Vinte në atelienë e tij gati çdo ditë për të parë se si ecte projekti i mbetur në letër. A do të dilte i gjallë i biri i saj i vetëm në portretin që do të vendosej në pllakën e varrit?

Piktori kafshoi buzën nga turpi, mundimi dhe dhembja. E ndjeu veten të dërmuar, një hedhurinë në rrugë. Nisi të kuptojë të vërtetën e tmerrshme se ai nuk ishte një piktor, por thjesht një amator, një tregtar i rëndomtë, që kishte vendosur të bënte para, duke u tallur me ndjenjat e të afërmve të atyre njerëzve që nuk ishin më. Ishte fajtor.

Njëherë vendosi të hiqte dorë përfundimisht. T’i kthente fotografinë plakës e t’ia thoshte hapur se ajo punë nuk bëhej. Mbylli sytë. Ai trup i shtrirë, ata sy të mbyllur nuk lëviznin. Nuk donin të jepnin shenjë jete. Lapsat, furçat dhe bojërat nuk hynin më në punë. Nuk ishte gjë tjetër, veçse një dështak i mjerë. Humbameno! Kaloi gishtat mbi fotografi. Një zë i brendshëm filloi t’i dalë që nga thellësia e qenies.

“Më ndihmo të të sjell përsëri në botën e të gjallëve! Më trego për ato ditë kur nëna të zgjonte në mëngjes e të jepte për të pirë. Më trego, kur të lante e të fërkonte me ujin e nxehtë, trupin, gjymtyrët. Ti duhet të më ndihmosh. Plaka e shkretë të kërkon të gjallë në portret.” Piktori kruajti sërish gurmazin e tharë. Mollëzat e gishtit kaluan përsëri mbi kapakët e syve të asaj kufome. Hodhi një vijë në letër. Një vijë tjetër. Edhe një tjetër. Përsëri buzët e rrudhura të plakës. Ditë të tjera pune për të fiksuar në telajo atë shikim të vdekur.

Piktori nuk mbajti mend se sa ditë kaluan kështu. I lodhur një ditë po flinte mbi letra. Po bënte një gjumë të ëmbël. Pa fotografinë të lëvizte nga vendi dhe të ngrihej në këmbë. Figurina kishte marrë përmasat e zakonshme njerëzore dhe po ecte drejt tij. Ia nguli vështrimin e tij të tronditur drejt e në sytë e përgjakur nga kureshtja. Djaloshi iu duk sikur i tha se i kërkonte falje që e kishte munduar aq shumë. Hapi sytë. Kishte qenë ëndërr. Hodhi një vijë mbi letër. Edhe një tjetër. Iu duk se kishte arritur të bënte diçka. Plaka erdhi të nesërmen. I nguli sytë mbi portret dhe qau.

“Ja, ky është im bir!” Përqafoi fort piktorin dhe puthi portretin në buzë. Hapi çantën dhe nxori paratë. Atë çantë e merrte gjithnjë me vete, sa herë që i ndizej shpresa se më në fund do të shihte atë dritë të humbur sysh.

Piktori i shtyu dorën lehtazi në shenjë kundërshtimi. Kujtoi fjalët e babait dhe mbështeti kurrizin e lodhur pas karriges së drunjtë. Këtë herë ishte vërtet diçka madhështore të punoje me të vdekurit.

Tagged under Perparim Kapllani