Kulturë

Artan Gjyzel Hasani-Elementë të realizmit magjik në letërsinë shqiptare

  • Published in Kulturë

Natyrshmëria e papërballueshme e të mbinatyrshmes në romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” të Thanas Medi

“Fjala e fundit e Sokrat Bubës” i autorit Thanas Medi është një roman që nuk lexohet, por shikohet si një film.

Davarit mjegulla të vjetra dhe krijon mjegulla të reja joshëse. Një sagë për jetën e vllehëve, ndoshta komuniteti më magjik i Ballkanit. Vllehët nga vetë natyra janë të mbuluar me një mistiçizëm, jo gjithnjë të deshifrueshëm, sa nga historia e kombit të tyre pa atdhe, po aq edhe nga geni i fortë i mbijetesës mes popujsh e vendesh që jo gjithnjë qenë mikpritës e dashamirës.

Ky roman është skanim i një të shëndetshmi dhe jo autopsia e një të vdekuri. Një roman të dashurisë së pamundur, e quan vetë autori.

Thanas Medi nuk merr përsipër të ndryshojë, zbukurojë apo të fshehë, por veç hedh dritë mbi realitete ekzistuese të panjohura ose të lëna në harresë. Metaforën elegante të përdorur në roman “Lumi rrëshqiste si peshk”, mund ta përdorja për lehtësinë me të cilën gjuha e thjeshtë e romanit të rrëmben e të bën pjesë të magjisë së tij.

Do të veçoja faqet kushtuar Katerinës që po rritej (kreu i katërt i romanit) të cilat dëshmojnë mjeshtrinë e autorit për të depërtuar në nivel qelizor në botën e brendshme të saj. Të duket sikur mes rreshtave ndjen frymëmarrjen e Katerinës.

Një galeri personazhesh secili i paharrueshëm në mënyrën e vet. Jeras Buba dhe i biri Sokrat, Riza Kërpi dhe i biri Dhimitraq, Katerina, Arhonda e Bubajve, Parashqevia e Kolebajve, Zoica e Kaçetajve, “presidenti” i vllehëve Lefter, Stefan Mushka, e te tjerë janë enët njerëzore ku autori zhvillon alkiminë e tij të fjalës.

I tërë romani përshkohet nga një humor, shpesh i zi, pothuajse i padukshëm, por tepër fin, që vjen herë si autoironi e herë si sarkazëm.

Një analizë të gjërë të romanit, subjektit dhe personazheve mund ta gjeni në artikujt studimore te Dr. Rrapo Zguri dhe të Josif Papagjonit, ndaj ne kete shkrim dua të shqyrtoj romanin nga një optikë tjetër.

“Fjala e fundit e Sokrat Bubës” duhet lexuar ngadalë dhe me qetësinë e domosdoshme për të kuptuar momentin kur folklori shndërrohet në mitologji dhe fjala në magji.

Kjo më ka ndodhur shumë vite më parë duke lexuar Gabriel Garcia Marquez.

Shumë pasazhe të romanit të Thanas Medit dëshmojnë për një realizëm të mirëfilltë magjik.

Nëna që kishte rënë me të vdekurit, komunikimi me shpirtërat, sëmundja e bundës që zinte veç vllehët e malit, lënia e fëmijës së sëmurë në rrugë për të marrë jetë nga jeta e atij që e gjen, fataliteti i emrit “Gëzim” te fëmijët e vdekur të Riza Kërpit dhe gjetja metafizike e ëmbëlsimit të vdekjes së labit me një emër vllahu, janë disa prej tyre.

Elementet magjikë të romanit nuk mund të kuptohen pa skenat e bollshme groteske të romanit si fjalimet e presidentit te vetëshpallur të vllehëve, dëshmori i rremë Vasil Plasari, Stefan Mushka qe kish qene partizan nje dite te vetme dhe ëndërronte që fshati të merrte emrin e tij, skena e mbrëmjeve te vallezimit, vallja e Arhondes etj.

Realizmi magjik është mundësia që i jepet autorit të pasqyrojë një realitet me anë të miteve, të mbinatyrshmes dhe magjisë. Përdorimi i elementëve magjikë në përshkrimin e një realiteti pa dhënë asnjë shpjegim për shkaqet apo mekanizmin e vetë magjisë, mjeshtria e përdorimit të këtyre elementëve magjikë nga autori e detyron edhe lexuesin ta marrë të mirëqenë e plotësisht të besueshme anormalen, të panatyrshmen, magjiken.

Nëse “100 vjet vetmi” i Marquez është një epikë që tregon historinë e ngritjes dhe rënies, jetës dhe vdekjes, triumfit e dështimit të qytetit Macondo përmes historisë së familjes Buendia, “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” rrëfen jetën, vdekjen, lulëzimin dhe humbjen, ëndrrat dhe zhgënjimet e komunitetit vlleh me anë të fatit të familjes Buba, një fat i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me familjet Kaçetaj, Kolebaj dhe Kërpi.

