Kulturë

Një histori me Napoleon - Nga Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Kulturë
Nga: Artan Gjyzel Hasani

Kur dëgjoni emrin Napoleon Bonaparte çfare ju vjen ndërmend?

Francez ? Kapele qesharake? Jozefina ? Shkurtabiq apo dora brenda kapotës ushtarake ?

Napoleon ishte e vetmja figurë historike që e therrisnin shkurt në emrin e tij në fundin e viteve 1700. Ndoshta celebrity i parë i politikës. Siç therrasin sot Cher apo Madonën.

Por megjithë këtë status prej superstari, edhe 200 vjet pas vdekjes së tij, pothuajse shumicën e gjërave rreth tij ne i dimë gabim.

Kapelja e tij ishte aq "qesharake" sa u shit për 2.4 milion dollare pak vjet më parë.

Napoleoni nuk ishte francez, por Korsikan.

Jozefina vërtet ishte dashuria e tij e madhe, por kur vdiq ai ishte i martuar me Marie Louise të Austrisë, Dukesha e Parmës.

Dhe ai nuk ishte aspak shkurtabiq, por 1.71 cm, një gjatësi mesatare për atë epokë.

Arsyeja për këtë ide të gabuar tonën vjen nga fakti që tërë kohës Napoleoni ishte i rrethuar nga burrat shtatlartë të Gardës Perandorake, të cilët përzgjidheshin gjigandë.

Tani arrijmë te objekti i rrëfimit tim lidhur me pozën e tij të famshme me dorën e fshehur nën veshje. Shumë teori konspirative dhe pandehma janë ngritur mbi atë dorë të fshehur.

Disa mendonin se Napoleoni vuante nga kanceri i stomakut apo i mushkërive, e prandaj e mbante doren aty. Të tjerë mendonin se po kruhej. Ca të tjerë sugjerojnë se po kurdiste orën me qostek. Një teori akoma me e guximshme pretendon se Napoleoni mbante në gisht unazën e një të dashure të fshehtë dhe e fshihte dorën për t’i shpëtuar xhelozisë së tmerrshme të Jozefinës.

Të gjitha pandehma interesante, por të pavërteta.

E vërteta ështe se Napoleoni kurrë nuk e mbante dorën në xhep apo të fshehur nën kapotë.

Historia e “dorës se fshehur” daton shumë vite para pikturës së famshme të Napoleonit dhe gjëndet në shumë portrete nga autorë amerikanë apo anglezë të asaj epoke. Aq shumë gjëndet ky detaj në pikturat e viteve 1700 saqë ishte krijuar ideja që piktorët e epokës nuk dinin të vizatonin mirë duart dhe prandaj në portretet e tyre e gjenin të udhës t’i fshihnin. Kjo klishé doli nga moda në fund të shekullit të 18-të.

Jacques-Louis David e pikturoi Napoleonin veç me kujtesë, pasi Napoleoni nuk pozoi. Por pasi pa portretin Perandori iu drejtua piktorit me këto fjalë: «Më ke kuptuar aq mirë, i dashur David».

Jemi në vitin 1812, popullariteti i Napoleonit ishte në rënie dhe Perandorit i duhej një imazh që ta lartësonte atë si më parë. Kjo ishte ajo që kishte kuptuar piktori David. Kritika artistike e kohës e injoroi këtë portret, por jo Napoleoni. Që pas këtij portreti Napoleoni pozoi për piktorë të tjerë me dorën të fshehur duke e ditur fort mirë rëndësinë e këtij detaji në sytë e Europës.

Pikërisht ky portret shënoi një trend të ri në nivelet e larta të politikës dhe gjeneralëve perëndimorë. Një sërë presidentësh, diktatoresh, gjeneralësh, artistësh e poetësh, mjekësh e shpikësish pozuan para kamerës fotografike me dorën e fshehur. Natyrisht edhe Stalini.

Kalimi i shekujve dhe ndërrimi i epokave ka bërë që nga të gjithë ata të mbahet mend me dorën e fshehur vetëm Napoleon Bonaparte. Madje ai nuk mund të imagjinohet ndryshe. Edhe pandehma se ky xhest ka simbolikë masonike ka rënë poshtë qëkur.

Po cila është e vërteta e këtij xhesti?

Ky xhest vjen nga Greqia e lashtë ku për oratorët, filozofët komandantët dhe mbretërit konsiderohej mungesë edukate dhe origjine e ulet familjare nëse gjatë shfaqjes në publik mbanin duart jashtë. Të paktën njëra dorë duhej të ishte e fshehur nën tunikë.

Kjo traditë kaloi nga Athina e lashtë në Romën antike dhe mbaroi bashkë me rënien e Bizantit. Për 3 shekuj që pasuan u konsiderua e kundërta: ishte mungesë respekti ndaj publikut fshehja e dorës nga udhëheqësit e perandorët. Deri ditën kur u realizua ky portret i famshëm “Napoleoni në zyrë”, origjinalin e të cilit pata kënaqësinë ta shoh në Galerinë Kombëtare të Washington DC.