“Matrioshka” në TV e arte dhe… qasje të tjera thjesht të pranueshme - Nga Vangjush Saro
Ashtu si matrioshkat - ato kukullat gjithë njësoj, që hiq e hiq njëra pas tjetrës nuk mbarojnë - edhe folëset e protagonistët e tjerë nëpër TV-të tona janë po një kallëp: në fytyrë, në veshje, në zhveshje, në gjeste, në përdredhje, në stisje, në mungesën e diksionit, në sjelljen “agresive” me gjasë për hir të ritmit, në monotoninë e të folurit dhe mosrespektimin e theksave, në mënyrën si i ndërpresin të ftuarit dhe gjithë kohës dërdëllisin vetë, në parashtrimin e “argumenteve” ku gjen me shumicë të pavërteta e gafa, etj., etj.
Duhet ta pranojmë: në disa profesione është e vështirë të bësh më të mirën… Bie fjala, edhe këngët e “matrioshkave”, gjithashtu janë njësh, “bjeri t’i biem”. Rrallëherë u merret vesh lirika (teksti); të gjithë - këngëtar, kor, instrumente - këndojnë, luajnë e çirren njëherësh. Jo larg modelit të “matrioshkave” janë edhe shkruesit e shumtë, që pallmën e kanë të madhe, por i bien gjithë në një vrimë (fyellit) e s’u dallon dot asnjë tipar të veçantë. (Në poezi e proza gjithfarë, ka aq shumë rëndomtësi, psherëtima, patetizëm, parafabrikate pa fund, imitime më shumë se qesharake, ngjashmëri e përsëritje të frikshme, etj., etj.)
Ej, s’është fundi i botës. Ndonjëherë, “matrioshkat” e kalojnë klasën, ia hedhin… edhe publikut, edhe padronit. (Por jo kohës.)
Ndërkaq, sigurisht që ka qasje serioze e të denja në të gjitha këto profesione e pasione. Disa folëse e paneliste - s’është e thënë të jenë të gjitha e gjithnjë të bukura e të reja - disa aso pra, e dinë shumë mirë vendin e tyre; ato i përcjellin lajmet aq natyrshëm dhe i sjellin të ftuarit në ekran me një siguri të admirueshme, ndërkohë që edhe këta të fundit maten mirë kur e marrin fjalën dhe kur e thonë atë. (Ndjek nganjëherë panelisten kanadeze Rosemary Barton, që zakonisht zhvillon biseda për tema kyçe me disa ekspertë; dhe më bën përshtypje se si ajo flet pa u përdredhur e pa bërë poza, se si ajo pret të mbarojë fjalën i pari, pastaj i drejtohet tjetrit a tjetrës, dhe të njëjtën sjellje e qasje praktikojnë edhe të ftuarit.)
Dëgjon disa këngë - nga ato që janë më të transmetuarat për momentin - dhe habitesh si i shkruajnë ato lirika aq ëmbël, pa fare patetizëm, banalitet apo llastim. Instrumentet dhe koret kanë një raport aq domethënës me këngëtaren; nuk bëjnë zhurmë, thjesht e shoqërojnë atë, mbajnë kohën, theksohen vetëm kur përgatisin kthesat, pauzat, kalimin në refrene, ndërkohë që ajo, këngëtarja, dëgjohet qartazi çfarë thotë… (Bie fjala, “Flowers” e Miley Cyrus është një nga interpretimet më tipike në këtë nënvizim; 85 milionë shikime e përmbi 10 mijë komente vlerësuese vetëm në njërën nga platformat.).
Bota i ka të gjitha ngjyrat; gjithnjë ashtu ka qenë. Por modeli “matrioshkë” i ka mbërthyer sot më keq se kurrë rrjetet, TV-të e artet. Herë-herë kjo “kapje” vihet në dukje, ka edhe përpjekje për ta kapërcyer. Por, u tha edhe më lart, s’është e lehtë t’i bësh siç duhet disa profesione, ku arritje reale është vetë përsosja. Nuk ka dhe nuk mund të ketë interpretim e krijimtari pa përsosje, si dhe pa timbër vetjak, pra pa cilësi të veçanta, që natyrisht nuk se gjenden e shfaqen aq dendur…
*Në foto: Gazetaret televizive kanadeze Rosemary Barton e Dawna Friesen, këngëtarja amerikane Miley Cyrus (majtas, poshtë) dhe lart, djathtas, gazetarja shqiptare Monika Stafa.
© Vangjush Saro