Kulturë

Standardi dhe iluzioni i parashkrimit të dëmit - Ardian Muhaj

  • Published in Kulturë

 

(Publikuar për herë të pare në portalin sbunker.net)

Në teorinë dhe praktikën ligjore të mirënjohur ekziston një shërim ose fshirje kohore e një dëmi të kryer dhe të njohur si të tillë. Ky soj legalizimi ose fshirje e dëmit për shkak të kohës së kaluar që prej kryerjes së tij njihet si e drejtë e parashkrimit të dëmit. Koncepti i parashkrimit të dëmit shpreh atë që nuk e shprehin, por e nënkuptojnë, ata që mbrojnë imponimin e standardit gjuhësor të formalizuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Kremtimi jubilar i 50-vjetorit të këtij Kongresi natyrisht që do ta zmadhojë përmasën e iluzionit se standardi i Tiranës i ’72-shit, tashmë është një fakt i kryer dhe pavarësisht mangësive, imponimit, cungimit, anësive, veçimit që mbart nuk mund të rishikohet dhe as të “cënohet”.

Është e njëjta mendësi me zaptimin e një prone a toke që arrihet të përvetësohet dhe të legalizohet pasi të ketë kalu kohë e mjaftueshme dhe me kushtin thelbësor që ky zaptim të mos jetë sfidu a vënë në diskutim nga dikush tjetër. Mirëpo, parashkrimi i dëmit në rastin e gjuhës shqipe është iluzion, sepse kushti thelbësor për parashkrimin, pra që të mos ketë pasë sfidues, nuk ekziston. Janë miliona shqiptarë që për 50 vite e kanë sfidu dhe vazhdojnë ta sfidojnë, duke mos e pranu standardin në komunikimin e përhershëm e të vazhdueshëm.

Shkalla e mospranimit për më tej shkon duke u shtu, sidomos me zbehjen e monopolit të librit dhe letrës në komunikimin me shkrim. Pavarësisht se arsimi zyrtar dhe publik e vazhdon ndikimin në mësimin e standardit të shkruar, zgjerimi i hapësirave të komunikimit bën që komunikimi në distancë dhe jashtë standardit të tejkalojë shumëfish masën e kufizuar të komunikimit sipas standardit në ambientin shkollor. Madje, edhe brenda ambientit shkollor në hapësirat e shtrirjes së gegnishtes, veçanërisht në Kosovë, Maqedoni dhe Veriun e Shqipërisë, kodi i komunikimit është i dyfishtë. Nxënësit me njëri-tjetrin komunikojnë në gegnisht dhe vetëm kur u duhet të pyeten për mësimin u jepet mundësia të tentojnë komunikimin në standard.

Po jashtë standardit zhvillohet krejt komunikimi mes nxënësve në pjesën më të madhe të hapësirës shqipfolëse, jo vetëm në ambientet e shkollës, por edhe në rrugë, në kafe, në shtëpi, në media sociale, në telefon dhe komunikimet me zë përmes internetit, si mesenxher, whatsapp, etj. Miliona shqiptarë anembanë trojeve shqiptare si edhe anekënd botës ku banojnë, e njohin standardin pasivisht, meqë mund të kuptojnë tekstet e shkruara, por nuk e përdorin ose nuk u duhet ta përdorin. Megjithatë, e njëjta vlen edhe për format e lira të përdorimit të shqipes, të cilat kuptohen nga cilido shqiptar pavarësisht trajtës dialektore në të cilën shkruhen ose fliten.

Pikërisht për këtë arsye, nëse deri vonë pjesa më e madhe e komunikimit përmes shkrimit bëhej ose prirej të bëhej në standard, tani edhe një pjesë e mirë e këtij komunikimi po zhvillohet jashtë standardit. Ky zvogëlim i hises së komunikimit shkrimor në standard ka ardhë së pari si pasojë e masivizimit të komunikimit përmes internetit dhe shkrimit përmes telefonit, por edhe për shkak të kufizimit të mundësive të shkrimit në vetë tekstet shkollore. Tashmë nxënësi shkruan gjithnjë e më pak dhe zgjedh gjithnjë e më shumë, përmes pyetjeve që si përgjigje nuk kërkojnë një formulim të shkruar, por thjesht mbushjen e një kutize me një “x”, “tick”, “po”, “jo”, etj.

Kësisoj, ajo që paraqitej si “gjuhë e njësuar” ose më saktë standardi zyrtar, ka më pak përdorim sesa e folmja e Kosovës për shembull, e më pak gjithashtu sesa varianti i gegnishtes veriperëndimore, duke përfshi hapësirën nga Lezha në Pejë, dhe po ashtu më pak se sa varianti i gegnishtes verilindore, nga Mati në Kumanovë.

