Zona e krijuesve

Babai fshihet dalëngadalë - Tregim nga Faruk Myrtaj

Atë pasdite babai më pyeti nëse doja të shkoja me të në pyll. Nuk ishim mësuar të na pyeste, E natyrshme do të ishte të më thoshte: Nisemi, tani.

As që shkohej nëpërmend t’i thosha ‘E lemë për ndonjë ditë tjetër, ba’, ose ‘Do ish mirë të më kishe njoftuar më parë, se kam tjetër plan për sonte’. Kësisoj ndodh të më drejtohen mua, fëmijët e mi. Por jo unë tim eti, dikur...

Megjithatë, ka qenë një kohë kur babai s’ishte kaq i prerë sa ç’e mbajmë mend më pas. Kujtesa i referohet edhe një fotografie: babai i hollë, i gjatë, me kostum dopjopetë, me jakë të gjerë, mamaja fytyrërrumbullaktë e flokë të gjatë thurur kostër, deri në bel, me të tre fëmijët e parë të tyre. Atëherë babai ishte mësues. Shkonte edhe në mbrëmje vallzimi, përdorte edhe biçikletën, luante bilardo të shtunave dhe e tërë familja dilte buzë detit dhe ulej për ndonjë drekë në ndonjë restaurant në qytet. Po, qeshte më shumë atëherë, këtë e thoshte nëna, që jetoi gjatë më pas.

Babai mbahej aq mirë sa kam frikë se edhe prej paraqitjes së veçantë nisën ta vështronin vëngër zyrat, do kujtohej më pas një zonjë nga qyteza ku ai shërbeu si mësues i parë. Mbahej ku e ku më mirë se në vjetët më pas, kur e larguan nga mësuesia.

Asaj pragmbrëmje, i dëgjoi edhe nëna fjalët e babait. Mbase u befasua edhe ajo, që ai po më ftonte mua, ende fëmijë, të dilja me të në pyll. Por nxitoi të më sillte një rrobë më të trashë, të cilën e vesha në ecje e sipër duke nxituar të arrija babanë...

Pylli shtrihej përtej bllokut të shtëpive në fund të qytetit.

Shelgje, rrepe, shkurre të egra dhe driza të buta. Tani s’ka më, as baba, as pyll, as driza të buta, asnjë dru për bè. Së fundi, edhe nëna ime shkoi, te babai...Por tërë vitet më vonë do ta kujtoja atë mesditë vere në breg-lumë me babanë.

Ndaluam në brezin me rërë anash ujit. Unë hoqa këmishën, kanatieren dhe mbeta me një palë pantallona të shkurtra, që kryenin kështu edhe rolin e rrobave për plazh. Edhe babai u ul në rërë. Nuk prisja që të rrinte në diell me mua, por kryet i ktheva nga ana tjetër. Babai hoqi këmishën, por e mbajti veshur fanellën e leshtë që përdorte si kanatiere. I bënte mirë për reumatizmën. S’dija ç’ishte reumtaizma asokohe, por ajo që vura re për herë të parë atë moment, më mbeti në sy për gjithnjë.

Ende e mbaj mend sot e kësaj dite: shpina e tij, e epur, e dobët.

Më mirë e mbajnë mend vëllezërit e mëdhenj, si gjithë të tjerët, edhe babai ynë ka qenë i ri dhe i pashëm. Pasi e larguan nga çdo lloj nëpunësie zyre, punoi në fushë, në bujqësi.

Nëna thoshte se pas kësaj u bë më i heshtur, dilte rrallë e më rrallë deri në qendër të qytetit. Jo thjesht ngaqë edhe bilardon aty e kishin mbyllur, si lojë borgjeze, por se kthehej vonë nga fusha dhe i duhej të shlodhej më gjatë.

