Portat e ferrit: Odiseja e habitshme e shqiptarëve në burgjet e Guajanës franceze - Nga Luan Rama
Luan Rama - Paris
Jo shumë kohë më parë kisha lexuar një roman të jashtëzakonshëm të një “bagnard”-i (siç i quanin dikur të burgosurit që i çonin në brigjet e Guajanës franceze), të titulluar “Le Papillon” (“Fluturaku”). Ishte historia e një njeriu (Henri Charrière) që kishte vjedhur diçka të vogël e që kryeneçësia e tij ballë gjykatësve e kishte çuar atë deri në Guajanë (Guyanne), ku do të kalonte vuajtjet dhe aventurat më të çuditshme të kësaj bote. Vite të tëra ishte betuar se do të hakmerrej ndaj gjykatësve që e kishin dënuar padrejtësisht. Disa herë i arratisur, disa herë i burgosur brënda Guajanës, pas 30 vjetësh, duke u arratisur drejt Venezuelës përmes oqeanit, ai mundi të kthehej në atdhe. Rrëfimet e tij, ngacmuan dëshirën e gazetarëve, të cilët u përkujdesën që ato të shkruheshin brënda një romani, i cili, për francezët dhe gjithë botën, u kthye menjëherë në një “bestseller”. I përkthyer në mjaft gjuhë, ky roman, do të realizohej në një film interesant francez, por dhe një tjetër amerikan, ku krahas Steeve MacQueen do të interpretonte dhe Dustin Hoffman.
Henri Charrière (majtas) dhe aktori Steeve MacQueen
Çuditërisht, jo shumë kohë më vonë do të ndeshja një listë të gjatë shqiptarësh në arkivat e Quai d’Orsay (ministria e Jashtme e Francës), që dëshmonin për të njëjtën histori të burgosurish në Guajanë, por kësaj rradhe për fate shqiptarësh të burgosur në brigjet e këtij vëndi të humbur në Amerikën e Jugut, përballë arqipelagut të Karaibeve. Kuptohet habija ime që po gjëndesha përballë atyre emrave shqiptarë duke përfytyruar njëkohësisht udhëtimin e tyre të jashtëzakonshëm e plot vuajtje, që zakonisht shoqërohej nga këngët e “bagnards”-ëve: “On s’en va vers le Maroni/ où les requins font la police/ on est sans nom, on est plus rien/ On n’est plus qu’un bateau de chiens/ Qu’on mène crever dans une île…” (“Po ikim drejt lumit Maroni/ Atje ku peshkaqenët vigjëlojnë/ Nuk kemi emra, nuk jemi asgjë/ Jemi veç një anije qensh/ Që po i çojnë të ngordhin në ishull…”).
Ç’donin vallë ata shqiptarë në atë vënd nga ku kthimi ishte një shpresë e humbur? Cilët ishin dhe ç’faj kishin bërë? Vallë a arritën të ktheheshin një ditë? Historiografia shqiptare nuk ka folur gjer më sot për këtë episod të hidhur, për këtë keqkuptim që do të kushtonte jetë njerëzish të pafajshëm. Sigurisht, atje, në atë fund bote, secili prej të burgosurve mendonte veç një gjë: të arratisej dhe të kthehej në vëndin e tij, pranë të dashurve të tij. Por kjo ishte me rrezik, se shpesh të burgosurit iknin dhe ktheheshin në kufoma.
Ishin vitet e para pas Luftës së Parë Botërore. kur grupi i shqiptarëve do të ndiqte ata qindra të burgosur të tjerë, duke ngjitur shkallaret e vaporit “Martinière” të kompanisë nanteze të lundrimit me avull, në portin verior të Francës. Për herë të parë në jetën e tyre ata do të kapercenin oqeanin për të shkuar në burgjet dhe kampet më të tmerrshme të Francës, në ishujt e Guajanës, ku çoheshin të burgosurit me dënime të rënda. “Këshilli i Luftës” në Selanik apo “Këshilli i Luftës” i Divizionit 57 të këmbësorisë, i kishte dënuar disa nga ata me burgim të përjetshëm, apo me 20 vjet punë të detyruar.
