Letërsi

“I arratisuri” i Taip Sulkos, një roman ndryshe - Nga Naun Kule 

Nga: Naun Kule

(Tek e rrihnin në birucë, ai… qante duke qeshur, apo qeshte duke qarë…!?)

Sa herë dëgjonim për arratisje, mendja na punonte për keq. Seç kishte kjo fjalë, një ndjellakeqje, një krisje, gati për thyerje, sa ngjallte makth e angushti. Dukej sikur brenda fjalës “arratisje” kishte aq hidhërimë, frikë dhe gjëmë, sa tjetrit i kushtonte më mirë të bënte sikur s’e dëgjoi…Kjo sepse çdo akt arratisjeje, prodhonte fajësi e tradhëti të lartë. Madje, për t’ia shtuar dozën e neverisë në kumtimin e këtyre termave, shtonim edhe fjalën atdheu, atdheun… Pra shqiptimi i fjalës “arratisje” pasohej prej…tradhëtoi atdheun, mohoi…tradhëtar…harram…! Dhe, pak ditë (apo ca orë…?) pas kësaj gjëme; në një mesnatë të errët, para shtëpisë të vinte “Saureli”, makinë e madhe dhe e hapur ushtarake, të ngarkonte ç’kish mbetur brenda mureve të shtëpisë, me laçkë e plaçkë, me gjyshër të moshuar e çiliminj të djepit, për t’i gremisur… (siç përshkruhet në këtë roman për familjen e Engjëllit, fq.303.)

Me këtë konotacion dhe negativitet mbi “shpinë” kjo fjalë, e përdorur aq dendur në histori tragjike dhe fatkeqësi mbarëshqiptare, i ka shërbyer si fill për ind e majë, shkrimtarit të mirënjohur Taip Sulko, për ta endur bukur dhe larushuar romanin e tij të ri (jo të fundit…), të titulluar pikërisht, “I arratisuri”.

Titull i gjetur, që flet. Por fjala “arratisje”, përdorur edhe për titull të romanit nga autori Sulko, është tjetër gjë, është ndryshe deri në të kundërtën. Arratisja e Ermirit, protagonistit kryesor të kësaj vepre letrare, është arratia jo drejt kufirit, aq më pak për të tradhëtuar atdheun. Ermiri arratiset nga vetvetja…

Kjo lloj “arratie” përbën edhe kauzën e tij dhe, njëherësh, mban gjithë ngrehinën e narrativës romanore. Dhe, të arratisesh nga vetvetja, domosdo, është shumë më vështirë dhe më me rrezik se sa arratia përtej kufirit. Këtë rrezik, heroi i romanit në fjalë e merr ndër sy e mbi shpinë jo njëherë, por disa herë, paçka se pas secilës orvatjeje, ndihet i penduar, i pamotivuar, i kthjelluar në çka bën, por jo edhe në çka kërkon nga vetja… Doemos, kërkon shumë më tepër sesa mund t’i sigurojë shoqëria e kohës dhe realiteti bashkëkohor. Dhe vendimi i tij trimëror; ta braktisë këtë realitet bajat, këtë shoqëri të kapërthyer ligsht në luftën e përjetshme mes të mirës dhe të keqes, të ushqyer keqaz nga cmira, egoja, makutëria dhe neveria dyfytyrëshe e njerëzve.

