Kulturë

Ku ndodhet Feaka Homerike? - Nga Sulejman Mato

  • Published in Kulturë

 

Sulejman Mato

Qysh në moshë të re kam qenë kureshtar të di nëse ka ekzistuar në brigjet e Epirit një qytet me emrin Feaka. Dhe nëse ka ekzistuar, ky qytet gjendej në brigjet shkëmbore të ishullit të Korfuzit apo në rrethinat midis Butrintit dhe Sarandës? 

Kjo enigmë më ka shoqëruar ndër vite, gjersa vendosa të hulumtoj toponominë e kësaj treve, në të dhënat e gjeografëve dhe të historianëve të lashtë si dhe të gjurmoj në legjenda dhe dëshmi arkeologjike dhe gjuhësore, duke menduar që gjetja e kësaj qendre të qytetërimit paragrek për ne shqiptarët përbën nje zbulim me rëndësi, pasi bëhet fjalë për gjurmët e një qytetërimi paragrek dhe më i lashti në këto troje.

Homeri na thotë se rreth 3200 vjet më parë, në veri të Epirit gjendej një qytet në lulëzimin e vet ekonomik Ai quhej Feaka dhe gjendej në trojet e Skerisë pjellore.

Qyteti gjendej mbi një kodër të gjelbëruar, ai ishte i ndërtuar me mure, me gurë të palidhur me llaç; mbreti i saj quhej Alkino...

Mund ta quajmë dhe pronar të gjithë atij territori epirot përballë Korfuzit, madje mund ta quajmë dhe pronar të ishullit të Korfuzit.  Quhej mbret... ndonëse ngjante më tepër me një fshatar të Jugut, i cili   herë shfaqet si baba i urtë, herë si një despot e herë si një kryeplak i drejtë. Mbreti mbante pranë një lahutar të verbër, sa herë që i duhej të dëgjonte luftërat e lavdishme të Trojës. Lahutari quhej Demodok.

Në paraqitjen e jashtme i ngjante vetë Homerit. Miq e farefisni mblidheshin rreth tij, në ceremonitë e pritjes. Kështu u mblodhën dhe atë ditë në pritje të njeriut të huaj i cili thoshte që quhej Odise dhe ishte “mbreti” i Itakës.

Ky qytet imagjinar ka shumë shekuj që pret t'i hiqet velloja e legjendës. Pret nga historianët dhe arkeologët ta nxjerrin nga legjenda ku ka mbetur i ndryrë. Feaka nuk ka si të jetë një qytet legjendë dhe nuk duhet kërkuar në ndonjë territor tjetër, veç në trojet e Epirit.

Ka dëshmi të mjaftueshme për të arritur në një konkluzion të tillë. Unë kam arsye të hedh idenë se gjurmët e këtij qyteti legjendë duhet kërkuar pikërisht në vendbanimin e quajtur Baikaj, ose më mirë të themi, në afërsi të Finiqit të hershëm.

Sipas vargjeve të Homerit, dallgët e nxjerrin Odisenë te grykëderdhja e një lumi të gjerë dhe të shtruar.

Me not e papushim më në fund arriti

në grykë të një lumi me burime të pastra.

Aty iu duk më mirë të linte detin:

nuk shihej shkëmb me sy, shtrihej ranishte

ku s'frynte erë.

Në anë tjetër, sikur bregut unë të ngjitem

ku vendi është tërë pyll, të gjej strehë

mes shkurreve të pleksura.

Ky është përshkrimi poetik që i bën Homeri ranishtes së tokës së Skerisë pjellore ku e nxorri fati detarin Odise.

Ja ç'thotë Homeri për feakasit:

Ata dikur banonin

në Hiperien plot fusha rreth e rrotull,

por për fat të zi u kishin qëlluar afër

si fqinj ata Ciklopët, njerëz të prapë

që s'i linin të qetë, herë me plaçkitje

e herë me vrasje dhe përdhuni të tjera

Kështu Nausitou, farefis hyjnie,

larg çdo njeriu të gjallë i shpërnguli

e i çoi në Skerie. Na e rrethoi qytetin

me mure dhe ndërtoi banesa dhe tempuj.

