Arte & Media

Fëmijët e artit filmik me regjisore Xhanfise Kekon - Nga Përparim Kabo

Përparim Kabo

Në 4 janar të këtij viti, regjisorja Xhanfise Keko mbushi 95 vite. Them “mbushi” dhe jo “do të mbushte”, paçka se ajo ka ikur nga kjo jetë. Unë e shoh atë ende në një shesh xhirimi, me skenarin në duart e saj dhe e dëgjoj me zërin e butë e të ngrohtë, tek është duke folur me bashkëpunëtorët, aktorët e vegjël, dhe me mjeshtrat, si, fjala vjen, drejtorin e fotografisë, Saim Kokona, i cili studioi në shkollën çeke, me piktorin e filmit, Astrit Tota apo me të tjerë. Sheshi është gati. Për pak do të nisë skena kur, në sy të fëmijëve, vritet për gjakmarrje prindi i tyre. Çaku është gati dhe pritet dubli në filmin “Fëmijët pa fëmijëri”.

Ky ishte një nga pengjet e Xhanfise Kekos, fëmijët e ngujuar dhe pasojat e gjakmarrjes mbi jetën e tyre. E bisedonim shpesh këtë temë, sillnim në mendje ngjarje reale dhe bënim diskutime për gjendjet e krijuara dhe situatat gjithëfaktoriale, duke mbërritur në një pikë, në një fjalë të vetme: Pse? Tek fëmijët fshihet një pasuri e madhe, atje është e ardhmja, është koha që presim të vijë, janë ëndrrat që ende gjenden ndër sythe, janë talentet e ardhshme, është prindërimi që do të lulëzojë në tri dekadat që priten…, janë fëmijët e ardhshëm, kur këta të sotmit do të jenë të rritur. Pra, bashkë me fëmijët, në çdo kohë, është historia e djeshme, ajo që jetohet dhe ajo që do të ndërtohet po nga ata.

Në këtë kuptim, të punosh me fëmijët është shumë e bukur dhe e vështirë njëherësh, por të punosh për fëmijët, është investim shoqëror dhe punë fisnike. Xhanfise Keko e realizoi me art, me filmat e saj për fëmijë dhe me fëmijë. Pse fëmijët janë investimi më i mirë? Në një studim të UNICEF-it marrim si përgjigje: “Investimi te fëmijët është investim në “kapitalin njerëzor”. Mund të ndihmojë në thyerjen e ciklit të varfërisë së familjeve, komuniteteve dhe vendeve. Mund të formësojë shëndetin, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të një shoqërie. Provat tregojnë se zhvillimi i trurit është më i shpejtë në vitet e para të jetës”. Vetëm një nënvizim kujdesi për fëmijët ka të bëjë me prosperitetin afatgjatë të një shoqërie.

Fëmijëria jonë para vitit 1990 ishte e varfër, por ne shkonim në Teatrin e kukullave, në Cirk, në Teatrin e varietesë, e më tej në kinema. Ato salla kishin magji për ne, përcillnin emocion, ndjenja, imagjinatë dhe frymëzim. Ne u rritëm me art dhe me libra. Artet i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësitë e komunikimit dhe gjuhës, u rrisin kreativitetin dhe u përmirësojnë vetëvlerësimin. Artet, gjithashtu, i ekspozojnë fëmijët ndaj temave emocionuese, si: historia, gjeografia, matematika, shkenca dhe teknologjia, natyra dhe jeta në fshat, me të cilat ata mund të mos vijnë në kontakt ndryshe. Arti i merr fëmijët në një udhëtim të bukur emocionesh. Artet u mësojnë fëmijëve aftësi të vlefshme të të mësuarit, që mund të përdoren në jetë. Artet, gjithashtu, mund të ofrojnë një rrugëdalje për fëmijët, për të shprehur kreativitetin e tyre dhe për t’u dhënë atyre informacione të dobishme, që mund të mos i dinë ndryshe. Inkurajimi i arteve në të gjitha fushat e jetës së një fëmije është thelbësor.