Rrobat filloi t’i kishte sa më të thjeshta, tregonte nëna kur ai s’ishte më. Veshje të përshtatshme për punët që duhej të kryente, dhe gjithnjë të pastra, por sikur i druhej, i largohej, shkëlqimit dhe dukjes dikur. Ishte krenar për gjërat që ishin mundësi e tij, por për shkakun tonë sikur përpiqej t’i siguronte ata që e lodhën tërë jetën, të mos druheshin prej tij...

Nuk them dot në vërtetë atë ditë në lumë e pashë për herë të parë shpinë-zhveshur, por është e sigurt se i dobët dhe paksa i krrysur, mu duk veç atë ditë. Për herë të parë, dhe pashlyeshëm në kujtesë, më mbeti prej asaj dite, prej atij momenti. Por vetëm tani, që edhe vetë e kam kaluar mesin e të pesëdhjetave, pra moshën që babai ka pasur pikërisht atë kohë, arrij t’i jap këtë kuptim asaj të shkuare pa kthim e ndjese bashkë, asaj kërrusjeje të trishtë të supeve të tij.

Nuk më kujtohet, pas asaj lloj pamjeje, të kem menduar se babai s’qe aq i fortë sa e mendonim. Së paku deri atë ditë, së paku unë deri atë ditë, besoja tek Zoti që babai sigurisht ai do t’i zgjidhte tërë hallet e nevojat që kishte shtëpia. Edhe ato që mund tu shfaqeshin befas në ditët e jetën më pas, tërë pengesat, që vinin thjesht se dihej që do t’i përballte e kapërcente ai, babai. E kishim bindje absolute, të gjithë besonim kështu, si unë gjer atë ditë kur e pashë shpinëlodhur.

Babai s’pati ngè të rrinte gjatë aty, për plazh, ndonse dihej se rëra, si fanella e leshtë, i bënte mirë kundër reumatizmës. Në pak minuta iu mbush lëkura me bulza të mëdha djerse, të cilat i ktheu në avull duke i prekur me pëllëmbët e ftohura në ujin e burimeve anës lumit. Veshi këmishën, zuri vend në hijen e një shelgu dhe ndezi cigaren.

Do thërmohesha i tëri, nëse ai që e pa babanë ashtu, do isha unë i sotmi, them sot e kësaj dite me zë të njomur. Por s’isha. Nuk isha dot. Si riosh, isha ftuar anës së atij lumi të kuptoja se mosha bën të vetën, edhe te babai im. Tani kam dëshirë të them se pasi vura re supet e rëna dhe krrusjen e pafshehshme të shpinës së tij, së paku prej atëherë duhet të bëhesha sy e vesh për ta kuptuar dhe pranuar thjesht qenien njerëzore te ai. Nuk ndodhi kështu.

Bisedat me të, them tani, mbetën aq të rralla, gjersa nuk e mbushin dot mungesën e madhe që ndjej sot. S’kujtoj dot çfarë kam veçuar asokohe, por tani, kur babai s’është më, më vjenkeq. Për shëndetin e tij....

E tëra kjo tingëllon absurde, por në këto lloj ndjesish pikërisht absurdja është realitet i pastër.

Babai lodhej, shumë, lodheshin të dy, edhe nëna. Tani, pas kaq vjetësh, them se më shumë lodhin gjërat që hidhen në rrugen e jetës prej të tjerëve: fjalët, fjalët, fjalët...

Dalja me babanë në pyll, kish ndodhur shumë më herët, vite më përpara se t’i vështroja shpinën e epur. Do doja të kishte qenë më e hershme koha kur të dija ç’ishte babai, ç’i bënte njeriu njeriut në një shoqëri me shpirt të frikur e të fikur, të merrja vesh sa e zorshme të ishe individ në një infeksion total kolektiv. Por edhe që të dija thjesht e thjesht, ç’i punonte jeta trupit të njeriut, qoftë ky edhe babai im.

