Histori

Kryengritja e Ilindenit sipas Jusuf Buxhovit - Nga Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani - Tetovë

Në kapitullin e gjashtë të pjesës së tretë të veprës së Jusuf Buxhovit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” (“Faik Konica” - Prishtinë 2019, f. 508-537) flitet për kryengritjen e shumëpërfolur të Ilindenit të vitit 1903.

Kjo pjesë e veprës njëmijëfaqëshe hapet me skenarin hegjemonist ruso-sllav, qëllimi i të cilit ishte manipulimi i çështjes shqiptare dhe injorimi i kërkesave tona në rritje për një autonomi të gjerë politike, që binte ndesh me interesat e Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë dhe synimet për të krijuar një shtet të ri në territorin e dy vilajeteve të populluara që nga lashtësia me shumicë dërmuese shqiptarësh - vilajetin e Kosovës dhe vilajetin e Manastirit.

Në vijim autori zbardh synimet e çetave “kryengritëse” bullgaro-serbo-greke dhe ndarjet e zonave të interesit gjoja për mbrojtjen e popullatës së krishterë nga zullumi arnaut. Ai flet për fushatën osmane ndaj bandave të armatosura të fqinjëve tanë: “Fushata osmane ndaj bandave të armatosura u përcoll me njëfarë miratimi nga shqiptarët në këto pjesë, të cilët kishin filluar të vuanin nga veprimtaria e bandave sllavo-maqedonase dhe greke, që në shumë pjesë kishin vënë pushtet dhe ushtronin krime ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare” (f. 518).

Pasojnë të dhënat interesante mbi organizatën VMRO, që, sipas autorit, kishte për qëllim bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë me mjete revolucionare. “Me këtë koncept, shkruan autori, Bullgaria kërkonte të arrinte dy qëllime politike në përputhje me interesat e saj hegjemoniste. Së pari - të zhvlerësonte vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit si vilajete shqiptare dhe t’i shkëpuste ato nga ai i Shkodrës dhe Janinës nga administrimi osman. Dhe së dyti - çështjen maqedonase të ngritur mbi ekzistencën e një etnie të përzier sllave që fliste një gjuhë të ngjashme me atë bullgare, po ku kishte dhe popullatë vllehe dhe greke, që të parbashkët kishin përkatësinë e krishterimit ortodoks, ku në mënyra konkuruese vepronin kisha pravosllave - greke dhe bullgare, ta kthente në çështje politike, që do ta zëvendësonte atë shqiptare. Me këtë synohej pengimi i çfarëdo shteti të pavarur shqiptar…” (f. 524-525).

Më tej thuhet se në vitin 1903, të inspiruara nga parulla “Maqedonia për maqedonasit”, në rrethet e Ohrit, Kosturit e Serezit, komitetet që dirigjoheshin nga Bullgaria: “U ngritën në kryengritje kundër garnizoneve osmane, por kjo me të shpejtë u kthye në një luftë që komitët bullgarë zhvilluan kundër popullatës shqiptare të besimit mysliman të asaj pjese, me qëllim që të humbej tërësia etnike e tyre” (f. 525).

Më 2 Gusht 1903 kryengritja shpërtheu edhe në Manastir dhe në rrethinën e Krushevës, ku edhe u shpall Republika e Krushevës me në krye Nikolla Karevin. Sipas Jusuf Buxhovit: “Me pas, gjithnjë në formën e një lufte, që komitët bullgarë bënin kundër katundeve të myslimanëve, kryengritja u shtri në disa pjesë të Trakisë, në vilajetin e Selanikut dhe, e mbikëqyrur nga Bullgaria dhe interesat e saj në të, vijoi tre muaj, deri në fund të tetorit, kur edhe u shtyp nga ndërhyrja e fuqishme e Portës së Lartë…” (f. 525).

