Zona e krijuesve

Lypsari - Nga Kristaq Turtulli

Në stol dërrase,

Anës lulishtes dhe rrugës së madhe,

Jetonte një njeri.

S’ kish emër, e thërrisnin lypsari.

Çdo mëngjes lahej me bulës vese,

Që lëvizte kah drite.

Era lëkundte degët e shelgjeve.

Krihej me krehrin e rezeve mëngjesore,

Kravatën e ylberit nyje e lidhte.

Stinët ishin mure, ndërsa qielli çati.

Dimri i dërgonte dëborë erë dhe shi.

Mbi qerpikët e ngrirë i qëndron loti.

Pranvera naive s’dëgjonte,

Si lëmoshë një pëllëmbë fllad i hidhte,

Dhe një grusht petale.

Vera me zemërgjerësi e mbështillte e çlodhte.

Me kuvertën e yjeve,

Vjeshta finoke e mbulonte me fletë të arta.

Së bashku pëshpëritnin gjera të harruara,

Në atë stol dërrase me tre ristela.

Në atë stol,

Anës lulishtes dhe rrugës së madhe,

Jetonte një njeri.

Dikush me pendesë një trëndafil vendosi,

A ndoshta e flaku rastësisht aty.

Eh, aty,

Në atë stol të thjeshtë prej dërrase,

Midis lulishtes dhe rrugës së madhe....