Kulturë

 ‘Autokritika’ e Avdulla Kënaçit, kronika letrare që vijnë prej kohësh të dikurshme - Nga Ymer Çiraku

  • Published in Kulturë

Avdulla Kënaçi është një zë i njohur në gazetarinë e shkruar dhe atë televizive. Prej penës së tij, kanë parë dritën e botimit një mori reportazhesh, shkrimesh për probleme sociale, emisione televizive kushtuar aktiviteteve e ngjarjeve të ndryshme kulturore e patriotike, të organizuara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këto shkrime dhe emisione audiovizive, është dalluar përherë si veçori e tij një pasqyrim dhe analizë e ngrohtë, si dhe me frymë të spikatur humanizmi e atdhedashurie.

Brenda një kohe të shkurtër, A. Kënaçi, doli me librin e tij të dytë me tregime “Autokritika”. Duket si një lloj nxitimi i autorit, për t`i hedhur në letër tërë impresionet e përjetuara nga përvoja e gazetarit të dikurshëm të terrenit, kudo ku ai ishte i pranishëm, mes njerëzve e mes ngjarjeve të mëdha të ndodhura nëpër kohë të ndryshme, para dhe pas përmbysjes të sistemit totalitar. Që nga vendi i largët, ku ai jeton tashmë prej vitesh, në Kanada, ato impresione e kujtime, marrin një tjetër përmasë: prej mallit, por edhe përmes kullimit të tyre nëpër filtrat e shpirtit e të meditimit. Dhe bashkë me rikujtimet e ndodhive dhe situatave të jetës së gazetarit, shkrihen e treten nëpër to, edhe një mori impresionesh prej vendlindjes, prej atij fshatit, ku u end fëminia e tij, mes epikës së maleve dhe magjisë së njerëzve dhe natyrës, rrethuar prej asaj dashurie e asaj përkujdesjeje stoike dhe pa kushte të mëmësisë. Endet pra tashmë, pa u ndalur, tërë rrjedha e kujtimeve, si ajo cipa e pëlhurës së argjendtë, që e endin në ditë të ngrohta pranvere merimangat - përmes degëve të përralleve të dendura, të atyre anëve.

Profesioni i gazetarit, doemos, që ka lënë gjurmë edhe në lëvrimin e teksteve letrare të këtij libri, ashtu si edhe në krijimet e tjera të librit të mëparshëm. Kjo duket në impresionet dhe në imazhet reale që përcjellin tregimet, çka u sjell dukshëm atyre lëngun e gjallë të jetës së viteve të dikurshme. Përpara fletëve të librit, lexuesit i krijohet ndjesia, sikur shpalos një album të fotove bardh e zi, të viteve të shkuara. Pra, ato ofrojnë me një befasi të bukur, aromën e së shkuarës, duke mbartur njëherazi, sipas rastit, nostalgjinë, kujtesën, pendesën njerëzore… Dhe ky lloj raporti estetik i përcjellë në libër, i fal kënaqësi të veçantë lexuesit, sikur të ishte një aromë parfumi, që rizgjon tronditshëm te njeriu një histori, apo një kujtim të largët, të ruajtur fort dhe gjatë, thellë shpirtit të tij.

Prandaj këto shkrime, mund të gjykohen edhe si kronika. Jo se këtyre u mungon endja dhe përpunimi i nevojshëm në laboratorin krijues, por, se ato kronika e kanë të dukshme e të shpallur lindjen dhe lidhjen e tyre të ngushtë me ngjarje dhe figura reale. Aq sa në disa raste, trilli artistik, duket se nuk përfillet as në adresime emrash të vendeve, të personazheve, apo të ngjarjeve reale të ndodhura. Dhe kjo, me sa duket, shkon me tendencën autoriale për të dëshmuar se nuk ka pse e konkuron hijeshinë estetike, që ta ofron plot bujari realiteti. Këtu me sa duket, ka ndikimin e vet edhe instikti i gazetarit, në raportet që ai vendos me realitetin e drejtpërdrejt të pasqyruar. Kuptohet, se këtu është një fill mjaft i hollë e delikat, i cili, i ndan të dy këto zeje krijuese, punën e gazetarit dhe aktin krijues të shkrimtarit. Por duket se autorit, ia ka ënda të ecë/guxojë në zona disi të minuara letrare - nga pikëpamja e respektimit të kufijve të zhanreve, por që përgjithësisht, gjykojmë se ai ia del mbanë me sukses. Sepse arrin t`i sjellë lexuesit aromën e kohëve të dikurshme, me synimin për ta shijuar, por edhe për ta kuptuar atë kohë, sa më besueshëm.