...Pastaj i erdhi radha Alkinout

të mbretërojë mbi këtë popull.

Nga këto vargje kuptojmë se dikur Feaka kanë qenë më në brendësi. Për t'iu larguar sherrit me ciklopët, ata u shpërngulën dhe erdhën buzë detit. Por, në disa vargje të cilat mund të jenë dhe shtesa të mëvonshme, aludohet që ata e kanë braktisur sterenë dhe kanë përfunduar në ishullin e Korfuzit. Nuk mund të them sa saktësi ka në këtë dëshmi... por gjithsesi më duket e diskutueshme.

Disa dijetarë grekë qytetin e Feakës e kanë identifikuar me gjirin e Paleokastricës i cili ndodhet në anën tjetër të ishullit të Korfuzit. Kështjella e saj është bërë për grekët një qendër me leverdi turistike.

Unë mendoj që Feaka s'ka se si të ketë qenë në ishull dhe aq më tepër në anën tjetër të bregdetit shkëmbor... Për të kërkuar rrënojat e këtij qyteti së pari duhet gjetur gjurmët arkeologjike.

Vargjet homerike vërtetë janë orientuese, por ato nxitin drejt një kërkimi të mëtejshëm.

I pari që ka dyshuar rreth këtij fakti është poeti Andrea Varfi.  “Skeria pjellore, -ka vërejtur ai, - nuk do t’i shkonte aq shumë ujëdhesës shkëmbore të Korfuzit”. Homeri nuk e përmend asgjëkund që Feaka ndodhet në ishull.

Para se ta analizojmë me hollësi këtë supozim, duhet t’u referohemi historianëve dhe gjeografëve të kohëve antike.

Gjeografi romak Pompon Mela thotë: “feakët ishin ilirë”. Në kufirin verior të grekëve banonin fise që kishin të tjera zakone dhe flisnin një gjuhë tjetër nga ajo greke... Nëse u besojmë vargjeve  të Homerit,  përshkrimi nuk i ngjan fare atij të bregut shkëmbor të ishullit të Korfuzit. Ja si përshkruhet grykëderdhja e lumit:

“... kur arriti tek gryka (Odiseu)

ku derdhej një lumë i argjendtë,

vendi që shtrihej përpara

iu duk kaq i mirë sa s’bëhej.

S’kishte shkëmbinj asgjëkundi

dhe mbrohej nga erërat mirë.”

……….

Nuk kishte shkëmbinj asgjëkundi... kjo e dhënë duhet patur në konsideratë. Më poshtë përshkruhet peizazhi rreth e rrotull Feakës:

"Po dhe në u ngjitsha në kodër,

mes pyllit të hijesuar

që e sundonte përqark lumi."

Homeri këtu të duket sikur përshkruan me imtësi  vendbanimin e vjetër të feakëve, Epirin, me fushat pjellore, në territorin "pranë ciklopëve", për të cilët thotë se janë “njerëz të ashpër në sjelljet e tyre..”

Feaka ndodhej larg lumit, e ca më larg deltës ku përzihej lumi me detin. Qyteti ndodhej mbi një bregore, midis dy kodrave të buta e pjellore, larg grykëderdhjes së një lumi, në distancën sa një klithmë zëri... ...Ku ndodhet ky lumë, pranë të cilit ka pasur dy burime që rridhnin nën një plepishte?

Dëshmia e parë për një qyet të rendësishëm në Epir me emrin "Baiaka" na vjen nga historiani i lashtësisë Stefan Bizantini ("Mbi qytetet dhe popujt").

"Baiaka, - thotë ai, - është qytet i Kaonisë. Emri i tij etnik është Baiakaios. Mund të ketë qenë edhe Baiakinos, por më mirë është i pari. Prapashtesat "is" dhe "os " janë prapashtesa të gjuhës greke. Kështu, në variantin e vet, të vendësve që e flisnin këtë gjuhë, ne duhet ta kërkojmë me emrin Baiaka".

