Kulturë

Mbi librin e Mehmet Elezit “Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur” - Nga Sami Milloshi

  • Published in Kulturë

Për shkak të dashurisë së pakufishme për gjuhën shqipe

Mehmet Elezi, një nga penat më të fuqishme në fushë të gjuhësisë, për të mos thënë më e fuqishmja, ka botuar librin e ri: “Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur”.

Do ta them që në fillim: ky libër, ashtu sikurse edhe dhjetë të tjerë të tij paraardhës për gjuhësinë, përfshi edhe një fjalor me dyzetënjëmijë fjalë, janë mbi të gjitha, fryt i një dashurie të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe.

Në të vërtetë, Elezi me gjithë këtë punë titanike, nuk ka bërë gjë tjetër, përveçse ka dëshmuar me vepra një kontribut të pashoq. Të tillë që atë mund ta radhiste krejt natyrshëm përkrah emrave të mëdhenj si Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Selman Riza e ndonjë tjeter. Përkrah atyre që ndrijnë në panteonin e luftëtarëve të rrallë për mbrothësinë e gjuhës sonë.

Libri i fundit i Elezit është përqendruar tek Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. Ka nga ata që e glorifikojnë atë Kongres. Mua më duken pakica. Ka të tjerë që e stigmatizojnë fort dhe mua këta më duken shumica. Por, për hir të së vërtetës, ka edhe nga ata që kanë heshtur dhe, ç'është më e keqja, duan të vazhdojë heshtja prej varri ende për të.

Mehmet Elezi, me vetëdijen e epërme të Atdhetarit dhe me profesionalizmin e gjuhëtarit të sofistikuar, ka një qasje tjetër: ai i bën një analizë shkencore dhe fton kolegët profesionistë t'i bashkohen thirrjes së tij për reforma në fusha të ndryshme te gjuhës. Pra, ai ka një qasje përbashkuese për ta reformuar edhe vetë atë kongres.

A është mundshme kjo? Nuk them se është e lehtë, por nuk më duket as e pamundur. Sidomos po të mos shohim sot për sot, apo sidomos po të mos ngulim këmbë se ai kongres ka qenë flori...

Është i njohur fakti se i madhi Lasgush Poradeci nuk pranoi ta firmosë rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit, sepse siç u shpreh ai: “Unë kam frikë nga historia”.

Pesëdhjetë vjet më vonë, Mehmet Elezi, si një lasgushian i vërtetë, me dhimbjen e madhe për fatin e gjuhës shqipe, e mbyll me këtë paragraf librin e tij:

“Heshtja për të keqen të bën pjesë të së keqes. Unë nuk dëshiroj me u ba pjesë e së keqes. Unë tutem nga historia. Prandaj flas”. (Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur, faqe 317. Botim i Alsar, 2023)

Analiza e Elezit shkon thellë në histori. Ai e mbron me fakte se kur u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit, gjuha shqipe e kishte drejtshkrimin e vet të normuar nga Komisia Letrare e Shkodrës (1916-1918). Por, Kongresi vendosi ta groposë gjithë sa kishte vënë për themele Komisia per të filluar kësisoj “...rishtazi nga pika zero.”

Faktorët gjuhësorë që natyrshëm luajnë rolin kryesor në zhvillimin e gjuhës, duket u lanë menjanë për t’i hapur kreun e vendit faktorëve jashtëgjuhësorë me te cilët do të dhunohej logjika normale e gjuhëtarëve të kohës. Mjafton të kujtojmë këtu faktin që sjell Elezi nga Konferenca e Parë Kombëtare për Gjuhën (Janar 1952) kur kryeministri Mehmet Shehu i pati prerë fjalën Profesor Aleksandër Xhuvanit, duke i thënë: “E morëm vesh, ç’e zgjat më!” Aq brutale ishte kjo ndërprerje fjalë, sa gjuhëtari Zamputi në kujtimet e tij thotë se “E kam parasysh atë plak të cilit pothuej iu muer goja (se edhe pak e kishte prej natyre) dhe detyrimisht i ra shkurt dhe e mbylli referatin. Ja çfarë mund të bajë frika në shkencë!” (Në libër, faqe23).

