Kulturë

Paskajorja: Rreth disa ideve në vijim të debatit - Nga Mehmet Elezi

  • Published in Kulturë

Gjuhëtari Bardhyl Demiraj shkruan se “Forma e pashtjelluar me + PJESORE me funksionin e kategorisë gramatikore të paskajores” ka qenë dalluese për krejt gjuhën shqipe.

“Kjo formë e pashtjelluar foljore ka qenë dikur gjithkund e pranishme në hapësirën shqipfolëse (para shek. XV-XVII), ndërkohë që mënjanimi i saj në të folmet e jugut rezulton të jetë produkt i interferencës ndërgjuhësore që përjetoi gjuha shqipe si pjesë e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike”.

Prandaj:

“nxitja dhe rigjallërimi i saj (i paskajores - m. e.), duke e rrokur në normën gramatikore të shqipes së shkruar, përkon katërcipërisht me politikat gjuhësore, sa i përket mbarështimit të sistemit gjuhësor të shqipes së shkruar në tërësinë e vet e në gjithë hapësirën kompakte shqipfolëse”.

Edhe Ardian Vehbiu mendon se për paskajoren duhet të hidhet një hap. Këshillon tolerimin e paskajores së tipit me punue. 

“Qoftë edhe në formën artificiale me punuar, të cilën mund ta përdorë eksperimentalisht kushdo që e ndien të nevojshme, pa u konsideruar kjo shkelje e rregullave”.

Te kjo pikëpamjeje sillet edhe Bardhyl Demiraj. Citon një ide të Atë Justin Rrotës (1889-1964), prej veprës së tij postume “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore” (Shkodër 2006). Atë Justin Rrota shkruan:

“Përmbassi gegënishtja e shtje në punë djeri në tepri këtë mënyrë t’infinitivit (Me dashë unë, mundem me xanë; por po due me pushue tash pak, e mandej më ka anda me fjetë); e mbassi toskënishtja, përkundra, e ka dëbue, si thamë gati faret nga përdorimi, dhe këqyrë t’a zavendsojë këtë ma fort me kohët e lidhores etj. (Të dojshe, unë, mund të xëjshe; por tash njëherë dua të pushoj pak, e mandej më ka ënda të luaj); kështu mendojm, se për unifikimin e gjuhës ashtë mirë, të lëshojn pe të dyja palët: gegënishtja, tue e rrallue përdorimin dhe toskënishtja, tue shtie do ma tepër në punë infinitivin”.

Duke marrë shkas nga ideja e mësipërme, Demiraj mendon se mund të gjallërohet debati mbi “përdorimin e formës së pashtjelluar të paskajores me + Pjesore në shqipen standarde…”.  Në të njëjtin tekst Demiraj e eksperimenton edhe vetë këtë formë: “ngadhënjeu dëshira e mirë me rrokur, më saktë me plotësuar do “boshllëqe””; “i përdorim si të tilla me zbardhur kështu në letër normën gramatikore të shqipes së shkruar” (nënvizimet - m. e.). I referohet Atë Justin Rrotës, ndonëse ideja e Atë Justinit nuk ka qenë kjo. Atë Justini këshillon “të lëshojn pe të dyja palët: gegënishtja, tue e rrallue përdorimin dhe toskënishtja, tue shtie do ma tepër në punë infinitivin”. Demiraj mendon “me lëshue pe” jo duke e shti më shumë në punë toskërishtja paskajoren gege dhe duke e kufizuar gegnishtja përdorimin e saj, por praktikisht duke ndërtuar një paskajore “të re”, me pjesoren toske. Pra një lloj hibridi, një paskajore të toskëzuar.

Të dy këta autorë, Vehbiu dhe Demiraj, pranojnë në parim se është koha me i çelë paskajores derën në gjuhën standard.

Ndërgjegjësimi për këtë nevojë në nivele të larta intelektuale e profesionale është zhvillim thelbësor.

Për mënyrën e propozuar, si mund të jetësohet, ka vend për diskutim. Duket se edhe ata këtë synojnë: me e shprushë debatin.