Nën këtë qytet kalon një lumë. Siç vihet re nga kjo dëshmi Feaka e lashtë Beaka nuk duhet të ketë qenë në ishull por në stere.

Një tjetër historian i shekullit të kaluar, Hamond, duke u nisur nga të dhëna të tjera që ne nuk i dimë, qytetin Baiaka e vendos në Vlorën e sotme. (?!)

Më afër kordinatave ekzistuese të këtij qyteti është fshati Bajkaj, midis Delvinës dhe Sarandës, në afësi të fshatit Palavli, për të cilin një legjendë e vjetër thotë: "Zeusi ka lindur në Palavli". (“Paleo avlli”, në greqisht do të thotë “mure të vjetra”).

Nga fusha arkeologjike kemi këtë dëshmi. Arkeologët  që kanë kryer gërmime  në Baikaj kanë zbuluar ekzistencën e tumulave dhe e kanë vlerësuar atë si një qendër banimi prehistorike.

Po ka dhe prova të tjera nga fusha e gjuhësisë që na shtyjnë ta kërkojmë Feakën në territorin e fushës së Delvinës. Një nga personalitetet e linguistikës shqiptare, Eqerem Çabej, duke iu referuar albanologut austriak Gustav Meyer, ka hedhur dyshime rreth gjenezës së emrit "Feakë".

“B-ja indoeuropiane, - thotë albanologu austriak, Gustav Meyer - në gjuhën shqipe është ruajtur “b”, ndërsa në gjuhët greko-romake ka dhënë “F”.

Fjala indoeuropiane “Bahati”, në shqip ka dhënë “bie”, lat: “fero”, greq: “fhero”.

Kështu, toponimi i quajtur nga grekët Feakai duhet kërkuar te emri Beakai.

Një mendim më të saktë rreth prejardhjes së kësaj fjale e gjejmë tek Noli, në studimin e tij për disa fjalë shqipe të fondit indoeuropian.

Fan Noli kur analizon fjalën indoeuropiane 'bakëti' e sjell me prejardhje nga rrënja e lashtë e fjalës pellazgjike: BAKE. Në kohën për të cilën flasim nuk mund të bëhet fjalë për ndërtime të mëdha dhe të qëndrueshme, por për qendra banimi me shtëpi të thjeshta, në rastet më të mira, me mure guri të palidhura me llaç. Flitet për një kohë ku edhe qyteti më i mirë kishte ndërtime primitive.

Toponimi Baikaj, (gr: Feaka) është një dëshmi që vjen nga fusha e toponimisë. Emrat e lashtë të vendeve konsiderohen “si dëshmi e pakontestueshme brenda lëvizjes së popujve.... “Emrat e vendeve të një treve gjenden pranë e pranë jo pa asnjë lidhje mes tyre, por si pjesë e një tërësie të madhe, të një sistemi”. - thotë gjuhëtari E. Çabej. Ja dhe disa të dhëna të tjera të cilat i përcaktojnë Feakët si një fis ilir:

“Përralla e feakëve është epirote”, - thotë E.Çabej. Vetë poema "Odisea" është një mbeturinë e legjendës së kthimit të Odiseut në Itakë. Ajo ka brenda kultin e besës së dhënë, e cila ruhet vetëm te shqiptarët. "Orakulli i Odiseut tek euritanët (që nuk ishin grekë), - vijon ai - është i origjinës epirote." Në këtë studim me vlerë të tij, toponimin Baikaj ai e konsideron si një variant shqip i fjalës "Feaka".

Edhe historianë të tjerë hedhin dyshime për vendndodhjen e Feakës.

Berhardi e vendos qytetin buzë Epirit: “buzë detit të përbindëshave dhe llahtareve, që hapet drejt perëndimit dhe që popullohet prej ciklopëve dhe lestrigonëve”.