As misteret e natës e të pyllit s’i dija. Më pak e mundur akoma të arrija në përfundimin se njeriu mund të mos trembej kurrë, siç besonte se ndodhte me babanë e tij përballë jetës, apo që të trembet kot fare, siç ndodhi atë mbrëmje, në pyllin me ferra, shkurre e drurë, një pjese të cilëve u dija edhe emrat, disa i mbaja mend ende, më gëzojnë teksa i përsëris: marina, gjeshtra, konopica, driza, shtogu, këlkaza, lëpjeta, manaferra... Disa i kujtoj edhe sot, kur ua kam dorëzuar veten trotuarëve të gjerë të qyteteve të mëdha, rrugëve e parqeve me bar artificial, dekorimeve iluzive të pallateve që zgjaten pa pushim, si rrepet e vendlindjes që kërkonin dritë, por që edhe ata s’janë më...

Rrëfimi në vetë të parë shkon përtej meje. Siç heshtja që ma mban hera-herës frymën, del përtej gjërave që merren me mend. Nuk rri dot pa e kthyer kokën në kohën dikur, në kohën me baba. Edhe vetë s’e kuptoj përse. Ç’është vallë kjo etje të rrëfej për prindërit?!

Fëmijët e mi mbase thërrasin në ndihmë mirësjelljen që më ndjekin deri në fund, pa zë, buzëqeshur. Nuk u kërkoj të më binden. Për ta kuptuar, pothuaj e di, është e panevojshme, në mos e pamundur. Por vazhdoj t’u tregoj për babanë.

“Gjej kokrrat më të mira të manaferrave, sa të kontrolloj leqet, dhe erdha unë, ” më tha babai im atë mbrëmje. Ashtu nisa të bëj, sapo ai humbi sysh.

E dija ç’ishin leqet. Tela të hollë, përqarkur, bërë rreth në njerin skaj, teksa skaji tjetër lidhej në fundin e fortë të ndonjë shkurreje, në shtegun ku kish gjasë të kalonin lepujt. Rrallë, por në këtë lak binte edhe ndonjë dhelpër. Ishte gallatë e madhe për ne fëmijët, kur e gjenim lepurin teksa përpiqej t’i ikte lakut.

E dija se babai s’do vinte aq shpejt, ndaj kërkova manaferrat më të pjekura, të pa-prekurat prej bletëve e arrzave. Në një moment këputa dy-tri filiza ferre shije athët, kërcitja e kallamit të tyre në gojë ishte kënaqësi tjetër por iu ktheva manaferrave.

S’kujtoj dot, në shkova ndërmend të hiqja mënjanë ca manaferre për babanë, kur të kthehej, apo për nënën që ishte në shtëpi. Po të isha atëherë ky që jam sot, më të mirat prej manaferrave do t’i kisha ruajtur për ta. Por, s’e them dot sot, në mendova gjë të tillë a jo. Tashmë që e mendoj, babai s’është më. As nëna. Asnjeri...”

Atë që iku s’e kthejmë dot më, por s’qenka e lehtë t’ua rrëfej fëmijëve, nuk arrij t’ua bëj të gjallë atë që ndodhi, atë që s’u tha në gjalljen e tyre. Jo thjesht se fëmijët kanë pothuaj atë moshë kur unë vura re shpinën e rrëzuar të babait tim, gjyshit të tyre, jo.

Për shkak të punës dhe interesimeve të shumta që fëmijët kanë, shihemi jo sa do donim, mbase më rrallë se unë me babanë tim, dikur. Në rrekje për të kuptuar atë që s’ndodhi atëherë, provoj të justifikoj fëmijën tim. Por, nuk mundem... S'di si t’ja them fëmijës sim se kam mall për të?!

Prindi përpiqet të mos e shfaqë mungesën, rrallësinë e orëve me fëmijët. Nëse ma kujton ime shoqe numrin e javëve pa u parë me fëmijët, bëhet detyra ime t’i vogëloj ato. Asnjeri s'e ndryshon dot numrin e javëve, por duket e lehtë të thërras në kujtesë një ditë dikur, një herë kur babai, babai im, pra jo unë, unë, babai i fëmijëve të mi, erdhi tek dritarja e dhomës ku unë lexoja. “A vjen të më ndihmosh t’i ngjisim ca tjegulla lart, në çati?”