Kuptohet, arratia e një të riu si Ermiri, i nxitur nga sa thamë, përbënte akuzë të rëndë ndaj sistemit të qeverisjes. Kufijtë kohorë të romanit dhe gjithë skenat e teatrit të ngjarjeve të zhvilluara aty, janë vendosur asokohe kur ndëshkohej jo vetëm i arratisuri (qoftë edhe nga vetja), por hetohej armiqësisht deri edhe i pakënaquri, edhe ai që detyrohej të “qeshte duke qarë…” paçka se në familje i mungonin mjetet bazike të jetesës. Por heroi ynë (prapa të cilit është vetë autori), jeton dhe përjeton shpirtërisht dhe mendërisht, mëdyshjen njerëzore. Sa herë i bën gjyqin vetes, aq më shumë veprimet e tij dalin kundër kahut ligjor të kohës. Dhe heroi, e njeh mirë rrezikshmërinë e asaj që ka ndërmarrë, çka ia dëshmon dhunshëm dhe forcërisht, realiteti shoqëror. Babai i tij, mësues larg familjes, vjen e ikën me merak për të veçantën që sheh tek i biri, në mendimet dhe veprimet e tij të pangjashme me ato të shokëve. Ai sheh se i biri nuk ka maniera heroizmi, nuk i bën këto veprime për namna, për t’u dukur ndryshe mes shokësh. Por Ermiri nuk mund të durojë dot mësuese Sosen tek urdhëron nxënësit e klasës ta pështyjnë shokun e tyre duke i klithur se “…kush t’i ka mësuar këto gjëra…? Ku i gjete këto mendje, tek biografia e bukur që ke…!?”

Ky tmerrohet tek pret radhën të pështyjë shokun, nën thirrjet lemerisëse, e ndërkryer si një tigëreshë, me gishtërinjtë e gjatë si gjarpërinj, të duarve-kthetra dhe fjalëve luajturmenç të mësuese Soses. Sheh shokun fatkeq dhe ngul sytë në fytyrën e tij mbuluar nga jargët dhe mbllacat e pështymve që i vareshin nga balli mbi vetulla, nga mollëzat mbi faqe, në sy e nën mjekër… Mpihet, dridhet nga angushtia, i thahet pështyma, i merren mendtë e i vjen të vjellë, gati plandoset ndër këmbë… Sulet nga dera e del jashtë...

Dhe ja, pas skenave të tilla lemerisëse deri në zhbërje njerëzore, Ermiri nis arratisjen e radhës...

Por, pasi e ndërmerr udhëtimin e arratisë, (s’e di për ku…?), njëherësh nis edhe gjyqin e vetes. Po gdhihej në mesin e një pylli të dendur, ku rrezet e diellit përshkojnë ngadalë drurët e lartë, trungjet e lisave plot zgërbonja dhe gjethnajën e pafund. Dhe pikërisht këtu, në këtë rrethanë, zë e pyet veten, si njeriu i kthjelluar nga ëndërrat e natës apo i dalëpijesh.

-Po unë, ç’dua këtu në pyll? I vetëm, i uritur, i frikur…?! Si një ikanak i marrë? Ç’kisha bërë për t’u fshehur e ikur nga sytë këmbët …? Pse duhej të gdhihesha këtu që të më hapen sytë? A kisha arsye të forta të ikja kësisoj? (fq.210)

Pikërisht kjo është dilema që e zgjon dhe e përgjum heroin e këtij romani. Është dilema e tij, por jo vetëm… E veçanta apo e keqja e kësaj mëdyshje jetësore, është fakti se jo të gjithë që rrethojnë Ermirin tonë e luftojnë kësisoj këtë flamë që ka pushtuar shpirtërat e tyre dhe s’i le të gjallojnë e jetojnë lirshëm, lirisht, shpirtërisht (F. Konica - Mos punoni vetëm për të ushqyer barkun. Punoni më shumë për të ushqyer shpirtin…)

Disa ide të autorit, vihen në një emërues të përbashkët për ta përqasur herë drejtpërdrejt, herë figurshëm realitetin e kohës, synimet jetësore të grupimeve te shumta shoqërore që përbëjnë gjenezën, aktualitetin dhe synimet e këtyre njerëve. Është e pamundur që në hapësirën e një shkrimi të përmendim gjithë filozofinë e jetës dhe ndërveprimin e faktorëve artistikë të zgjedhur e krijuar me art nga autori. Është po e tillë mundësia për t’i sjellë lexuesit tonë, çka e vumë në titull, disa risi që autori i ka për zemër dhe i krijon përshtat ideve dhe synimeve artistike. Në raste të tilla autori del (dhe e arrin) nga skemat e zakonshme të kompozicionit në parashtrimin e nje mori ngjarjesh e personazhesh. Për shkrimtarin Sulko, në raste të tilla nuk merr rëndësi të posaçme argumenti logjik i veprimeve të personazhit sesa evidentimi ideor për të cilin i ka krijuar ata. Dhe, duke qënë tek personazhet, shohim si autori vë në punë edhe emrat e tyre, edhe toponimet ku zhvillohen ngjarjet. Paçka se nuk kemi një “hartë” të shtrirjes së veprimeve të këtij romani, autori, i vendos  ato, nën “gunën e hirtë” të vëllezërve Tomorr-Shpirag, duke i zbritur në trojet e Apolonisë dhe Ardenicës, bregdetit dhe lumenjve, pra, edhe në Myzeqe. 