Lufta e Parë Botërore, apo siç quhej atëhere “La Grande Guerre” (“Lufta e Madhe”), pasi nuk dihej se do të kishte një të dytë, kishte marrë fund. Ushtria franceze ishte tërhequr nga Korça, duke preferuar t’ia linte atë jo ushtrisë greke, por shqiptarëve. Por nga ana tjetër, veç Themistokli Gërmenjit, që ishte pushkatuar me intrigën e ushtarakëve grekë në Selanik, disa dhjetra shqiptarë ishin dënuar nga gjykatat ushtarake për bashkëpunim me bullgarët dhe austriakët, të cilët ishin armiq të Antantës. Ishin vallë informatorë të austriakëve apo thjesht fshatarë që gjëndeshin në vijën e frontit dhe që nuk kuptonin se përse gjithë këto ushtri të huaja, greke, austriake, franceze, serbe apo bullgare bënin luftë në tokën e tyre?
Sigurisht, “Ushtria e Orientit” e gjeneralit francez Sarrail kishte bërë të mundur largimin e ushtrisë greke nga Korça të cilën ajo e kishin pushtuar. Kapiteni Descoins do të asistonte në shpalljen e “Republikës autonome franceze” të Korçës dhe ngritjen e flamujve shqiptar e francez në ballkonin e bashkisë së qytetit. Do të ishin pikërisht francezët që do të kujdeseshin për Republikën e re autonome, për rrugët dhe mbarëvajtjen e jetës së qytetit, për shkollat dhe ndërtimet, për hapjen e Liceut francez në fundin e vitit 1917, ku do të formohej më vonë pothuaj gjithë elita shqiptare e shoqërisë shqiptare të para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe pikërisht kur Korça nisi të përjetonte ngjyrat pariziane, atëhere ndodhte dhe tragjedia e atyre fshatarëve të mjerë, që të akuzuar nga ushtarakët grekë në gjyqet e Selanikut, dhe të akuzuar si agjentë të austriakëve, çoheshin në skajet e botës, nga ku pak prej tyre do të ktheheshin.
…Vetëm kur anija la portin e Nantës dhe atë grup njerëzish që sapo kishin përcjellë të afërmit e tyre, shqiptarët e kuptuan se po shkonin drejt një bote tjetër dhe se zor të ktheheshin që andej. Pothuaj të gjithë ishin nga kazaja e Korçës, e Pogradecit dhe rrethinat përreth… Udhëtimi kishte qënë i gjatë dhe i tmerrshëm. Shumë prej tyre që nuk e kishin provuar skorbutin, u sëmurën rëndë. Muaj të tërë sytë e tyre shihnin veçse oqean, diell dhe stuhi deti me dallgë të stërmëdha. Kur mbrritën në brigjet e Guajanës ata menduan se i shpëtuan më së fundi atij kalvari nëpër oqean. Por një kalvar më vete do të ishte ajo tokë e panjohur, plot pyje, ku kishte pak indigjenë dhe shumë të dënuar, të dytyruar për të punuar apo “farçats”, siç i quanin në zhargonin e tyre këta lloj të burgosurish.
Për herë të parë francezët kishin mbritur këtu më 1595, në një kohë kur në këtë vend banonin indianët “wayana” dhe “oyampi”, si dhe tribu negro-afrikane. Më pas ishin tregëtarët e qytetit francez Rouen që vinin deri në Guajanë për të bërë tregëti dhe për të evangjelizuar indianët autoktonë. De Poncet de Bretigny, i cili themeloi qytetin Kajenë (Cayenne), u vra pasi ishte shumë mizor me indianët dhe skllevërit, të cilët popullonin këto pyje. Një shekull më vonë, 12 mijë emigrantë u nisën drejt Kajenës nga Lorraine, si dhe nga Gjermania, Irlanda e Zvicra. Por shumica e tyre vdiqën rrugës nga sëmundjet e skorbutit, tifos, ethet e verdha e malarja. Vetëm dy mijë arritën të zbarkonin në një ishull të vetmuar pranë Kajenës. Që atëhere ata e quajtën atë “Ishulli i Shpëtimit” (“L’ile du Salut”).
