Zona e krijuesve

Vetmia - Nga Vangjush Ziko

Vetmia s'qenka vetëm heshtje,

Vetmia s'qenka zbrazësirë,

Por një tufan ku ti përleshesh

Me veten tënde dhe hapësirën.

Ku vetëtimat e kujtimeve

Sytë e shpirtit t'i verbojnë,

Ku bubullimat e rënkimeve

E bëjnë zemrën të sëmbojë.

Ku ti dhe çmendesh dhe urtohesh,

Ku ti humbet e kthehesh prapë,

Ku ti përmendesh dhe hutohesh,

Ku ti dhe vdes dhe je i gjallë.