Shumë toponime të krijuar nga autori, prodhojnë edhe efekt artistik, mbase edhe konotacion historik siç mund të themi për vendbanimin e Ermirit, Anadellin, anës Dellit apo Anadolli, Kroinjelmi, krua me ujë të njelmët, Pllana e kuqe, Lunja, etj. Po kështu mendoj se kanë marrë një vemendje të posaçme të autorit emrat e personazheve, si mësuese Sosja, prifti Hal Kryevidhi, Lalë Rrapi e Mentor Shelgu, Gjyla, Ulumani, Tunxhi, Sidrita, cigania Anja, Engjëlli, Rezarti, etj. Disa nga emrat e personazheve krijojnë edhe produkt artistik. Madje autori vë përballë njëri-tjetrit personazhe të kundërt siç bën me Radiopërhapjen dhe Memecin e Malajt, Engjëlli me teatrin pa fjalë(!?), cigania Anja përballë dashnorëve rivalë; Lalë Rrapi dhe Mentori etj. Ka edhe raste kur bashkëveprimin mes dy personazheve autori e përdor për ta shtuar vemendjen e lexuesit mbi gjëmën që shton e keqja kur keqbërësit bëhen bashkë, si ndodh me të plotfuqishmin dhe mësuese Sosen. Atëhere, shkruan autori, edhe e mira duhet të bëhet barrikadë, me llogoret e saj (njerëzit e mirë), me gjithë vlerat e virtutet që përcjell gjeneracioni njerëzor dhe kultivon e përsos shoqëria aktuale. Lufta mes të mirës dhe të keqes, ka sunduar ndër shekuj shpirtin e njeriut, synuar lirinë shpirtërore dhe përsosjen morale.

Disa nga kapitujt më të bukur të romanit, janë pikërisht ata ku autori përshkruan jetën endacake të një taborri ciganësh. - Unë jam cigane …Jam e lirë! - i përgjigjet cigania e bukur Anja, adhuruesit të saj.

-Ju anadellasit keni zgjedhur pasurinë… Ne jo. Kemi zgjedhur lirinë, bukurinë (shpirtërore), këngën e dashurinë.

Gruaja e bukur që bënte dashuri jashtë martese, ndjehet e justifikuar në atë çka kërkon dhe gjen. Dhe kur e kapin me “presh në dorë” e arsyeton veten:

- Burri më deshi se isha e bukur… Më dha familje dhe fëmijë por… jo lumturi… Më deshi si më e bukura, jo më e mira, më e çmuara, më e dashura për të… (fq. 154).

Dhe ja ndëshkimi për burrin dhe jo vetëm. Vjen papritur dhe sheh këpucët e jaranit pas derës… Jarani ka “çarë ferrën” nga dritarja dhe ia ka mbathur zbathur… Trallisej i gjori burrë aq sa, tek shëtit rrugëve sheh këpucët e burrave të gjejë kush nga ato ngjan me ato pas derës së tij. Gjithsesi, gruaja e ka shijuar lirinë e kërkuar e cila, çuditërisht mungoka edhe atje ku duket e bollëshme… Po jo edhe për Engjëllin që shëtit me “Teatrin pa fjalë”, jep shfaqje dhe interpreton Hamletin, por hienat që e ndjekin e çojnë në burg ku edhe e vdesin. Jo edhe për heroin tonë Ermirin, i cili në mjedisin ku e presin dhe e përcjelin, kërkon “kullën e qelqët” që të veçohej e jetonte aty, larg të gjithëve. Por gjërat janë sheshit dhe faktet e dhunshme godasin. Gjyshi solli fshehtas në shtëpi një valixhe me letra, libra dhe blloqe shënimesh:

- Kanë arrestuar një të fisit tonë. Diç shkruante… Mund të na kotrollojnë...