Cila është rëndësia e filmave për fëmijë? Filmat mund të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive njohëse të fëmijëve, të tilla, si: formimi i kujtesës afatgjatë, ruajtja e fokusit, zhvillimi i logjikës, arsyetimit, proceseve vizuale dhe dëgjimore. Filmat sjellin goxha skena bisedash, që mund t’i ndihmojnë fëmijët të njohin shumë fjalor dhe shqiptim. Fëmijët zakonisht portretizohen si një kategori ose strukturë shoqërore, që është në kontrast të rëndësishëm me botën e të rriturve. Kjo ndodh edhe në botën e kinemasë. Shumë imazhe të fëmijërisë ende pasqyrojnë dhe vazhdojnë të mbështesin një imazh normativ të fëmijërisë, sipas një modeli etnik, etnokulturor apo me një mpleksje ndërkulturore.

Thelbi është ky: Të vëmë botën e fëmijëve përballë botës së të rriturve dhe në një natyralitet të shtrojmë pyetjet fëmijërore, që janë pyetjet më të ndjera, më të sinqerta dhe më të “mençura”, dhe të shohim se sa e përgatitur është shoqëria për t’i pranuar ato pyetje, për t’i analizuar dhe për t’u dhënë përgjigje. Nëse “Taulanti kërkon një motër” dhe nëna e tij, e dashuruar me egoizmin e saj, nuk e pranonte këtë kërkesë të ligjshme, e bënte fëmijërinë e Taulantit jo të gëzuar, i falte atij vetminë dhe pamundësinë të thoshte: “motra ime”. Ky është një nga filmat më të bukur të Xhanfise Kekos. Filmi është realizuar në vitin e largët, 1985, pra, 40 vite më parë, me skenarin e Nexhati Tafës dhe Xhanfise Kekos, por ngjarja nuk është e vjetëruar, sepse nuk është vjetëruar fenomeni.

Bota po plaket, shoqëria shqiptare po plaket, më pak fëmijë vijnë në jetë, më shumë e më shumë Taulantë edhe në ditët tona kërkojnë motra e vëllezër. Më shumë nëna të reja refuzojnë fëmijët jashtë martese, duke i braktisur dhe, në rastet ekstreme, duke e ndërruar jetën e tyre me vdekjen. Fëmija i jep mësim prindërve edhe në filmin me titull “Kur po xhirohej një film”, në vitin e largët 1981, me regji të Xhanfise Kekos dhe skenarin e saj në bashkautorësi me Shpresa Vreton dhe me një muzikë rrëqethëse të Aleksandër Peçit. Prindër egoistë dhe një fëmijë që mbetet në dy pjesë dhe që me dëshpërimin e tij u tregon prindërve se ai ka nevojë për ata të dy dhe jo për grindjet e tyre…

***

Kinematografia botërore e ka pasur në qendër të saj filmin për jetën e fëmijëve dhe të adoleshentëve. Ja, të përmendim disa prej tyre: "The Florida Project" (2017) - Një vajzë gjashtë vjeçare dhe miqtë e saj jetojnë në varfëri në një motel afër Walt Disney World. “Moonlight” (2016) - Një i ri me ngjyrë, që rritet në Miami, lufton me seksualitetin dhe identitetin e tij. “The Perks of Being a Wallfllower” (2012) - Një student i parë i shkollës së mesme merret me çështjet e shëndetit mendor dhe sfidat e përshtatjes. “Lady Bird” (2017) - Një nxënëse e shkollës së mesme në Sacramento, Kaliforni, lundron në marrëdhënie të trazuara me nënën e saj, miqtë dhe interesat romantike. “Klubi i mëngjesit” (1985) - Një grup adoleshentësh nga shtresa të ndryshme shoqërore detyrohen të kalojnë një të shtunë së bashku në paraburgim dhe arrijnë të kuptojnë e të mbështesin betejat e njëri-tjetrit. “Boyhood” (2014) - Një film që ndjek jetën e një djali nga mosha 6-18 vjeç, duke përfshirë marrëdhënien e tij të trazuar me babanë dhe nënën e tij. “The Squid and Whale” (2005) - Dy vëllezër në Brooklyn, New York, përpiqen të pajtohen me divorcin e prindërve të tyre dhe karrierën në rënie të babait të tyre si shkrimtar. “The Perfection” (2018) - Një violonçeliste e trazuar kërkon hakmarrje ndaj ish-mentorit të saj. “Stand by me” (1986) - Katër djem në Oregonin rural, u nisën  në një udhëtim , për të gjetur një trup të vdekur. Ata arrijnë të kuptojnë frikën dhe dobësitë e tyre. “Kids” (1995) - Një grup adoleshentësh në qytetin e New Yorkut përfshihen në sjellje të rrezikshme dhe vetëshkatërruese, si: përdorimi i drogës, seksi i pambrojtur, dhuna etj.

