Pse nuk u zhduk Ilirishtja por u rishpik nga Shqipja - Nga Burim Bardhari
- Published in Kulturë
Rishpikja dhe ringritja ilire e Romës
Mjafton të rikujtojmë ‘Skenderbëmat’ epike të kryetrimit dhe arsyetohet boshti i trimërisë së prijësve pararendës dhe pasardhës!
Kjo pyetje ose çështje historike bigëzon dy rrugë qëndrimesh, mirëpo vetëm njëra përgjigje përkon me boshtin e rrugës së trasuar që shpie te guri i së vërtetës, si përmendorja historike e Gurit të Rozetës. Pavarësisht nga fati i keq i ‘Anemisë Akademike’, si kundërshpërblim është ngritur një ushtri kërkuesish si kalorës të vetmuar që përballë stuhisë së kundërshtarëve me faktizime gjysmake guxojnë ta gërmojnë e rigjelbërojnë lashtësinë e paraardhësve tanë dhe ta ndriçojnë arkeologjinë gjuhësore të Shqipes së Shenjtë të cilës mallëngjimthi i kënduan viganët vargëtarë si Fishta e Frashëri. Veprimtaria e tyre sjell në kujtesë fushatën ushtarake por edhe arkeologjike të Napoleonit kur vajti në Egjipt në vitin 1798 me 30 mijë ushtarë dhe me mbi 1 mijë dijetarë që para anglezeve ta zbulonte e vilte thesarin e lashtë me shenjtëshkrimin hieroglifik egjiptianlashtë të cilin e zbërtheu pikërisht frengu Shampolion pasi u gjet rrasa e gurtë e njohur si Guri i Rozetës (ose Guri nga Rozeta) dhe që atëhere shkrepi kureshtja çmenduritëse për mësimet mistike të qëmoçme paraklasike që njihet si Egjiptomania dyqindvjeçare.
Pasiqë një pyetje e tillë akademike është e pamundur t’i shpalosë të gjitha dëshmitë dhe pikëpamjet studimore apo t’i citojë edhe burimet përkatëse në një shtyllëshkrim të nguaskuar atëherë mund të sjellim vetëm disa këndvështrime që kanë lidhje organike me historinë dhe logjikën e ‘rishpikjes’ së Ilirishtes nëpërmjet Shqipes pasardhëse, siç ndodhi kapërcimi nga Latinishtja te Italishtja; ndonëse disa zëra të pakët por të zhurmshëm mohojnë vazhdimësite e natyrshme, përmendin disa ndryshime teknike që nuk janë mungestare ose fare të pahetueshme, mirëpo dërmuesisht nuk ka braktisje rrënjësore dhe i njëjti krahasim vlen edhe për Ilirishten e pasuar nga Shqipja ose me Anglishten e vjetër gjermanike krahasimisht me atë bashkëkohore të shkëputur si nënishull më vete sepse kush e njeh Gjermanishten e mëson më lehtësisht edhe Anglishten.
Duke përfituar nga prapavështrimi kohor mund të shkëpusim disa shtjellime më të rëndësishme se çfarë ndodhi me Ilirët dhe Ilirishten pas rënies së Ilirisë në vitin 168 p.e.s. në duar të pushtuesve fqinjorë perendimorë të cilët përshtatshmërisht dhe vetëshërbimthi i cilësonin Ilirët si piratët detarë ndërsa ata vetë lakmonin ‘tallazokracinë,’ sundimin e valëve dhe nuk e fshihnin as oreksin për mbikqyrjen e lundrimit tregtar në Adriatik. Afërmendsh se shkaku i margjinalizimit, piratët ilirë këmbëngulnin për shfrytëzimin e detit të përbashkët së paku përballë brigjeve vetjake, mjerisht si sot me fqinjët jugorë që nuk ngopen me mijëra ishuj dhe të rrethuar me ujë nga tri anët. Breshkamëdhenjtë më vonë vetë e shpikën edhe konceptin e krimit të organizuar të Mafias kancerogjene në shekullin 13-të që nënkupton pushtet prapaperdetar ose pushtet hijetar i cili shkakton erozion kundër zhvillimit të shoqërisë përparimtare, por dinakërisht gjuajnë vegjelinë që t’ia marrin mëvetësinë duke e shpronësuar me kërcënim ose me shpërblim dogmatik që prapë përfundon me shkrirje dhe fitore për madhërinë!