Të dënuarit e parë nga Franca, filluan t’i sillnin këtu nga viti 1852. Kampi quhej “Les bagnes”. I nisnin nga portet e Brest, Rochefort apo Toulon, nga jugu i Francës. Me të zbarkuar, ata i vinin në punë të vështira për shfrytëzimin e pyjeve, kërkimin e arit, të cilin e kërkonin në rrjedhën e lumejnve Maroni dhe Casewene.
Ç’bënin vallë ata shqiptarë të mjerë në atë skëterrë që quajtur “Ishulli i Djallit”, “Ishulli Royale” apo “Ishulli Saint-Louis”, ishuj ku gëlonin veç të burgosur leprozë, që vuanin nga turbekulozi e që vdisnin në krye të pak viteve nga sifilizi apo paludizmi?
Përreth, në ata shkëmbinj të asaj toke vullkanike ku ngriheshin barakat dhe muret e trashë, ku në kafazët e hekurt futeshin ata që ndëshkoheshin, ata shihnin veçse oqeanin, palmat dhe krokodilët, që në moçalet e Guajanës gjuanin këdo që kërkonte të arratisej. Ishte një përçartje e përditshme që do te vazhdonte për vite me rradhë, rrethuar nga ajo masë prej rreth pesëdhjetë mijë kriminelesh e vrasësish të të gjitha llojeve të krimeve. Midis tyre nuk mungonin as homoseksualët, që të burgosurit, kur ata kalonin, i thërrisnin në emrat e tyre të rinj: “La Panthère”, “La Marquise”, apo “La Princesse”...
Të gjithë mbanin fshehurazi thika, pasi në çdo moment mund të vriteshe nga dikush tjetër. Shumica vriteshin thjesht për t’iu vjedhur monedhat që ata i fshihnin në anus, ku i fusnin të mbështjellë në një tub druri dhe që në zhargonin e tyre quhej “plan”. Herë-herë, në sytë e shqiptarëve zhvillohej spektakli i gijotinës. Për herë të parë në jetën e tyre këta shqiptarë zbulonin këtë shpikje kaq barbare e të llahtarshme: prerjen e menjëhershme të kokës së njeriut nga një rënie me vërtik e një thike të rëndë.
Ata që vrisnin rojet e kampeve dërgoheshin menjëherë në gijotinë, koka e prerë dhe e përgjakur e të cilit, u tregohej menjëherë të burgosurve që ishin të detyruar të ndiqnin ritualin e ekzekutimit të atij që kishte vrarë apo që kishte tentuar të arratisej apo bënte “la belle”, siç thonin të dënuarit. Por tmerri vazhdonte edhe më tej. Trupin pa kokë të të dënuarit e hidhnin në det poshtë shkëmbinjve të ishullit Royale, ku peshkaqenët vinin të gjenin prehën e tyre të zakonshme njerëzore. Jo më kot, një nga doktorët e Guajanës, duke kujtuar ferrin e atij vëndi shkruante se “teoricienët e shfarosjes njerëzore do të kënaqeshin me spektaklin e këtueshëm”.
Më 19 maj 1921, Mit’hat Frashëri, si president i “Délégation Albanaise” në Konferencën e Paqes në Paris, i vendosur para disa muajsh në kryeqytetin francez, i kërkon qeverisë franceze lirimin e të burgosurve shqiptarë që ishin në burgjet e Francës dhe shumica në Guajanë. “Në emër të qeverisë sime, kam nderin t’ju tërheq vemendjen për gjendjen e një numri shqiptarësh të dënuar gjatë luftës nga Këshillat e Luftës të L’Armée d’Orient. Këta shqiptarë, disa prej të cilëve janë dënuar me punë të detyruar, gjenden aktualisht në burgjet franceze: 18 në Thouars, 13 në Nîmes, 5 në Beaulieu, 1 në Rion…”. Një listë emrash lidhet me të burgosurit shqiptarë në Guajanë.