Në kinematografinë botërore takojmë edhe regjisorë të shquar, që i janë dedikuar filmit me subjekt fëmijët. Regjisorët seriozë të filmave e kanë gjetur suksesin edhe në realizimin e filmave për fëmijë, si: Joe Wright, me filmin “Pan” dhe Wes Anderson, me filmin “Fantastic Mr. Fox”. Këta regjisorë shpesh sjellin stilin e tyre unik dhe teknikat e tregimit në filmat për fëmijë. Në dekadat e fundit, për sa i përket filmit, shquhen me punët e tyre edhe regjisore gra, si psh: Gina Prince-Bythewood, e njohur për filmat “Love & Basketball” dhe “Beyond the Lights” (2014). Ajo është gjithashtu shkrimtare dhe producente, duke punuar në seritë televizive të suksesshme, si: “Felicity” (1999) dhe “A Different World” (1987). Filmi i saj i vitit 2022, “The Women King”, është një film historik , i bazuar në ngjarjet e jetës reale në Mbretërinë e Dahomey, në Afrikë, ku luan Viola Davis. Domee Shi është një regjisore dhe shkrimtare kanadeze, regjisore dhe skenariste e filmit të nominuar për Oscar, 2022, me titull “Turning Red”, si dhe për filmin e shkurtër të animuar, të vlerësuar me Oscar Bao. Një tregimtare me shumë talent, Shi ka punuar gjithashtu në filmin me titull “Out” (2015) dhe filmin e titulluar “The Incredibles 2” (2018). “Turning Red” u vlerësua për përshkrimin e vajzave që kalonin në adoleshencë, ku luante Sandra Oh, aktore shumë e njohur kanadezo-amerikane. Patricia Lea Jenkins është një regjisore amerikane e filmit, skenariste dhe producente. Regjisore në filmat artistikë “Monster” dhe “Wonder Woman”, 1984. Për filmin “Monster” ajo fitoi çmimin “Indipendent Spirit”, për filmin më të mirë të parë dhe çmimin “Franklin J. Schaffner”, të Institutit Amerikan të Filmit. Lucrecia Martel, regjisorja, shkrimtarja dhe producentja argjentinase, krijoi një sërë filmash, duke përfshirë “La Cienaga” (2001), “La mujer sin cabeza” (2008) dhe “Zama” (2017). Ajo ka fituar çmime të shumta për punën e saj, në vendin e origjinës, në Argjentinë, si dhe festivalet ndërkombëtare të filmit, që e njohin atë për kontributin e saj në film. Ajo është nominuar dy herë për “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë.

***

Në këto nivele, ne kemi regjisoren e filmit artistik shqiptar për fëmijë, zonjën e nderuar Xhanfise Keko, me një karrierë të gjatë e me shumë realizime, konkretisht: “Një vonesë e vogël”, “Tinguj lufte”, “Kur po xhirohej një film”, “Taulanti kërkon një motër”, “Partizani i vogël Velo”, “Pas gjurmëve”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Qyteti më i ri në botë”, “Mimoza llastica”, “Kryengritje në pallat” etj. Në këta filma është jeta e fëmijëve dhe marrëdhëniet e tyre me të rriturit, pra, ka artistë karriere si: Sulejman Pitarka, Antoneta Papapavllo, Ndrek Luca, Reshat Arbana, Viktor Zhusti, Ilia Shyti, Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Kadri Roshi, Yllka Mujo, Violeta Dede, Roza Anaganosti, Violeta Manushi, Robert Ndrenika, Marjeta Ljarja, etj.