Forma origjinale me punue nuk e prek sistemin. Pjesorja e kësaj paskajoreje gjindet në gjuhën standard, madje në tri pjesë ligjërate, jo në një: te emrat e vepruesit (kalues, mësues, dëgjues, hetues), te mbiemrat (i kalueshëm, i gëzueshëm, i pranueshëm, i trishtueshëm) dhe te ndajfoljet (kalueshëm, gëzueshëm, pranueshëm, trishtueshëm), ndërtuar me pjesoren gege me -ue. Njësoj edhe te foljet e zgjedhimit të dytë, me pjesoren gege, përkatësisht pa prapashtesën -ur: te mbiemrat e përdorur edhe si emra të vepruesit (mahnitës, tronditës, bezdisës), te mbiemrat e nyjshëm (i mahnitshëm, i bezdisshëm, i tronditshëm) dhe te ndajfoljet (mahnitshëm, bezdisshëm, tronditshëm). Në romanin “Hija” I. Kadare përdor mbi njëzet fjalë - emra, mbiemra, ndajfolje - të krijuara me këtë pjesore, të cilat nuk gjinden në FGJSSH: vrundullues, heshtueshëm, i hyjnueshëm, kaltërueshëm, mohueshëm, mahitës, ndriçues (për abazhur), shëmtueshëm, i shterueshëm… Te ky autor vërehet prirja me krijue emra me pjesoren gege në vend të emrave të barazvlefshëm me strukturë tjetër. Në sprovën “Poshtërimi në Ballkan” përdor mërgues për mërgimtar. 

Atëherë pse jo edhe vetë paskajorja, përderisa jemi brenda të njëjtit sistem, domethënë pse jo edhe me kalue, me mësue, me dëgjue, me pranue, me mahnitë, me tronditë? Qysh mund të argumentohet kundërshtimi?

Forma me punuar duket e ftohtë. Vehbiu, i cili e rekomandon më shumë si një lloj eksperimenti (“qoftë edhe”), me të drejtë e quan artificiale (mbase Fishta do ta quante mushkore). 

A do ta pranonte gjuha këtë element artificial? Duhet parë sa ngjit, sa do të natyralizohej, a do ta përbrendësonte organizmi i gjallë i gjuhës, sa kompatibël do të ishte me të. Me u çue burra - te ky i poemës së Eposit Muji e Behuri, spikat paskajorja në funksionin e një urdhëroreje të sjellshme. Përfytyrohet dot një varg i tillë i shndërruar në formën Me u çuar burra, si do të tingëllonte? Pa folur që, në vështrimin praktik, nuk dihet deri në ç’shkallë do t’i kënaqte “palët” e skajimeve të kundërta, ata që kërkojnë pasaportën e konfiskuar të paskajores dhe ata që ia kanë grisur “letrat” moti dhe duan ta përzënë në harrim.

Duke e shtrirë arsyetimin, duket se me një formë të tillë, në vend se me u konsolidue rregulli brenda gjuhës, rregulli brenda gjuhës do të çartej e do të thyhej; jo një, por tri pjesë ligjërate do të trazoheshin. Si do të bëhej me emrat e vepruesit të tipit kalues, mësues, shikues, hetues, të formuar nga pjesorja gege?

Do të shkruhen kaluars, mësuars, shikuars, hetuars? Sigurisht jo.

Do të ndryshohen në kalonjës, mësonjës, shikonjës, hetonjës? Përsëri jo.

Do të lihen siç janë?

Më tej:

Ç’do të bëhej me mbiemrat e formuar me të njëjtën pjesore, si i kalueshëm, i gëzueshëm, i trishtueshëm, i diskutueshëm?

Dhe me ndajfoljet e formuara me të njëjtën pjesore, si kalueshëm, mendueshëm, gëzueshëm, trishtueshëm?

Do të shndërrohen në (i) kaluarshëm, (i) menduarshëm, (i) gëzuarshëm, (i) trishtuarshëm? Nuk shkon.

Do të shndërrohein në (i) kalonjëshëm, (i) mendonjëshëm, (i) gëzonjëshëm, (i) trishtonjëshëm? Përsëri nuk.

Do të lihen siç janë?

Probleme të reja, të panevojshme. Ço nji kashtë, i gjen gjashtë, thotë populli.

Çështja rikthehet te arsyetimi i thjeshtë, bazik. Në qoftë se emrat, mbiemrat dhe ndajfoljet e formuara me pjesore me -ue, përkatësisht kalues, i kalueshëm, kalueshëm…, do të lihen në standard ashtu siç janë sot, atëherë pse të mos përbrendësohet edhe paskajorja ashtu siç është (me kalue), e formuar me të njëjtën pjesore si ata?

Paskajorja ka të drejtë me pyetë: pse ato me grupin -ue janë të pranueshme brenda sistemit, në tri pjesë ligjërate, ndërsa unë, me të njëjtin grup -ue, për të njëjtin sistem qenkam e papranueshme?

Për një paskajore me pak ndryshim, të integruar në standard, shprehet edhe Gazmend Berlajolli. 

“Gjuhësisë i mbetet me hetu për modelin e dëshiruar të komunikimit kombëtar në shqip - një standard, që shumëngulmuesen paskajore të gegnishtes vërtet e përbrendëson si vlerë kombëtare”, shkruan ai. “Dhe paskajorja në standardin e të nesërmes do të mund të quhet krejtësisht e integruar veç atëherë kur pjesorja e foljes të jetë shkurtu përfundimisht”.