Më kujtohet si sot dhe, të jem i vërtetë, aq dëshirë s’kisha të ndërprisja leximin e atij romani. Por babait s’i thosha dot jo. Shkova pas tij, prita sa u ngjit në çatinë e kuzhinës, mora dy tjegulla dhe ia ofrova prej poshtë strehës. Vazhduam kështu, një copë herë, folëm për diçka.

Sikur ta ndjente ku e kisha mendjen, babai më pyeti për librin që po lexoja. Duke vendosur tjegullat. E pashë që iu qesh kur, fill pasi më pyeti për librin, unë besoja sinqerisht se i bëra të ditur se kishte edhe një mënyrë tjetër, më të shpejtë, për ngjitjen e tjegullave. I thashë se mund t’ja vendosja të tëra tjegullat në anë të çatisë, ku ai mund t’i merrte fare lehtë tjegullat. Kështu, unë s’kisha pse rrija...kot së koti...aty, pra, mund të shkoja të vazhdoja...leximin. Kisha edhe tërë ato detyra shtëpie, në të vërtetë. Nuk më tha jo, por as rrëfeu ndonjë kënaqësi apo krenari për idenë e shkëlqyer që zbuloi mendja ime e ndritur.

Tani po, tani arrij të shoh atë që s’pashë dikur: nënqeshjen e lehtë të babait dhe një hije trishtake që mund ta ketë mjegulluar vështrimin e tij. Vetëm tani, që na merr malli e meraku kur fëmijët tanë vonohen të na shohin dhe mesazhet e emailet e tyre s’na sjellin dot çfarë janë për ne, kuptoj çfarë donte im at prej meje: nuk ishin tjegullat. Kollaj fare, ai mund t’i vendoste edhe vetë në cep të strehës, para se të ngjitej në çati, dhe prej atje t’i merrte, njëlloj si të isha unë aty poshtë.

Jo, ishte dëshira që, kush e di përse, prindi nuk ia thotë dot lehtë e shkoqur fëmijës, ta ketë afër qoftë pak minuta më shumë...

Nuk e fsheh dot ngutin t’i kthehem sërish buzëmbrëmjes me babanë në pyll. Më kujtohet që drita u zbehë shpejt, rrezet u venitën aq befas, si hap e mbyll sytë. Mezi arrija t’i shquaja manaferrat e mira nga më pak të mirat. Mbase futa në gojë ndonjë nga kokrrat e prishura prej diellit mesdhetar apo prej të thithurave nga ndonjë insekt, që bëri ta pështyja menjëherë. Mbase kjo u bë shkak të vija re, i befasuar, se pothuaj ishte ngrysur. Mu bë sikur isha vetëm, besova menjëherë se isha vetëm, në mes të pyllit.

Babai nuk po dukej, s’dëgjohej asnjë lëvizje. S’më grishte fare kureshtja nëse ai mund të kishte zënë ndonjë lepur a dhelpër; edhe sikur ndonjë ujk apo ari të kishte rënë në lak s’më hynte në sy...Edhe sikur diversant të kishte zënë që, pasi ta dorëzonte në zyrat e vigjilencës, të pushonin fjalë-dyshimet për ne, ato që kishin larguar babanë nga mësuesia dhe zyrat, fjalët që kishin lodhur e vazhdonin t’i lodhnin nënën e babanë tonë, ato fjalë që e krrusën më në fund shpinën e tij...

Hodha dy tri hapa për nga pylli, por shkurret e ferrat e drurët mu shfaqën si shpella me egërsira të frikshme, nën errësirën që trashej me nxitim. Ai më kish thënë “Sa të hash ca manaferra ti, erdha unë...”, por asnjë shenjë se po vinte. Unë s’mund të haja pafund manaferra, ai duhet ta mendonte: s’kish si t’i gjeja e as t’i zgjidhja manaferrat e mira edhe në errësirë...!

