Zona e krijuesve

Cikël poetik me motive emigranti - Nga Zeqir Cama

Zeqir Cama ka lindur në vitin 1949 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Ka kryer arsimin e lartë ushtarak dhe më pas Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Ai bën pjesë në grupin e krijuesve letrarë që për vite të tëra kontribuan në atdhe si ushtarakë profesionistë. Ish-pjestari i Forcave Ajrore Zeqo Cama lëvron kryesisht poezinë dhe prozën e shkurtër. Librin e parë me poezi me titull “Shtigje të gurta” e ka botuar më 1972, ndërsa përmbledhja e fundit e krijimeve të tij letrare titullohet “Ftesë nga Fushëbardha”. Prej 10 vjetësh ai jeton në Toronto.

                             

E sotmja

E sotmja, si dje, iku bosh,

e nesërmja, zor t’ma mbush syrin,

nëpër xhepa s’më mbetet një grosh,

sikur erdha të ngrohem me hirin.

 

Më ndoqi pas fati me gurë

ç’m’u desh kjo lojë, ç’m’u desh,

andej-lumë e deti me shkumë,

këtej-lumë e deti në brez!

 

As paga e lakmuar s’më josh,

me vjen nga pas “bisht i dardhës”

sa marr me një dorë çekun plot

me tjetrën laj bill-et e radhës.

 

Mendja më del nga foleja

sa gjen diku “një penxhere”,

tymosur më kthehet ngahera,

të ziej si çorbë në tenxhere.

 

Mbi tëmtha çak e çuk e çokas

siç i bie sopatës mbi dru.

-mblidh vidhat - e kanos me inat-

mendja jote më pruri këtu!

 

Katarakti i Niagarës

Këtu duket parajsa dhe ferri,

mrekullia e ujit në botë,

valët plot ngjyra ylberi,

si vargje qershie mbi tortë.

 

Ujërat si thërmija shkërmoqen,

nga rënia llahtarë me furi,

mjegullat mbështjellin shoshoqen,

si çarçafë të nderë mbi avlli.

 

Gjithçka më duket si në gara,

si në gara pa humbje dhe fitore,

shtëllungat e ujit të bardha,

rrëshqasin si orteqe dëbore.

 

Nuk ngopem së pari me sy,

mes turistësh këtu, në një breg,

se s’mundem t’i prekë bukurinë

lules, që më thotë, mos më prek.

 

Më tej, asnjë hap s’duhet bërë

se e shoh rrokullinë në humnerë,

por Zoti atje i ka zënë

vëndet rezervë për të tjerë.

 

Vetëm kur të bindet një ditë,

njerëzimin ta pakësojë kështu:

Le t’i hedhë mëkatarët e ligj

këtu, në Niagara, këtu!

 

Në kërkim të një pune

Nuk isha në ëndërr,

po në kërkim të punës

si gjurmuesit e arit duke lutur të ardhmen e groposur.

 

Çfarë di të bësh- më tha bosi i radhës.

Di të shtrosh pllaka?

Di të ndërrosh çatinë?

Dhe më vuri përpara një arkëz me vegla

pa pretenduar t’i ribëja shtëpinë.

 

Ngrita supet si gjynahqar, pa i dhënë përgjigje,

dilja trap e shkuar trapit po t’i bëja pak hile.

 

Më zgjati çekiçin t’i jepja formë gurit,

më dha plumçen e ustait të drejtoja murin,

t’u vërja brekëve llastik, në vënd të ushkurit,

të matja nivelimin e truallit me sy,

më dha një palë shkallë të hipja në çati,

bashkoi dy dërrasa, të ngulja një goxhdë,

gati të më thoshte: “Të dhjefsha në shkollë.”

 

Me grusht i rashë kokës, i kërkova hesap

kur duhet të merrja, nuk mora zanat.

 

Më pas më dha kosën që t’i kositja barin,

për qime shpëtova pa provuar të marrin,

dhe prap më tha: " Zgjidh."

Po s’e vura më gishtin,

demi kapej nga brirët,

unë e shkundja nga bishti.

 

Në bibliotekën e Torontos

Kadaresë

S’e di ç’më shtyu të hyj brënda,

sikur një zë më tha në vesh,

do t’gjesh atë, që ta ka ënda,

te raftet, me kapak të qelqtë.