Ndërrimin e fjalës "Beaka" në "Feaka" Eqerem Çabej do ta shpjegojë kështu: “Shqipja buron prej shkallës më të lashtë, - shkruan ai, - pavarësisht me cilën gjuhë jogreke është identike, çfarë shpërngulje, përzierje apo shtegtime të brendshme  kanë ndodhur, një gjë është e sigurt, shqipja-ilirishto-trakishte ruan në rrënjët e veta, në mos një indoeuropianishte të konservuar, substratin e një të folmeje autoktone, para invazionit të fiseve dorike në Epir".

A ka patur një qytet me emrin Feakë në Korfuz?

Nuk përjashtohet mundësia që dhe në ishull të ketë patur një qytet me emrin Feaka, pasi toponimet dhe hidronimet shtegtojnë. Straboni na dëshmon se dikur edhe ishulli i Korfuzit quhej ishulli Skeria. Para se të vinin grekët në këto troje, ishulli ka qenë në pronësi të fiseve ilire, trevë e Skerisë pjellore.

Duke iu referuar të dhënave homerike del që qyteti nuk duhet të ketë qenë në afërsi të detit. Më afër së vërtetës është Baikai... qytet i rëndësishëm, i përmendur nga Stefan Byzantini, ku gjenden tumulat e një vendbanimi prehistorik.

Tek “Oiseu” ka një përshkrim, sipas të cilit ndonjë historian i lashtësisë ka hamendësuar se qyteti ka qenë në ishullin e Korfuzit. Ja përshkrimi që i bëhet Skerisë pjellore tek "Odiseu" (kënga V, faqe 280-81)

“...male të veshura me pyje

në hapësirën mjegullmbuluar të detit vishnjak, i përngjante mburojës”.

Më poshtë:

“...shkëmbinj thepa-thepa tejembanë ... (vargu 410)

... hyjnesha... e lëshoi (Odisenë) ne vendin ku lumi përzihet me detin.... (vargu 460)

Më poshtë: (Kënga VI, vargu 48) E dhëna homerike më me rëndësi për feakët jepet në vargjet e mëposhtme: “Feakët qëmoti kishin banuar në Hiperian me fushat e gjera, pranë ciklopëve. Nausistoi i vendosi ata në Shqerie, (Skerie) larg vendit ku njerëzit ushqehen me bukë... N’anë të anës banojnë larg fort, tek ky det valëturbull.

Edhe nuk kemi të bëjmë me njerëzit e tjerë të botës. (Kënga VI, vargu 203 -204)

Unë dyshoj te vargjet e mëspërme. Ndoshta janë shtesa të ndërkallura në veprën homerike. Ky dyshim shtohet kur vemë re një kundërthënie pershkrimesh. Flitet për ekzistencën e qytetit mbi një kodër të butë midis një fushe pjellore me shumë pemë dhe me burime të shumta, ku kalon një lumë, i cili nuk duhet të jetë i madh dhe i vërshueshëm pasi ndryshe nuk do t'i ndihmonte vajzat të lanin rrobat dhe t'i përplasnin guriçkave... Vargjet e tjera shtesë krijojnë tjetër imazh, imazhin e një deti valëturbull larg njerëzve "që jetojnë me bukë." (?!) Njerëzit që jetojnë me bukë... Kjo është një shprehje që do interpretuar.

Me rëndësi janë dhe vargjet e mëposhtme:

“Sa të arrijmë afër qytetit do të shohësh me ç’mure të larta rrethohet, ç’nur në të dyja anët e tija kanë skelat me hyrjet e ngushta edhe anijet skepkrruta në breg, nën strehë secila (vargjet 260-63).

Këto vargje bien ndesh me vargjet ku Nausika e tërheq pas vetes Odisenë, anës lumit gjer në një plepishte, “ku ka kroje të fshehura”. Sipas vargjeve të poemës, Feaka ndodhej larg lumit “një thirrje njeriu” (llogarit 2 km largësi).

Sipas përshkrimeve Feaka ndodhej mbi një kodrinë, disa kilometra larg detit.