Së pari, as Ilirët dhe as Ilirishtja nuk mund të zhdukeshin brenda ditës sepse as Roma nuk u ndërtua brenda javës dhe ende nuk ishte ngritur në nivel perandorak ngase periudhtas përleshej gjetkë sidomos me Kartagjenën e kalitur gjatë luftërave Punike deri në vitin 146 p.e.s., dy dekada pas rënies së Ilirisë, kur pas fitores së fundit të shpartallimit të kartagjenasve ata njëkohësisht brenda disa muajve, me një gur vranë dy zogj, e shkatërruan edhe kundërshtarin e dytë helen në Korinth, ndërsa Maqedoni(-a) ishte dorëzuar paraprakisht në provincë romake, por humbja në Korinth shënon kaptinën e re të sundimit romak, pastaj pas një shekulli stuhia romake shpartalloi edhe dinastinë e fundit helene në vitin 31 p.e.s. në Egjiptin e lashtë dhe helenet u tkurrën me shekuj derisa u paraqit mundësia e re kalatrojane që të ngriheshin në Konstantinopojë, pushtimi përbrenda kështjellës së vetë Perandorisë Romake në krahun lindor.
Përndryshe zhdukja e vrazhdët zakonisht ndodh si pasojë e shpërfilljes dhe mospagimit të tatimit nga mëkëmbësia ose nga betejat e ashpra apo fanatizmit të mosbindshmërisë që çojnë deri te pika e pakthimit shkatërrimtar (që nuk ndodhi me Ilirët) ose si rëndom nga oreksi i ndonjë gjenerali mendjemadh si prokonsulli Qesari (Çezari) i etur për kurorëzim perandorak; shembulli i nënshtrimit të Galisë (Franca e sotme) në vitin 50 p.e.s. u përndoq egërsisht saqë disa e quajnë tentim gjenocidi (po ashtu u romanizuan edhe frankët ngadhnjimtarë të cilët ishin fis gjermanik). Ngrehinës së fuqishme perandorake i kushtonin shtrenjtë fushatat e mëdha dhe duhej të shlyheshin shpenzimet me kundërpeshën e fitores dhe përfitimit të shumëfishtë nga kolonitë, kështuqë edhe gjatë historisë sonë bashkëkohore u ndërmorrën disa fushata ndëshkuese, si për shembull mposhtja e përgjithshme e fisit hebraik në vitin 66 saqë Romaket ia ndërruan emrin vendit që pushtuan, nga Kanaan në Palestinë për t’i fshirë gjurmët e tyre apo më pas edhe rrafshimi i Dacisë në vitin 106 nga perandori Trajani që e pasuroi më së shumti Perandorinë Romake.
Së dyti, Gadishulli Ilirik (sepse atëbotë nuk kishte Ballkan) ishte treva më e madhe ushtarake prandaj Ilirët ishin yjësia e prijësve që kryesuan Perandorinë Romake nga shekulli i tretë deri në shekullin e gjashtë si më vonë edhe me Perandorinë Osmane, sepse nuk ishin klasi i tretë i qytetërimit romak por qendra e rekrutimit pasiqë plotësonin nevojën thelbësore ushtarake si prijës të shkakthët edhe në luftë si shpatarë e grushtarë të shquar por edhe si ardhmëritarë largpamës në administratë të Perandorisë e cila kulmoi nga viti 268 deri 284 të epokës sonë. Gjatë ‘Krizës së shekullit të tretë’ spikati periudha e njohur ‘Yllyriciani’ (në lanisht) me perandorët e pellgut ilir, nga perandori Klaudi Gotik i dyti (Claudius Gothicus) deri te Diokleciani me aftësi zgjidhtare dhe risitare, shpikësi i Katërpushtetit ose Tetrarkisë. ‘Centurionët’ ose ushtarakët qindshetarë zakonisht pensionoheshin në Iliri dhe atëherë shpërbleheshin me gradën ekuestriane si ajo e kalorësit mesjetar, mirëpo ishte shpërblimi i dytë për fisnikërinë pas titullit të senatorit.