Në fshat erdhi Enveri. Ermiri ishte afruar aq sa i pa dhëmbin e florinjtë… Ia tha gjyshes. Kjo e qortoi. Në rrugën ku kaloi Enveri, kishin hedhur një breshkë të ngordhur… Mësuesja Sose, vrapoi dhe e hoqi. Arrestuan pesë djem. Thonë se po krijonin qeveri të re kundër… Babai shkon e vjen në punë çehrevrarë. I mërzitur dhe i trembur. Është zëmëruar se Ermiri në shkollë nuk paska kënduar këngën “Në ara, fabrika, kantiere…” Kush ia tha? Në fshat mësuese Sosja nuk flet me asnjë. Vetëm me të Plotfuqishmin…

Autori nuk “mbërthehet” pas fabulës e ngjarjeve, ndonëse ato i ka të shumta, por tek idetë dhe mesazhet, duke mos e lënë narrativën t’ia rrëmbejnë intriga, sensacioni apo emocioni i krijuesit. Në kaotikën për rrugë të reja që të dalë nga ky qorrsokak kolektiv i realitetit, ku “jeta cik në kufijtë e të paarsyeshmes” (fq.261), Ermiri kërkon kufij të rinj në luftën e të mirës me të keqen, luftë e cila merr jetë në përplasjen e gjithëkohshme mes dhunës dhe lirisë, si një lufte shemrash. Dhuna fillon tek njeriu dhe përfshin gjithë gjallesat. Në “dialogun” mes maceve, njëra i thotë shoqes se “njeriu është i dhunshmi më neveritshëm. Shih, si na keqpërdor; i fut në thes të vegjëlit tanë, dhe hedh në lumë. Maçokun na e tredh…”

Interesante është skena me qenin Murro, që kuis përvajshëm sepse ka disa ditë i lidhur në zinxhir. Gjyshja e zgjidh. Murro rend e rend gjithë ditën, duke iu gëzuar lirisë që i dhanë,  kërcen e gëzon me qentë e lagjes dhe  vjen e ngordh tek vendi i tij, sikur të kish shlyer një peng, duke refuzuar të shkojë në amshim me zinzhirin në qafë… Po kështu dialogu mes mbretërisë  së  bletëve dhe  nevoja për ta ndërruar “mbretëreshën” e plakur… Pra, jo vetëm në botën njerëzore, por edhe ndërveprimet mes kafshëve, madje deri edhe fenomenet  e natyrës, autori i ndërton përshtat ideve ose mesazheve që i përcjell.

Mendojmë gjithashtu se janë vlerë e shtuar e romanit edhe skicat grafike të autorit (edhe autoportretin e vet - Ermiri). Ato i japin dorë mishërimit gjer në palcë të ndërveprimit autor-lexues, duke i dhënë mundësinë lexuesit që veç emocionit dhe informacionit që i jep narrativa, grafikat plotësojnë edhe kujtesën vizive e cila, zakonisht na shoqëron më gjatë.

Grafika e fundit është ajo që flet më shumë; që është më afër me shtyllën ideore të gjithë romanit. Lejleku me bretkosën ndër dhëmbë, por edhe bretkosa ia ka vënë “thonjtë në fyt” lejlekut, duke “na thënë” se edhe viktima mund të fitojë mbi agresorin grabitqar e dhunues, nëse e sulmon atë me të njëjtën “monedhë…!”

Duke e përgëzuar shkrimtarin dhe mikun tonë, Taip Sulko, i urojmë suksese për veprën e radhës.

© Naun Kule - Tiranë, tetor 2024