Por cila është e veçanta e filmit për fëmijë dhe cilat janë vështirësitë? Filmat për fëmijë të japin gëzim dhe kënaqësi, por kanë dhe vështirësi. Puna me aktorët fëmijë mund të jetë një përvojë shpërblyese, por edhe sfiduese për çdo regjisor filmi. Fëmijët mund të sjellin shumë energji, kreativitet dhe autenticitet në një film aksion apo film historik a dramatik, por ata gjithashtu kanë nevoja, kufizime dhe pritshmëri të ndryshme nga aktorët e rritur. Kontributi filmik e ka bërë Xhanfise Kekon një “heroinë të filmit shqiptar” brenda vendit dhe më gjerë. Them më gjerë, sepse disa nga filmat e saj vazhdojnë të habisin kritikën dhe spektatorin botëror, sa herë që shfaqen në Europë apo në SHBA. Një regjisori filmi i nevojiten disa aftësi specifike, si: njohuri për prodhimin filmik dhe komunikimin ndërprofesional. Ai duhet të jetë i plotë dhe t’i kushtojë vëmendje detajeve, të ketë të zhvilluara atribute për të punuar mirë me të tjerët, të zotërojë aftësi drejtuese dhe koordinuese me qëllim harmonizimin e të gjithë përbërësve filmik në të gjithë hapat e krijimit. Regjisori novator dallohet në përdorimin e iniciativës së vet. Si kudo, një mendje e hapur, pranon vërejtjet dhe kritikat. Arti është një fushë beteje, xhirimi i filmit gjithëpoaq dhe, për të punuar mirë, duhet të jesh i zoti të punosh nën presion. Një regjisori i shkon të ketë ambicie dhe dëshirë për të pasur sukses.

Të gjitha këto tipare i gjejmë te identiteti, figura dhe personaliteti i Xhanfise Kekos. Por, përpos tyre, edhe disa cilësi portretizuese, krejt të mëvetshme, si: qetësia dhe maturia në komunikim, urtësia mëmësore në zbërthimin e natyrës fëminore, zëri i butë dhe i ëmbël në shqiptimin e fjalëve, durimi i mençur dhe besimi se me ekuilibër e bashkëpunim profesional, qëllimet bëhen realitet. Mua më pëlqente shumë tek kjo zonjë, mënyra si i formulonte pyetjet dhe ajo urtësia për të përthithur gjithçka nga përgjigjja juaj. Filmi me fëmijë ka një trefishësi fëminore: - personazhi fëmijë, fëmija që merret nga jeta e zakonshme, për të luajtur film, - magjia dhe aftësitë -fëmija në sheshin e xhirimit. Pra, ta shndërrosh atë në një aktor. Kjo lloj pune ka vështirësi të mëdha njohëse, ushtrimi dhe psikologjike. Personazhi mund të ketë jetë në film, lëndim, dhimbje, humbje prindi, vdekjen e mikut apo bashkëmoshatarit, dënesën, dhunën, dëmtim në personalitet, provon vetminë apo mbetjen pa prindër, etj. Pra mund të ndodhë që fëmijët të hyjnë në një jetë krejt të ndryshme nga jeta që ata bëjnë si fëmijë të zakonshëm. Përthyerja mendësore dhe ndjenjësore përbën vështirësinë më të madhe. Kjo situatë e ngarkuar emocionale e rëndon fëmijën-artist, krijohet një gjendje psiko-patologjike, jo si sëmundje, por gjendje jashtë normalitetit fëmijëror. Termi “psikopatologji” tek fëmijët, mbulon probleme të ndryshme psikologjike, si: problemet e sjelljes, inteligjencën e ulët, ankthin, çrregullimet e sjelljes, simptomat psikotike dhe sëmundjet fizike me probleme emocionale, çrregullimet somatike etj.