‘Rishpikja’ më e madhe jetësohet nga iliri tjetër, Konstantini i famshëm, i lindur në Nish kur nuk kishte as Serbi, i cili shënon një pikëkthesë të mprehtë me përmasa jo vetëm historike por edhe epike. Derisa Romuli legjendar themeloi Romën atëherë edhe Konstantini guximthi ngriti qytetin e vet që u pagëzua me emrin e tij dhe bujshëm tejkaloi themeluesin mitologjikë. Ai e tundte dhe shkundte perandorinë, madje me një ndërhyrje fetare të urtë i ‘shkriu armiqtë në miq të artë,’ romakët perandorakë paganë dhe lëvizjen e krishterë të furtunshme, pavarësisht se përdori ëndrrën si liratë hyjnore ose vetëleje poetike. Konstantini ia ndërroi fenë romakëve ndonëse disa prej tyre vazhduan adhurimin e tyre Mithraik nëntokësor por pasojësisht edhe evropjanëve të tjerë, ndërsa me urdhërin e tij tempulli pagan përkushtuar Jupiterit në Jeruzalem u shndërrua në kishën më të rëndësishme të krishterë, Kisha e Varrit të Shenjtë (anglisht ‘The Church of the Holy Sepulchre’) e cila sipas besimit përkatës shënon vendvarrin e Jezu Krishtit.
Ironisht, rënia e Romës ndodhi në vitin 476 gjatë sundimit të emnakut themelues Romulit ndërsa gjysëmshekulli më vonë u shfaq shpëtimtari i saj Justiniani, i njohur si Rikthyesi ose Restauratori i Perandorisë Romake, poashtu me prejardhje ilire i cili riktheu Romën e humbur, bashkë me Sicilinë dhe Dalmacinë, prandaj ky sundues i gjindshëm thuhet se ishte edhe idhulli i Fatih Mehmetit të dytë pasiqë synoi të njëjtën arritje rrethepërqark detit Mesdhe por nuk ia doli sepse nuk e pushtoi Romën. Justiniani ishte edhe perandori i fundit romak latinfolës sepse pas tij helenishtja vulosi varrin e latinishtes gjatë periudhës së sajuar nga historianët sa për referim si perandoria e Bizantit, sepse kurrë nuk ka patur perandori Bizantine, vetëm Perandori Romake e krahur Lindor. Si pararendësi i tij Konstantini, gjatë sundimit të Justinianit, prejardhjen e të cilit historianët zakonisht e rikujtojnë si ilire, u ngrit edhe katedralja perandorake e Shën Dijes (Shën Sofjes) në Konstantinopojë. Para rënies së Konstantinopojës, nga shekulli i 8-të si dhe pas rënies, Perandoria Romake u rishpik rishtazi por nga fiset gjermanike të cilët edhe sot udhëheqin mishërimthi frymëzimin e njëjtë nëpërmjet Bashkësisë Evropjane.
Së treti, gjatë pushtimit afatgjatë rrënjoset shpronësimi i pahetueshëm me asimilim të detyruar ose dogmatik apo ideologjik me ‘vëllazërim-izëm;’ kolonitë e nënshtruara ndodh të mos gëzojnë as të drejtën e gjuhës, sidomos asaj të shkruar që të zhduken gjurmët identitare të vendasve dhe të ngelin pa letërnjoftim, mërgimtarë pa tapi pronësie në atdheun e tyre. Nën trysninë e ushtruar qoftë tërthoras ose drejtpërdrejt fillon mbivendosja e mbishkrimeve të huaja si dhe ndryshimi i emërvendeve, përfshirë edhe emrat e mbiemrat e popullsisë nën zgjedhë që shënon shartimin e huazimeve gjuhësore ashtu siç ndodhi me Anglishten gjatë pushtimit Norman në shekullin 11-të kur gjuha frënge zyrtarisht epërsoi gjuhën angleze dhe për shkak të ndikimit të gjuhës së pangjashme Anglishtja u bë qullë ose si sallatë fjalësh të huaja, mjerisht si Shqipja sot dhe vështirësoi leximin fonetik që nënkupton se çdo shkronjë paraqet një tingull si tek gjuha shqipe ose gjermane. Nëse mund të ushtrohej trysni mbi Anglishten atëherë kjo mynxyrë ndodhi shumëfish edhe me Ilirishten.
Rrjedhimisht, fondi i fjalëve të huazuara nuk e përcakton trungun e gjuhës së mirëfilltë dhe krahas shembullit të Anglishtes ashtu duhet ta ketë pësuar edhe Ilirishtja, sepse nevojat e popullsisë ilire të nënshtruar nuk pushuan por u ripërshtatën me huazime e mbishkrime nën ombrellën e gjuhës zyrtare të pushtuesit. Errësimi i lashtësisë së gjuhës shqipe me disa faktizime gjysëm të pjekura rreth mungesës së mbishkrimeve të qëmoçme ose huazimeve nga trysnia e katër pushtuesve madhorë nuk e përmbys vërtetësinë etimologjike ose arkeologjinë e fjalëve të vjetra të gjuhës shqipe me ADN të veçantë linguistike sepse vendi i merituar i saj spikat në trungun e pemës së gjuhëve Indo-Evropjane, përndryshe do t’vendosej si rrembat e padukshme. Në të kundërtën, nga pikëpamja ontologjike, një gjuhë që nuk është krijuar nga gjuhët tjera duhet të jetë krijuese e mirëfilltë qoftë vetëm për veten e saj ose edhe për tjerët, sidomos kur përfshin 36 shkronja që përvijojnë shëmbëllimin e një rrethi të pasur me tinguj, si për shembull germat e rralla ‘dh’ e ‘th’ të cilat pasqyrojnë zanafillën ose lashtësinë e gjuhës nëpërmjet fjalëve nga bagëtia e bimësia ‘dhen’ e ‘thi,’ ose ‘rodhe’ e ‘thana’ etj.
