Zona e krijuesve

GURËT- nga Marelba Fushekati

Në dorë kam një tas. Është plastik. Jam ulur tek dera e jashtme e shtëpisë ku janë vendosur dy gurë në të dy cepat. Janë gurë pak të mëdhenj, aq sa mund të ulesh rehat. Të paktën kështu më duket mua. Njëri është si i latuar, shkëlqen dhe vjen si në ngjyrë rozë. Tjetri duket si derdhje betoni dhe nuk është dhe aq i rehatshëm. Mua më pëlqen ky që është me shkëlqim. Rrotulloj në dorë tasin dhe filloj të ha. Është pasdite vere dhe vapa ka rënë. Rrugica ime është e gjatë. Shtëpia është aty diku në mes. Porta e shtëpisë është dy kanatëshe, e vjetër e me të çara midis. Kërcet kur hapet. Jam diku tek 9 vjeç. Duhet të jetë ditë e shtunë ose ndoshta e dielë sepse nuset e lagjes, sidomos ato të rejat ose të sapomartuarat, shfaqen të ecin me kujdes përgjatë rrugicës. Në çift. Kanë veshur çorape të holla. Ne kalamajtë bëjmë sehir. Seç kanë këto nuset e reja. Flokët i kanë të dredhura. Fustanet janë gjithmonë poshtë gjurit, në një gjatësi monotone për të gjitha. Ndonjërës i xixëllin një varëse në qafë me ca gurë prej qelqi. Mua më duket se kanë vapë. Ndonjëra ka ndonjë bulëz djerse mbi buzë. Çorapet e holla më kalojnë para syve. Duket që janë çorape nusesh. Të holla, me dritë. Rrugica është e shtruar me gurë të rrumbullakët dhe hapat e tyre janë të vogla. Hapa nusesh.

Përtypem ngadalë.

Kanë dalë edhe pleqtë. Të ulur nëpër gurë. Seicili në gur të vet. Bëjnë sehir. Plakat kanë edhe shtiza në dorë. Kalamajtë luajnë me zhurmë e potere. Filloj të endem nga guri në gur. Këto plakat zakonisht ose ndjekin kalamajtë që t’i ushqejnë, ose bëjnë ndonjë punëdore. Njëra nga ato mban një libër. Çik e pazakontë për një grua me një napë të bardhë në kokë. E shoh tek e nxjerr si me siklet poshtë përparëses dhe i thotë fqinjit: është i Molierit. Komedi. Lexoje.
Jam në kohën që kam filluar të lexoj revistat për kalamaj. Po kjo çne me libra!
Hyj në shtëpi e rrëfej ç’kam parë. Me sa duket kjo grua qenka ndryshe. I shoqi paska qenë i pasur dhe ndaj e kanë quajtur armik. Mua nuk më duket armike një që lexon komedi. Po këtë nuk e them. Nuk di pse, por po ta them, nuk do më lënë të dal të ha darkën jashtë, ulur te guri i derës.

Makina nuk para kalojnë. Ndonjë kamion bën zhurmë dhe dëgjohet që pa hyrë në rrugicë. Pastaj edhe karrocat me kuaj. Këto i kam qejf. Kanë një zhurmë të lezetshme. Kam dëgjuar tek gurët për një ish kryeministër të qeverisë së luftës me nazistët që punonte karrocier dikur. Edhe ai paska qenë i pasur. Kjo puna e pasurisë më ngatërrohet e nuk më marrin udhë mendimet. Edhe ka qenë i pasur, edhe ka punuar karrocier. Me sa duket edhe ai paska qenë armik.

Çdo stinë vere, tek gurët e derës, nuset e reja ia linin vendin njëra-tjetrës. Zhgënjim në fakt, për syrin e një fëmije tek shikoja që vitin pasues nuk kishte mbetur asgjë nga çorapet e xhamit dhe rozës së turpit mbi faqe. Nuset kalojnë ngarkuar me rrjeta në duar, rrinë në rradhët e gjata të ushqimeve, flokët i kanë të prera shkurt me një model të shëmtuar e rrallë i shikon të lyera. Janë edhe ato te gurët. Janë të reja, të lodhura. Kanë lindur fëmijë e janë prapë për të lindur. Ankohen se kanë vetëm dyzet ditë leje lindjeje. As këtë se kuptoj. Dyzet ditë janë, ehuuu, shumë.

