Letërsi

Diskurs mbi kozmopoetikën e Frederik Rreshpjes - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Kanada

Poezia e Rreshpjes, është një lirikë autentike si nga brendia, po aq dhe nga struktura e saj. Ajo, në thelbin e vet, është poezi sentimentale, e cila përjeton lëvizjen e heroit lirik brenda vetvetes. Ky hero përjeton lëvizjen e shpirtit, të mendimit, të ndjenjave dhe të përjetimeve të veta në raport të ngushtë me natyrën. Ky raport përbën dhe paradigmën e këtij krijimi poetik. Në të gjejmë një binjakëzim të mbresave dhe të perceptimeve të tyre reciproke, sa të lind mendimi naiv se a e zbulon poeti natyrën apo natyra e bën atë poet! Eshtë poeti që flet për brengën e vet, apo është mjedisi që vuan dhe i mban ison atij? Janë stihitë e natyrës, apo janë jonet e shpirtit të poetit?

Poeti, siç thotë Tjutçevi, “mban frymën, hesht dhe tretet” sikur është dhe nuk është ai që po na flet për veten e vet, por është mjedisi, natyra, që ligjëron për poetin.

Një simbiozë vërtet mitike, që e shmang dikotominë midis natyrës dhe shpirtit të njeriut.

Heroi lirik i Frederik Rreshpjes, ashtu si natyra, nuk kreshpërohet, por e pranon qetësisht dhimbjen:

“Gjethe e fundit në qiellin e dimrit,

Ikën nëpër erë si një vetëtimë.

Ç'mesazhe shpije nëpër mjegulla?

Ç'mynxyrë do t'u kumtosh vetëtimave?”

(Gjethe e Fundit)

Kumti i parë i poetit i drejtohet dashurisë intime:

“Mbeti tek xhami i plasur i dritares sate

Vështrimi im i thyer”.

(Poezia)

Është një kumt për njerëzit e tij të dashur, që nuk janë më:

“Asnjeri s'më pret te porta, vetëm trishtimi

Dhe trëndafilat tërë ankth”

(Shtegtar)

“Në skaj të një hëne po ndez qiriun e hënës

Për tërë këta shpirta të rënë.”

(Vizatim)

Shpirti i tij si një shqiponjë krenare e shikon me përbuzje “shpirtin prej duralumini” të botës moderne:

“Një avion ikën diku dhe zogu suprem

Vështron me përbuzje shpirtin prej duralumini

Që rënkon nga një dhimbje metalike...

Eshtë ndarja njerëzore që ulërin qiejve

Ndjekur nga kavaleria e shirave”

(Shqiponja)

Ja dhe epilogu i tij ngushëllues dhe sfidues:

“Po shkoj dhe shirat po i lë të kyçura,

Por do të kthehem përsëri çdo stinë që të dua.

Unë kam qenë trishtimi i botës,

O ajr i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri!

(Prelud)

Ngushëllimi i vetëm për të mbeten Natyra dhe Zoti.

Shpirti i tij i butë dhe i përgjëruar është një shpirt i bindur idealist: “Sa e shkurtër kjo verë, o Zot!”... “gur-gur po rritet murana ime, o Zot!”... “O perëndia ime e dëborës,/Bëmë një orakull për dashurinë!”.

Nga ana strukturore e ligjërimit, poezia e Rreshpjes ka dy regjistra; monologun me vetveten dhe bisedën me botën që e rrethon.

Në këtë bisedë poeti thërret dashuritë e zemrës së tij të trishtuar: nënën, vajzën e dashuruar, etrit pleq të rapsodive, statujat e legjendave, ciganët dhe arlekinët; fëmininë si pëllumb pezull mbi paqe, trimat e varrosur nga gjakmarrja, çdo plagë dhe kujtim të zemrës së poetit dhe betohet i përgjëruar për miqësinë dhe besnikërinë: “vura duarkryq zërin tim mbi gjithë këto dhimbje dhe thashë: Enise', enise'!”.

Perceptimi mbi botën përcakton dhe semantikën e tij.

Poeti na e përcjell tragjizmin e shpirtit nëpërmjet metaforave dhe krahasimeve: “gjethi ikën si një vetëtimë” duke përcjellë “një mënxyrë”; vështrimi i tij “thyen xhamin e dritares” së vajzës që dashuron; “ankth të madh “përcjellin trëndafilat”.

Pikëllimi i tij është aq i madh sa ndez “qiriun e hënës”.

Trishtimi i tij është një trishtim për njerëzit e dashur, që nuk ekzistojnë më. Ndarja me ata “ulërin qiejve”.

Trishtimi i Rreshpjes ka një përmasë jo vetëm intime, por edhe kozmike. Ai e ndjen veten një pjesë integrale të botës, trishtimi i tij është edhe “trishtim i botës”.

Kozmizmi është një drejtim ndërdisiplinor në kryqëzimin e mendësive mistike, fetare, filozofike dhe shkencore, që presupozon, nga njëra anë, një botëkuptim holistik, që përfaqëson botën si një tërësi të vetme dhe, nga ana tjetër, një etikë dhe mënyrë jetese në një botë të vetme. Gjithmonë ai shpalos një çast nga jeta njerëzore.

Përsa i përket fjalës, kjo në poezinë e Rreshpjes organizohet në dy mënyra: subjektive dhe objektive.