Po t’u besojmë përshkrimeve, Nausikës i është dashur “të ngarkojë mushkat” për të zbritur në lumë. Një distancë po kaq e largët do t’i duhet gjer tek delta e lumit. Kur arrin në largësi të qytetit (sa një thirrje njeriu), zakoni e donte që ta linte të huajin të vinte vetëm, pasi një vajzë mbreti nuk mund të shoqërohej me një të huaj.  Eshtë interesant matja e distancës "sa një thirrje njeriu". Ka qenë një kohë kur matjet e distancave bëheshin me mënyra primitive.

Për feakët jepet dhe ky fakt: "Ata kanë në zemër veç velat, lopatat dhe anijet e lidhura bukur" (vargu 268). Pra, qyteti gjendej pranë detit, ndonëse rreth këtij fakti ka të dhëna kontraditore. Në disa përshkrime të tjera del se qyteti gjendet shumë larg deltës së lumit.

Përsa i përket Feakës së Korfuzit, në asnjë varg nuk përmendet një qytet në ishull. Nëse qyteti do të ndodhej në ishull Homeri do ta kishte përmendur diku, patjetër.

E gjithë kjo histori me ishull, nis me thënien e historianit grek, Skylaksit (shek. VI-V para Krishtit). Në përshkrimin që u bën brigjeve të Ilirisë në veprën “Lundrimi”, ai jep dhe këtë të dhënë: “Pas liburnëve vjen popullsia e ilirëve; që banojnë gjatë anëdetjes, gjer në Kaoni; kjo (Kaonia) ndodhet kundrejt Korkyrës, ishullit të Alkinout.

Të përmendësh emrin e një ishulli i cili ka qenë njohur si pronë e Alkinout, mbretit të Feakas, kjo nuk do të thotë aspak që edhe qyteti ndodhej në ishull. Kjo nënkupton vetëm kaq: në kohën e mbretërisë së Alkinout dhe ishulli i Korfuzit ka qenë në pronësi të tij. Mbretëria e feakëve sigurisht ka sunduar dhe ishullin përballë, ndërkohë që nuk përmendet asgjënkundi e kundërta, dhe s'ka se si të ndodhte një gjë e tillë.

Edhe Apolodori, duke saktësuar mendimin e Skylaksit, e ka quajtur Korfuzin "ishull të feakëve". “Nga ata (Kolhët), disa u vendosën në malet Keraune; të tjerë, të hedhur në brigjet e Ilirisë, u vendosën në ishujt Apsirtyde; disa të tjerë arritën gjer te ishulli i feakëve ku u gjetën argonautët.” Kjo e dhënë jepet për një kohë që ai e ka të dëgjuar. Pas shkatërrimit të Ilionit trojanët nisën emigrimin dhe përfunduan në brigjet e Himarës. Bëhet fjalë për shekullin e 12-të (para erës së re), kur dhe vetë Homeri ngjarjet  i sjell si dëshmi të dëgjuara, së paku 400 vjet pas ngjarjeve.

Apolodori nuk përmend askund që qyteti i Feakës gjendet në ishull. Ai thotë që ishulli ishte i feakëve, gjë që nënkupton se ishulli ishte i banuar prej një popullsie ilire. Eshtë po ky historian që thotë: "feakët janë ilirë".

“Odiseu, - thotë ai, - mbasi bëri fli për nder të Hadit, Persefonit dhe Theirezisë, duke kaluar me këmbë nëpër Epir, arriti tek ilirët thesprotë” (“Epitomia”).

Nga të gjithë argumentet që përmendëm konkludojmë që në vargjet homerike ka një mospërputhje e cila duhet të ketë ardhur  për shkak të ndërkalljeve  që u janë bërë vargjeve gjatë shekujve. Sidoqoftë, për ne kanë rëndësi jo vetëm të dhënat që jepen përmes vargjeve por edhe kazma e arkeologut e cila nuk gabon kurrë.

Argumente të tjerë për Feakët Ilirë

Janë një sërë faktesh që përqasin ritet dhe zakonet tona të trashëguara me ato feakase.

