Muzika, gjuha që i jep kuptim Botës - Nga Arenc Leka
Ngjarje e jetuar
Më 2 Tetor 2004, katër muzikantë takohen për herë të parë dhe performojnë për katër orë pa pushim. Arenc - violinë, muzike shqiptare, Rishi - sitar indian, Fahrid - lahutë persiane dhe Hiroki - didgeridoo australiane. Muzika duhej të tingëllonte si muzike e lashtë budiste. Ne improvizuam të gjitha llojet e melodive në Muzeun e Artit Rubin në Nju Jork, një nga themeluesit e të cilit është Richard Gere.
Ishte një mbrëmje e bukur vjeshte në qytetin e Nju Jorkut kur mbërrita në Muzeun e Artit Rubin. Më kishin ftuar të performoja si pjesë e eventit të inaugurimit të këtij institucioni, së bashku me tre muzikantë të tjerë që nuk i kisha takuar kurrë më parë, të gjithë nga vende të ndryshme të botës. Ne ishim të huaj për njëri-tjetrin, por kishim një pasion për të krijuar e interpretuar muzikë, që ishte e frymëzuar nga kulturat e lashta dhe traditat shpirtërore.
Kur hyra në muze, më priti atmosfera e ngrohtë dhe tërheqëse e shkallëve spirale. Akustika ishte perfekte dhe unë munda të ndjej energjinë e hapësirës ndërsa ngjitesha në skenë. Në majë të shkallëve takova Rishin, muzikantin indian të Sitarit dhe Fahridin, muzikantin persian që luante lahutë. Shkëmbyem disa fjalë dhe shpejt kuptuam se kishim një interes të përbashkët për të eksploruar muzikën e kulturave antike. Ndërkohë që prisnim të vinte Hiroki, muzikanti australian që luante didgeridoo, filluam të eksperimentonim me tinguj dhe melodi të ndryshme.
Për të qenë në të njëjtin intonacion me të tjerët me instrumentin tim, i kërkova Rishit të më jepte një A (La). Ai me dha një F (Fa). I thashë kjo nuk është A (La). Ai buzëqeshi dhe shtoi kjo është A-ja (La) ime indiane. Shkalla e tij e muzikës indiane ishte e ndryshme nga shkalla ime e muzikës evropiane. Le ta luajmë me veshë, iu përgjigja. Më në fund, mbërriti Hiroki dhe ne filluam performancën tonë me tingujt e fortë të didgeridoo-s së tij.
Secili prej nesh solli stilin e vet unik. Ne improvizuam të gjitha llojet e melodive dhe eksploruam tingujt dhe ritmet e ndryshëm të instrumenteve tanë. Publiku u ngazëllye nga muzika dhe ne arritëm të ndjenim energjinë që i transmetonim njëri-tjetrit ndërsa luanim. Ishte vërtet një eksperiencë e paharrueshme shkrirja e tingujve dhe ritmeve. Kulmi i performancës ishte kur përziem muzikën tradicionale të lahutës persiane me instrumentet e tjerë. Tingulli i pasur dhe melodik i lahutës plotësonte në mënyrë të përsosur violinën dhe sitarin. Dukej qartë se të gjithë ishim në të njëjtën vorbull. Gjithçka rrodhi natyrshëm.
Unë, si violinist, solla muzikën tradicionale shqiptare dhe e përzieja me tingujt e lashtë të jehonës maleve. Rishi, muzikanti i sitarit, solli muzikë të gjallë dhe energjike kërcimi indian, duke improvizuar me të. Hiroki, muzikanti i didgeridoo, solli tingujt e kulturës aborigjene të Australisë, që të krijonte një ndjesi jashtëtokësore. Fahridi, lahutari, solli tingujt e pasur dhe melodiozë të muzikës persiane, e kështu gjithçka u shkri në një. Ishin momente magjikë të papërsëritshëm. Eksperiencë unikale që nuk do ta harroj kurrë. U ndjeva me fat që pata mundësinë të performoj me muzikantë kaq të talentuar.
Luajtëm për katër orë dhe ia arritëm të ndërtonim një simbiozë harmonike me tingujt e njëri-tjetrit, në një përvojë muzikore gjithnjë në zhvillim dhe dinamike. E njëjta gjë ndodhi dhe në raportin e krijuar me publikun që mbeti i mahnitur. Kjo dukej në fytyrat e ekzaltuara.
Muzeu i Artit Rubin ishte vendi i përsosur për këtë lloj shfaqjeje dhe akustika e shkallëve spirale i shtoi vlera eksperiencës tonë. Me përfundimin e performances shkëmbyem informacione kontakti dhe bëmë plane për të bashkëpunuar në projektet të tjerë.
Muzeu i Artit Rubin, i bashkëthemeluar nga Richard Gere, ndodhet në 150 W. 17th Street, Nju Jork dhe është një vend ku mund të shijoni shumë art dhe muzikë antike.
©Arenc Leka