Komunitet

I dënuar me liri – Tregim nga Faruk Myrtaj

Kishte ndodhur përmbysja e radhës por ne, dëshmitarë të përmbysjeve të mëhershme, rrinim përsëri bashkë.

Një pedagog autoritar i ideologjisë së qeverisë së sapo-rrëzuar, kryeredaktori i gazetës së pakicës që sapo kishte fituar shumicën, shkrimtari që duke qeshur thoshte se kurrë s’kishte lidhur ndonjë kontratë me popullin që të ishte edhe njeri i mirë, uleshim aty, tek majëkodra prej ku dukej si në pëllëmbë të dorës Sheshi i Lirisë, me Monumentin e Heroit Kombëtar në mes, dhe përpiqeshim të bënim sa më shumë gallatë me atë që thuhej se ndodhte.

Në të vërtetë, edhe kushdo tjetër që ishte i ngeshëm, mund të vinte të ulej me ne, të pinte një birrë falas nga më i Kamuri i Kryeqytetit, që ishte i sigurtë se ai do të mbetej më i pasuri, edhe më tej, pra kushdo aty mund të gëzohej për çfarë kishte ndodhur. I vetmi kusht, vendosur nga pronari i lokalit aty, ishte të mos ndërprisnim tjetrin që fliste dhe të mos ngrinim zërin…

Atë pasdite ishte njoftuar një tjetër Miting i Madh i Opozitës së Gjerë. Asnjeri nga ne s’kishte ndërmend të shkonte.

Atje tej, në rrugë, siç e prisja, u duk të nxitonte ai. Ishte Qaniu. Qani Delvina, ish-i burgosuri politik që unë e doja shumë.

Unë e dija, por edhe të tjerët në atë tavolinë verore aty në anërrugë, e kishin dëgjuar nga unë që Qaniu më në fund ishte njeri i lirë. As që ia vlente për të të përmendnim se për 22 vjet me radhë ai kishte qenë në burg. Madje, asnjë keqardhje nuk pranonte Qaniu që, pas atyre 22 vjetëve burg, pikërisht ai, në pushtetin që erdhi më pas, ai të punonte në përgatitje betoni.

“Për ku me kaq ngut, Qani?”

“Për ku tjetër?! Atje e mbaj frymën unë!”

“Hajde merre një lëng të ftohtë, më parë…të lutem!”

“Të më falni, por s’dua të vonohem…Po të jeni aty, kur të kthehem, vij edhe unë…”

Nuk na e merrte për të keq, që ai shkonte atje dhe ne nuk bashkoheshim me të.

“Nuk ka nevojë të ta kujtoj përsëri se…?!”- bëra ta ngacmoja unë.

“Jo jo…! E di unë ç’do më thuash. Por të gjithë ju aty duhet të ma kujtoni se edhe për 14 vjet, dy muaj e trembëdhjetë ditë të tjera nga sot, unë do isha akoma në burg. Nisën këto mitingje, që dola para kohe unë…”

Qaniu e dinte se në këto mitingje e merrnin fjalën njerëz, asnjeri prej të cilëve nuk kishte qenë në burg me të. Në 22 vitet e burgjeve të tij, ata s’dinin fare që në këtë vend kishte burgje, dilnin edhe në Evropë, por Qaniu s’e kishte problem lirinë e tyre dikur. As donte të dëgjonte këto gjëra. S’kishin të bënin me të. E rëndësishme ishte që ai vetë, tashmë, ishte i lirë.

“Vërtet punoj në përgatitje betoni, por pasi mbaroj punë kthehem në shtëpinë time, jo në birucë…!”

“Po ata …”

“Ç’punë kam unë me ata. Ata janë në tribunë, për qejfin e tyre, ata. Unë jam atje poshtë, në sheshin e madh…Vetëm atje, në mes asaj turme që gjëmon e buçet, jam edhe unë. Shaj sa dua e kë s’dua, e ngre zërin në kupë të qiellit, më mrekullon idea se nuk më përgjon kush dhe që s’do t’ja dijë njeri për mua…dhe ajo që thamë: unë mund të isha ende në burg, vëlla…!”

Qani Delvina na përshëndeti me valavitjen në aëjr të dorës tërë flluka kallosh të hershme dhe bëri për nga Sheshi i Lirisë.

Nxitonte. Në tribunë ia kishin filluar fjalimeve, dhe turma atje poshtë ngazëllente.

Tagged under Faruk Myrtaj