Një letër të dytë ai e dërgon në 9 qershor të po atij viti, adresuar shkëlqesisë së tij Aristide Briand, kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Kësaj rradhe në shkresë janë shtuar emra shqiptarësh që janë në burgjet Meulun, Valence, Poissy. Në Vannes (Morbihan) është i burgosuri Nuri Avduli, i dënuar nga Këshilli i Luftës të Selanikut. Rushit Istrefi, është dënuar me 10 vjet punë të detyruar, sepse ka prerë një linjë telefonike mes shtabit të ushtrisë dhe një baterie artilerie. Ibrahim Ismaili, Hasan Qazimi, Salih Osmani dhe Avdul Veseli janë dënuar me 20 vjet punë të detyruar. Një tjetër shqiptar, i quajtur H. Tefiku dhe që gjëndet në Nîmes, është i dënuar me burgim të përjetshëm. Beqir Shaqiri, në Beaulieu, është i dënuar me 10 vjet punë të detyruar për vjedhjen e një kali, ndërsa Qazim Xhemali, në Poissy, është dënuar me vdekje (pastaj i kthyer me burgim të përjetshëm) vetëm se i është gjetur në shtëpi një armë.
Pas kërkesave të qeverisë shqiptare se këta të burgosur janë të pafajshëm dhe viktima të spiunazhit grek, siç dëshmohet në arkivat e Quai d’Orsay, administrata franceze vihet në lëvizje: korrespondenca të shumta shkëmbehen mes ministrisë së Jashtme, kryeministrisë, ministrisë së Marinës, Garde des Sceaux, asaj të Drejtësisë dhe ministrisë së Kolonive. Administrata kërkon informacione më të hollësishme për çdo të dënuar dhe çdo gjykim.
Më 20 dhjetor, Mithat Frashëri, përsërit kërkesën e qeverisë shqiptare për lirimin e të burgosurve. Në këtë letër përmenden dhe emrat e të burgosurve Tahir Mehmeti, Demir Ramadani, Qamil Panariti, Risto Stefa, Sefedin Çeliku, Ibrahim Rakipi, Hasan Tefiku, Jakup Mehmeti, Ali Demiri e Ali Qerimi, të çuar në Guajanë më 30 korrik 1921. Një vit më vonë është Xhafer Ypi që i dërgon një shkresë të tillë kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe ministrit të Jashtëm të Francës.
Në vitet 1922-1923 shumë dosje të shqiptarëve të dënuar u rishqyrtuan menjëherë, duke i ulur në minimum dënimet e tyre dhe shpesh, duke i liruar. Madje në shumë raste kishin qënë ushtarakët grekë që kishin kërkuar dënimin e tyre. Të burgosurit shqiptarë, këta “forçats albanais”, siç i thërrisnin ata, ishin shpërndarë në disa nga kampet e Guajanës. Shumica ishin në Saint-Laurent-du-Maroni, ku bashkë me të burgosur të tjerë francezë apo të kolonive, krijonin një komunitet popujsh të çuditshëm, ku fliteshin me qindra gjuhë.
Të tjerë shqiptarë ishin në Ile du Diable (Ishulli i Djallit), ku kishte qënë i burgosur më parë kapiteni Drejfus, i njohur në gjithë botën nga “proçesin Drejfus”. Të tjerë gjendeshin në Saint-Martin-de-Re, në Ile Royale, apo Ile Saint-Joseph, të rrethuar nga oqeani e nga ku nuk mund të arratiseshin. Shumë kishin tentuar të iknin me trape druri, apo me dërrasa të mbledhura aty-këtu, por pothuajse gjithnjë ata i kapnin në derdhjen e lumit Maroni. Të tjerë i kthenin dallgët, ndërsa ata që s’ktheheshin, ishin përpirë nga oqeani dhe peshkaqenët. Të rrallë ishin ata që kishin mbritur me njëmijë mundime në Trinidad Tabaco, Guatemala, Brazil apo në Venezuela.