-Motivi i besës, i kënduar me lahutë nga këngëtari i verbër. Këtë motiv e gjejmë dhe në këngën popullore arbëreshe, “Konstandini i vogëlith”, për të cilin Çabej ka thënë se është i njejtë me motivin e kthimit të Odiseut.

-Zakoni i pritjes dhe i përcjelljes së mikut. Te "Odiseu" përshkruhet i gjithë ceremoniali i pritjes dhe i përcjelljes, me të gjitha detajet, si: vendosja e mikut në krye të sofrës, pjekja e mishit në hell, ngritja e dollisë, shërbimi, lojërat dhe peshqeshet në përcjelljen e mikut... E gjitha kjo flet për substratin e lashtë të një ceremonie e cila ruhet edhe sot në malësitë tona, të Veriut dhe të Jugut.

-Kënga në lahutë, rrethi i dëgjuesve, mënyra epike e të kënduarit...

 -Nausika, e bija e kryeparit të fisit, shkon të lajë të linjtat në lumë së bashku me shërbëtoret e veta. Ky motiv haset në poezinë tonë arbëreshe.

Çfarë gjuhe flisnin feakasit?  Shumica e historianëve janë të mendimit se krejt Epiri, gjer në Ambraki, fliste një gjuhë të ndryshme nga ajo e grekëve.

-Miku në Feakë nderohej duke e vënë pranë kryetarit të fisit dhe duke i nxjerrë para kokën e qengjit. Zakon ky i ruajtur gjer vonë në fshatrat e thella malore të Labërisë.

-Vendi i zonjës së shtëpisë. Zakonet e saja mikpritëse hedhin dritë mbi zakone që ende ruhen në fshatrat tona.

Çabej thotë: “Shumë zakone të fiseve të Jugut janë bërë zakone dhe të grekëve të Veriut.”

-Pozita e veçantë e femrës në shoqëri.

“Femra në Feakë, - thotë studiuesi francez P. Kabani, - në ndryshim nga ajo e Greqisë klasike të qyteteve, kishte të drejta të plota pronësie, mund të luante edhe rolin e kryetarit të familjes.”

-Shoqëria në Epir ishte e organizuar në grupe etnish, në vend të organizimit qytet-shtet, gjë që ngjan shumë me atë të territorit ilir. Ajo ishte mbeturinë e kohës së matriarkatit, ku femra ishte e lirë, mund edhe të bëhej sundimtare e vendit. Nausika dhe shoqet e saj shkojnë të lajnë rrobet në lumë, luajnë me top, marrin pjesë në kuvend si vëzhguese.

-Ruajtja e nderit të mikut, pasi binte në hasmëri me të zotin e shtëpisë na kujton zakonet tona.

-Loja me disqet ne Feakë (në Agorë). Gjurmë të kësaj loje me disqe gjen edhe sot në fshatrat e Himarës dhe të Labërisë. Disku ishte i madh dhe i rëndë sa një rrotë kaçkavalli, - thotë Jeronim de Rada, duke bërë fjalë për "roliet" arbëreshe.

-Vallja në rrotull, me rrahje të këmbëve dhe me thirrje gazmore. Sado që për këtë valle nuk jepet ndonjë informacion i mëtejshëm, ngjashmëria del e plotë.

-Dhuratat që i japin Odiseun në përcjellje: një flokatë nga ana e grave dhe një shpatë nga burrat, janë karakteristika të zakoneve tona, të trashëguara edhe sot në raste të tilla.

Që feakasit nuk ishin grekë dhe që ishin të një gjaku me trojanët këtë e vërejmë në këngën VIII (vargjet 580-85) ku Alkinou thotë:

“janë të afërt (feakasit) pas fisit të gjakut”

me ata që luftuan përkrah trojanëve.”

“Ndodhi gjë vallë të bjerë i vdekur

 ndonjë nga të tutë duke luftuar.

që moti si burrat nën muret e Trojës,

dhëndër e vjehërr, me t’afërtit tanë pas gjakut e fisit?”