***

Jam 14 vjeç dhe është pranverë. Prill. Lagjja është e shkretë. Te gurët nuk ka njeri. Dyert janë të mbylluara. Ia kam marrë vrapit. Rrugica është e shtruar tanimë me asfalt. Kur e shtruan, gurët u ruajtën brenda dyerve e u vendosën sërish jashtë. Prindërit e mi flasin me zë të ulët për vdekjen e udhëheqësit. Gratë kanë vendosur nëpër mbledhjet që kanë bërë në punë që të mos lyhen me buzë të kuqe për 40 ditë. Vendi është në zi kombëtare.
Kur flisnim një ditë me shoqet, të ulura tek gurët edhe ne, njëra plasi deklaratën që edhe pse njerëzit duhet të flinin me njëri-tjetrin që të bënin fëmijë, kjo punë nuk e përfshinte udhëheqësin tonë. Ai as nuk flinte me gruan dhe për më tepër nuk bënte kështu turpesh. Asaj ia kishte thënë mami dhe mami i saj i dinte të gjitha. Tani që vdiq, mua po më plas durimi të bëj pyetjen që më ka munduar ka kohë: si i ka bërë fëmijët udhëheqësi? Tërhiqem. Më mirë pyes time gjyshe. Vetëm se në vend të përgjigjes, marr një lukuni pyetjesh, me ca ndukje faqesh dhe me një batare fjalësh, ndër të cilat dëgjoj vazhdimisht, turp, turp të kesh.
Vonë shumë, tek shikoja një film mbi dy turistë amerikanë që vizitonin Korenë e Veriut, deklarata e një oficereje të ushtrisë koreane, tek konfirmonte me histerizëm që udhëheqësi i tyre Kim Jong-un nuk kish nevojë të shkonte në tualet pasi prapanicën nuk e kishte të pajisur me mekanizmin e bekuar që çliron humanët nga mbetjet, m'u kujtua shoqja ime dhe mosfjetja e udhëheqësit tonë me të shoqen. Qesha natyrisht, me një ndjenjë të madhe simpatie për oficeren e vockël.
………………….............
Pleqtë janë rralluar. Kanë nisur të ikin njëri pas tjetrit. Pasditeve kur kthehem nga shkolla, dëgjoj muzikë nga radiot e ndezura nëpër lagje. Është muzikë e huaj. Një ditë na nxorrën në aksion të gjëmojmë antenat e ngritura nëpër pallate e të raportojmë në shkollë. Sepse është gjë e ndaluar të ngresh antena e të shohësh kanalet e huaja. Më zë një siklet i madh. Babi im rri gjthë ditën mbi ca kuti të vogla llamarine e me një pistoletë që saldon plumbçe kallaji. I bën që të kapë sinjalin e stacioneve të huaja. I bën për vete e për komshinjtë. Ne kalamajtë e dimë të gjithë këtë punën e kanaçeve. Dalim e bërtasim me të madhe e flasim me zë të lartë në grup. Vetëm për antenat jo. Pastaj kujtohemi. E bëjmë me gisht aty këtu ku shquhen antenat. Që janë gjithandej.

Hipokritë të vegjël.
                                                                                            ***

Televizori bardhë e zi transmeton në lajme për një murgeshë që ka ardhur për vizitë. Në kokë ka një shall te bardhë e me ca shirita të hollë në ngjyrë më të errët. Është takuar me anëtarët e qeverisë. E quajnë Terezë. Askush nuk di për të. Brezi im nuk di të thotë me saktësi ç’do të thotë të jesh murgeshë. Veç që është dikush që nuk martohet e mbyllet në manastir. Ndoshta dinim mjaftueshëm. Ulur tek gurët, pleqtë fillojnë e pyesin njëri tjetrin a i kishin parë lajmet mbrëmë. Disa kanë varur buzët sepse në Shqipëri shumica janë muslimanë dhe ardhja e kësaj murgeshe përbënte mister. Dikush përmend me neveri klerin. Të tjerët miratojnë. Disa nuk flasin. Nuk flet as ime gjyshe që këta e quajnë kaure.

***

Ra busti. E hodhën!
Gurët janë plot. Pleq e të rinj. Flasin me këmbë e me duar. Të rinjtë janë si të elektrizuar. Pleqtë më shumë dëgjojnë. Disa nga ata bëjnë sikur nuk kuptojnë. Njerëzia ka marrë një liri të frikshme. Janë ndarë në dy kampe të dukshme. Fillojnë përmenden spiunët, nuk di pse i quajnë 7 lekësha. Disa nga këta spiunë që përmenden janë nga pleqtë që janë ulur gjithmonë tek gurët jashtë. Vras mendjen çfarë kanë spiunuar.

Tek gurët faleshin të gjithë.

Rrugica ka ndryshuar. Dyert e vjetra prej dërrase humbën. Vendin e tyre e zunë ca të reja, metalike, të zymta e të lyera përgjithësisht me bojë gri, të mëdha mjaftueshëm për makinat e reja që i’u zunë vendin shpejt biçikletave. Kaos. Në pazar disa nga ish-mësuesit e mi shesin banane. Fabrikat mbyllen përditë. Njerëzia është shumë shpejt e papunë. Ikje masive drejt Italisë. Jam e papërgatitur ta përpunoj këtë kohë. Kam dhënë provimin e marksizmit në mbyllje të shkollës së mesme e vjen nje vit më pas e i përmbys të gjitha. Ankth. Çfarë vjen më pas?


Çfarë erdhi më pas e jetuam. Rrugica e shtëpisë sime ishte e vogël për të mbajtur trafikun bestial të makinave kryeneçe që zhurmonin, e bashkë me të edhe peshën e asaj kohe të ngarkuar e kaotike. Gurët e shtëpive u zhdukën e bashkë me to edhe figurat e dashura të fëmijërisë. Mësuam vetë me një shpejtësi frenetike çfarë na duhej të mësonim. Ramë e u ngritëm, qamë dhe qeshëm, ikëm dhe erdhëm sërish. Jeta ndodh pavarësisht gjithçkaje. Brenda secilit është një fëmijë. Dhe gurët e shtëpisë.