Shqiptarët, si dhe të tjerët, ishin të detyruar të punonin në pyjet e Guajanës, duke jetuar një botë surealiste dhe të paimagjinueshme më parë nga ta. Të burgosurit e tjerë u tregonin plot histori. Atëhere të dënuarit shpesh i lidhnin me zinxhirë me njëri-tjetrin, që të mos mund të largoheshin. Njëherë, dy të burgosur, të lidhur, ia kishin mbathur nëpër pyje. Njëri quhej Moroni dhe tjetri Yvon. Pas disa ditësh, Moroni kafshohet në pyll nga një gjarpër i tmerrshëm dhe vdes. Por Yvon nuk mund të shqitet nga kufoma e tij. I lodhur për vdekje, duke tërhequr me mundim kufomën e shokut të tij, një mëngjes, kur u zgjua, pa se pumat ia kishin ngrënë këmbët shokut të tij të vdekur. I tmerruar mori rrugën e kthimit për në kampin Orapu, që të mund t’ia shkëpusnin atë kufomë nga trupi. Me të arritur, Yvon, që luftonte me ethet, mes jetës dhe vdekjes, më së fundi u çmend. Ja pse të burgosurit shqiptarë u shkruanin me tmerr familjeve të tyre që të bënin çmos t’i shpëtonin nga kjo botë e tmerrshme, ku njerëzit vinin dhe nuk ktheheshin më.
Të burgosurit shqiptarë që prisnin me ankth ditën e tyre të lirimit, ishin kthyer thjesht në numra: Mustafa Xhezairi kishte numurin 42682, Germanos Papa numrin 42906, Risto Stafa 42941, Sefedin Teliku 43012, Avdul Veseli 43038, etj. Ndërkohë, më 28 dhjetor 1922 ka vdekur Rushit Qamili, pra numri 42339 dhe më 19 shkurt 1923 Ali Qerimi numri 42789. Familja, që nuk e dinte vdekjen e këtij të fundit, i kishte dërguar atij 2500 franga përmes konsullatës franceze. Thuhej se atë e kishte vrarë një shqiptar tjetër, por për mungesë provash, ky nuk ishte dënuar për vrasje.
Më 1923, ministri shqiptar i Financave Pandeli Vangjeli, i kërkoi konsullit francez në Shkodër që të burgosurit që do të faleshin nga qeveria franceze të transferoheshin “gratis” nga anijet e “Compagnie Transatlantique touchant à Cayenne”. Në fakt, do të jetë Compagnie Nantoise de Navigation à Vapeur që do të bëjë transportimin e tyre. Atë vit anija sapo ishte kthyer që andej. Duke qënë se anija e bënte atë rrugë dy herë në vit, do të duhej të priteshin dhe shumë muaj të tjerë. Të burgosurit shqiptarë në Guyanne Française ishin njoftuar se qeveria shqiptare po bënte çmos t’i shpëtonte nga ai vend i tmerrshëm ku mendonin se s’do të dilnin të gjallë.
Jaho Asimi me matrikulën 42331, nga Babieni i Pogradecit, ishte dënuar me burgim të përjetshëm e pastaj me 10 vjet punë të detyruar, në kampin Godebert, në Sant-Laurent-du-Maroni. Gruaja e tij, Peme Asimi, i shkruan legatës franceze në Shkodër t’i kthejnë burrin e saj. Sabrije Mustafa, i drejtohet konsullit francez De Wiet, në Selanik, dhe ky i fundit presidentit Poincaré, për lirimin e burrit të saj Mehmet Mustafa, që ndodhej i dënuar me 20 vjet burg dhe 10 vjet punë të detyruar, në kampin e Saint-Laurent.
