Arte & Media

Filmi i famshëm i kërkuesit të egjiptologjisë, shqiptarit Fehmi Krasniqi - Nga Burim Bardhari

Historia e fshehtë e “gurit të zejtaruar” dhe zbardhja e fshehtësive të ndërtimit gurëmadhor të piramidave, gurëgdhendjes së shtatoreve të lashta, lapidarëve dhe katedraleve.

Kush jemi, nga vijmë dhe ku shkojmë, këto janë pyetjet e njerëzimit që nga lashtësia. Shqiptarët vegjëlitarë janë kudo si fiset hebraike. Në pamundësi të ngritjes dhe pavarësimit të ekonomisë shtëpiake të fortë, mërgojnë atje ku ka infrastrukturë të gatshme, ngase mjerisht udhëheqësit vendorë nuk janë hartues të synimeve largpamëse dhe i nënshtrohen mendësisë së vartësise dhe vasalitetit ose i ka përfshirë sindroma e dëshpërimit dhe mendjemoçalësisë. E vërtetë e pamohueshme, sepse shqiptarët ishin më të fortë kur nuk kishin shtet të plotë si hebraikët sot dhe mundoheshin ta ndërtonin atë gjatë periudhës së lavdishme çerek-shekullore me kryetrimin kombëtar Skenderbeun se sa sot, pothuajse me tre shtete, ndërsa dallimi theksohet vetëm tek kryefjala udhëheqësia.

Shqiptarët braktisin folenë atdhetare kryekëput për të mirë dhe për shpalosje të aftësive si shenjtorja Nënë Tereza dhe Nobelisti ynë i dytë Doktor Ferid Murati, shkencëtari amerikan me prejardhje shqiptare nga Gostivari, dhe nuk mërgojnë për ligësi! Fehmi Krasniqi është, “shqiptari i dytë që pushton Egjiptin e lashtë”, fatmirësisht jo me mafia, as me shpatë si Mehmet Aliu ynë dikur në shekullin e 19-të, sundimtari shqiptar dhe themeluesi i Egjiptit bashkëkohor me dinastinë e tij që zgjati rreth 150 vite (ose si Leka para tij me fron-mbajtësit e dinastisë Ptolomeike deri te Kleopatra e fundit para kapërcyellit nga pushtimi romak i Çezarit), por me zbardhjen e fshehtësive tërmetëse, njohuri të lashta e të pazbuluara. Disa prej tyre janë mbi ndërtimin gurëmadhor të piramidave, jo vetëm në rrafshnaltën Giza por kudo në botë, që ngacmojnë mëdyshjen por edhe dijen shkencore.

Mjerisht, ai ka harruar ta përfshinte faktin se zbulimi i qelqit është meritë e egjiptianëve të lashtë përveç birrës (jo asaj meksikane Korona) dhe kalendarit prej 365 ditësh +1ditë vitin e katërt të brishtë, ose së paku se dinin ta përdornin qelqin empirikisht (me përvoje zejtarie) sepse qelqi përfitohet nga shkrirja e gurit ranor (rërës) që ka të bëjë me teorinë e tij të shkrirjes së gurit dhe derdhjes me kallëp si betoni, ndoshta jo shkencërisht me formula. Poashtu, nuk përmend as lapidarin e sheshit “Place de la Concorde” në Paris që ishte dhuratë për Napoleonin (e mposhtur) nga Mehmet Aliu ynë, ndërsa në oborrin e xhamisë që mban emrin e tij, e cila gjendet brenda citadelës së famshme të Saladinit është vendosur kulla e sahatit që ia dhuroi Napoleoni si arritje teknologjike frënge për ta joshur atë në anën e tij dhe kundër britanikëve.

Shqiptari nga Franca, Fehmiu, i rreket zellshëm fushës së kërkimit tejet të mpleksur ku vazhdimisht përplasen akademikët dhe kacafyten entuziastët që mjerisht disa prej tyre e kane shkuar tërë jetën vetëm për një përkushtim si murgjit në ngujim, për të zbuluar të vërtetën e humbur mijëvjeçare, kinse të detyruar nga zanat e atjeshme ose nga kurthi i Sfinskit pyetësor. Sidoqoftë, deri në këtë çast dokumentari i gjatë filmik i Fehmiut i përkthyer edhe anglisht vitin e kaluar është shikuar përafërsisht nga dy milionë kureshtarë dhe ndoshta së shpejti pason edhe përkthimi shqip.

Egjiptologjia është një nga lëmenjtë pa krye që shpie nëpër shpella të thella dhe përplot me zgafella pikëpakthimthi. Kush bën kërkime ose vuan nga kërshëria e mprehtë shqiptare apo nga ngeja e flamës ndoshta nuk bën keq ta shikojë dokumentarin dhe ta shijojë vetë, pa ndikimin e këtij shkrimi edhe pse papajambajtës dhe nuk duhet lexuar pjesa më poshtë sepse pasojnë disa këndvështrime vetjake.

