Kulturë

Është Edi Rama “dashnor” i gjuhës shqipe? - Nga Mehmet Elezi

  • Published in Kulturë

Në mënyrë të përsëritur thotë në fjalim se është “dashnor i paepur i gjuhës shqipe” (1). Nuk duket aq e nevojshme me i mëshue një deklarate të tillë për gjuhën e vendit tënd, ku je kryeministër, por më e rëndësishmja nuk është kjo. Në gjuhën shqipe fjala “dashnor” ka kuptim jo aq të fisëm. Më shumë se një dashuri të thellë, të brendshme, të qëndrueshme, nënkupton flirte.  Fjalori i gjuhës shqipe, i hartuar nga Akademia e Shkencave e kohës së Kongresit të Drejtshkrimit, nga ajo Akademi, së cilës Rama i falet e i blaton shumë mirënjohje në fjalën e tij, e përkufizon kështu:

- dashnor: “ai që ka marrëdhënie dashurie me një grua a me një vajzë, pa qenë i martuar me të, ai që bën dashuri me një femër; i dashuri (zakon. keq.)”.

Siç shihet, nënvizon se dashnor zakonisht përdoret me ngarkesë të keqe. I njëjti përkufizim është ruajtur edhe në botimet e mëvonshme të Fjalorit, gjithnjë vepra të Akademisë. Çdo herë pa harruar të shtohet “(zakon. keq.)”, pra zakonisht përdoret me ngarkesë të keqe. Në rastin më të pafajshëm, dikush që e shpall veten dashnor të gjuhës shqipe, nuk mund të lavdërohet se e njeh mirë këtë gjuhë.

Thotë:

“…mbase, mbas pavarësisë në 1912 e mbas ndonjë ngjarje tjetër është arritja më e madhe e shqiptarëve, gjuha e njehsuar shqipe”.

Një rresht e gjysmë, shkruar në një shqipe jo shqip, duke filluar nga ndërtimi i përmbysur i fjalisë (me gabimet drejtshkrimore nuk po merremi). Në gjuhën shqipe kryefjala si rregull vihet në krye, para kallëzuesit dhe jo e kundërta. Pa ndërhyrë ashpër në të dhe pa pyetur cila është ajo ngjarja tjetër, kjo fjali mund të ndërtohej thjesht: “…mbase, mbas pavarësisë në 1912 e mbas ndonjë ngjarjeje tjetër, gjuha e njehsuar shqipe është arritja më e madhe e shqiptarëve”.

“…gjuha e njehsuar shqipe”?

Ky togfjalësh s’ka asnjë kuptim. Duhet thënë gjuha e njësuar shqipe. Folja me (u) njehsue, prej ku mbiemri i njehsuar, është krejt tjetër nga folja me (u) njësue, prej ku mbiemri i / e njësuar.  Njehsimi është term i Matematikës, nënkupton një veprim me numra për të gjetur një sipërfaqe, një vëllim, një peshë etj. S’ka të bëjë fare me gjuhën, me njësimin (jo njehsimin!) e saj.

Edhe mbiemrin e njehsuar Rama e përdor rishtazi, në një tjetër ndërtim sintaksor, që nuk mbahet dot në këmbë:

“Kongresi i Drejtshkrimit ka të veçantë dhe madje edhe te paarritshme, provoni ta bëni sot një kongres, provoni ta bëni se është e vetmja shpresë që Eqrem Çabej të ngrihet nga varri bashkë më gjithë këta nënshkruesit që kanë ikur në botën e përtejme, mbasi i kanë lënë kësaj bote një thesar që është një pasuri kombëtare me te cilën nuk mund të lejojmë dot të luhet hajgare që është gjuha e njehsuar”.

Është për të të ardhur keq, por një tekst si ky mund t’u shërbejë profesorëve të gjuhës e të stilistikës për t’u treguar studentëve si nuk duhet shkruar.

- vijon në kapitujt më pas -

(nga libri “Kongresi i Drejtshkrimi, një fëmijë i plakur”, ALSAR 2023)

--------------

*(1) Citimet janë nga fjalimi i Edi Ramës, mbajtur në Akademinë e Shkencave, në sesionin kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. Burimi: faqja zyrtare e Kryeministrisë.