Pikërisht në vitin 1923, gazetari i famshëm francez Albert Londres, kureshtar nga legjendat e dëgjuara në Paris, zbarkoi në Guajanë. Ai nuk e kishte imagjinuar se këtu do të gjente ferrin e vërtetë që as Dantja nuk e kishte përfytyruar. Gjatë ditëve që kalon nëpër ishujt e Guajanës, ai takoi të burgosurit më të tmerrshëm dhe më me emër të Guajanës, për të cilët shkruan në reportazhet e tij: ata që prisnin kokat, të dënuarit e përjetshëm, leprozët, të pakorrigjueshmit, të pafatët… Francezë, algjerianë, marokenë, senegalezë, vietnamezë… njerëz me tatuazhe në trup të të cilëve shkruhej “AMIN” apo fraza të tjera të gjata që mbulonin gjithë trupin: “Fëmija i mjerimit”…“I mundur por jo i zbutur”…“Pashë, besova, qava”.
Albert Londres
Kur Londres shkoi në Guajanë, të handakosurit flisnin për këtë personazh të çuditshëm të ardhur nga metropoli francez i cili interesohej për fatin e tyre. Por në shkrimet e tij, në fillim Londres nuk flet për shqiptarët: kuptohet, ata nuk kishin të bënin me atë tufë kriminelësh që ishin degdisur aty dhe ku çdo vit vdisnin njëmijë prej tyre ngaqë jeta ishte e pamundur. Kur Londres do largohej, ai i gjeti dhe shqiptarët që punonin në guroret, hapjen e rrugëve apo pyjet e tmerrshme të Guajanës.
Më vonë ata do të mësonin se gazetari i famshëm i kishte shkruar ministrit francez të Kolonive duke denoncuar Francën e kampeve të tmerrshme të Guajanës. Ndër të tjera ai i shkruante: “Zoti Ministër i Kolonive. Ajo që ndodh këtu është imorale për një shtet. Do t’u tregoj për rastin e ortodoksëve të dënuar nga Këshilli i Luftës së Selanikut. Dhe kjo nuk është e panjohur për ju. Disa prej tyre ju i keni falur tashmë: Papa Germanos, Stefo Risto, Ismaili, Qazimi, Veseli. Ende kanë mbetur 11 apo 12 prej tyre. Unë s’po interesohem për ta se më kanë thënë gjepura, por ata ngulin këmbë se s’kanë bërë asgjë. Atë kohë ishte luftë, koha kur dhe një dyshim i vogël ishte një provë. Atëherë nuk dihej se ç’bëhej. Kishte dhe shumë barinj të akuzuar si spiunë. Dosjet e tyre janë të errëta. Ata e kanë paguar shtrenjtë këtë, madje dhe ata që s’kanë bërë asgjë. Kthejini ata në malet e tyre. Lufta ka mbaruar. Drejtësia kërkon të shohim fajtorët por jo të pafajshëm të huaj…!”
Duke shkruar për këtë letër të fortë, e ngjashme si akuzat e Zolasë, imagjinoj gazetarin kurajoz mes atyre shqiptarëve. Ata shpresonin se shkrimet e tij për kampet e Guajanës dhe qelitë e izolimit do ta trondisnin ndërgjegjen e shtetit Republikan të Revolucionit dhe të të Drejtave të Njeriut. Por gjërat nuk do të ndryshonin shpejt. Shqiptarët e pafajshëm që do të jetonin një tmerr të pambarimtë, do të qëndronin ende me ëndrrën e kthimit në brigjet shqiptare apo me idenë e moskthimit.