Si zakonisht, lundrimi mbi lëndën e lashtësisë është dhjetëfish më i vështirë, shkaku i teorive të nduarnduarta të cilat përmbysen periudhtas dhe hutojnë më shumë se sa përcaktojnë të vërtetën. Mirëpo piramidat bashkë me lapidarët, si ngrehina figurash të gjeometrisë së shenjtë jo vetëm që fshehin vlerat konstante të gjithësisë si numri ‘Pi' ose 'Fi' (Renditja e Fibonaçit) apo mesit të artë, ndoshta edhe të vetë metrit matës edhe pse si njësi metri u shpik zyrtarisht shumë më vonë, në shekullin 18-të, jo vetëm se janë të kudopërhapura, por lënë përshtypjen sikur disa anëtarë klubi ose pronarë trashëgimtarë nga lashtësia vazhdojnë ngulitjen e vulës së pranisë tyre nëpër qendra të mëdha botërore, siç është lapidari vigan në Uashington ose në Vatikan, e ashtunjohura ‘Gjilpëra e Kleopatrës’ në Nju Jork, madje piramidat që spikasin mbi kulme të ndërtesave të ndryshme, qoftë ajo e Frankfurtit, ose qytetit Lyon në Francë, apo piramida e qelqtë në Paris ose hoteli piramidal në Las Vegas dhe një tjetër më e vogël në qendrën e Sheshit Njësh në Mississauga (qytezë afër Torontos), madje edhe në Tiranë.

Fehmiu përkujton se emri i Egjiptit të lashtë ishte 'Kemet' që nënkupton 'toka e zezë' (ku banonin zezakët) dhe thumbon racizmin e heshtur. Ai kundërshton ashpër duke pohuar këmbëngultas se piramidat nuk janë ngritur me blloqe gurësh disa tonësh të shkulur nga gurorja e largët mbi 900km në Asuan ngase flitet për një periudhë primitive të qytetërimit Egjiptian që sapo kishte lënë pas periudhën e gurit dhe nuk kishte teknologji të zhvilluar përveç zbulimit të bakrit dhe veglave përkatëse me bakër, por as rrota nuk ishte shpikur si në Mesopotaminë fqinje.

Rrjedhimisht, ai mbështet teorinë e re të shkencëtarit francez Xhozef Davidoviç (Joseph Davidovits), që merret me studimin e materialeve dhe njëkohësisht kreditohet si shpikës i kimisë gjeopolimere, i cili pohon se blloqet nuk ishin gurë të gdhendur nga natyra por janë derdhje me kallëp nga guri i gëlqeres, pra janë gurë artificialë ose gurë nga betoni duke dhënë prova kimike të cilat janë përzierje lëndësh që më pas ngurtësohen duke u dhënë edhe trajtën e duhur, përndryshe është e pamundur të lëvizin gjithë ata gurë, disa sa shpate malesh.

Mirëpo, Fehmiu shkon një hap më larg se shkencëtari në fjalë dhe trondit opinionin botëror duke kumtuar se shkrirja e gurëve është bërë me thjerrëza si ato të syzeve ose zmadhues të qelqtë (shih foton në hyrje). Sipas tij, thjerrëzat me diametër 5 metra të ngritura mbi trekëmbësha e shkrinin gurin si llava qoftë edhe granitin e rëndë  dhe me ndihmën e rrezeve të nxehta të diellit  përqëndrohen temperaturat e larta për djegie dhe shkrihen gurët, pastaj derdhen nëpër trajta të ndryshme ose lapidarë e shtylla të gjata.

Ndezja e zjarrit me thjerrëza të syzeve është zbulim i mirënjohur dhe ndoshta të gjithë e kanë provuar që në rini të hershme. Mirëpo ajo që meriton lëvdatë së paku për nga arsyetimi logjik është se latimi i qindra e ndoshta mijëra vazove të gurta nuk mund të bëhej me gdhendje sidomos brendia përveç se me shkrirje dhe derdhje (me kallëp), prandaj edhe shtatoret e mëdha me fytyra të njohura si ajo e Akhenaten janë tejet të lëmuara dhe nuk kanë aspak gjurmë dalte ose të ndonjë vegle tjetër si sharrë bakri e dhëmbëzuar, ndonëse nga ana tjetër nxehtësia mbi 1500 shkallë celsius me thjerrëza nuk është dëshmuar me prova shkencore dhe nuk ka asnjë gjurmë arkeologjike që mund të hedhë më shumë dritë mbi këtë metodë pune, ndërsa Fehmiu është i bindur se ky lloj i zejtarisë ishte i fshehtë, siç janë sot sekretet teknologjike, sepse Egjipti i atëbotshëm ishte përtej prijatar (jo ky i sotëm i mbuluar nga rëra e prapambetjes) dhe natyrisht që ruante epërsinë teknologjike.

