Arte & Media

Zeqirja Rexhepi, ambasadori i shquar i artit shqiptar në Halifax

Nga: Alban Tirana

Krijuesit dhe artistët janë racë e veçantë. Ndër ta, akoma më të veçantë ata të arteve figurative dhe muzikës. Jo për faktin që dhuntitë e tyre janë më specifike, sepse edhe arti i shkruar ngjan në fund të fundit me një tablo apo ligjëron si një këngë a melodi. Ata janë disi më të veçantë sepse kanë fatin ta perçojnë artin e tyre me një gjuhë universale të perceptueshme dhe të kuptueshme pa ndihmën e fjalës. Kanë fatin t’i bëjnë vend vetes së tyre kudo. Të tillë gjenden plot ndër bashkëkombasit edhe këtu në Kanadanë e pamatë që shtrihet nga një oqean në tjetrin …

Duke naviguar në internet, hasa para disa ditësh në disa tablo që janë ekspozuar në një nga ambientet e institucioneve federale në Ottawa, ku më tërhoqi vëmendjen një emër shqiptar … Kjo ishtë “njohja” e parë me piktorin nga Kosova, Zeqirja Rexhepi, i cili prej 20 vitesh jeton në Halifax të Nova Scotia-s. Falë lehtësisë mahnitëse të mediave sociale, munda të hyj në kontakt më të e të zbuloj botën “e vogël” të një artisti të madh për ta ndarë atë sot me lexuesit e FlasShqip.

Aty ku jeton ai, me të drejtë e kanë cilësuar si ambasador të kulturës. Dhe një artist me talent të rrallë nuk mund të jetë ndryshe. Fati i tij dhe i familjes së tij ka qëne i njejtë bashkë me atë të mijëra të tjerëve që u larguan nga vendlindja, Kosova, për t’i shpëtuar dhunës së regjimit gjakatar serb në vitin dramatik 1999. Në atë kohë, bashkë me shtëpinë u dogj edhe një pjesë e madhe e fondit të tablove të krijuara prej Zeqirjait. Mbijetuan vetëm ato që u kishte dhuruar miqve dhe shokëve …

Po cili është Zeqirja Rexhepi? I lindur në Përlepnicë të Gjilanit më 1955, ai e ka kryer gjithë shkollimin e tij si artist në Shkup e Prishtinë, ku dhe u diplomua në vitin 1979 në Akademinë e Arteve në klasën e pikturës të profesorit Tahir Emra. Interesant është fakti që ai ka patur pasion edhe muzikën duke qenë pjesë e disa prej ansambleve artistike të Kosovës për vite me radhë. Para largimit në kohën e Luftës së vitit 1999, Zeqirja Rexhepi i pat lënë gjurmët e punës së tij jo vetëm me tablo por edhe me shumë piktura murale në objekte kulti dhe si tekstil dizajner.

Ne Halifax ku jeton sot, ai nuk është vetëm një piktor i afirmuar që di ta përcjellë te publiku artin e vet, por edhe skenograf filmi në më shumë se 20 syresh. Anëtar i disa shoqatave të arteve figurative të provincës, ai është i angazhuar  edhe në nivel federal ku veçohet pjesëmarrja e tij në Shoqatën e Artistëve të Forcave të Armatosura të Kanadasë dhe Muzeut Nacional në të cilën ai përfaqëson Nova Scotia-n.

 

Zeqirja Rexhepi është pjesëmarrës në shumë ekspozita, personale dhe kolektive, brenda dhe jashtë Kanadasë. Dy teknikat kryesore të tij janë pëlhura dhe pikturat murale. Nga këto të fundit, numërohen rreth 30 realizime madhore ku duhen përmendur “Anija me vela” e prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Halifax-it më 2000, ajo kushtuar 400 vjetorit të trashëgimisë kulturore frankofone në Nova Scotia, një pjesë origjinale e të cilës ruhet në Muzeun “Evangelina” në Louisiana të SHBA, muralja-portret kushtuar 200 vjetorit të Joseph Howe, reformator dhe lejtënant-guvernator i parë i provincës atlantike apo muralja “Making peace”, në përkujtim të veteranëve të luftës, e realizuar në Qendrën e tyre memoriale. Gjithashtu 3 tablo të piktorit shqiptar ndodhen sot të ekspozuara si pjesë e fondit të institucionit në National Defense Head Quarters, Ottawa, ndërsa një tjetër në Muzeun e Marinës në Halifax.

Suksesi profesional i Zeqirja Rexhepit ka gjetur pasqyrim të gjerë në shtypin e specializuar kanadez për artet figurative dhe kritika e ka cilësuar atë si një artist me talent të veçantë që arrin përmes koloritit abstrakt, të përcjellë mesazhe të jetës së përditshme përmes simbolikës paralele dhe metaforave.

Në një komunikim të drejpërdrejtë që pata më të, ai mu shpreh se temat e tij të preferuara janë ato që afirmojnë vlerat kombëtare, qoftë shqiptare, qoftë kanadeze. Sipas tij, vepra artistike, në rastin konkret piktura, nuk krijohet vetem për të joshur syrin por ajo duhet edhe të percjellë një mesazh kombëtar në trajta universale. Artisti mbetet ambasadori më i mirë në diasporë – u shpreh ai.

Puna e pandërprerë dhe e përditshmë e piktorit Zeqirja Rexhepi është përgatitja për pjesëmarrje të rregullt në ekspozita kolektive por edhe personale apo konkurse të ndryshme që organizohen gjatë një viti kalendarik. Kohën e lirë ai e ndan me familjen, bashkëshorten Bedrien, 6 fëmijët e tyre dhe 15 nipa e mbesa. Ata të gjithë merren me art, kryesisht me muzikë. Duket që arti është pjesë e genit të tyre familjar.

Po cilat janë planet e tij për të ardhmen? Dëshira kryesore e Zeqirjait është që pas 20 viteve emigrim në Kanada të kthehet në Kosovë me një ekspozitë personale. Po ashtu, t’i rikthehen për rifreskim dhe restaurim murales së “Martirëvë të Karadakut”. Kjo vepër, e realizuar nga dy artistët në vitet e vështira 1990-të, ndodhet në Kishën shqiptare të Binqës në komunën e Vitisë, Kosovë. Ndërkohë, ai e sheh si shumë me vlerë organizimin në rang Kanadaje të një ekspozite kolektive me vepra të të gjithë krijuesve shqiptarë të arteve figurative që jetojnë këtu. Do të ishte një arritje e madhe, sipas tij, për afirmimin e vlerave tona kulturore dhe afrimin e mëtejshëm dhe harmonizimin e dy kulturave të vendit tonë të origjinës dhe vendit ku fati e solli të jetojmë sot. FlasShqip i uron sukses dhe realizim sa më të shpejtë të projekteve të tjera profesionale ambasadorit të shquar të artit dhe kulturës shqiptare në Halifax, Zeqirja Rexhepi! Mirënjohje dhe respekt pa fund për punën tuaj mjeshtër!

Tagged under Zeqirja Rexhepi