Së fundmi, Shqipja e Shenjtë, tapia jonë historikë dhe mburoja kundër asimilimit nuk pikoi nga qielli por duhet të ketë lindur zanafilltas në lashtësinë para-romake pasiqë pronëson fjalë që datojnë periudhat përkatëse të lashtësisë (si Interneti që qenësisht u shpik në shekullin e kaluar) ngase zbulohet nga vetë 'arkeologjia e fjalës' sidomos thesarit tonë të pasur me fjalë nga bimësia, për ushqim e barna popullore. Prandaj, huazimet dhe mungesa e mbishkrimeve nuk ndërtojnë ndonjë arsyetim shkencor për mohimin e lashtësisë së gjuhës shqipe si pasardhëse organike e Ilirishtes pasiqë edhe Indianët vendas të Amerikës veriore nuk kishin aspak burime shkrimesh ndërsa shkrimin e qëndisën vonestarisht gjatë shekullit 18-të. Kolonizatorët evropianë nuk mund ta mohojnë statusin e autoktonisë tyre dhe as nuk synuan çmendurisht që t’i zhduknin të folmet indigjene sepse ato pasuri i duheshin për zbërthimin e emërvendeve të ndryshme ose fjalët e bimësisë dhe barnave të ndryshme, ndërsa në rastin e shqipes prototipike ajo shërben edhe për zbërthimin e mbishkrimeve të lashta ose së paku plotëson shpjegimin e tyre, ngase disa mbishkrime i përkasin gurrës shqipe të mirëfilltë ose gjuhët fqinjore qëllimisht pësuan ndryshime teknike ndoshta për dallime shtresash shoqërore dhe nuk i përkthejnë dot, madje në disa raste përcjellin kuptim të gjymtë ose të paafërt.
Mjerisht, si atebotë edhe sot, shqiptarët e pabashkuar pothuajse me tri shtete ende janë të ‘kolonizuar’ si klientë politikë të donatorëve investitorë sepse nuk kanë infrastrukturë perendimore që t’i shfrytëzojnë aftësitë e tyre dhe të ngasin para, as nuk mund ta pengojnë ndërhyrjen dhe ndikimin e të huajve pasiqë nuk pavarësohen ekonomikisht brenda një synimi të përbashkët ‘Ilirizimi’ si ‘Skandinavizimi’ përbrenda kornizave të Bashkësisë Evropjane dhe kot habiten kur mësojnë se stërgjyshërit e tyre i veshën uniformat e huaja duke flijuar jetën për Perandorinë Romake ose Perandorinë Otomane, ‘amin shërbëtorët’ dhe mish topi për pavarësinë e Greqisë në vitin 1821 por edhe për pavarësinë e Turqisë në vitin 1915 sepse milen nga tri mendësi ndasitare meslindore dhe fqinjore.
Sipas mençurisë emocionale nga ne pritet ta pronësojmë përgjegjësinë pavarësisht se armiku e ka fajin dhe jo kot mallkohet si armik, por arsimon e vetëdijëson, sepse nuk e ka për detyrë kulturifikimin e popujve të pushtuar por synon asimilimin dhe shfrytëzimin e tyre! Shqiptarit i mungon infrastruktura që t’i zbulojë dhuntitë, prandaj çan kur mërgon dhe për ngritjen e saj shkenca është shpëtimi shqiptar, teknologjia dhe tregtia - jo politika ciklike me premtime përrallore që pasuron vetëm shtresën paritare dhe tjetërson në vartësi shumicën vegjëlitare të shoqërisë!
Zgjim e Zgjuarsi! Duhen bluajtur pyetje e qëmtuar dyshime që të mbrohemi nga shpronësimi i pahetueshëm kalatrojan, japin kalin dhe marrin kalanë!