Berlajolli privilegjon trajtën me punu, duke shkurtuar e-në fundore. Pra as me punue, as me punuar. Siç duket e sheh si formë më të pranueshme kompromisi. Vetë e përdor këtë trajtë nëpër shkrime. Nuk është artificiale, është në pajtim me shqiptimin në disa treva të gegnishtes.

Gjasat janë se pengesat që do t’ia prisnin rrugën trajtës me punuar i dalin përpara edhe trajtës me punu.  Ani pse disi më të zbutura. Ndërhyrjet në emrat, në mbiemrat, në ndajfoljet që janë formuar prej pjesores gege me -ue, do të shtroheshin rishtazi në tryezë. A do të duhej me i ligjësue trajtat kalus, kalushëm, i kalushëm? Një paskajore e tillë prapë do ta trazonte sistemin.

Nuk mund të thuhet kështu për formën origjinale të tipit me punue. Sërish pyetja e mëhershme: pse me punu e jo në formën origjinale me punue, pse një paskajore e çnatyruar, kur ajo e natyrshmja është në harmoni me sistemin dhe nuk trazon kurrgjë?

Për më tepër, paskajorja origjinale është në ADN-në e gjuhës shqipe. Më lart cituam B. Demirajn, që sjell në vemendje se këtë formë e ka pasur mbarë shqipja. E ka humbur vetëm një dialekt i saj - edhe ai jo krejtësisht - si përftesë e ndikimit të gjuhëve fqinje.

Ideja e hedhur nga Vehbiu dhe nga Berlajolli në thelb nuk është e re. Risjellim në vemendje një fakt nga sesioni i Institutit të Shkencave, janar 1952, të cilin e kemi përmendur edhe më përpara.  Dh. S. Shuteriqi printe në krye të politikës zyrtare për “gjuhën e përbashkët”, por për paskajoren përpiqet. Pohon se  “infinitivi ka mot që ka hyrë në toskërishte”. Për t’i dhënë tharmin e duhur politik, shton: “Masat punuese kanë filluar ta përdorin. “Zëri i Popullit” ilegal mund të dëshmojë mirë për këtë”. Ngul këmbë me e përfshi paskajoren në standard, duke iu referuar përdorimit të saj prej E. Hoxhës, në një citat të Stalinit, në raportin e kongresit të 2-të të partisë.

“Me drejtu mirë do të thotë:

“1. Me gjetë një zgjidhje të drejtë të problemit...

“2. Me organizu zbatimin e një vendimi të drejtë...

“3. Me organizu kontrollin e zbatimit të këtij vendimi... Për të gjetë zgjidhjen... duhet me i bashku...”.

Në vijim,  nisur mbase edhe nga trajta që përdor Hoxha, Shuteriqi propozon një “kompromis”. Mendon se paskajorja në gjuhën e shkruar mund të ndërtohet në trajtën me punu, me dëfry (dhe jo me punue, me punuar ose me dëfrye, me dëfryer), ndërsa për foljet e tipit me bâ, me pi, me lanë propozon ndërtimin me bërë, me pirë, me lënë.

Nuk ka të dhëna se një zgjidhje e përshtatur kësisoj u përkrah nga ndonjë zë në konferencë. As në vitet e mëvonshme.

Forma e përfshirjes së paskajores në gjuhën standard s’ka arsye me u shtrue në trajtën i heqim këtë, i shtojmë atë.  Paskajorja, ajo që është në gjuhën e gjallë, me tërësinë e vlerave që ka, pa u shfytyruar, kërkon vendin që i është mohuar jashtë çdo logjike shkencore. E kërkon ajo paskajore që është, ashtu siç është, duke arsyetuar gjuhësisht. Këtë vend të hequr arbitrarisht ndo e merr, ndo nuk e merr. Operacionet plastike e plagosin atë, e shëmtojnë gjuhën.

Në qoftë se forma origjinale me punue, në një sistem të familjarizuar me pjesoren me -ue në tri pjesë ligjërate, nuk hap kurrfarë problemi, ajo kërkon me hapë diçka tjetër: mendjen. Me gjykue vetëm nga kundroja e vlerave gjuhësore. Për të mirën e gjuhës shqipe. Risjellim në vemendje citimin e B. Demirajt:

“…nxitja dhe rigjallërimi i saj (i paskajores - m.e.) duke e rrokur në normën gramatikore të shqipes së shkruar përkon katërcipërisht me politikat gjuhësore, sa i përket mbarështimit të sistemit gjuhësor të shqipes së shkruar në tërësinë e vet e në gjithë hapësirën kompakte shqipfolëse”.

© Mehmet Elezi (nga libri “Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur”)