7 Marsi dhe shkolla e parë shqipe - Nga Mehmet Elezi
Asnjë njeri i arsyeshëm nuk mund ta shfajësojë tezën komuniste, sipas së cilës e para shkollë shqipe qenkesh hapur vetëm në fund të qindvjetëshit të nëntëmbëdhjetë në Korçë. Kur mendon se jemi në mes të Europës, ku lulëzojnë universitete mijëvjeçare, përhapësimi i një mashtrimi të tillë për qytetërimin e vendit tënd është një ndër shërbimet më të këqia që i bëhet lemit (kombit) shqiptar.
At Donat Kurti në një studim të botuar te “Hylli i Dritës” më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa dijm na” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”. Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” i çon shkollat e para shqipe pak më tej në kohë, tre vjet para Fjalorit të F. Bardhit. “Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velje (lexo: Velë) të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. “Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632. Përveç shkrimit e leximit aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. E. Zhak shton se edhe të tjera u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639, dhe në vetë qytetin e Shkodrës më 1698”.
Autori përmend edhe disa prej mësuesve që shërbyen në këto shkolla. Tërheqin vëmendjen mbiemrat e tyre: Shqiptari (Gjon), Shkodrani (Filip), dhe një i tretë Dhërmiu (Dhimitër), që duket se është prej një krahine jugore të Atdheut. Prof. Jup Kastrati në “Historia e Albanologjisë” përmend edhe shkollën e Janievës (Kosovë) 1671 dhe jep të dhëna të shumta mbështetur te autorët që kanë hulumtuar në Arkivin e Propagandës Fide në Romë, për hapjen e shkollave të tjera shqip gjatë qindvjetëshit të 17-të. Akademik Shaban Demiraj mendon se në Kosovë tradita e shkrimit shqip është “e vjetër”. Ndër të tjera e mbështet këtë mendim me gramatikën latinisht-shqip të Andrea Bogdanit, ungjit të Pjetër Bogdanit, dorëshkrimi i së cilës i humbi këtij të fundit gjatë njërit prej udhëtimeve të vështira. E mbështet edhe me pohimin që bën Pjetër Budi në parathënien e veprës së tij të parë lidhur me shkrimet e një farë Pali prej Hasi. N. Malcolm përmend edhe fjalorin e françeskanit Fra Leo da Çitadela, “me sa duket po ashtu i humbur”. Ky fjalor, sipas një kronisti të mëvonshëm françeskan, “ishte jashtëzakonisht i përhapur ndër banorët vendas”.
Milan Shuflai, në librin “Serbët dhe shqiptarët”, vëren edhe programin modern të këtyre shkollave. “Shqiptarët mbërrijnë në mesjetë me një shkallë të lartë kulture... është domethënëse dukuria e mësimit të gramatikës në qytetet e Shqipërisë Veriore... dhe e moralit, sipas mostrave të njëjta, mbi të cilat bazohej i gjithë arsimi shkollor i Europës Perëndimore në mesjetë”.
(Nga libri “Gjuha shqipe në bunker?”, 2005, ribotuar edhe si parathënie e Fjalorit të Gjuhës Shqipe.