Por ndryshe nga Marquez, Medi nuk ka nevojë ta krijojë “Macondo”-n e tij. E ka të gatshëm fshatin Buf ku jetët njerëzore janë paradoksale, groteske e herë herë të pabesueshme.

Medi nuk shpik një botë të re, por e pajis lexuesin me lente të cilat zbulojnë magjinë e pabesueshme të një bote ekzistuese. Në roman ngjarjet paranormale dhe magjike jepen pa bujë, si gjëra të zakonshme, me aq natyrshmëri, sa askush nga lexuesit “nuk do të mund ta akuzonte autorin për dëshmi të rreme”, do te huazoja ketu shprehjen e Maggie Bowers te Magic(al) Realism.

Romani i Medit shtresëzohet nga njëri kapitull te tjetri si një simbiozë mutacionesh dhe çudish që krijojnë suspensin e duhur për të çfletuar faqen e radhës.

Retrospektiva e perdorur në kompozimin e kapitujve të romanit shërben si shtrati erëmirë nga i cili lexuesi ngrihet për të parë nga dritarja agun e një dite të re. Një shtrat që autori qëllimshëm e le të parregulluar si një kurth aromatik për (vë)mendjen tonë. (M’u ndërmënd një dialog nga filmi “Fargo” tani: “Pse kaq shtrenjtë kjo dhomë, zotëri? “Sepse nga dhoma juaj mund te shijoni detin”, i thote hotelxhiu klientes. “Duket deti nga dritarja?”. “Jo, zonje, por ndjehet aroma e tij”.)

Një tjetër shprehi e realizmit magjik në romanin ‘Fjala e fundit e Sokrat Bubës, është hibriditeti i subjektit. Plane të shumëllojshme të realitetit ndërthurin ngjarje nga vllehët e malit në të fushës, nga zona e vllehëve me kryeqytetin, nga kohët e paraluftës me kohën moderne, nga zona urbane në atë rurale duke mos i lënë mundësi lexuesit të parashikojë fatin e personazheve misteriozë.

Lexuesi gjate leximit e gjen veten ne nje histori (subjekti i romanit) brenda nje historie tjetër (përvojat personale jetësore të lexuesit) të vetëdijshëm për statusin e tij si lexues. Ndërkallja e fortë e tekstit të romanit në botën reale të lexuesit mund ta asgjësojë tekstin letrar, pra ai momenti fatal kur arti bëhet copy paste i jetës, por “janë pikërisht elementët magjikë ata që e shmangin këtë situatë të palakmueshme”, siç shkruan Jon Thiem në "The Textualization of the Reader in Magical Realist Fiction”.

Absurdi, e magjishmja dhe ngjarjet sureale në romanin e Medit janë jo vetëm një përvojë e panjohur për lexuesin, por edhe një barrierë osmotike që kontrollon rrjedhjen nga teksti drejt lexuesit, dhe të përvojës jetësore të këtij të fundit drejt tekstit, pa e deformuar as njërin e as tjetrin.

Romani është shkruar bukur në tërësinë e vet, por spikasin për nga trilli magjik veçanërisht ngjarjet që lidhen më të shkuarën. Në ngjarjet që zhvillohen në një kohë më të vonë në roman, trilli zbehet dhe elementët magjike ia lënë vendin një realizmi që nuk vë në provë shpirtin, por mendjen e lexuesit. Emocionet ua lënë vendin përsiatjeve. Duket sikur modernizimi i epokës dhe ritmika e shpejtë e jetës së personazheve e vret trillin dhe magjinë e saj.

Mendoj se “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” është romani i munguar i letërsisë shqipe, i shkruar nga një autor që do ua rekomandoja fort adhuruesve të prozës së gjatë.

 

Thanas Medi lindi në vitin 1958, në fshatin Dhoksat të krahinës së Lunxherisë, Gjirokastër. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin Asim Zeneli të Gjirokastrës. Studimet e larta i mbaroi në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Tiranës më 1988. Pas studimeve ka punuar për 5 vjet në Gjimnazin Koto Hoxhi. Më pas, më 1995 emigroi në Greqi dhe tani jeton në Athinë bashkë me familjen.

Me letërsi ka filluar të merret që në moshë të re. Ka botuar pak poezi dhe tregime në organet letrare të kohës. Vlen të përmendet përpjekja e tij serioze kur ishte student. Në atë kohë ka provuar të publikojë një vëllim me tregime e novela, por dorëshkrimi i është kthyer mbrapsht me pretekstin se autori e nxinte realitetin e kohës.  

Thanas Medi punës letrare iu përkushtua edhe më seriozisht më vonë, pas emigrimit në Greqi. Romani i tij i parë "Hija e mallkuar", u botua në vitin 2011 nga "Toena". Më 2013, po nga "Toena", iu botua edhe romani i dytë "Fjala e fundit e Sokrat Bubës", roman që u nderua me çmimin kombëtar, si romani më i mirë i vitit, dhënë nga Ministria e Kultures të Republikës së Shqipërisë.