Elezi sjell hap pas hapi dhunën e kastës politike komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore mbi zhvillimet e gjuhësisë. Ai përimton në detaje se si u bë realitet neglizhimi i gjithçkaje kishte miratuar Komisia Letrare e Shkodrës. Pastaj, me po këtë skrupulozitet shpalos edhe nëpërkëmbjen e dokumentit “Ortografia e gjuhës shqipe” të Prishtinës (1964). U mënjanua atëhere ai dokument, por “kapërcehet edhe sot si i paqenë”, vëren Elezi (shih faqen 26).

Sfondi historik deri kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit i paraprin asaj atmosfere të ngurtë në të cilën u zhvillua ai kongres. Elezi sjell fakte e dëshmi autentike, (kujtimet e gjuhëtarit Bahri Beci, bie fiala, por edhe të autorëve të tjerë). Duke i përzgjedhur me kujdes kujtimet e Becit, lexuesi merr vesh imtësisht se mbi çfarë kriteresh burokratike dhe jo shkencore u mblodh kongresi, mëson si u lanë jashtë tij autoritete shkencore, midis të cilëve një personalitet si Selman Riza, e plot të tjerë.

Elezi ia çjerr maskën “vezulluese” me fakte kongresit për të gjitha elementet. Si është e mundur që, edhe pse nuk u ftuan dijetarë me peshë nga mërgata si Martin Camaj, Arshi Pipa, Karl Gurakuqi, At Zef Valentini, megjithatë partizanët e “shkëlqimit” të kongresit guxojnë ende të thonë se “edhe shqiptarët në mërgatë, vendosën ta pranojnë gjuhën letrare të njësuar”!? Ku e morën vesh dhe si e morën vesh, që “e pranuan”, kur mërgatës i ishte mbyllur dera fatalisht prej vetëizolimit makabër që i bëri Enver Hoxha vendit?

Si është e mundur, shtron pyetjen Elezi, që u mënjanua nga drejtimi i kongresit patriarku i gjuhës shqipe Eqrem Çabej? Sepse, siç e pohon Elezi, “Çabej nuk e mbështeti kurrë strategjinë gjuhësore, që po ndiqej në vend pas regjimit komunist”. Citimet që sjell Elezi nga studimi i thellë i veprës së Çabejt e mbështesin plotësisht pohimin e tij.

“Si do të vemë ne për bazë njerin nga dy dialektet, kur nuk janë studiuar mirë as njeri as tjetri. (E. Çabej) Ose: “...vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, por për katër milionë njerëz, që e kanë shqipen gjuhë amtare”. (E. Çabej)

Të gjitha këto e të tjera detaje që sjell Elezi në librin e tij, e lartësojnë Çabejn në rolin e sfidantit gjenial. Ai mbi gjithshka vuri kultin e shkencës, pa iu nënshtruar urdhërave politike mbi të cilat operoi Kongresi i Drejtshkrimit. Ai kongres që, me të drejtë, Elezi e quan me metaforën e tij “një fëmijë i plakur”. I tillë, sepse me platformën e ndjekur e vinte një dialekt të gjuhës (toskërishten) përsipër dialektit tjetër (gegnishtes) duke ia mohuar dhe përjashtuar vlerat këtij të fundit.

Por, çështja sot shtrohet: si duhet me u sjellë tani, pas pesëdhjetë vjetësh, me këtë “fëmijë të plakur”?

Ky është një kapitull tjetër ku Elezi shpalos gjithë erudicionin e tij. Në mbi treqind faqe të librit ai shfaq qetësinë e argumenteve të shkencëtarit dhe elokuencën prej stilisti, i aftë të alternojë edhe stile të ndryshëm në të njejtin tekst shkencor.

