Letërsi

Nostalgjia ruse

Nga: Albana Lifschin

-Fragment novele-

Nëna e Xhenit, një ruse rreth të shtatëdhjetave, qe ulur pranë tryezës dhe diçka po i thoshte së bijës në rusisht. Me të më parë mua, e ktheu në anglisht. Kishin ardhur në Amerikë 30 vjet më parë.

-Këtu kishim motrën e mamasë. Ajo na shkruante se sa mirë ishte rregulluar madje na thoshte që edhe vaskën e banjës e kishte në ngjyrë trëndafili. Na nxiste të vinim në Amerikë. Dhe ne erdhëm. Por në fillim u zhgënjyem shumë. Ne e ëndërronim Amerikën shumë më mirë nga sa e gjetëm. Nuk na shkonte mendja se do të shihnim kacabuj nëpër apartament.

Krushka ruse e fliste anglishten të zbutur nga mjakiznaket. E përsëriste shpesh fjalën “fjorst” në vend të “fërst”, për të treguar zhgënjimet e para. Pastaj ra fjala te sigurimet shëndetësore, biseda e ditës në Amerikë, dhe rusja e hodhi fjalën në të kaluarën.

-Ne atëherë nuk paguanim kur shkonim te mjeku, apo jo? - Ajo më vështroi në sy.

Të gjitha vendet e Lindjes ishin kopje e modelit rus. Dhe rusja, duke marrë kurajë që mua më kishte 'në anën e saj', filloi t’i rijetonte ato kohë kur njerëzit ishin më “friendly” me njëri-tjetrin. Kur fëmijët luanin pa frikë në oborre e apartamente dhe kurrë s’kishte ndodhur ndonjë rrëmbim. Kur dyert e apartamenteve i mbanin hapur e hynin e dilnin te njëri-tjetri në çdo kohë, gjithnjë pa trokitur.

Rusja pak nga pak filloi të xhironte pa kontroll. Në kuzhinë kishte hyrë ime vjehërr.bKrushka ruse tashmë qëndronte në këmbë e po fliste me pasion duke e shoqëruar të folurën edhe me duar. Ime vjehërr po dëgjonte me vëmendje. Pasi kishte folur për mjekësinë falas dhe shkollën falas, krushka ruse vazhdoi:

-Atëherë ne banonim në një pallat ku çdo kat kishte katër familje me një kuzhinë të përbashkët. Ne gratë mblidheshim në kuzhinë, gatuanim gjellëra të ndryshme, i shkëmbenim ato me njëra-tjetrën e kënaqeshim duke bërë muhabet. Shkonim shumë mirë. Por më shumë kënaqeshin fëmijët. Edhe ata vinin në kuzhinë e luanin, ja ashtu nëpër këmbët tona.

Unë nuk kisha dëgjuar ndonjëherë se në Bashkimin Sovjetik kishte apartamente me një kuzhinë e një banjë të përbashkët. Ç’qenë ato, konvikte?! Kësaj radhe vështrimi i ruses i drejtuar tek unë ra në të ftohtë.

-Ju kishit një kuzhinë të përbashkët për të gjitha familjet dhe këtë kohë e kujtoni me nostalgji? - ndërhyri vjehrra ime dhe tundi kokën në shenjë mospëlqimi.

Krushka ruse u zu ngushtë. Filloi të shpjegohej se nuk kishte si qëllim të shante Amerikën, por po tregonte për frymën shoqërore që kishin njerëzit në Rusi. Natyrisht, shembulli i kuzhinës së përbashkët s’qe ilustrimi më i mirë që ajo mund të sillte si argument.

-Unë jam krenare për vendin tim, - tha ime vjehërr, duke mbyllur një kapitull të çuditshëm për të dhe na propozoi të shkonim te dhoma ku ishin miqtë.

Shënim: Novela e plotë "Vjehërr Amerikane", gjendet edhe në albanalifschin.tripod.com

Tagged under Albana Lifschin