Edhe tani që kam kaluar të pesëdhjetë e pestat, më vjen për të qeshur. E tërë kjo histori sigurisht s’ka zgjatur më shumë se pak minuta, por m’u bë sikur kishte kaluar koha e një rrotullimi të plotë të diellit rreth pyllit. Frika u rrit bashkë me terrin, aq sa sikur ndonjë lepur të vinte vullnetarisht tek unë, që t’ja hidhja unë lakun në qafë, me statusin e të penduarit për trembjen time, edhe veshgjati i gjorë do ma bënte gjakun ujë. Më dukej e pabesueshme, e çuditshme, që babai të kishte harruar që e prisja aty...por rrezikim të babait s’mendova, për asnjë çast, atë mbrëmje. Ngaqë ende s’ja kisha parë epjen e shpatullave, që do ndodhte vite më pas, kur shkuam në lumë...

Nëse e njëjta do ndodhte tani, sigurisht do ishte tjetër histori. Unë do hyja në pyll, do kërkoja baban, baban tim, do vrapoja mes shkurreve e drurëve, duke thirrur emrin e tij, duke shkelur e shkundur çdo gjë, gjer sa ta gjeja, me se s’bën. Do të bëja gjithçka, terrin e pyllit ditë do ta bëja për të marrë vesh ç’ka ish bërë shkak të vonohej, do t’i sheshoja tërë pengesat, pa asnjë mëdyshje, me çdo çmim...edhe me jetën time, nëse duhej. Se, kur të kthehesha në shtëpi, si do mund t’ja rrëfeja nënës...?

Tani që mendoj tërë këto, nuk e kam babanë. E di ku është dhe, prapë, nuk bëj asgjë që ta kem siç e kam pasur dikur. Për vite të tëra ai ngrihet prej asaj Kodre me Dhè të Bardhë në Vendlindje dhe më gjendet kudo ku jam. Në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë madje, marr vesh që është ndodhur edhe te tërë vëllezërit e motrat e mia. Na shfaqet një lloj si dikur, serioz, i thatë, i thantë. Me Rrobat për Andej që nëna i kishte bërë gati me kohë dhe i ruajti deri kur ju deshën të niseshin.

Prej ditës kur nëna jonë shkoi për te Ai, babai nuk shfaqet më. Si duket, e ka radhën ajo të na gjendet kudo ku jemi, sa herë që na duhet prania e tyre, qoftë edhe e heshtur. Kështu do kenë rënë dakord, pasi u bënë sërish bashkë.

Ose, e tëra është thjesht punë malli. Jeta s’është ajo që arrijmë të shohim. Mbase më shumë, ajo që s’mundim ta vërejmë në kohë. Më pas kuptojmë që thelbi është përtej kufirit të qenies si prani fizike. Besojmë gjithnjë e më shumë se atë të shkuar bashkë me ta, tashmë e dimë edhe më në detaje se ç’e kemi ditur dikur, kur i kishim në sy...

S'di në do arrij ndonjë ditë t’ua rrëfej fëmijëve të mi momentin kur babai u shfaq sërish asaj nate në pyll. Pikërisht kur isha gati ta thirrja me zë të lartë, në emër. Sigurisht që aty kish qenë, tri hapa më tej, pas manaferrave, duke pritur të shqiptoja në atë mënyrë fshehjen e mungesën e tij.

Duke buzëqeshur me mua është edhe tani, duke më dëgjuar, teksa provoj t’ua rrëfej fëmijëve të mi pa asnjë qëllim tjetër ndaj tyre. Sa do lutesha, do mrekullohesha, sikur qoftë për pak momente, të shembëlleja për ta si babai ka mbetur tek unë...

Në momentin tjetër, shtoj, është më e udhës, sado jo aq e kollajshme, t’i shoh fëmijët e mi me syrin që besoj se babai më ka vështruar mua...Një përsëritje e pashpjeguar kurrë deri në fund që sërish, e sërish...

Provoj të mos shkërmoqem në lotin që krijohet e gjëmon diku brenda meje...