Kulturë

Mbi Apostullin e Ilir Ikonomit - Nga Jeta Dedja

  • Published in Kulturë

Jeta Dedja - Kryeredaktore e Flasshqip.ca

Më është bërë zakon të shkruaj mbi një libër vetëm kur impresionohem më shumë se ç’pres. Kështu më ndodhi kur mora në dorë librin Fan Noli - Apostulli të Ilir Ikonomit dhe automatikisht nisa të recitoj “Anës lumenjve”, se aq shpesh e kam pas recituar gjatë viteve shkollore, saqë zor ta harroj ndonjëherë. Por kur mbërrita në faqen e fundit të librit pas një leximi frenetik vetëm me pushime dreke e darke, i dhashë kuptime e shpjegime të tjera çdo poezie të Nolit, që në atë kohë i komentonim thjesht me nota patriotike. Se pas çdo krijimi ka një ngjarje, ka një histori, ka një marrëdhënie që ne nuk e kemi ditur. Poezinë e mora shembull, se libri i Ikonomit nuk bën fjalë ekskluzivisht për poezitë apo Nolin e letrave.

Fan Noli i Ikonomit është një jetëshkrim i një personaliteti padyshim të mahnitshëm, i ndërtuar mbi të dhëna arkivore nga burime të ndryshme si nga Arkivi Kombëtar i SHBA, Biblioteka e Kongresit në Uashington, Arkivi dhe Biblioteka Kombëtare shqiptare e të tjera.

Ikonomi vjen më i sprovuar si studiues në këtë publikim për Nolin. Stili i të shkruarit është më i zhdërvjellët dhe i pëlqyeshëm sesa kur e krahasoj me publikimin mbi Konicën. Libri është i organizuar në 6 kapituj, sipas kronologjisë së ngjarjeve që prej 1906 deri në 1920, duke e lehtësuar lexuesin në mbajtjen e vëmëndjes dhe zhvendosjen në kohë.  

Autori, sipas meje, ka përdorur stilin e referencave Chicago, me shënim rendor në fund të faqes për çdo kapitull. Kështu për shembull, për kapitullin e dytë “Kisha Shqipe” listohen 393 referenca, gjë që tregon angazhimin serioz të autorit për të sjellë një vepër studimore të mirëfilltë sesa përshkrime emotive.

Figura e Nolit vendoset në mjedisin e Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohës dhe personaliteti i tij ravijëzohet faqe pas faqeje. Kështu lexuesi mund të arrijë të krijojë imazhin e qartë e të plotë të Nolit si themelues i Kishës shqiptare, mbrojtës të gjuhës shqipe, lider, diplomat, poliglot, mjeshtër i fjalës dhe i penës, publicist, përkthyes, orator i pashoq, lobues i paepur i çështjes shqiptare, patriot i pashembullt. Noli i dyshuar si agjent, viktimë intrigash, zilish, xhelozish shqiptarësh ambiciozë. Noli i etur për pushtet, zemërak e hakmarrës. Noli shmangës detyrimesh e narcizist. Nuk mund të mos vësh re sesa vlerësim të lartë kish Noli për veten duke besuar se ishte special e superior në krahasim me gjithë të tjerët, sa varfërisht reagonte ndaj kriticizmit e sa impulsiv ishte në sjellje. Ndoshta sepse që në fëmijëri Nolit i ishin prezantuar tri figura të cilat ai duhet dhe do t’i kishte etalonë dhe udhërrëfyes në jetën e tij. Çfarë do të bënte Napoleoni, Skënderbeu apo Jezusi në këtë rast? - pyeste Noli veten sa herë që ndeshte një pengesë apo dilemë. E pra edukimi me pritshmëri të standardit kaq të lartë dhe të dimensioneve përtej njerëzores do të çonin pa dyshim në formimin e një personaliteti kompleks e shumëplanësh si ai i Nolit.

Autori me mjeshtëri paraqet fakte historike duke iu ruajtuar mbajtjes së qëndrimit personal, edhe pse diku mund të ndihet ndonjë notë e kujdesshme kritike a interpretimi. Është e vështirë të ruash neutralitet kur shkruan histori, e megjithatë Ikonomi ia arrin me sukses. Ai madje ka një meritë tjetër nga pikëpamja akademike, pasi aty këtu me ndërhyrjet e tij shpjeguese nxit të menduarin kritik. Lexuesi mbahet i mbërthyer gjatë gjithë kohës duke bërë pyetje e duke dyshuar, analizuar e interpretuar gjithmonë duke përballur informacionin e sapo marrë me atë të vjetrin të skalitur prej vitesh në memorie. Libri diku të bën ta admirosh Nolin, e diku tjetër të bën ta gjykosh atë, sepse Noli ishte i jashtëzakonshëm në guxim dhe angazhim. I papërtuar për të arritur. Talent dhe burimplotë. Nuk ia përtonte qesëndive publike për kundërshtarët, dhe e kishte të vështirë të hiqte dorë nga bindja e vet apo të hapte rrugë, sepse ai besonte që ishte në anën e të vërtetës dhe të së drejtës.

Ajo që mua më mbeti në mendje jo për mirë, për shkak të ngjashmërive me realitetin e sotëm, ishin konfliktet mes intelektualëve, zilitë dhe spiunllëqet për të fituar territor e influencë në komunitet e ndër ambientet e të huajve, servilizmat dhe lojërat me shumë porta, fshehje vulash dhe marrje peng organizatash, fryrjet e vetëmburrjet.

Emra që në tekstet shkollore të historisë janë idealizuar, gdhendur në mure, derdhur në monumente e pikturuar në tablo meqënëse qeveritë nuk janë kursyer të prodhojnë mitet që iu janë dashur, në librin e Ikonomit ne i shohim ndryshe, i shohim njerëzorë, me të mirat e të metat e tyre, sepse në kohët e sotme, mitet dhe heronjtë e dikurshëm po dekonstruktohen në shërbim të së vërtetës.

Unë jam në pritje të vëllimit të dytë për Fan Nolin, që Ilir Ikonomi ka premtuar se do e sjellë së shpejti. Deri atëherë rekomandoj të gjithë miqtë e mi të mos humbin shansin ta lexojnë Apostullin. Nuk është një libër vere, por është shkruar aq butë dhe natyrshëm, sa do t’ju shoqërojë këndshëm në pushime.

© Jeta Dedja/Flasshqip.ca