Letërsi

Mbi librin e Faruk Myrtajt “Për shkak të Heminguejit” - Nga Qazim Muska

Qazim Muska

Për shkak të Faruk Myrtajt kërkuam dhe gjetëm “…Heminguejin”. E gjetëm, po ç’na “tha”?

Tha se ky libër vjen dhe e sjell njeriun në një botë ndryshe, në një botë absurde, ashtu siç nuk do ta donte askush, ashtu si do ta urrente gjithkush, ashtu si nuk do të duhej të ishte kurrë një botë humane, botë e të drejtave dhe e dinjitetit, botë për ku joshet orë e çast të shkojë Njeriu.

Por personazhet e “Për shkak të Heminguejit” janë nga ata personazhe që fati ua ka sjellë mbrapsht jetën. I ka vënë në sprova titanësh, nga ku ose duhej të vdisje me personalitet, ose duhej të dehumanizoheshe për të jetuar (nëse mund të quhej jetë ajo lloj jetese); ose duhej të mposhtje braktisjen dhe vetminë, ose duhej të çmendeshe; ose duhej t’i vije maska fytyrës, ose duhej të mbaje në shpinë gurin e Sizifit…

Çdokush bën zgjedhjen e vet, i ndikuar edhe nga rrethanat, i vënë në raport të vështirë më jetën, me të vërtetën, me pushtetin, me dhunën dhe përdhunën, me lirinë dhe dashurinë.

Janë personazhe, në të shumtën e rasteve fatkeqë, të vetëdijshëm për ç’u ka rënë në pjesë, për riskun që padrejtësisht duhet ta paguajnë, për kohën që jetojnë dhe për atë që ëndërrojnë.

Martirë dhe viktima, dhunues dhe të dhunar, fajtorë dhe të pafajshëm, vetmitarë dhe të harruar, ëndërrimtarë dhe shpresëvrasës, shpesh ngatërrohen nëpër labirinthe të cilat janë thurrur enkas për këtë çoroditje, për këtë mish-mash, për këtë mos-marrë-veshje të organizuar me marrëveshje, ku ai që ndodhet i lirë mendon burgun e ai që ndodhet në burg mendon lirinë, ku viktima ndihet fajtor dhe fajtori bëhet viktimë, ku jeta s’është gjë tjetër veç një dëshpërim i pafund a një ngatërresë me aktet e Ferrit…

Teksa e lexon “Për shkak të Heminguejit”, ndjesia e një keqardhjeje të rri pezull në kokë, për fatet e pafata të Njeriut, për gjithë ato lëndime të padenja, për gjithë ato përjashtime të pamerituara, për gjithë ato vetmi të pikëlluara e për gjithë ato pakuptime të imponuara.

Por keqardhja do të ishte e mangët pa një katarsis, pa një ndjesë pendese, pa nderimin dhe respektin për ç’u dhunua e u përdhunua, pa e kthyer dinjitetin e humbur… Këto ndjesi zgjohen teksa je duke e lexuar librin. Për këto të vërteta të dhimbshme duhet lexuar “Për shkak të Heminguejit”, por edhe pse është shkruar nga një dorë e sprovuar dhe e afirmuar si ajo e Farukut, një libër ku zhbirohet me imtësi dhe thellësi psika dhe karakteri  i personazheve, ku skanohet gjërë e gjatë jeta në dramacitetin e vet brenda një konteksti të caktuar, ku raportet letrare në tekst ndërtohen më një kulturë të bollshme dhe me një disiplinë të rreptë estetike, ku gjuha përcjell ngjyrimet e një leksiku të begatë dhe ku marrëdhënia e lexuesit me rrëfimin konsolidohet hap pas hapi si rrjedhojë e peshës së fjalës dhe mendimit.

Ja pse ju ftoj ta gjeni “Për shkak të Heminguejit” dhe ta lexoni!

Suksese, Faruk Myrtaj!

© Qazim Muska