Poeti parapëlqen gërshetimin e mistikes me mendësinë fetare. Heroi lirik i tij ka ndjenjën e njeriut, që e vlerëson veten e vet dhe etikën jetësore në botën në të cilën jeton.

Poezia e Rreshpjes është, mbi të gjitha poezi e dhimbjes së thellë me përmasa universale.

Duke besuar në ekzistencë universale, trishtimi i tij fiton një qetësi të rrallë, shndërrohet në një trishtim të kthjellët:

“Bjerë shi, duartrokit

E hidh ylberë në qiell për dashurinë time”.

(Shi në Plazh)

Ai ka besim në pavdekësinë e frymëzimit të tij të përkorë:

“O ajr i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri!”...

“Por do të kthehem përsëri çdo stinë që të dua.”

(Prelud)

Shkrimtari dhe eseisti Vasil Vasili e ka quajtur Frederik Rreshpjen “ungjillor” dhe poezinë e tij “kozmopoetike”.

Lidhja e tij shpirtërore me natyrën dhe mendësia fetare në pavdekësinë e shpirtit përcaktojnë etikën dhe vizionin e tij mbi botën, e bëjnë frymëzimin e tij me një ndjeshmëri të lartë, të papërsëritshëm.

Poezia e Rreshpjes i kapërcen dhe sinoret e sentimentalizmit të vet falë vetëdijës dhe perceptimit në mënyrë mitologjike të botës që e rrethon. Ai mitologjizon, jo vetëm ndjenja abstrakte, si vetmia: “vetmia ec tok me fëmijët e saj”.

Ai “mitologjizon” edhe Vjeshtën apo Shiun:

“Në atë shteg ku kaloj unë e ka kasollen Vjeshta”,

Shtëpia e gjetheve (është) e kyçur me hënë,

Shpirti i Vjeshtës ulërin i trishtuar,

Për të Vjeshta është streha e dhimbjes së tij:

“dua të vdes një ditë vjeshte,

të vdes atje te shtëpia e gjetheve”.

Edhe shiu edhe era, për poetin, janë qenie me shpirt:

“fëmijë i trishtuar që qan prej mijëra vitesh

Për ditën (e tij) të pangushëlluar”

“Shiu është i verbër si at i poetëve”.

“Nga çerdhja e shiut fluturoi

kënga e reve tërë gjëmë”,

“Era, si ketër, kërcen mbi drurin

Me boçen e shiut ndër dhëmbë”.

Diskursi i poetit ravgon gjer thellë në jehonën e miteve homerike: “jemi puthur në iliada/kur lirës i binin homerët”, apo të legjendave tona: “mbi një kalë të vogël gjethesh/Garentina në ëndërr më vjen” si dhe në krijimtarinë e lirikëve botërorë: “mbi zjarrin e trëndafilave ngroh duart Saadiu”.

Rreshpja sentimental i bën jehonë realiste kohës së vet kur “statujat e legjendave zbresin nga drurët/Që vdesin në muzg” dhe “ndarja njerëzore ulërin(te) qiejve”.

Ai i bën jehonë kohës që “rri(nte) me shpatën e luftës së klasave në dorë”: “Sa mirë kur ishim të vegjël/Dhe i faleshim tok shën Mërisë”; ka ardhur epoka e emigrimit: “Ah, ç'do më vrasë rrufeja e huaj/Nëpër shirat që s'i njoh!”; “statujat e legjendave zbresin nga drurët/Që vdesin në muzg” dhe “ndarja njerëzore ulërin(te) qiejve”.

Te Frederik Rreshpja kemi një animizim të aspektit iracional të dukurive abstrakte dhe fenomeneve natyrore apo atyre shoqërore. Pra ai na përcjell diçka nga koncepti i lashtë iracional mitologjik.

Pa pritur më dolën dy vargjet e poezisë “Vinjetë”: “Dhe mbi pastelet e borës mardhet/Shelgu i trishtuar, fatkeq mitologjik i iracionales si Serembe”.

Shelgu i trishtuar Serembe!

Borgesi e thotë troç se çdo poezi e çdo kohe pasardhëse është një vazhdimësi pa mbarim e ligjërimit të poetëve pararendës.

Frederik Rreshpja na kujton se vargjet e tij janë një jehonë e largët e kangjeleve të trishtuara të romantikut të madh arbëresh, Zef Serembe dhe jo vetëm!

Pa traditë nuk ka trashëgimi.

Poezia ishte pasioni, ishte frymëzimi, ishte streha e vetmisë dhe e dhimbjes së poetit:

“nuk jam Odise i shpikur.

Eh, itakën time e kam shpikur vetë

Se kam nevojë të domosdoshme për ishuj”.

(Diku, Kudo)

“Verës që shkoi kisha një stap që u bë shelg te prroi i vjetër.

Do vinë zogjtë, do bëjnë fole

Dhe ne nuk do të jemi më të vetmuar,

Moj kapelja ime e vjetër.

Deri në ditën e gjahtarëve.

Gjahtarëve të mallkuar.”

(Moj Kapelja ime e Vjetër)

Frederik Rreshpja mbetet një nga identitetet genuine më të rralla e të papërsëritshme të poezisë sonë bashkëkohore. Mbetet poeti që trishtimin e ngriti në shkallën universale, duke e shndërruar trishtimin njerëzor në Lirikë Kozmike.

© Vangjush Ziko