Për më shumë, asnjëherë nuk u saktësua se mbi cilën bërthamë të toskërishtes mbështetej standardi. Nëse procesi i standardizimit deri në pengmarrjen e tij nga regjimi diktatorial në Shqipëri mbështetej në një laborator të gjallë dhe të hapur që u njoh si elbasanishtja letrare, me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 ai standard që u vendos nuk e ka asnjë konkretësi të tillë që të dihet se mbështetet në një të folme të caktuar, e cila të shërbejë si model i natyrshëm dhe i gjallë gjuhësor. Edhe vetë standardi mbështetet tek toskërishtja në parim, por jo tek një toskërishte e gjallë dhe konkrete dhe për këtë arsye tingëllon aq artificial jo vetëm për folësit e gegnishtes, por edhe për folësit e toskërishtes. Kjo është arsyeja që standardi i vitit 1972 ka ngelë i ngurtësuar në kohë dhe ka mbetë mbrapa edhe zhvillimit të toskërishtes së gjallë.

Për shqiptarin jospecialist, standardi i sotëm shihet si shqipja që flitet në televizion. Pra, jo në një vend të caktuar, por në një studio dhe përballë një kamere. Ky standard i televizionit është përshtatë aq shumë me idenë e korrektësisë së të folurit në një studio apo përballë një kamere, saqë për këdo që është sadopak familjar me ambientin televiziv, i përket të zakonshmes skena ku krejt komunikimi i stafit dhe i gazetarëve ose edhe të ftuarve jashtë kamerave kryhet jo në standard, dhe vetëm në momentin që jepet shenja e regjistrimit, kalohet në standard. Kështu elbasanishtja letrare u zëvendësua me televizionishten letrare. Problemi kryesor që kjo ka është se vetë televizioni tashmë po sfidohet nga interneti dhe mediat sociale. Ngurtësimi i atij standardi në vitin 1972 vetëm se e zvetënon dhe e largon folësin dhe përdoruesin e shqipes prej tij. Edhe monopoli i kamerës së televizionit është thyer nga komunikimi masiv përmes kamerave në rrjetet sociale dhe aplikacionet e ndryshme përmes internetit. Por bashkë me këtë monopol të kamerës televizive është thyer edhe ngurrimi i të folurit në varietet jostandard përballë një kamere, pavarësisht faktit që në domenin e vet të ngushtë tashmë, televizioni vazhdon të jetë forumi “par excellence” i përmbajtjes në standard.

Përdoruesit e shqipes të cilët në përditshmërinë dhe përhershmërinë e komunikimit e ndjejnë më të lehtë të përdorin shqipen e pakodifikuar, të pambështetur institucionalisht dhe të pamësuar zyrtarisht, sesa standardin e kodifikuar ngurtësisht, të mbështetur jashtëgjuhësisht dhe të mësuar zyrtarisht, janë tejet më të shumtë sesa përdoruesit e standardit. Nëse standardi modelohet si nga kodifikuesit nga lart, ashtu edhe nga përdoruesit, atëherë kodifikimi ka ngelë në vend, është ngurtësu, ndërkohë që përdorimi është i gjallë, gjithjë e më intensiv dhe i ngjyruar me nuancat e kohës, e cila ndërsa kalon lë gjurmët e veta në gjuhën e gjallë.

Standardi nuk ka pse të shmanget nga përdoruesit e gjuhës dhe as nga zgjerimi dhe përditësimi. Nëse standardi përafrohet me përdoruesit, atëherë edhe shkalla e përvetësimit të tij nga shqiptarët zgjerohet. Vetëm përmes përshtatjes dhe përafrimit të standardit me përdoruesit dhe me zgjerimin e bazës dialektore në përshtatje me lehtësitë e komunikimit në shqip mes shqiptarëve nga secili cep dhe kënd i shqiptarisë dhe diasporës mund të përnaltohet standardi në nivelin e kohës dhe të njerëzve që i thonë bukës bukë e ujit ujë.

Imponimi jo vetëm që nuk ka asnjë mundësi të parashkruhet, por ka ngelë vetëm në letër dhe nuk ka arritë të pranohet. E nëse standardi nuk u arrit të përvetësohet gjatë dekadave të diktaturës, aq më pak dhe aq më absurde është të ushqehet iluzioni se kjo do të ndodhë në kushtet e sotme të lirisë dhe lehtësisë së pakrahasueshme të të shprehurit.

©Ardian Muhaj

Burimi:

https://sbunker.net/kongresi-i-drejtshkrimit-bllogje-tematike/91549/standardi-dhe-iluzioni-i-parashkrimit-te-demit/