Shpesh e pyesja Xhanfise Kekon, a rëndoheshin fëmijët pas një skene të vështirë me ngarkesë emocionale apo në një gjendje që është shumë larg nga jeta e tyre në përditshmëri? A afektoheshin ata dhe a kishte raste që ata mund të pësonin ndikime që ishte vështirë të shkarkoheshin nga emocioni artistik e të riktheheshin në gjendje normale, me fjalë të tjera, në jetën jashtë artit? -Kjo është gjëja më e vështirë, - më thoshte zonja Keko. Ndjehesha shumë në “siklet”, kur fëmija e vuante rolin, dhe, si artist ai bënte një mrekulli, por, pas xhirimit të skenës, duhej një kujdes i jashtëzakonshëm psiko-emotiv, që fëmija të mos dëmtohej dhe që ai të kthehej pa pasoja në një normalitet të nevojshëm jashtëartistik. Ose rastet kur dubli në xhirim do duhej të përsëritej dhe fëmija duhej vënë në atë ngarkesë emocionale e psikologjike, më shumë se një herë. Regjisores i duhej që loja individuale dhe në grup e fëmijëve, të harmonizohej me lojën e aktorëve profesionistë. Fëmijë amatorë me adultë artistë karriere. Për të gjitha këto arsye dhe jo vetëm, filmi për fëmijë dhe me aktorë fëmijë është tepër i vështirë.

Me filmat e Xhanfise Kekos kemi një pasuri filmike kombëtare, kemi një shkollë filmike shqiptare, kemi një histori kulturore me shumë vlera. Edhe të tjerë regjisorë të shquar si Gëzim Erebara me filmin “Guximtarët”, Dhimitër Anagnosti me filmat “Në shtëpinë tonë” dhe “Lulëkuqet mbi mure”, e lëvruan zhanrin e fimit me metrazh të gjatë me në qendër fëmijët. Veçse Xhanfise Keko mbetet ajo që, fund e krye iu dedikua filmit për botën e fëmijëve. Edhe në ato raste kur skenarët kanë qenë me ngarkesa ideologjike dhe me teprime jo realiste në vizatimin e ngjarjeve, duke i vënë fëmijët në situata jo shumë organike, loja e ideuar dhe drejtuar nga regjia e Kekos, ishte e tillë që ata intepretojnë si fëmijë dhe përcjellin emocion dhe besueshmëri njerëzore.

Filmi me të gjithë komponentët e tij është nga artet më demokratike dhe tejet ndikues te njeriu. Çfarë e bënë kinematografinë të rëndësishme për shoqërinë? Filmi është një mjet i fuqishëm që i lejon kineastët të tregojnë histori vizualisht, duke kapërcyer format gjuhësore të komunikimit dhe duke ngjallur emocione në një nivel të thellë. Përdorimi i shkathët i ndriçimit, kompozimit, këndeve të kamerës dhe lëvizjes mund t'i transmetojnë shikuesit gjendje të ndryshme dhe të kapë thelbin e një narrative në mënyra që fjalët vetëm nuk munden ta bëjnë. Kinematografia krijon mbresa të qëndrueshme dhe momente të paharrueshme që rezonojnë me audiencën shumë kohë pasi filmi ka përfunduar.

Dikur fëmijët në Shqipëri kishin filmat e tyre, por fëmijët e këtyre tri dekadave të fundit jetojnë me të mirat dhe sfidat, veçse jeta e tyre nuk ka hyrë sa dhe si duhet në filmin shqiptar. Nuk ka më Xhanfise Keko. Nuk ka vazhdimësi dhe pasardhës dhe ky është një dëm me pasoja për sot dhe për të ardhmen. Po qe se fëmijët nuk e shohin veten e tyre të pasqyruar në arte dhe enkas në filma, atëhere ata e kanë jetën të zbrazur.

Të faleminderit Xhanfise Keko!

© Përparim Kabo - 19 shkurt 2024