Por dita e tyre, më së fundi do të vinte. Pas shumë muaj udhëtimi, siç shkruhet në një shkresë të “l’Autorité Pénitentiaire de la III-ème République” (Drejtoria e Burgjeve të Republikës së III-të), të burgosurit shqiptarë mbrrijnë në Francë, në portin e Saint-Nazaire më 13 janar 1924. Policia franceze i ka pajisur ata me pasaporta për të shkuar në Marsejë e që andej, me anije, drejt Shqipërisë, për në portin e Durrësit. Vallë a dinin gjë familjarët e tyre për ta? Gratë, fëmijët, nënat apo baballarët e tyre. Ekzistenca e tyre ishte hipotetike. Thuhej se ishin diku në fund të botës dhe se për të shkuar atje duhej të kaloje një oqean të tërë. Fundi i botës dhe i jetës… Veç një Zot mund t’i kthente ata. Por ja, një ditë, në portin e Durrësit ata do të zbrisnin dhe do të puthnin tokën e tyre. Ishte një rilindje e dytë, por me mbresat e pashlyera të përjetimit të një vdekjeje.
Padyshim që historia e çdonjerit prej tyre ishte një tragjedi e madhe, që zor se mund të përshkruhej nga dikush tjetër. Të fundit që do të linin ishujt e Guajanës ishin: Hysen Çaushi me matrikulën 42500, në dhjetor të vitit 1927; Stavro Mistro, me matrikulën 42489 do të merrte rrugën e kthimit më 6 mars 1928; Hajdar Laze më 13 tetor 1932; Mehmet Tahiri, 42397 më 28 nëntor të po atij viti dhe Haxhi Hyseni, 43964, më 29 qershor 1939. Haxhi Hyseni kishte ikur në fundin e një lufte dhe vinte në pragun e një lufte të re. Kohë luftrash, kohë paradoksesh. Por paradoksi më i madh ishte se pikërisht këta njerëz që nuk e donin luftë, pikërisht këta ishin dënuar ta përjetonin atë.
Në mes të fotos Qamil Panariti
Reportazhet e Albert Londres do të trondisnin opinionin publik francez për gjendjen tragjike të të burgosurve atje, të kthyer në skllevër pune. Disa vjet më vonë, presidenti francez do të detyrohej të dekretonte mbylljen e tyre. Por do të duheshin akoma dhe shumë vjet, për të larguar që andej të gjithë të burgosurit e mbetur ende. Eshtë e çuditëshme që asnjë nga shqiptarët që ka qënë në ishujt e Guajanës nuk ka shkruar kujtime rreth tyre. Madje as tregimet e familjarëve të tyre nuk janë dëshmuar nga askush. Duket se tmerri ka qënë aq i madh, sa të gjithë ata që mundën të kthehen, nuk kanë dashur ta rikujtojnë atë kohë të tmerrëshme dhe atë vend të mallkuar që quhej Guajanë, Kajenë, l’Ile du Diable, Saint-Laurent-du-Maroni, Saint Joseph…
Megjithatë ende nuk është vonë. Jo shumë kohë na ndan nga të afërmit e tyre që ndoshta ky shkrim mund t’i ngacmojë që të rrëmojnë në historitë e gjyshërve, në fotografitë dhe letrat e tyre, për të rindërtuar një episod historik, atë të burgosurve shqiptarë në Guajanë, në ishujt e ferrit, të cilët kurrë nuk e kuptuan se përse po çoheshin kaq larg drejt vdekjes dhe përse ishin dënuar.
Ishte kohë e kaosit të madh, kohë e paradoksit dhe e ferrit. Kohë kur Qamil Panariti, luftëtari i madh dhe krahu i djathtë i Themistokli Gërmenjit nuk mundi të kthehej. Ai u vra pabesisht atje në Guajanë dhe për më tepër nga një shqiptar. Eshtrat e tij janë bashkuar në varrezën e madhe pa mundur të identifikohen më. Por sidoqoftë, emri i tij, emri i mbrojtësit të çështjes dhe të kufijve shqiptarë të juglindjes sonë mbetet i paharruar.
© Luan Rama