Komunitet

Triptik poetik për tërmetin - Nga Vangjush Ziko

  • Published in Krijimtari

TËRMETI

Penduli i kohës u çorodit,

muret u hapën,

panë siluetën e ferrit

dhe u gremisën,

toka ofshau dhe u platit.

yjet mbyllën sytë,

qielli i nëntorit

me temjanicën e hënës

varrosi pallatet arkivole

me kapakë qelqethyer,

rënkojnë gërmadhat

për të zotët,

qyteti mauzole hesht

bashkë me ndërgjegjen

e plagosur njerëzore.

 

KJO SHTYLLË PALLATI

Purgator dhe ferr,

jetën me vdekjen

përzjeu ky tërmet,

kjo shtyllë pallati

(shyllë mëkati)

mbi shtatin cung të saj

shkruar me gjak

edhe emri im,

edhe emri yt,

binomi politikanë-shtet

tok me emrin e verbër

tërmet..

 

KJO HESHTJE PROFETE

Heshtin këto rrënoja,

këto plagë të dheut

dhe të shpirtit,

këto shtëpi

të zbrazura nga vdekja,

këto shtylla betoni

(vullnete të thyera

nga mospërfillja),

këto saksi ëndrrash

të shpërfillura,

kjo heshtje memece

(heshtje profete)

të shurdhëve u flet.

 

Dhjetor 2019