Elezi ia del mbanë për bukuri me përfundime jo kategorike, me qartësinë e frazës bindëse, të përballet me cinizmin folklorik dhe arrogancën politike të disa të vetëshpallurve “baballarë të gjuhësisë”. Kredoja e Elezit në këtë libër është reforma gjuhësore.

“Përsërisim - thotë ai - çështja nuk është toskërishtja apo gegnishtja. Çështja është: gjuha shqipe, në përmasat e saj të natyrshme. Çështja është: filozofi përjashtuese apo gjithëpërfshirëse...” (faqe 58). Elezi e shtron këtë tezë për debat dhe, për rrjedhojë, edhe për vendime të reja, të mundshme për t’u marrë për strategjinë gjuhësore që duhet ndjekur.

Mirëpo, këtë tezë më se të natyrshme në kushte lirie megjithatë, e presin tela me gjemba idhtarët dogmatikë të glorififikimit të kongresit. Ata u angazhuan në tamtamet që ranë me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit ta hiperbolizoinë edhe më përçudshëm. Dhe kjo tregon se kasta politike aktuale në pushtet, është edhe më dogmatike se ajo që ishte me 1972. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet se si është e mundur, që edhe pse në kushte të lirise, përsëri nuk thirren personalitete të gjuhësisë që janë kundër vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit. Si është e mundur, që një gjuhëtar i njohur si Xhevat Lloshi, deformon tekste të kundërshtarëve të ideve të tij (tekstet e Elezit, për shembull, dhe jo vetëm të këtij)? Apo është më e lehtë kështu ta hipësh veten në Olimp që t’i shohësh të tjerët si “amatorë”?

Me truke të tilla mund të fitosh buzëqeshjen politike të kryeministrit që luan kllounin në një sallë të Akademisë së Shkencave. Por, nuk mund të ndalosh mendimin e lirë të shkencëtarëve të tjerë. Kjo është jo vetëm e padobishme, por edhe e pamundur.

Elezi ka meritën se përmes nje hulumtimi serioz ka gjurmuar zërat e tjerë që i bashkohen atij në thirrjen për reformë gjuhësore. Emrat e akademik Rexhep Ismajlit, Ardian Vehbiut, Primo Shllakut, Artan Fugës, Gazmend Berjajollit, Bardhyl Demirajt, Lekë Tasit, Lazër Stanit, e plot të tjerëve, janë dëshmia më e mirë për ta sfiduar mykun e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.

Nga hulumtimet e imta të Elezit po veçoj vështrimin brilant të Gazmend Berjajollit per paskajoren: “... paskajorja është po aq thirrje politike sa ç’është gjuhësore. Ardhja e saj në standard pohon qendrimin politik të kulturës shqiptare, që vetes po ia farkon një jetëgjatësi të shëndetshme e të përbashkuar në një të vetme”. Edhe autorë të tjerë e kanë pranuar se asgjësimi i paskajores do të thotë asgjësim i vetisë më të lartë abstraguese të gjuhës. Prandaj edhe nuk është e rastit që autorë dhe gjuhëtarë mendjehapur si Ardian Vehbiu dhe Bardhyl Demiraj të pranojnë në parim se “është koha me i çelë paskajores derën në gjuhën standard”.

Unë nuk dua të futem në gamën e gjerë të problemeve gjuhësore me të cilat merret Elezi ne librin e tij. Ato janë të shumta dhe, shpesh herë, kërkojnë ekspertizë të imtë në rrethe të ngushta gjuhëtarësh. Por, megjithatë, do t’iu isha lutur miqve të mi dhe lexuesve të tjerë që janë te interesuar për çështje të gjuhësisë, ta merrnin këtë libër edhe për një arsye tjetër. Ju do të kënaqeshit estetikisht me një debat par excellence që Elezi bën me gjuhëtarin Lloshi. Nga ky debat që është kryekëput për imtësi leksikore, për nëpërkëmbjen e gegnishtes, apo probleme të tjera, sheh se si triumfon logjika e ftohtë e linguistit Elezi përballë vetëfryrjes dhe cinizmit të Lloshit. Këtij të fundit, ndoshta i duket vetja lart, i ngjitur diku në majë, (që mund të jetë edhe maja e plehut). Ose, ndoshta bash për këtë “masturbim”, të tjerët i duken si “amatorë”.