Në tregime personazhe, të cilët, të mbeten në mendje për karakterin e tyre human dhe për qëndresën e fortë njerëzore, përballë atyre provave - që u vë përpara e keqja. Mes tyre, mund të kujtohet psh figura e gruas te tregimi “Gaxhia”. Ajo përjeton një dramë të fortë, duke i kërkuar që të shpëtojë doemos veten dhe emrin e familjes. Dhe kjo të bëhet, duke ia kaluar një tjetri përgjegjësinë e atij veprimi të pamoralshëm, që erdhi veç prej ndjenjave të saj, dhe ky tjetri, është një njeri krejt i pambrojtur dhe i diskriminuar nga mjedisi shoqëror. Por vendimin përfundimtar e ka ajo vetë në dorë, sado i vështirë që do të jetë ai vendim. Dhe qëndrimi i saj, mjaft i guximshëm e pothuaj i pazakontë, nuk është vizatuar në linjat e një heroizmi deklamativ spekulativ. Ai qëndrim pothuaj sublim përjetohet dhe përcillet te lexuesi me një logjikë të thellë njerëzore. Si të jetë një detyrë e shenjtë, e ngarkuar, që çdo njeri, të dijë t`u bëjë ballë me dinjitet sprovave, ku ai është i përfshirë, sado të vështira e të komplikuara të jenë ato për të. Vendimi i gruas për ta thënë dhe për t`u përballur me të vërtetën, sado i rëndë për fatin e saj, rrëzëllen mirësi e bukuri shpirtërore, përballë ngrehinës së errët të manipulimeve të njerëzve të afërt të saj - për ta mbrojur atë nga opinioni, duke ia rrëzuar e shkatërruar ndërkaq jetën një tjetri (!).

Vlerat e larta njerëzore zbulohen duke vënë përballë edhe të kundërtat e tyre: veset, etjen për pushtet dhe krimet, servilizmin, qendrimet ziliqare… Përmes kontrastit, krijohet një galeri e larmishme personazhesh, duke sjellë edhe mentalitete dhe rrethana të caktuara sociale dhe politike të kohës. Ndonjëherë, këtë kontrast autori e krijon deri edhe me emërtimet e personazheve. Psh. Xhelali, ashtu si në tregim, një ndjekës dhe keqdashës i pamëshirshëm ndaj bashkëfshatarëve të tij, të kujton për shembëllim emërin “xhelat”. Kurse Ziguri, njeriu i mirë, të cilit Xhelali (xhelati) i është qepur t`i bëjë veçse më të keqen, ka një qëndresë përballë tij: “si guri”, që përngjason me vet emrin që mban (Ziguri) dhe statusin e tij religjioz, si një bektashi i urtë dhe i devotshëm që është.

Në tregimet e këtij libri ndihet edhe një ligjërim me kolorit të pasur gjuhësor, me përshkrime të gjalla të natyrës, ku lexuesi, përballet me larminë e pemëve të pyjeve, të kafshëve dhe zogjve gjithfarësh. Prania e tyre, sikur ndihet e gjallë dhe arrin të të sjellë tërë bukurinë dhe aromën e tyre trallisëse. Po sjellim disa pasazhe prej këtyre përshkrimeve: “…Papritur, njëherësh, lugina e Drinos u mbush me dritë të artë… hëna e plotë, kurioze, si një napoleonë e madhe floriri, zgjati kryet nga qafa e Çajupit duke e kthyer lumin Drino në një gjarpërim argjendi…”;  “Aty gjeje të kërleshura gjithfarë bimësh dhe kafshësh të egra. Lepuri dhe dhelpra jetonin në të njejtin habitat me zogjtë dhe thëllëzat. Lëre pastaj kur bilbilat krahëshkruar, me ngjyra të bukura vezulluese, ndërtonin foletë e tyre brenda kurorës së murrizave. Gjatë verës, gjeje karkanjele dhe bizhga, ndërsa në vjeshtë, aty mund të mblidhje kulumbri, thanë, manaferra e pse jo edhe kokrra të kuqe murrizi…”; “…Dalëngadalë po binte muzgu. Erdhi një moment dhe perëndimi u përflak i tëri. Mbi syprinën e liqenit, zbriti ngjyra e kuqe onufriane, pastaj, ajo u shua si nga një frymë magjike dhe liqeni u bë i errët, i heshtur…”; “ Unë e gjitoni im,  zotëronim shumë sekrete nga të vreshtës: për shembull dinim se ku rriteshin manaferrat e zeza, kokërrmëdha, ku i ngrinin foletë gushëkuqët, ku kishte me bollëk bar gjuhëzogu, apo si fshiheshin lepujt e egër e ku flinin gargujt…”

Këto përshkrime e detaje, sidomos nga bota e fshatit, përcjellin tablo të gjalla dhe zgjojnë nostalgji e kërshëri pafund për to. Atje, janë kujtimet e njeriut prej fëminisë së tij, atje është burimi dhe AND-ja e jetës, ështe burimi i folkut përgjithësisht - si djepi i letërsive të mëdha, atje janë rrënjët nga ku morën energji dhe u ngjizën qytetërimet e popujve nëpër rrjedhat e shekujve.

Duket se autorit i ngjit mjaft tema e fshatit. Atje, ai sikur është në limerin e endjes së tij të sigurtë nëpër histori njerëzore, herë me drama e herë me gëzime dhe humor qesëndisës, prej burimit aq të pasur lab.

Vetë titulli i librit, “Autokritika”, nuk mbetet i rastësishëm, vetëm i nxjerrë si titull i një prej tregimeve të përfshirë në libër. Më shumë se kaq, kjo e ashtuquajtur autokritikë, është metafora thirrëse e katarsisit, e ringalljes morale të njeriut, madje edhe vetë rrëfyesit, i cili, është dhe nuk është rrëfyesi i drejtpërdrejtë autorial. Për të mbetur kështu me status të dykahshëm, duke e njohur dhe duke u përballur pa kurrfarë kompromisi me përgjegjësinë e njeriut, në çdo kohë e në çdo rrethanë qoftë të jetës së tij.