Mjeku i Carit: Një histori besimi, sakrifice dhe besnikërie ekstreme - Nga Artan Gjyzel Hasani
Artan Gjyzel Hasani
Eugene Botkin (Yevgeny Sergeyevitch Botkin), ishte mjeku i Romanovëve, carit Nicholas II, careshës Alexandra dhe fëmijëve të tyre që nga viti 1908 deri ne vdekje. Ishte gjithashtu djali i njërit prej themeluesve të mjeksisë moderne ruse, mjekut dhe shkencëtarit Sergei Botkin.
Një njeri thellësisht fetar dhe paqësor dr. Botkin ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë. Martesa e tij u shkatërrua si pasojë e përkushtimit të tij me orë dhe javë të gjata në shërbim të shëndetit të familjes mbretërore, veçanërisht të trashëgimtarit.
Gruaja i kërkoi divorc të cilin ai ia dha pa hezitim.
Djali i tij i madh u vra në front gjatë Luftës së Parë Botërore.
Kur Romanovët u arrestuan dhe u dërguan në internim dr. Botkin shkoi vullnetarisht pas tyre, jo vetëm se i konsideronte Romanovët si pacientët e tij për të cilët ishte betuar si mjek t’u shërbente deri në fund, por edhe pse e shihte atë sakrificë të rrezikshme si shërbim ndaj vendit të vet.
U ekzekutua nga bolshevikët në të njëjtën dhomë bashkë me familjen e carit dhe shërbyesit e tyre në 17 korrik 1918.
Pas vrasjes së tij u gjet një letër e pambaruar e tij. Shkruar natën e 16 korrikut, 1918, pra, pak orë para ekzekutimit. Tragjedia e njeriut që ka humbur dy qëllimet më të mëdha të jetës duke sakrifikuar njërin për tjetrin.
“E vërteta është që unë jam i vdekur, i vdekur për fëmijët e mi, i vdekur për punën time. I vdekur, por i pavarrosur akoma, ose i varrosur për së gjalli, dy gjëra me pasoja të njëjta. Pardje ndërsa po lexoja në qetësi pashë një vegim të fytyrës së zvogëluar te birit tim Yuri, i vdekur, i shtrirë horizontalisht dhe me sytë mbyllur. Dje, përsëri, ndërsa po lexoja papritmas dëgjova një fjalë që më tingëlloi si “Papulya”. Pothuajse shpërtheva në ngashërim. Përsëri, nuk është një haluçinacion, sepse fjala ishte shqiptuar vërtet dhe unë për asnjë çast nuk dyshova që bija ime që ndodhej larg në Tobolsk, po më fliste mua. Mbase kurrë nuk do ta dëgjoj atë zë aq të dashur apo të ndihem aq i prekur nga dashuria me të cilën po më llastojnë fëmijët e mi të vegjël.
Nëse besimi pa veprat është i vdekur, veprat mund të jetojnë edhe pa besim, dhe nëse disa nga ne kanë edhe besimin edhe veprat, kjo ndodh vetëm nga vullneti i Zotit. Unë u bëra një nga këta fatlumë përmes një barre të rëndë - vdekjen e djalit tim të parë kur ai ishte veçse gjashtë muajsh. Kjo e justifikon vendimin tim të fundit, kur mendoj që unë pa asnjë hezitim vendosa t’i lija jetimë fëmijët e mi që të mundja të kryeja deri ne fund detyrën e mjekut, ashtu si Abrahami nuk hezitoi kur Zoti i kërkoi të sakrifikonte birin e tij të vetëm.”
Letra është ndërprerë këtu. Ka pasuar ekzekutimi.
Në fillim të viteve 90 u zbulua vendi i varrosjes së Romanovëve dhe u gjetën edhe eshtrat e doktor Botkin. Ishte qëlluar në këmbë, në shtyllën kurrizore dhe në ballë.
© Artan Gjyzel Hasani