“Por, (thekson autori, duke iu referuar veprës “Historia e Popullit Shqiptar”, vëllimi II, Tiranë 2002, f. 311), historiografia shqiptare, përkundrazi, vlerëson se Kryengritja e Ilindenit u përkrah nga popullsia shqiptare e trevave lindore të Krushevës dhe rrethinës së saj, duke ngatërruar këtu vllahët (të lidhur me Bullgarinë, që faktikisht ishin pjesëmarrës në strukturat kryengritëse) me shqiptarët ortodoksë (një pjesë e tyre, po ashtu, të lidhur me kishën bullgare për të shpëtuar nga kisha sllave dhe ajo greke) dhe duke anashkaluar manipulimin e popullatës së kësaj pjese nga Bullgaria, por dhe Serbia e Greqia dhe qëllimet e tyre politike kryesisht mbi baza fetare” (f. 526).

Gjithnjë duke iu referuar veprës “Historia e Popullit Shqiptar” dhe disa veprave historike gjermane, autori shton: “I kësaj natyre është edhe vlerësimi se ‘atdhetarët shqiptarë të Manastirit, të Prespës, të Strugës, të Pogradecit dhe të qendrave të tjera, furnizuan çetat maqedonase me armë e me municione’, dhe se kryengritja u përkrah edhe nga popullsia shqiptare e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Dibrës dhe Strugës. Ndonëse nga shumë burime bëhet e ditur se do të jenë pikërisht një pjesë e mirë e radifëve nga këto anë, kryesisht shqiptarë të besimit myslimanë, që do të angazhohen për shtyrjen e kryengritjes nga shkaku se ajo prekte interesat e tyre” (f. 526).

Këto fakte, vazhdon autori: “Nuk e pengojnë atë pjesë të historiografisë shqiptare, që në përputhje me platformën ideologjike, kryengritjen e Ilindenit ta shohë ‘si një organizatë revolucionare të tre popujve - Maqedonasve, Shqiptarëve dhe Vllehëve’, ndonëse  kjo përjashtohet fare nga historiografia bullgare, e cila e sheh vetëm si kryengritje bullgare në Maqedoni” (f. 526).

Nga fundi i kapitullit në fjalë autori konstaton se: “Kryengritja e Ilindenit dhe shuarja e saj, megjithatë, krahas përpjekjeve që çështja shqiptare, me ngritjen artificiale të çështjes maqedonase, si një projekt sllavo-ortodoks, të anashkalohej ose të zhdukej fare, nxori në pah një zhvillim tjetër që, së paku për një kohë të caktuar, rrënoi marrëveshjet joparimore midis vendeve ballkanike (Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë) dhe theu barazpeshën rajonale, që ishte mbështetur mbi këta faktorë dhe për një kohë i kishte dhënë njëfarë ngjyrimi të përbashkët trysnisë që do t’i bëhet Perandorisë Osmane, për ta detyruar atë që të ndërhyjnë Fuqitë e mëdha në të, për të vënë mbikëqyrje të plotë mbi të, në përputhje me qëllimin që mandati ndërkombëtar në vilajetin e Kosovës, atë të Manastirit dhe të Selanikut do të paraqesë fazën kalimtare për ndarjen e kësaj hapësire, midis këtyre tre shteteve ballkanike” (f. 528-529).

“Andaj, konstaton autori: “Nga këndvështrimi shqiptar dhe interesave të tyre vitale, kryengritja e ‘Ilindenit’, e dirigjuar nga Rusia dhe Bullgaria dhe shërbimet e tyre ushtarake, ndonëse e zhvilluar nën moton politike ‘Maqedonia maqedonasve’, si formulë që është përkarahur edhe nga Serbia dhe Greqia për interesat e tyre, ka prodhuar pasoja të dëmshme për shqiptarët dhe çështjen e tyre në shumë drejtime” (f. 528).

Siç mund të shihet, vepra e Jusuf Buxhovit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” sjell një të vërtetë krejtësisht ndryshe për Kryengritjen e Ilindenit të vitit 1903 prej të vërtetave të historiografisë së kohës së monizmit, në vijën e së cilës mjerisht është dhe “Historia e Popullit Shqiptar” e botuar në Tiranë në vitin 2002, pra në kohën e demokracisë.

©Fatmir Sulejmani