 

Dhe për çudi më ndihu fati,

se vate gjuha ku më dhemb,

midis shenjtorëve të artit,

një gur i çmuar, në kalldrëm.

 

“Kronikë në gur” çokiti xhamin,

t’i bënte test anglishtes sime,

paçka se isha top i bindur,

që s’bëja bukë dot me thërrime.

 

Të shkretës dorë mezi i pritej,

t’i kthente fletët frap me ngut,

siç kthejnë pllakat e çative,

n’qytetin tënd jugor, të gurtë.

 

Po fati ndryshe qënkish thënë,

si unë dikush, kish bërë porosi,

të vetmen kopje patën lënë

ta merrte një nga të dy.

“It’s for you” - u rrëzëlleva-

jam andej nga është shkrimtari,

në ritin tonë për gaz e morte,

nderohet miku më së pari.

 

Vjeshtë në Toronto

Erdhi vjeshta me duar furrosur,

dhe gjethet e para i shkundi,

si pjata plastike, lyrosur,

në çaste pikniku, nga fundi.

 

Shëtitoreve floknaja e pemëve,

bën drudha e drudha, pa krehur,

kazanët e zbrazur të plehrave,

si çarqet e gjahut, rrinë ngrehur.

 

Kam mall të shikoj ca orë diell,

dhe qiellin plot dritë, si qelqi,

pa togjet e reve ngjyrë miell,

qëruar, siç mbahet qyteti.

 

Nëper Moll-et më ftojnë te dera,

reklamat e veshjeve nazike,

unë bëj indiferentin ngahera,

me xhinset e buta praktike.

 

Mirëqenia aspak s’ka lëvizur,

veç stina ka ndërruar në bojë,

po streset dhe hallet bitisur,

kane mbetur sic ishin, njesoj.

 

Take it easy

Take yt easy, take yt easy,

kakarit në gjuhën tënde,

me plot zërin, sipas ritmit,

me refrenin e një kënge.

 

Në një pakt prej disa vitesh

nuk ramë keq midis të dyve,

veç nga puna, jo nga ritet

as për bukurin’ e syve.

 

Unë ankoj diçka për rrogën,

më ke lënë diku në bisht,

“take yt easy” ma qep gojën

si dervish, që vjen më ysht.

 

S’arrij dot të ta njoh kodin

dhe këtë sjellje excellent,

bën sikur jep ca për robin,

nga një cent dhe nga një cent.

 

I don’t care

Shefi im i urtë, bardhushi kanadez,

s’kam qënë ky burri që dukem tani,

ulur te ky “bar’ me nga një kafe ekspres,

paguar secili për veten e tij.

 

Më flet’ i kënaqur për trip-et në botë,

me anglishten e bukur si vetë vendi yt,

po për mua çdo trip s’do të ishte i plotë,

në s’vete vendin tim ta shohësh një ditë.

 

Të shohësh burime me ujë të kristaltë,

dhe fusha e male me një diell të rrallë,

me njerëz mikpritës në një gjuhë të veçantë

që të blejnë ndër sy, pa u thënë asnjë fjalë.

 

Me ty, unë e di, s’mund të jem i barabartë,

njerëzori shteti yt të mban ende për dore,

ndërsa mua më duhet të djersitem çdo natë,

të paguaj bill-et e shtrenjta mujore.

 

Ca më tej as hapin nuk e kam sa i yti,

por s’jam ziliqar dhe s’kam ndonjë mllef,

këtë fat pata, nuk shkruhet së dyti,

“I don’t care” që s’bëhem dot shef.

 

Dëbora e parë

Ra bora e parë e këtij viti…

Rëndon trafiku që heq udha,

ca ishuj blu si sy evgjiti

yllësojnë qiellin plot rrudha.

 

Kërleshen erërat leshlëshuar,

në rrugë e parqe me stuhira,

si një përleshje këmb e duar

ndër sherre grash për xhelozira.

 

Nuk di kush del fitues e para,

kush mbeti humbës s’e kuptoj

në tërë Toronton me të qara

përplasen rrymat krejt njëlloj.

 

Qytet’i madh i pa ca “gjëma”

plus rrugëtrafikun e avashtë

e mbylli sot, beharin, brënda

dhe la ca muaj, dimrin, jashtë.

Tagged under Zeqo Cama Zeqir Cama