Me sa duket, në luftën greko-trojane fisi i feakëve mbeti asnjanës, një veprim i pleqëruar mirë në agoranë e burrave, për të mos pasur konflikte të mëvonshme me fqinjin e vet grek, sado që gjaku i thërriste të gjendeshin në krah të fiseve të gjakut të tyre.

 Sidoqoftë, qytetërimi feak nuk është pjellë e një legjende dhe as fantazi homerike, ashtu si Troja që, pas zbulimeve, nuk doli pjellë e fantazisë homerike.Trojën e zbuloi Shlimani, i orientuar vetëm nga përshkrimet e "Iliadës". Përse të mos u besojmë edhe kësaj here të dhënave të poetit të verbër?

Historia e shkruar fillon me zhvendosjen e fiseve dorike, nga Veriu në Mesdhe. Durrësi u themelua prej dorëve rreth vitit 627 para Krishtit, nga fisi i dorëve ilirë të cilët banonin në Korinth, por para kësaj date, rreth viteve 734 para Krishtit, si në afërsi të Durrësit ashtu dhe në ishullin e Korfuzit ka të dhëna që aty banonin banorë ilirë.

Kjo tregon se fiset dorike kur zbritën në bregdetin ilir gjetën një popullsi autoktone me kulturë të zhvilluar, me kulte, zakone... e ndoshta edhe me gjuhë të shkruar. Kjo kulturë prej disa historianëve është quajtur "kulturë pellazge", ndërsa prej disa historianëve të tjerë, më të moderuar, është quajtur "kulturë ilire".

Rreth 100 vjet para ardhjes së fiseve dorike dokumentohet që Korfuzin (ishullin Vis) e zotëronin liburnët, fis i fuqishëm ilir, i njohur për anijet e shpejta. Fiset liburne njihen si fise detzotëruese, ndërsa feakasit njihen si popull që rrjedhin nga ciklopët (me këtë emër njihen banorët mitikë).

Duke përballur faktet e një Feake në ishull me ato të një Beake në stere, mendoj se ka më shumë arsye të vihen pika dyshimi mbi ekzistencën e qytetit të Feakës së parë në ishull.

Xunkthat dhe kallamishtet e përmenduara në grykëderdhjen e gjerë si dhe përzierja e butë e detit që ndërkallet brenda grykëderdhjes së gjerë të lumit, me qytetin më në thellësi, disa kilometra larg detit,  ngritur mbi  një kodër të lulëzuar ku  gjeje lloj-lloj frutash, në dimër dhe verë…. flet për një qytet i cili ndodhej pikërisht në koordinatat e vendbanimit të Baikajt

Nëse u besohet të dhënave homerike, Feaka duhet  kërkuar në Skerinë pjellore, më në brendësi të detit, në afërsi të qytetit Fenikes (Finiqit) dhe pikërisht aty ku gjendet sot territori i Baikait,  një territor me burime të shumta, me  vreshta dhe me pemë frutore.

Shënim:

* Në afërsi të Baikait gjendet një faltore e lashtë që quhet: "Beqirefend". Mos vallë toponimi "Beqir" është një deformim në kohë i emrit "Baikai", ndërkohë që "efend" greqisht do të thotë "perëndi"?

* Toponimin “Vakë” e gjejmë edhe në Labëri, mbi fshatin Çorraj, përballë kalasë së Borshit. Më poshtë fshatit gjejmë toponimin "Rrëza e Vake"

 * Në një dokument që mban datën 12 korrik 1577, populli i Himarës i drejtohej me një letër Papës. Mes emrave të fshatrave të tjera përmendet edhe emri i fshatit Bajades, (Baiakes-Vakai) një vendbanim i lashtë ku gjenden rrënoja me gurë të mëdhenj e të palidhur me llaç, gjë që vërteton lashtësinë e mureve.

Pas pushtimit turk fshati emigroi në Italinë e Jugut. Në krahinat arbëreshe të Italisë është një katund i madh me emrin Vakariso.

©Sulejman Mato

Foto: "Odiseu në Oborrin e Mbretit Alkino", tablo nga Francesco Hayez (1814), Muzeu i Capodimonte, Napoli, Itali.