Me shpalosjen e sekretit të shkrirjes së gurit dhe derdhjes me kallëp, që nënkupton se shpikja e betonit buron nga egjiptianët e lashtë dhe jo nga romakët pasardhës që e popullarizuan zejen në çdo kënd të pushtimit tyre të mëvonshëm duke u dalluar për nga ndërtimi e arkitektura, prandaj ai përgënjeshtron edhe gojëdhënën e 'gurit të urtisë' ose ‘gurin e filozofisë’ së alkimistëve (anglisht: Philosoper’s stone) që hamendësohej se i shndërronte metalet bazikë si engjerdhia (zhiva) në argjend ose flori. Ai guximthi konstaton se 'murasonët' ose masonët muratorë e kanë strofulluar lojafjalthi të njëjtën ‘tinëzi të gurit të urtisë’ duke e përdorur atë më vonë nga ‘murasonlirët’ e llozhës (murasonët e lirë por mosnjohës të zejes së ushtruar të ndërtimtarisë dhe janë vetëm me dëshirë anëtarë të vëllazërisë) edhe si alegori sepse aludohej latimi i moralit ose kalitja e karakterit të njeriut; si rrjedhojë duke patur parasysh se murasonët e cilësojnë shkathtësinë e tyre si 'Zeja' (anglisht: the Craft) edhe ndërtimi i katedraleve (nga mjeshtëria e tyre) nuk përbën ndonjë aftësi të jashtëzakonshme siç duken, pavarësisht se ato janë vërtetë të ndërtuara nga guri, që nuk është gur i natyrshëm i gdhendur por i 'gur i zejtaruar' ose artizanal.

Ai gjuan një batare befasish të njëpasnjëshme të cilat nuk mund të zbërthehen brenda shtyllëshkrimit të këtillë siç është shpikja e matësit të ‘kubit-it’ egjiptian me barazvlerë të bërrylit rreth 52.3 cm ose të vetë metrit ‘evropian’ (lexo francez), ndoshta përmasat e bazës së Piramidionit të vogël, thjesht nga vëzhgimi i pikës së ujit si njësi matëse, që sipas tij kap barazvlerën me diametër 1cm të Sistemit Internacional për matje, por njëkohësisht e lë veten të ekspozuar nga kundërsulmi, prandaj fton akademikët dhe entuziastët për bashkëbisedim sepse vetëm atëhere përballohen jo vetëm keqkuptimet dhe shpenzimet qofshin kohore ose financiare me rikthim investimi, por ndriçohen qasjet e reja për frymëzim të mendimit qarkor cirkular jo vetëm atij vijëdrejtë linear dhe arsyetimi i të qënit skeptik por edhe mendjehapur. Egjipti i lashtë ishtë pema proverbiale që gjuhet me gurë, prandaj e pushtoi edhe Leka edhe Çezari, edhe Saladini edhe Mehmet Aliu ynë, shqiptari i pavarur nga otomani, francezi dhe anglezi, mirëpo të gjithë pushtoheshin mbrapsht nga kultura dhe dijenia superiore e Egjiptit të lashtë si sot nga Amerika.

Faktikisht pushtuesit e ndjenin veten si trashëgimtarët pasardhës të Egjiptit të lashtë, jo kot atje u ngrit biblioteka e famshme e Aleksandrisë nga Ptolomenjtë dhe nuk u ndërtua në Athinë, sepse atje gjendeshin rrotullat dijetare me shkrimet e shenjta (‘Hieroglife,’ jo rastësisht alfabeti i parë bashkë me alfabetin fenikas), sepse atje piramidat ftojnë për njohjen e vlerave konstante universale dhe përmasave të gjeometrisë së shenjtë por edhe astronomisë qiellore, ngase bëhej rreshtimi i piramidave me yje ose rrëfimeve të mrekullishme në pëlhurën qiellore me yjet pikëlidhtas si reshtimi me rripin e Orionit, gjuetarit të helenizuar dhe huazimeve të tjera nga mitologjia pararendëse egjiptiane si dhe shumë njohurive tjera duke përdorur metodën e thjeshtë, me mbivendosje mbishkrimesh të reja si tek ne ku Bardhi u bastardhua me emër të huaj që të shpronësohej me asimilim duke zhdukur gjurmët kombëtare.

Pas pushtimit romak, ata de facto u bënë trashëgimtarët e Lekës dhe prapavajtësisht të Egjiptit të lashtë, ndërsa sot janë amerikanët ata që e shikojnë veten, së paku figurativisht si trashëgimtarët pasardhës të fundit edhe të Egjiptit të lashtë, helenëve dhe romakëve, që shprehet haptas me arkitekturën e këtij boshti mu në kryeqendër duke parë në rreshtim Shtëpinë e Kongresit Amerikan (stili romak) të ngritur mbi kodër si piramida në Giza, pastaj Lapidari egjiptian në mes, sepse është më i rëndësishëm dhe më i lartë si dhe në fund të boshtit edhe Memoriali i Linkolnit që i gjason Akropolit athinian.   

Zgjim e zgjuarësi!

https://www.youtube.com/watch?v=KMAtkjy_YK4