Aq më shumë befasohesh kur ky profesor i njohur, bën edhe një gjoja “zbulim” të madh. Sipas tij, qëndrimet e një kolegu të tij (të ndjerit Kolec Topalli) qenkan “...sinteza më e qartë.... që drejtshkrimi i standardit duhet të kthehet te dialekti i Veriut dhe te sllavishtja.” (Shih: Xhevat Lloshi, “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa”, botuar në Shkup, faqe 42)

Të vesh dialektin e Veriut që përbën dy të tretat e Kombit Shqiptar si popullsi, në mos më shumë, në një plan me “sllavishten”, këtë vetëm mendja e Profesor Lloshit mund ta pjellë. Por, as kjo nuk e shpëton nga arroganca prej militanti që ka dashur te shfaqë. Njësoj si paraardhësit e tij që fshinë dhe ende duan të mbajnë të fshirë gjysmën e vlerave të shqipes. Që i ka pa as më të voglin dyshim “dialekti i Veriut”, siç e cilëson ai, ose më troç gegnishtja.

Personalisht më vjen pak keq për profesor Lloshin, që ka zbritur në këtë derexhé. Por kjo është çështje e tij. Aq e vërtetë është kjo, sa që Elezi i bën me qeshë lexuesit e tij kur vëren se ne librin e Lloshit “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa”, gjen me okë edhe gabime drejtshkrimore, të cilat ai ia citon një per një...

Ndërsa po e lexoja duke qeshur këtë kapitull të librit të Elezit, m’u kujtua se dikur, para nja dy-tre vjetësh, në mos gaboj, e pata parë profesor Lloshin duke blerë nja dy tre kopje të një libri te tij për Kristoforidhin në Panairin e librit në Tiranë. Më qe dhimbsur në atë çast. Ndërkaq më qe dukur edhe një shenjë e vockël narcizizmi: si është e mundur të blejë autori librin e tij?!!

Të madh fare këtë lloj narcizizmi e dëshmoi dikush tjetër, pikërisht kryeministri Rama në mbledhjen përkujtimore me rastin e pesëdhjetë vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Elezi e analizon në libër shumë seriozisht si gjuhëtar edhe fjalën e kryeministrit. Ky i fundit këmbeu batuta përtallëse me atë fosilkryetarin që drejton Akademine e Shkencave, pasi i shiti një parti politike Tomës... Toma ka një këngë që këndohet për të në YouTube. Është në gegnisht, me çifteli: “Ku del Dilli e len Hana/Si Tom Doshi nuk ban nana.”

Batutat e gallatës se kryeministrit me fosilkryetarin e Akademisë pa asnjë vepër shkencore, shkaktuan hajgare në mbledhjen përkujtimore të Kongresit të Drejtshkrimit. Thuhet, po ashtu, se hajgaret do t’i bëjë këngë polifonike një grup i famshëm lab. Paret janë gati si investim strategjik. Dhe paret kanë dalë nga mbyllja e Akademise Albanologjike... Do ketë pra këngë edhe “kryeakademiku” pa asnjë vepër. Dhe thonë se kënga i ka edhe këto vargje: “O Gjinush dhe Caruana/Ju vjen era shit si Lana…” Se kush është Manuel Zrinzo Caruana e dinë dy vetë: Gjinushi dhe ai që shkroi një prozë oruelliane me një personazh fiction si Caruana...

Për Drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin, e të tjera, e të tjera, pret puna... Për të qeshur, por më shumë për të qarë... Por ju, merreni në duar librin e Mehmet Elezit se do të ndjeheni mirë duke e lexuar. Ose e thanë ndryshe: keni me u ndje mirë tue e lexue, çka asht e njejta gja...

© Sami Milloshi