Histori

Patrioti Vasil Gërmenji, nipi antikomunist i Themistokliut - Nga Klodi Stralla

Pse Themistokli Gërmenji nuk u bë “Hero i Popullit”?

Shpesh, edhe në kohën e diktaturës, shumë korçarë por edhe më gjerë, pyesnin se pse Themistokli Gërmenji nuk u bë “Hero i Popullit”, krahas bashkëpatriotit të tij Mihal Grameno, kur kontributi i tij për çështjen kombëtare nuk ishte më i vogël?

Për mua arsyeja ka qenë se Themistokliu kishte një nip, Vasil Gërmenjin, djalin e të vëllait Telemakut, i cili pas lufte ka ushtruar një veprimtari të gjerë antikomuniste në mërgim.

Vasili lindi në 1908, në Manastir, në hotelin e njohur “Liria”, pronë e vëllezërve Gërmenji. Duke mbetur jetim qysh fëmijë, ai u rrit në familjen e ungjit të vet, duke patur si nënë dhe babë, Evdhoksinë dhe Themistokliun. U shkollua në Korçë, në Liceun Kombëtar dhe studimet e larta i përfundoi në Marseille të Francës për inxhinjeri hekurudhash. Kthehet në atdhe (1934) dhe emerohet profesor në Shkollën Teknike të Tiranës, ndërkohë që gruaja e tij franceze u caktua si profesoreshë e frëngjishtes në Institutin “Nëna Mbretëreshë”.

Me pushtimin italian Vasili largohet përfundimisht nga atdheu dhe vendoset me banim në Marseille të Francës. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore inkuadrohet në forcat e rezistencës antifashiste franceze dhe në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje i akordohet medalja “Kryqi i Meritës” i klasit te parë dhe merr statusin e veteranit kombëtar të Francës.

Pas Luftës së Dytë Botërore në Shqiperi u instalua komunizmi dhe shumë shokë të tij të shkollës, përfshi vetë Enver Hoxhën, e joshën të kthehet në atdhe dhe të marrë aty detyra shtetërore. Por Vasili nuk pranoi, përkundrazi u inkuadrua në krahun demokrat, antikomunist të emigracionit shqiptar.

Në vitet 1950-1954 boton gazetën “Liri e Kombit”, ku shkruan artikuj dhe analiza kundër regjimit komunist, të cilin e akuzon, përveç rrugës të gabuar që kish marrë brenda vendit, edhe për tradheti kombëtare lidhur me fatin e Kosovës.

“Sot në Tiranë mbretëron një diktaturë e urryer kriminale, nuk del një gazetë e pavarur, nuk shkruhet një kartolinë private. Me gjithë parullën e luftës “Liri Popullit”, popullit liri nuk i dhanë. Nuk i dhanë as bukë dhe as veshmbathje. E futën në punë të detyrushme. Edhe sikur të ndërtojnë vepra madhështore, arti apo teknike, që mund të mbeten gjatë, ato do të na kujtojnë veprat e medha të ndërtuara nga faraonët e Egjiptit të Lashtë… Mjaft diktatura dhe diktatorë! Të punojmë për një demokraci të vërtetë!” - kështu do të shkruante Vasili në një prej numrave të gazetës së tij “Liri e Kombit”.

Në gusht 1949, u shpall në Paris Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë” nën kryesinë e Mid’hat Frashërit. Vasil Gërmenji do të ishte njëri prej antarëve aktivë të tij. Në shtator 1970 themelohet në New York Kuvendi i Kombeve Europiane të Robëruara, dhe Vasili do të zgjidhet dy herë kryetar i tij. Kjo organizatë antikomuniste, me juridiksion botëror, kish mbështetjen morale dhe materiale të qeverisë amerikane dhe veprimtaria e saj shtrihej kryesisht në popujt e robëruar të Europës Lindore.

Në tetor 1968 Vasili zgjidhet nënkryetar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Është shumë e gjatë lista e intervistave, fjalimeve, konferencave shkencore, analizave të Vasilit, me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Në shtypin e kohës emri i tij përmendet shpesh, për takimet e nivelit të lartë që ka bërë në Washington me burra shteti, diplomatë e miq të Shqipërisë në funksion të çështjes kombëtare.

Si një koinçidencë fatkeqe, ashtu si shumë vite më pare gjyshi, babai dhe ungji i tij, edhe Vasili, djali i Telemakut dhe nipi i Themistokliut, do të përjetonte të njëjtin fat. Ai ndërroi jetë tragjikisht, sëbashku me bashkëshorten e vet, në një aksident automobilistik, ditën e shënuar të Pavarësisë, 28 nëntor 1988, në moshën 80 vjeçare.

Kthimi i eshtrave të Vasil Gërmenjit në atdhe dhe ngritja e një busti pranë ungjit të tij në qytetin e Korçës apo emërimi i një rruge me emrin e tij, do ta nderonte qytetin tonë. E them me dhimbje që, edhe pas 27 vjet demokraci, veprimtaria atdhetare dhe intelektuale e një personaliteti kalibri si ai, ka mbetur në hije, shumë pak e njohur prej bashkatdhetarëve të tij.

P.S. Në foto në qendër Fan Noli, Vasili Gërmenji i pari djathtas.