Komunitet

Vjersha dhe vargu - Fabul nga Vangjush Saro

Vargu i një vjershe shumë të bukur

(ai i fundit, i hutuar paksa)

kërkoi lejë të fliste në kompjuter,

atje ku tërë gjindja sytë i ka.

“Çfarë mund të ndodhë me mua vallë

në shfryn Kritika a ndonjë tjetër stuhi;

fundja, mikja ime, jemi fjalë,

që bota sot i ka me tepri...”

“Shoku, - i tha Vjershëza e brishtë -

po s’e dite, mësoje këtë çast:

çdo dru e ligustër dhemb në lulishte

dhe çdo yll e ka një vend atje lart,

në qiellin e madh e të stolisur.

Kështu pra, janë punët, shumë a pak;

nuk kam asgjë për të braktisur...”